Ekstravagancë elektorale

Edhe pse ligjërisht nuk duhet të kish nisur fushata elektorale për zgjedhjet e qershorit, ka muaj që ajo po zhvillohet me aktorë që vringëllojnë rrugëve, shesheve, tribunave dhe sidomos ekraneve; shkëlqejnë sherr-debatet tok me butonat në këmisha. Ndonëse kemi të bëjmë me një situatë krejt paradoksale, të lodhshme, me demagogji të stërthënë, bien në sy edhe stolitë e saj, që po i quaj ekstravaganca elektorale.

Ato janë shumë, por po vendos tre syresh në top-list:

1.    Pjesëmarrësit në Big brother shndërrohen në mëtonjës të karrigeve parlamentare. Megjithëse kemi të bëjmë me një spektakël, që organizatorët e kanë “qarë” nga ana e realizimit, në përputhje të plotë me parametrat televizive evropianë, gjithsesi turravrapin e partive për të huazuar individë pjesëmarrës në të për t’i katapultuar në lista elektorale e gjej si një akt krejt të pakuptimtë, ilustrues i qartë i cektësisë së politikës shqiptare. Sigurisht që këta persona kanë pasur një audiencë shumë të lartë dhe, si me thënë, fytyrat dhe emrat e tyre janë familjarë për mijëra shqiptarë, por kjo vjen si pasojë e të qenurit pjesë e atij show dhe jo prej atributeve personale. Së pari, nuk besoj që ndonjëri prej tyre të ketë shpërfaqur ndonjë formim, apo intuitë të rrallë politike, sa të mos “lihet të bjerë në tokë” nga partitë tona. Së dyti, ofrimi i  mundësisë për të qenë deputet (një zenit karriere për këdo që merret me politikë, edhe pse në Shqipëri në trajtën më sportive të mundshme mund të gdhihesh i tillë, ose ministër), pra të jesh kandidat për deputet, në një masë të madhe, vjen si pasojë e kontributeve që ke dhënë në politikë dhe e militimit në një forcë politike. Fuqia e imazhit televiziv, sado të rrekemi ta emërtojmë, madje edhe duke e fortifikuar teorikisht si esencë e stadit të sotëm të qytetërimit botëror, nuk mund të përligjë assesi zgjedhje të tillë që janë absolutisht pa rrënjë, pikërisht aty ku rrënjët duhen.

2.    Pas një maratone të gjatë u bënë publike edhe listat e subjekteve politike që garojnë në zgjedhje. Kam përshtypjen se është rast unik, të paktën sa më kujtohet, që kryetari i një force politike të kryesojë listën e kandidatëve në të dymbëdhjetë qarqet e vendit. (Erjon Veliaj) Pra, o deputet, o vdes. E lejon ky ligji elektoral është përgjigjja. Po mirë o burrë i dheut, por edhe po s’ishe s’bëhet hataja, se nuk besoj se paske ndonjë mision të ardhur së epërmi, apo ndonjë reliev vizionar për ardhmërinë e këtij vendi të asaj cilësie që buit në ndonjë tru të iluminuar një herë në treqind vjet; le që i ri je, i sapoçelur. Rishtas do ketë ditë me shi dhe me diell, mëngjes, natë, re, dashuri, hajdutëri, spekulim, demagogji, protesta, zgjedhje, fushata, libra, makina, asfalt etj etj.

3.    Ish-kryetari i Partisë Socialiste del në intervistë dhe, si kurrë më parë në historinë e politikës shqiptare, paralajmëron (a më mirë ndjell) humbjen e forcës politike që ai vetë ka drejtuar. Intervista ka një ndjekshmëri në publik rekord, madje jo vetëm në shtëpi, por edhe në bare e lokale të ndryshme, a thua se është ndeshje finale e Champions League. Akuzat ishin lum dhe pa u thelluar se cilat qëndronin e cilat jo po them se brenda palo kontekstit tonë politik nuk shoh ndonjë çudi në këtë intervistë. Logjika është krejt elementare: nëse humb opozita, ai del si paralajmërues profetik, dhe paralajmërimi vjen e i shndërrohet në as fitoreje në luftën e brendshme për pushtet. Gjithsesi çudan, madje i patolerueshëm politikisht duket momenti. Pse kaq afër me zgjedhjet? Mund ta kishte bërë ca muaj më parë dhe qëndrimi do të fitonte më shumë koherencë. Sot ai perceptohet qartë si urim për humbje në zgjedhje i ish-forcës që ka kryesuar dhe me të i të gjithë opozitës.

Marrë nga Gazeta LIBERTAS - 25 maj 2009

1 Komente

futja e big brother-istave neper lista eshte nje tendence per ta bere politiken spektakel, pas 4 vjeteve rrumpalle... pra, ne dukje asnje hap perpara.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).