Gërdeci, blloku i sekretares tradhëton takimet Mediu - Shkëlzen Berisha

TIRANË- Janë përpjekur të mos lënë asnjë gjurmë, të zhdukin çdo provë të takimeve të shpeshta në zyrat e shtetit. Kanë fshirë çdo material filmik që regjistronte takimet e kreut të Ministrisë së Mbrojtjes, por kanë harruar të zhdukin të zezën mbi të bardhë, atë që kanë regjistruar sekretaret e ministrit të Mbrojtjes, sipas një rutine të përditshme, ku shënoheshin të gjitha takimet, telefonatat që fiksonin takimet e njerëzve të ndryshëm që donin të takonin ministrin, nga zyrtarët e ministrisë, deputetë, ministra, njerëz të thjeshtë, deri ushtarakë apo përfaqësues të huaj të akredituar në Shqipëri ose që vinin për vizitë. Dhe më pikantja janë takimet e shpeshta të djalit të Kryeministrit, Sali Berisha, në zyrën e ministrit Fatmir Mediut. Këto takime janë të shpeshta në pranverë-verën 2007, për të vijuar më pas në janar 2008, deri në takimin e fundit të regjistruar më 18 mars, tri ditë pas katastrofës së Gërdecit.
***
Sigurimi i provave shkresore të takimeve të Shkëlzen Berishës me ministrin Mediu, është bërë pas urdhrit të Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë të gjitha materialet që posedonte Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa ka qenë e pamundur të merren materiale filmike që tregojnë se kush ka hyrë në zyrën e ministrit, që në mënyrë enigmatike mungojnë, prokuroria ka shtënë në dorë dy blloqe që kanë një agjendë të ngjeshur të ministrit Mediu, për një pjesë kohe kur drejtonte dikasterin. Më datë 11 prill 2008, dy oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme shkojnë në sekretarinë e ministrit të Mbrojtjes. Ata marrin dy blloqe shënimesh, ku shënoheshin të telefonatat dhe takimet që persona të ndryshëm bënin me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sekretares i sekuestrohen nga oficerët e Policisë Gjyqësore dy blloqet e shënimeve: blloku me kapak plastik, me kapëse unazë, kishte 56 fletë, ku në faqen e parë ishte shënuar "porosi te ministri i Mbrojtjes". Aty shënimet nisin nga data 24 prill 2007 dhe përfundojnë më 30 gusht 2007. Në bllokun tjetër me kapak të trashë blu, me mbishkrimin "2008", shënimet fillojnë më datë 3 janar 2008 dhe mbarojnë më 22 mars 2008, ndërsa pas kësaj date nuk ka shënime. Blloku i parë përdoret nga vajzat adoleshente, i dizenjuar me kukullën "Bratz", mbi figurën seksi të së cilës sekretarja ka filluar të lërë shënimet për vitin 2007, mbi takimet e ministrit Mediu. Personazhet më të shënuar janë ish-drejtori i MEICO-s, Yli Pinari, Shkëlzen Madani, shefi i kabinetit, drejtues të tjerë të ministrisë, deputetë, ministra dhe gazetarë.
Më 10 maj 2007, pas takimit me gjeneralët turq, dhe pas një bisede telefonike me zyrën e BBC-së në Londër, në zyrë hyn Shkëlzen Berisha. Pas këtij takimi të parë të evidentuar, vijojnë takimet e shpeshta mes djalit të Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, që zhvillohen të gjitha në zyrë. Takimi tjetër do të bëhet më datën 9 korrik 2007 dhe sipas shënimeve të sekretares, ministri nuk shkon në mbledhjen e qeverisë së fiksuar, por pret në zyrë djalin e Kryeministrit. Sërish të nesërmen takimi tjetër, më 10 korrik dhe djali i Kryeministri hyn në zyrë pas drejtorit të kabinetit. Takimi tjetër është pas një jave, më 17 korrik 2007, po në zyrën e ministrit Mediu dhe sërish pas drejtorit të kabinetit që dorëzon disa materiale. Një ditë më pas, më 18 korrik, takimi tjetër, dhe sërish takimi tjetër të nesërmen, ku sekretarja nuk harron të shtojë edhe shënimin (dy kafe). Më 20 korrik, Shkëlzen Berisha është sërish në zyrë
Më 13 gusht 2007, Shkëlzen Berisha është sërish në zyrën e Mediut, ku pak më parë ka qenë Ylli Pinari, drejtor i MEICO-s. Takimi tjetër, më 29 gusht 2007, pasi ambasadori gjerman kishte kryer takimin e planifikuar për në orën 13.00 dhe pas djalit të Kryeministrit në zyrën e Mediut futen sekretari i përgjithshëm dhe Shkëlzen Madani.
Pikërisht në këto kohë është "krijuar" Gërdeci. Ministria urdhëroi dërgimin e fishekëve të parë për të provuar efektshmërinë e makinave të ardhura nga Amerika, si dhe përshtatjen e tyre me municionet shqiptare. Pak ditë më pas, fabrika nisi punë "full time". Ajo u inaugurua edhe nga vizitat e ushtarakëve të lartë.
Blloku i dytë blu mban shënime sipas kalendarit në gjuhën turke dhe anglisht dhe bën fjalë për takimet e vitit 2008. Emri i Shkëlzen Berishës del së pari në takimin e ditës së enjte, datë 24 janar 2008, në zyrën e ministrit Mediu. Më pas, në takimin e datës 12 shkurt 2008, në zyrë. Në shënimet e lëna nga sekretarja, pak orë para tragjedisë së Gërdecit, shkruhet: "Erdhën kolltuqet e reja të zyrës së ministrit...".
Takimi tjetër i Shkëlzen Berishës me Mediun realizohet pak kohë pasi Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, lë në sekretari numrin e celularit, mëngjesin e së martës, 18 mars 2008. Djali i Kryeministrit shkon për takim në zyrë dhe më pas drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari. Blloku i dytë i mbaron shënimet më 22 mars, me konferencën e zv/ministrit.
***
Shumica e takimeve zyrtare të ministrit janë të karakterit protokollar dhe në sekretari janë shënuar numra të shumtë telefonash fiks apo celularë, porosi për takimeve apo anulimin e tyre. Ajo që bie në sy gjatë takimeve të djalit të Kryeministrit me ministrin e Mbrojtjes, janë shënimet për diskutime, apo kalime të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ndërsa personazhi më i rëndësishëm dhe u kudogjendur është këshilltari juridik i Ministrisë së Mbrojtjes, drejtori i MEICO-s, apo Shkëlzen Madani, që në disa raste vjen për të firmosur materiale që janë me urgjencë. Dhe në të gjitha rastet, sekretaret nuk kanë harruar të lënë shënimet zyrtare: "Z. Shkëlzen Berisha në zyrë", apo "Z. Shkëlzen Berisha në zyrën e ministrit".

