E djathta e munguar dhe zgjedhjet

Në shkencat politike, linja konservatore e politikës bazohet mbi disa parime të pandryshueshme dhe të pa kompromis.

Të jesh konservator në SHBA apo në Europën Perëndimore, do të thotë të besosh tek tradita, ruajtja e vlerave dhe respekti për institucionet. Tradita sjell respekt për shtetin, respekt për individin, energji për zhvillim dhe për stabilitet e siguri.

Të jesh konservator në SHBA apo në Europën Perëndimore, do të thotë gjithashtu të besosh në një shoqëri të bazuar në iniciativën e lirë, me një rol të tërhequr të shtetit në jetën publike, me një ndjenjë dhe nivel të lartë të zbatimit të ligjshmërisë, etj.

Për një konservator, familja, besimi në Zot dhe kombi, janë shtyllat e ringritjes morale e institucionale. Ata besojnë se nuk mund të ketë shoqëri solide pa familje solide, besim në principet morale pa besim në Zot, ndjenjë përgjegjësie ndaj ligjit, Kushtetutës e vendit, pa ndjenjë përgjegjësie ndaj kombit që i përket.

Ata e pranojnë dhe e theksojnë nevojën për marrëveshje shoqërore e politike në favor të reformave që sjellin zhvillim dhe siguri. Ata nuk besojnë tek shoqëria ideale pa elementë negativë, ndaj besojnë për një shoqëri të sunduar nga ligji, garant i vetëm për qetësinë, sigurinë dhe stabilitetin.

Ata mendojnë se qytetarët meritojnë kujdes social, por nxitja më e madhe u përket atyre qytetarëve që guxojnë, provojnë, investojnë dhe marrin përgjegjësi më të mëdha sesa ata që mbijetesën e tyre e mbështetin vetëm tek ndihma sociale e shtetit.

Një konservator beson e punon për shenjtërinë e provës private, në korrigjimin e padrejtësive dhe në krijimin e kushteve politike, në të cilat individi pronar e i lirë, paguan taksa në proporcion me angazhimin social e ekonomik në shoqëri dhe njëherësh edhe ruan pavarësinë individuale nga shteti apo mekanizmat burokratikë të cenimit të kësaj lirie.

Së fundi, të jesh konservator në SHBA dhe në Europën Perëndimore, do të thotë të besosh në miqësinë e bashkëpunimin me interes reciprok në nivel lokal e më gjerë, të punosh e të besosh për një Europë të Bashkuar dhe për një aleancë solide me pjesën tjetër të atlantikut, për një ofensivë demokracie, paqeje, lufte antiterror e antikrim në dy kontinentet dhe në çdo pjesë tjetër të botës prej nga mund të burojnë kërcënimet. Por, të jesh konservator në SHBA dhe në Shqipëri, janë dy gjëra të ndryshme.

Në SHBA rotacionet mbi baza ideologjike janë bërë përpara më shumë se 150 vjetësh, në historinë shqiptare kemi vetëm 5-6 raste të tilla, shumica me forma jodemokratike.

Konservatorizmi në Shqipëri nuk ka shumë përvojë dhe histori. I krijuar në vitet e para të shpalljes së Pavarësisë, kur elitat politike të kohës përbënin njëherësh elitat kulturore, ekonomike, fetare dhe nacionaliste.

Konservatorët shqiptarë krijuan institucionet e para kombëtare në janar 1920 në Lushnjë, ata drejtuan Këshillin e Lartë të Shtetit, mbrojtën interesat kombëtare në konferencat e paqes dhe ideuan, krijuan e drejtuan monarkinë e parë shqiptare të viteve 1928-1939.

E vetmja periudhë kur e djathta shqiptare kaloi në opozitë ishte periudha e drejtimit nga Fan Noli, një intelektual i madh, por politikan plot kontraste e kontradikta.

Elita konservatore dhe e djathtë shqiptare mbajti një peshë të madhe politike në vitet kur Shqipëria ishte nën pushtimin italian e gjerman.

Këto elita krijuan grupet kryesore intelektuale, morën nismat kryesore me theks kombëtar, u rezistuan imponimit të modeleve sovjetike dhe ranë dakord me komunistët për një qeverisje të lirë, demokratike e perëndimore.

Oferta e tyre u refuzua dhe pasojat njihen. Në përfundim të luftës komunistët morën pushtetin, duke ndjekur politika të ashpra terrori, përndjekjeve, persekutimi dhe deformimi ndaj elitave konservatore e të djathta në shoqërinë shqiptare.

