Fati i deputetit

 

Fati i deputetit shqiptar nuk varet nga ajo se çfarë mendon ai, nuk varet nga pikëpamja politike që ka ai për zhvillimin e vendit, sa e do ai këtë popull, sa i aftë është për të mbrojtur interesat e tij, sa konkurrues është, çfarë karakteri ka, çfarë morali, dhe pastaj, si një rezultante e të gjitha këtyre, fati i tij nuk varet plotësisht as nga votat që do të mund të mblidhte. Një politikan apo një qytetar që dëshiron të kandidojë si deputet për llogari të një prej partive të mëdha, PD dhe PS, ka edhe fatin më të çuditshëm dhe më të papërcaktuar në botë: që të bëhet deputet, para së gjithash dhe mbi të gjitha ai duhet të jetë në një listë, dhe jo vetëm në atë listë, por sa më në krye të saj. Do të jetë në listë apo jo? Në këtë dilemë qëndron i varur edhe fati i deputetit shqiptar. Si në të gjitha dilemat absurde, edhe dilema të jesh apo të mos jesh në listë, është një çështje, zgjidhja e së cilës nuk është në duart e njeriut që do të bëhet deputet. Të paktën dy arsye pse ndodh kështu janë më të dukshmet: e para, listat nuk përgatiten mbi bazë të konkurrimit, nuk përgatiten duke konsideruar votën brenda partisë, nuk përgatiten nga strukturat e saj, nuk përgatiten mbi bazë kriteresh. Ato përgatiten vetëm nga një person: nga drejtuesi aktual i partisë dhe ndoshta arsyet pse je ose nuk je në listë nuk do t’i mësosh kurrë. Por këtu është vetëm fillimi i së keqes. Listat në thelbin e tyre janë konspirative. Apo, për ta ulur tonin, ato trajtohen si një material i klasifikuar, sekret, çka do të thotë që askush nuk mund ta dijë, nëse është apo jo në listë. Deri në momentin e fundit.

 

Megjithatë, analiza e situatës në të cilën je përfshirë në listë me analizën e së kundërtës së saj çuditërisht të çon në disa konkluzione surprizë, më e pakta e të cilave është që në kushtet ekzistuese të jesh apo të mos jesh në listë nuk është fare çështja, sepse fundi do të ishte i njëjtë për të dy rastet.

Nëse kryetari i partisë në momentin e fundit do ta përjashtojë nga lista një kandidat apo do ta vendosë atë në një nivel të listës nga ku nuk ka asnjë shans për të fituar, ky kandidat nuk do të bëhet deputet. Por jo vetëm kaq. E keqja më e madhe është se ai nuk do të ketë as kohë dhe as mundësi tjetër për t’u përfshirë në fushatë, si individ, apo i lidhur me një parti apo koalicion tjetër. Praktikisht, ai nuk do të ketë më asnjë shans, jo vetëm për t’u bërë deputet në një mënyrë tjetër, por nuk do të ketë asnjë shans për të qëndruar në politikë. Ai nuk do të ketë asnjë mundësi konkrete për t’u artikuluar, për të thënë se sa gabim ishte ajo që ndodhi, metoda, mjetet, qëllimet, misioni i deformuar i partisë. Pra, në thelb, ai nuk ka më asnjë shans për të rihyrë në politikë dhe asnjë shans për të kritikuar nga një pozicion i hapur mediatik, nga një pozicion publik. Nga ana tjetër, humbja e tij do të jetë e vogël, pa përpjekje, mediokre, një humbje që nuk lë gjurmë dhe që nuk do ta mbajë mend askush. Dihet që brenda çdo humbjeje ka një fitore. “Plaku dhe Deti” ishte një tregim i madh, sepse u tregoi njerëzve që në jetë shpesh një humbje e madhe është më dinjitoze se një fitore e vogël. Në rastin e mospërfshirjes në listë humbja do të jetë një humbje mizerabël, totalisht e tillë, pa asnjë shenjë triumfi të brendshëm. Në thelb, do të jetë një “vdekje” politike, asfiksim; do të kishim të bënim me një kufomë që varroset pa ceremoni, ashtu shpejt e shpejt, larg syve të botës, nën shi, në një varr pa epitaf, akoma më zi, pa emër, pa moshë, që s’do ta marrë vesh askush se varri i kujt ishte. Kandidati për deputet brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër do të shndërrohet në një “kufomë” politike dhe me siguri që do t’i rikthehet qëndrimit konformist që mbajti, do ta mallkojë veten se pse heshti para se të ndodhte kjo gjë, pra, pse nuk e kundërshtoi kryetarin e partisë, pse nuk i paraqiti publikisht problemet e tij, pse votoi për atë dreq Kod, pse votoi për sistemin që i jep kryetarit të partisë pushtetin dhe ia heq atij, aq më shumë ia heq vetë partisë votuesit.