****

Gazetarët e qeverisë, vizita të shpeshta në zyrën e Mediut

Vizitorët më të shpeshtë të zyrës së ministrit të Mbrojtjes, përveç të huajve, kanë qenë emra të njohur në vend. Deputetë apo zyrtarë të PR-së, duke filluar nga kryetari i nderit i asamblesë, deri te drejtuesit vendorë të partisë, janë të shpeshtë në zyrën e kryetarit të tyre. Nuk mungojnë gazetarët e medieve të ndryshme, nga BBC-ja tek ato vendase, që kërkojnë intervista nga Kryeministri. Nuk i përket kësaj kohe takimi me gazetarë të "NYT"-së, kur pas pyetjeve për dyshimet mbi trafikun e municioneve, bashkëpunëtorit të gazetarit amerikan, në mënyrë të dhunshme iu mor kaseta me filmimet e bëra në zyrën e Mediut.
Më 3 korrik 2007, sekretarja ka shënuar takimin e botuesit, Fahri Balliu, në zyrën e Mediut. Z. Balliu kishte bashkuar aksionet me Mihal Delijorgjin në firmën që do të ndërtonte fabrikën e vdekjes në Gërdec, mbi rrënojat e ish-repartit ushtarak dhe të ambienteve të tjera të zaptuara, për të ngritur biznesin fitimprurës. Katër ditë pas tragjedisë së Gërdecit dhe pak kohë para se të jepte dorëheqjen nga posti, në zyrën e Mediut, më datën 19 mars, ishin shënuar të futur në zyrën e tij, disa herë rresht, drejtuesit e një kompanie mediatike afër qeverisë.