Më 1990-ën, Shqipëria hyri në proceset demokratike, kryesisht për shkak të presionit të jashtëm dhe revoltave antikomuniste që erdhën nga elitat liberale dhe studentore. Megjithëse fushatat elektorale të viteve 1991-1992 u bazuan në epitete e slogane ideologjike, praktikisht palët u vetënjësuan të tilla jo për shkak të programeve dhe personaliteteve drejtuese, por për shkak të nevojave politike.

Antikomunistë më 1991-shin ishin studentët, sindikatat e punëtorëve, pjesa liberale e sistemit komunist, minatorët, banorët e qyteteve të mëdha, pra ato grupime që në rrethana të tjera mund të ishin shumë më afër së majtës sesa të djathtës.

Shtresa e vetme e djathtë, ish-të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët, nuk arritën të ishin në startin e parë të krijimit të pluralizmit dhe partive politike, sepse ata ende mbaheshin në burg apo në izolim në zonat e internimit në periferi të qyteteve.

Më 1996-ën PD-ja fitoi zgjedhjet me premtimin "Me ne fitojnë të gjithë", përballë të majtëve që ende mbanin në program citatet dhe referimet ndaj Marksit. Më 1997- ën një revolucion kompleks me elementë politikë e kriminalë solli rotacion pushteti, pa ngjyrime reale ideologjike.

Gjatë tetë viteve të qeverisjes së majtë, raportet sociale, shtresat dhe grupet politike ideologjike pësuan ndryshime të mëdha. Ish-pronarët mbetën pa prona, ndërkohë që lindi një grupim i ri pronarësh, kryesisht ata që gjatë tranzicionit morën pronat e të tjerëve, që përfituan nga asetet e pushtetit dhe lidhjeve politike apo që përfituan nga krizat politike dhe ekonomike për të zgjeruar bizneset e tyre.

Gjithashtu, ish-të përndjekurit mbetën të paintegruar, kryesisht për shkak të lodhjes së tyre, zhgënjimit, indiferencës së qeverive të majta dhe faktorit kohë, vdekjes apo kalimit në moshë të shumë prej eksponentëve kryesorë të kësaj shtrese.

Më 2005-ën, kur PD-ja zyrtarisht e djathtë erdhi në pushtet, numri më i madh i shtresës së të pasurve (biznesmenë, menaxherë, avokatë, juristë, etj.), praktikisht ndodheshin në krahun e majtë.

Fitues e votues me të djathtën u bënë kryesisht shtresat më në nevojë, të rinjtë dhe punëtorët, pensionistët dhe të braktisurit, të cilët në çdo shoqëri demokratike janë kontingjenti kryesor i së majtës.

PD-ja premtoi reforma të thella, të bazuara në parime të djathta, siç janë lufta e ashpër ndaj krimit, shkurtimet administrative, privatizimet e mëdha, nxitja e investimeve të huaja, rikthimi i pronave, integrimi euroatlantik, zbatueshmëria e ligjit, etj.

Në premtimet e saj u përfshinë edhe politika të majta, siç ishin legalizimet masive, politikat favorizuese ndaj pensionistëve dhe punonjësve buxhetorë, masivizimi pa cilësi i sistemit universitar, ruajtja e kontrollit shtetëror mbi qeverisjen vendore, shëndetësinë dhe shërbimet bazë ndaj qytetarëve, etj.

Gjatë katër viteve të qeverisjes së djathtë me një program miks, praktikisht kemi një bilanc po kaq kompleks.

Në fund të mandatit të saj katërvjeçar, të djathtët në pushtet kaluan dy vjet bashkëqeverisje me të majtën (ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, etj.), patën në koalicion qeverisës gjithnjë parti të majta (PAA), pati privatizime të mëdha shtetërore, kryesisht në favor të kompanive të krijuara gjatë qeverisjeve të majta dhe nën kujdestarinë e tyre, pati konflikte politike në raport me institucionet kushtetuese, etj.

Si pasojë, më 2007-ën, PD-ja dominoi në zgjedhjet vendore në zonat periferike me bazë sociale të majtë dhe humbi kryesisht në qytetet e mëdha, më 1991 -1992-shin, baza kryesore e së djathtës.