Në rastin e dytë, nëse kryetari i partisë e vendos kandidatin në një vend të favorshëm në listë, ai do të mund të arrijë të bëhet deputet, çka presupozon që do të mund të vazhdojë jetën e tij politike, që ia ka arritur të mbijetojë politikisht. Por, brenda tij ka vdekur njeriu, dëshira për të luftuar për lirinë, për të vërtetën, për të drejtën e tij dhe të votuesve të tij. Koha e gjatë e pritjes për të qenë apo jo në listë, që pa asnjë hezitim do të mund të quhej edhe koha e gjatë e servilizmit, përuljes, koha e gjatë e vetë-gjymtimit moral dhe shpirtëror; heshtja për të mos prishur punë, për të mos thënë të vërtetën për shkak të vendit që duhet të “kapë” në listë; mallkimi me zë të ulët dhe buzëqeshja me zë të lartë; përgatitja e varianteve rezervë që do të aplikohen, nëse humb ose nëse fiton; të gjitha këto do të kenë shkaktuar tashmë me siguri edhe “vdekjen” e tij morale. Koha e gjatë e autocensurës, e shtypjes së mendimit të lirë brenda vetes, mbi të gjitha koha e gjatë e shkëputjes nga zona elektorale, dyshimi torturues se cila mund të ishte kjo zonë, ajo që ka pasur apo një tjetër, cilët mund të ishin votuesit e tij, ata që kanë qenë apo të tjerë, me siguri që e tjetërsojnë edhe gurin e jo më një kandidat për deputet në Shqipëri. Ai do të shndërrohet në një kufomë morale, së paku, për arsyen më të thjeshtë të mundshme: nuk do të jetë më përfaqësuesi i popullit, por përfaqësuesi i kryetarit të partisë. Sigurisht, mund të ndodhë që të marrë vota, vështirë që mandatin ta përdorë në interes të votuesve, sepse, para se t’ia dijë për nder atyre, ai do të ia dijë për nder kryetarit të partisë. Në thelb, kemi të bëjmë me një konflikt interesi. Kryetari i partisë, në njëfarë mënyre, duke patur pushtetin e formulimit të listës, merr pjesë nga pushteti i popullit, votuesve, çka bën që deputeti të mos e përdorë mandatin në interes të popullit, por në interes të kryetarit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, ai pushtet që i takonte partisë dhe që duhej të përdorej prej saj për të përcaktuar njerëzit më të mirë në betejën elektorale, të përdoret tashmë nga kryetari i partisë për të ruajtur pushtetin e tij personal në të ardhmen. Gjithsesi, e gjitha kjo çon në atë që kandidatët, të cilët kanë hyrë në listë fshehurazi, në terr, do të hyjnë në fushatë pa energji, me motorë të shuar, të dërrmuar nga intrigat katundareske nëpër kafenetë dhe darkat që nuk mbarojnë kurrë. Ndërkohë që, si ata që nuk mundën të përfshihen në listë, edhe këta që do të përfshihen, njësoj do të përjetojnë fundin e tyre. Ndryshimi do të jetë vetëm në një pikë. Ata që hyjnë në parlament, do ta përjetojnë si një “vdekje” morale, para se të bëhet edhe politike, pra para se ata të shndërrohen në numra, kartonë, rreshta.