******

TIRANË- Të akuzuarit kryesorë për skandalin e tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli e disa të tjerë, kanë vazhduar të komunikojnë lirshëm edhe gjatë kohës që ndodheshin në burg.

Secili prej tyre ka pasur një telefon celular, me anë të të cilit fliste me njerëzit e afërm, avokatët, por edhe persona të tjerë. Por, asnjë prej tyre nuk ka dyshuar se telefonat përgjoheshin nga prokuroria.

Në dosjen "Gërdeci", një kopje e së cilës ndodhet në redaksinë e "Shekulli"-t, ndodhen të gjitha përgjimet e kryera nga prokuroria në lidhje me këtë çështje. Për secilin përgjim, prokuroria ka marrë leje në gjykatë. Përgjimet kanë nisur më 16 mars 2008, një ditë pas shpërthimit tragjik të Gërdecit dhe kanë vazhduar për një kohë shumë të gjatë.

Në dosjen e prokurorisë tregohet se edhe pse ishte në qelinë e burgut, Mihal Delijorgji mbante një telefon celular me numrin 0693384370. Me këtë telefon ai komunikonte çdo ditë me personat jashtë, por edhe me të burgosurit e tjerë.

"Dyshojmë se shtetasja, Vjollca Delijorgji, bashkëshortja e Mihalit, transmeton komunikime me personin nën akuzë dhe me masë sigurimi arrest me burg, çmoj që është rasti të përgjohet telefoni celular me nr. 06820*****",- thuhet në një prej kërkesave të prokurorisë.

Afati i përgjimit ishte 15 ditë, por në rastet kur zbuloheshin detaje të reja, shtyhej edhe më. Të gjitha përgjimet janë kryer dhe më pas transkriptuar nga Qendra Kombëtare e Përgjimeve. Në disa raste të tjera janë përgjuar Mihal Delijorgji dhe e shoqja, Vjollca, të cilët diskutojnë për çështjen.

Në disa raste, të pandehurit nervozohen dhe zihen me njëri- tjetrin. I tillë është rasti i Ylli Pinarit, drejtorit të MEICO-s dhe Shkëlzen Madanit, sekretarit të përgjithshëm të ministrisë.

"Të njoftoj se do të bëj publike në media bëmat e tua dhe përdorimin për t'u mbrojtur në prokurori të eprorit tënd trafikant", - ky sms është shkëmbyer mes Pinarit dhe Madanit më datë 17 mars, vetëm dy ditë pas ngjarjes tragjike. Por, vetëm 10 minuta më pas, Madani ndërron mendje dhe telefonon Pinarin.

"Nga emocioni e kisha Yllo, mos çaj kokë, Shkëlzeni jam",- është fjala e parë e bisedës. Më pas, Madani i kërkon Pinarit një material, por ky i fundit i përgjigjet që ndodhet në Drejtorinë e Policisë dhe nuk e ndihmon dot. Atë ditë Pinari u arrestua nga policia.

Në një prej bisedave të përgjuara dallohen edhe pazaret që bëhen për dënimet e mundshme. Kështu, për Delijorgjin, avokati ka kërkuar 50 mijë euro që në shkallë të parë të dënohet me shtatë vjet burg.

Më pas, në apel të kalojë me dy vjet burg. Për këtë gjë duheshin edhe 15 mijë euro të tjera. Në bisedë flitet edhe për një marrëveshje që mund të arrihej me një prej prokurorëve.

------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Dëshmia e sekretares për faksin "fundos" djalin e Kryeministrit dhe të përzgjedhurin e tij për kryetar të PD-së së kryeqytetit

Lidhja e Shkëlzen Berishës dhe Bumçit me Gërdecin

TIRANË- Lidhjet e djalit të Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, dhe Gërdecit, e kanë zanafillën që në gjenezën e projektit që do të shndërrohej muaj më vonë në një tragjedi me 26 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur. Shkëlzen Berisha është interesuar për projektin që në momentin kur po përgatitej kuadri ligjor i çështjes.

Në atë kohë, ministër i Drejtësisë ishte Aldo Bumçi. Por, edhe pse faktet implikojnë qartë djalin e Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Aldo Bumçi, në skandalin e Gërdecit, ata jo vetëm që nuk janë marrë të pandehur, por as janë marrë në pyetje për të shpjeguar çështjen.

