Ekspertët: Shpenzimet elektorale, efekti pas zgjedhjeve

"Është hera e parë që një qeveri mbulon shpenzimet operative me kredi me kushte tregtare"


Ish-guvernatori Cani
dhe eksperti Preçi komentojnë situatën ekonomike dhe pasojat e krizës botërore

TIRANË- Shpenzimet që po kryhen për përmbylljen e investimeve, para garës elektorale më datë 28 qershor, pritet të pasqyrohen me pasoja negative për ekonominë e vendit në muajt pasardhës pavarësisht qeverisë që do të jetë në pushtet.

kspertë të ekonomisë, si ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, dhe ish-ministri i ekonomisë, Zef Preçi, kursejnë notat e optimizmit për muajt në vazhdim, pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Kreditë e marra së fundmi në tregun ndërkombëtar nga qeveria, Preçi i sheh si të domosdoshme për zhvillimin e një vendi, por interesat e larta dhe destinacioni i përdorimit të parave bën që të mos realizohet qëllimi i marrjes së këtij borxhi.
Mungesë e theksuar likuiditeti në treg, ndërprerje në mes të investimeve dhe vonesa në pagimin e punonjësve buxhetorë.

Kjo është panorama e muajve të parë të pas fushatës elektorale që bën ish-guvernatori Cani, ndërsa shton se, është hera e parë që një qeveri, mbulon shpenzimet operative me të ardhura të siguruara nga kreditë.

Sipas tij, pikërisht pak muaj para fushatës për zgjedhjet e 28 qeshorit, qeveria po bën shpenzime të mëdha pa marrë parasysh presionet negative që pasqyrohen në vend nga kriza ekonomike që ka përfshirë shumë vende.

"Ndërkohë që buxheti nuk po realizon të ardhurat e parashikuara, janë duke u shpenzuar shuma të mëdha parash.

Në qoftë se kemi një përmbushje të nevojës për likuiditet në këto dy muaj si pasojë e kredive të marra së fundmi, çështja është se si do të përballohen muajt e tjerë të vitit",- tha Cani, duke e vënë theksin tek fakti se, ata që pritet të preken të parët nga mungesa e likuiditetit në treg do të jenë personat që kanë paga minimale.

Kreditë

Niveli i lartë i normave të interesit të rreth 500 milionë dollarëve, kredi që janë marrë së fundmi në tregun ndërkombëtar nga qeveria, është cilësuar si tepër problematik nga ekspertët, ndërkohë që theksojnë se, mund të gjendeshin edhe burime të tjera financimesh me kosto më të ulët.

Një rrugë e mundshme, sipas Canit, do të ishte përfshirja e sa më shumë shqiptarëve në tregun e bonove të thesarit, duke marrë parasysh edhe vetë besueshmërinë që ofron ky i fundit.

"Mund të ndiqej një politikë e tillë, ku nëse dikush nuk do të kishte besim t'i investonte kursimet e tij duke i depozituar në bankë, të stimulohej për të blerë bono thesari, pasi edhe fitimi është i lartë për këtë të fundit.

Qeveria e kishte më mirë që t'i ofronte interesa deri në 9 për qind në lekë atyre që blejnë bono, se sa të marrë kredi me norma interesi 11 për qind në euro",- theksoi Cani.

Një rrugë tjetër e gjetjes së financimeve, sipas Preçit, janë organizmat ekonomikë ndërkombëtar. "Rasti konkret, është serbia, e cila pas negociatave që zgjatën vetëm 3 muaj, përfitoi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, rreth 780 milionë euro dhe me kosto të ulët",- tha Preçi.

3 Komente

Po kur ne Shqiperi komandon i babezituri per pushtet, dhe jo ekspertet e ekonomise, natyrisht qe pasoja do presesh. 

o me mjaft i re ne qafe rames, se te vret zoti. si s'ka icik dashuri per at rob, ngelen tu e shajt..

Kete kritike, nuk e kisha per palloshin, por per mavrine, qe eshte i babezitur per pushtet. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).