PD-ja aktuale, në stafin e saj drejtues, në qeveri dhe në Parlament ka deficite të mëdha të mungesës së tre kategorive simbolike për të djathtën shqiptare: ish-të përndjekurit politikë, politikanët profesionistë që kanë dhënë prova suksesi në biznes apo ish-pronarë me tradita politike, pasues të elitave intelektuale të djathta, familjeve fisnike apo edhe të shtresës më të re simbolike, të studentëve të dhjetorit 1990.

Të njëjtin vlerësim mund të japim edhe për PS-në dhe partitë e tjera të së majtës, ku, p.sh., nuk bëjnë pjesë drejtuesit sindikalistë, ideologët politikë, elitat liberale e liberaldemokrate apo elitat me prirje ekologjike e globaliste.

Në thuajse çdo parti politike shqiptare ende nuk ka një sistem funksional konkurrimi, një sistem vlerash, meritash, tipik për çdo parti, sidomos për të djathtën elitare evropiane.

Karriera vijon të jetë produkt i postit dhe besnikërisë, situatave rastësore dhe lidhjeve personale, ndërkohë që shumë protagonistë politikë vijojnë të imponohen në media dhe parti, pa shfaqur ende një profil politik, një ide, vizion, projekt apo besim të caktuar politik.

Kjo sepse në të gjitha partitë shqiptare shumica e elitave politike aktuale vjen nga shtresimet politike të diktaturës, nga lidhjet e koalicionet të bazuara në njohje e lidhje personale e familjare, apo nga grupime e individë pa identitet politik, të gatshëm të lëvizin periodikisht nga e majta në të djathtë, dhe anasjelltas.

Parë në këtë retrospektivë të shpejtë historike, ekzistojnë argumente të mjaftueshme për të theksuar se debatet e fundit politike në pragfushatë, midis së majtës dhe së djathtës politike, midis atyre që bëjnë ndarje në parti apo kërkojnë votë mbi partitë politike, janë sa të parakohshme aq edhe joreale.

Në Shqipëri nuk ka pasur ndonjëherë qeveri të djathtë, qeveri konservatore, që të kemi një bilanc të saj.

Në Shqipëri kemi pasur prej shumë vitesh qeveri të majta, liberale të së majtës apo produkte mikse midis së djathtës pragmatiste dhe së majtës liberale.

Sot sloganet globaliste flasin për flakjen e termave ideologjikë, por analiza e mësipërme nxjerr në pah nevojën që shoqëria shqiptare ka patur dhe ka për qeverisje realisht djathtë, një qeverisje të bazuar në parimet konservatore perëndimore, me një program reformator dhe bashkëkohor.

Këto modele qeveritare shënuan suksese në Poloni, Hungari, Bullgari, dhe shumicën e vendeve ish-komuniste, tashmë anëtare në BE.

Në vendin tonë, për sa kohë edhe aktualisht, asnjë parti ende nuk e ofron këtë platformë, nuk ka gjasa të shpejta që ndonjë parti apo koalicion partish të bëhet bartëse reale e saj.

Shpresa mbetet që pas 19 vitesh tranzicion, ato forca që vetëquhen të djathta apo ato që vetëquhen të majta, të pranojnë dhe të veprojnë, për t'u dhënë një përgjigje përfundimtare disa prej çështjeve kryesore "përtej të majtës dhe të djathtës" shqiptare të tranzicionit.

Të tilla janë çështja e pronave, e ndarjes së drejtë me të kaluarën (kompensimi i ish-të përndjekurve politik&eumlsmiley, çështja e integrimit social (të ardhur - vendas, pronarë të rinj - pronarë të vjetër), çështja e veprimit dhe zbatimit të ligjit (shteti ligjor), çështja e balancës dhe ndarjes reale të pushteteve (Kushtetuta), çështja e integrimit euroatlantik dhe së fundi, çështja e përfaqësimit politik (votës së lir&eumlsmiley, si parakusht për çdo sfidë dhe reformë tjetër në një sistem demokratik.

1 Komente

Populli ka një shprehje për ata që kërkojnë të mbajnë më shumë se njëkungull nën sqetull... por populli, sa i mënçur është për të kondensuar urtësinë popullore në një shprehje të tillë po aq i verbër është përballë slloganeve të partive; "Me ne fitojnë të gjithë" dhe "Përtej së majtës dhe të djathtës" janë sllogane apo premtime që në vetvehte janë "kunguj" që partitë premtojnë t'i mbajnë nën sqetull dhe njëkohësisht të punojnë... HIPOKRIZI.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).