Ministria e Mbrojtjes kishte përgatitur kuadrin ligjor, por duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë. Të gjitha materialet kaluan tek ministri Bumçi dhe stafi i tij, i cili pasi i pa, vendosi miratimin. Por, në këtë pikë, Bumçi tradhtohet nga një faks. Ai i dërgon një prej materialeve Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi të shkruan me dorën e tij: "Për Shkëlzen Berishën".

Vetë Bumçi e ka mohuar këtë fakt kohë më pas, por faksi ndodhet në materialet e dosjes që tashmë prokuroria ka depozituar në gjykatë. Për të provuar se kush e ka vendosur shënimin mbi faks janë marrë në pyetje sekretaret e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes. Pikërisht sekretarja që ka dërguar faksin ka njohur edhe shkrimin e shefit të saj, Aldo Bumçi.

Sekretarja quhet Anjola Agolli dhe, teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. "Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi "për trajtim" është i ministrit Bumçi.

Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore tek cepi i majtë lart: "Për z. Shkëlzen Berisha", është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për tek Ministria e Mbrojtjes",- thotë në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi.

"Ministri më udhëzoi që t'ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin "Shkëlzen Berisha".

Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin",- thotë në dëshminë e saj Anjola Agolli.

Ajo ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani.

Lidhja Shkëlzen Berisha-Aldo Bumçi nuk ka ekzistuar vetëm në letra, por edhe në takime konkrete. Sekretarja e ministrit Bumçi ka dëshmuar për disa takime të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në Ministrinë e Drejtësisë.

"Unë njoh një shtetas me emrin Shkëlzen Berisha, i cili ka ardhur dy herë për të takuar ministrin Aldo Bumçi në zyrë. Rasti i parë ka qenë me fillimin e punës si ministër të zotit Aldo Bumçi.

Unë e kam parë kur po dilte nga zyra ku ishte futur gjatë kohës që në turn ishte sekretarja tjetër, Rovena.

Rastin e dytë nuk e kujtoj saktë si muaj, por mbaj mend se më kanë njoftuar nga sporteli e më kanë thënë se zoti Shkëlzen Berisha do të takojë ministrin",- ka pohuar sekretarja.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------

Zbardhen bisedat telefonike të familjes Berisha me Mihal Delijorgjin dhe Fatmir Mediun, ditën e shpërthimit të Gërdecit


Delijorgji fliste në telefon me Shkëlzen Berishën

Implikimi i djalit të Kryeministrit, Sali Berisha, në çështjen e Gërdecit dallohet qartë edhe në thirrjet telefonike të kryera menjëherë pas shpërthimit të tmerrshëm të 15 marsit 2008.

Edhe pse prokuroria ka anashkaluar numrin e tij dhe nuk e ka mbajtur në vëzhgim, ai del në bisedat me Fatmir Mediun. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, Fatmir Mediu ka njoftuar familjen Berisha për atë që ka ndodhur.

Ai ka marrë në telefon Sali Berishën dhe më pas djalin e tij, Shkëlzenin, duke i treguar për Gërdecin. Por, emri dhe numri i Shkëlzen Berishës del edhe në tabulatet telefonike të Mihal Delijorgjit, njeriut që ka arkitektuar të gjithë Gërdecin.
Midis Fatmir Mediut dhe Shkëlzen Berishës janë shkëmbyer 26 biseda dhe mesazhe telefonike.

Në orën 14.08 të ditës së shpërthimit, Fatmir Mediu ka marrë në telefon Shkëlzen Berishën. Ata kanë folur për 74 sekonda mes tyre. Një tjetër telefonatë është regjistruar në orën 16.31 dhe kohëzgjatja e saj është 37 sekonda.

Dhjetë minuta më pas, Shkëlzen Berisha dhe Fatmir Mediu kanë shkëmbyer një tjetër telefonatë mes tyre. Në këtë kohë, telefonatat janë bërë shumë të shpeshta. Telefonata tjetër mban orën 17.06. Pas kësaj, qetësi telefonike.

Shkëlzen Berishës duket se nuk i kanë mjaftuar fjalët e Fatmir Mediut në lidhje me Gërdecin. Ai ka mbajtur lidhje të vazhdueshme edhe me arkitektin e tragjedisë, Mihal Delijorgjin. Mes tyre janë regjistruar të paktën 56 telefonata.