. . .

Çështja e listave të kandidatëve për deputetë, ashtu si është formuluar dhe si pritet të zbatohet, është bërë një çështje dramatike e demokracisë të këtij vendi. Në mënyrën më të drejtpërdrejtë ajo thellon më shumë distancën e demokracisë shqiptare ndaj standardit, e hibridizon më shumë atë. Çështja e “listave” dhe përdorimi i tyre për të “ngrirë” më tej partitë, për t’i shndërruar ato në rreshtime ushtarësh që në luftërat e mendjes formojnë edhe ushtritë më të dobëta, nuk është çështje individësh, nuk është thjesht dhe vetëm çështje e fateve personale. Mbi të gjitha, është një problem tronditës i shfaqur në politikën shqiptare.

Në radhë të parë, çështja “e listave” ka të bëjë me cilësinë e parlamentit. Është kjo metodë e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë që do të çojë në parlament, ose njerëz shërbyes të autoritetit të partisë, pra, të përgatitësit të listës, ose servilë me personalitet prej rrëshire, paluze. Le të kujtojmë parlamentin e vitit 1996. Ai parlament kishte një cilësi të lartë në përbërjen e tij, por një fuqi politike të ulët, sepse zgjedhja e kandidatëve për deputetë nuk u bë mbi bazë të një procesi të thellë seleksionues, çka do të mund të verifikonte veçanërisht mbështetjen e secilit prej tyre nga votuesit e zonës elektorale dhe nga dega e PD e asaj zone. Kjo gjë shpjegon deri në njëfarë mase pse ky parlament nuk mundi ta durojë goditjen e vitit ‘97, por u shkërmoq. Prandaj, në thelb, autoritarizmi si një formë e drejtimit të partisë nuk është diçka e brendshme, diçka që i takon vetëm asaj partie dhe prandaj nuk i takon shoqërisë në kuptimin më të gjerë. Sepse, autoritarizmi i partive deformon parlamentin duke sjellë në të personalitete gjysmë të zgjedhur dhe gjysmë të emëruar, pra përfaqësues të popullit që nuk janë ekzaktësisht të tillë.

Çështja “e listave” ka të bëjë edhe me vitalitetin e sistemit politik në Shqipëri, sepse ka të bëjë me atë se sa partitë kanë vullnetin e duhur të aplikojnë demokracinë në vetvete dhe prandaj, sa të gatshme janë ato për ta aplikuar atë në qeverisjen e vendit, kur bëhen pjesë e saj. Në qoftë se kandidatët për deputetë, pra ata që do të jenë përfaqësues të popullit nesër, përcaktohen në mënyrë gjysmë konspirative, atëherë imagjinoni se si do të mund të përcaktohet një ministër, mbi ç’kritere, mbi ç’metodologji, mbi ç’parime, mbi ç’moral. Prandaj, autoritarizmi nuk duhet konceptuar vetëm si një defekt, si një kulturë e gabuar drejtimi, por në radhë të parë si pista më e mirë për të rrëshqitur në klientelizmin që po i merr frymën këtij vendi.

. . .