Ata kanë komunikuar 55 herë me njëri- tjetrin, nga data një janar 2008 deri më 15 mars 2008, dita e tragjedisë. Këtë ditë, Shkëlzen Berisha dhe Mihal Delijorgji kanë komunikuar vetëm një herë. Në orën 12.48, Berisha dhe Delijorgji kanë biseduar për 54 sekonda në telefon. Që nga ky moment nuk del më asnjë bisedë mes tyre.

Ndërsa me Sali Berishën, Fatmir Mediu ka folur fillimisht një orë përpara shpërthimit tragjik. Deri në momentin e shpërthimit ata kanë zhvilluar edhe një tjetër bisedë, ndërsa në 12.17, vetëm dhjetë minuta pas ngjarjes, Fatmir Mediu i ka telefonuar Berishës, duke i treguar atë që kishte ndodhur në Gërdec.

Një tjetër telefonatë në orën 12.19 dhe më pas pushim, deri në orën 17.09, kur rinisin telefonatat dhe mesazhet telefonike. Vetëm ditën e tragjedisë, Fatmir Mediu dhe Sali Berisha kanë komunikuar 12 herë mes tyre.

9 Komente

Keto sekretaret apo kandidatet per sekretare te bejne gjemen smiley

Me vjen me te vertete keq per sekretaren. Shpresoj t'i kete bere mire llogarite.

N.q.se te gjitha keto qe shkruhen ne keto gazeta jane te verteta, duhet te hidhet ne gjyq orani i prokurorise per nxjerje sekreti.

Ceshtja eshte mbyllur dhe ka vajturne gjykate.Ska me sekret hetimi sepse dosja u ka vajtur edhe te pandehurve edhe avokateve.

Tani pritet qe te hapet gjyqi .

Ca thu mer Anglezo, keto materiale te dosjes hetimore i jane shperndare te gjithe avokateve qe mbrojne 30 te pandehurit e ceshtjes Gerdeci. Pra tashme dosja eshte bere pothuajse publike. Ajo qe une nuk e shpjegoj dot eshte se si ka mundesi qe prokuroria nuk e ka thirur asnjehere per te deshmuar djalin e Ministrit te Pare Shkelzenin!

Mire me mire hidheni ne gjyq prokurorine, po me thuaj ca mendimi ke psh ti per cunin e Sales qe hynte e dilte ne Ministri?

Ketu ne Internet, nuk vlejne rregullat e procedures penale!

Kur meson robi dicka, qofte edhe ne menyre te parregullt, krijon nje opinion, pozitiv, ose negativ.

Car mendimi ke ti pershemull, per vizitat e cunit te Sales?
Falemnerit shume!

 Kjo puna e prokurorise, me duket pune e paqme, nje hetim shum i shkelqyer, veç kam frike se me kete publikim qe behet ne shtyp, e gjith çeshtja do te ngelet ne sferat e diskutimeve, ne vend qe ti kaloje gjykates dhe eshte kjo e fundit qe i theret te tere te permendurit, per te sqaruar pozicionin e tyre. Vertet qe çeshtja eshte e nje rendesie te veçante, ku perfshihen dhe pjeset me te larta te nomeklatures se sotme, por kjo s'duhet ta tuti/friksoje gjykaten per te theritur pikerisht keta te perfshire. Megjithse eshte detyra e Prokurorise se Pergjitheshme, ti therasi te ter keta, per te dhene shpjegime mbi pyetjet qe ngrihen, para se te shkojne ne gjykate, sepse per nje ngjarje te tille, do te ishte nje fiasko te shkonte dosja e pa plotesuar ne gjykate. 

Në një prej bisedave të përgjuara dallohen edhe pazaret që bëhen për dënimet e mundshme. Kështu, për Delijorgjin, avokati ka kërkuar 50 mijë euro që në shkallë të parë të dënohet me shtatë vjet burg.

Më pas, në apel të kalojë me dy vjet burg. Për këtë gjë duheshin edhe 15 mijë euro të tjera. Në bisedë flitet edhe për një marrëveshje që mund të arrihej me një prej prokurorëve

50 + 15, vetem 65 mije euro eshte cmimi i lirise per Delijorgjin...

A e di njeri sa shitej nje shtepi andej nga Gerdeci para se te ndodhte "spektakli"?  Se cmimi i njerzve u mor vesh...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).