Justifikimi i fundit që kam dëgjuar është se çështja e “listave” është organizuar si e tillë, pra hartimi i saj është lënë në duart e kryetarit, sepse kështu forcohet disiplina në parti, sepse kështu nuk mund të spekulohet me vetë listën. Sigurisht, ky është edhe argumenti më i dobët në favor të këtij procesi. Disiplina në parti, nëse kjo e fundit është demokratike, vjen e bëhet e nevojshme pas “rebelimit”, pra pas diskutimeve të lira, diversitetit, dhe në thelb, ajo vjen gjithmonë pas një konkurrence të thellë, sa më natyrore. Ekzaktësisht në këtë filozofi mbështetet edhe pranimi apo dobia e fraksioneve në parti. Rregulli, ose ajo që quhet negentropi, vjen dhe bëhet i nevojshëm të vendoset, pasi ka sunduar çrregulli, pra, entropia, e cila është në fakt një gjendje natyrore, përcaktuese e ekzistencës. Rregulli apo disiplina mbi një trup ku nuk zien, mbi një trup kallkan, është thjesht një mohim i ekzistencës së tij. Dhe nuk janë të paktë ata që e kanë kuptuar se PD nuk është më, sepse nuk është më debati dhe strukturat ku organizohet ai. Prandaj, ky pragmatizëm vulgar listash, heshtja që e pason atë, nuk është disiplinë, por paralajmërimi i ngrirjes, i asgjësë. Dhe ka prova për këtë. Imponimi i kandidatëve për deputetë në zonat zgjedhore nëpërmjet listave dhe emrave të përgatitur nga autoriteti i partisë, veçanërisht në PD, sot vetëm sa është institucionalizuar, sepse e tillë ka qenë praktika për një kohë të gjatë. Çka ka shkaktuar edhe konfliktet më të mëdha brenda partisë deri më sot, çka shpjegon një nga arsyet më të thella të zvogëlimit të kësaj partie në vite.

 

9 Komente

Shkrim qe duhet lexuar, na pergatit per nje parlament akoma edhe me te nenshtruar ndaj kryetareve te partive, per nje parlament te derrmuar dhe kompromentuar moralisht (sikur te kishim nevoje per me shume lajme te keqija). Por e kam te paqarte se deri ne c'mase mendohet se do te behet me keq, duke qene se autori vete thote qe praktika e tille ka qene edhe me pare, por jo e formalizuar.

Shkrimtareve te peshkut iu sugjeroj te bejne ndonje tregim me personazh deputetin potencial ne ditet e fundit para Lajmit.

Per cilin deputet ke deshire te te qendis nje tregim, zonja Tropizma ?

Po te jap te zgjedhesh :

a) Elisa Spiropali
b) Shaban Memia
c) Shemsedin Turtubullaku

ps : dhe kete po e bej per ty, po jo se jam shkrimtar. Shkrimtaret e peshkut, me c'kam pare une, shkruajne arabisht, jo shqip. Ndegjo mua, s'ke per te marre vesh gje.

shemsedinin do te zgjidhja, mgjs nuk me pelqen nje kombinim emer-mbiemer me ngjashmeri rime te brendshme. smiley

Ky nuk eshte shkrim qe une do e lexoj; dua vetem te shpreh nje gje: Ca mallkimi eshte ky per vendin tim qe nje shkencetar i mire (si autori, ne fushen aq magjepsese te fizikes se ujit ne toke) duhet "me patjeter" te merret me dicka krahasimisht inferiore si politika e dites!  smiley   Gjynah! Sa kapacitet intelektual dhe zgjuarsi natyrale e cuar dem!

Sepse nuk eshte inferiore politika Emi, madje eshte gjeresisht ajo qe nuk te le te besh shkencetarin ne vendin tend (gjendja e mjere e kerkimit shkencor). Pastaj te mbyllesh ne vrimen tende kur therret qameti, kur ke pergjegjesi te shkuara politike, kur je formuar ne kohe revolucionare, me duket praktikisht e pamundur.

Ti sugjeron qe ky te emigroje dhe te beje shkence?

 

Jo aspak! Une nuk mund te marr veten aq seriozisht sa ta coj ne gjendjen absurde ne te cilen t'i jap mend nje njeriu te mencur si B. Gjongecaj.

Por ama kam te drejten e psheretimes. (A sigh is just a sigh... etc )

i understand. but the sighs are lining up big time.

i kam degjuar si xoxen dhe spiropalin ne nje debat me duket se ata e bejne me mire te drejtojne big brother se qytetaret ne parlament , njera thonte se gjyshja e saj ishte nderi i kombit dhe spiropali pa pike turpit thonte se nje ne dhjete shqiptare jane analfabet. hajde paqavure qe do behet po te hyjne keta ne parlament do te shkrihet portokallia

Dhe po te lexonin ato qe shkruan ti, Portokallia do te shkrihej akoma me shume.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).