Çmenduria e "Sekreteve" të Pecanit

Një i çmendur pret vdekjen poshtë një batanijeje, i bindur se parajsa është më e mirë se bota njerëzore. Një tjetër gris gjithë ditën gazetat. Një tjetër përfaqëson çmendurinë e ushtrisë.

Një vajzë ka humbur identitetin e saj. Ajo nuk e di se cila është dhe kërkon vazhdimisht veten e saj, por nuk mund ta gjejë - e tërë situata i ngjan një kaosi të pakuptimtë, një bote individuale ekstreme e shoqëruara me absurd.

Të gjithë personazhet nuk ngjasojnë njëri me tjetrin, kanë biografi të veçantë dhe e tërë kjo meritë është e regjisorit nga Shqipëria, Spartak Pecanit, i cili solli filmin “Sekretet”, në kino-studio, në Prishtinë.

Pothuajse e tërë ngjarja e filmit ndodh në një spital psikiatrik të Tiranës, me një protagonist me emrin Landi, banor i vetmuar në një lagje. Mirëpo, i tërë subjekti i filmit vërtitet rreth dosjeve të pahapura, po them të pahapura qëllimisht, sepse në to përfshihen shumë intelektualë shqiptarë dhe kosovarë.

Subjekti i filmit merr shkas në një lagje ku të lehura të egra dhe të frikshme zgjojnë gjithë lagjen, e këto të lehura nuk na vijnë të ndonjë qeni, por të Landit. Ai raportohet nga komshinjtë dhe dërgohet në spitalin psikiatrik. Nëpërmjet tij, ne si shikues fluturojmë tek zhvillimet dhe rrëfimet, të cilat na zbulojnë fatin e individit në Shqipëri.

Krejt rastësisht ai miqësohet me një qenush të humbur dhe më vonë ne mësojmë se ky qen është i një ambasade të huaj. Në vazhdimësi, na shfaqet personazhi i mjekut (Ndriçim Xhepa), i cili ndjek hap pas hapi jo vetëm historinë e tij, por edhe mijëra bashkëkohës të gjeneratës së tranzicionit.

Xhepa në rolin e doktorit arrin të transformohet, të ikë nga vetja e tij reale, të kalojë në një person krejt tjetër, në një viktimë si pasojë e një realiteti shqiptar në kohën e diktatorit Enver Hoxha.

Regjisor nëpërmjet temës dhe lojës së aktorëve arrin të na kthejë në diçka të kaluar, e cila i ngjan ulërimave të ujqve. Si duket, regjisori nuk mund të dalë në breg pa e kujtuar të kaluarën, ikja në përjetësi nuk mund të bëhet pa e shpalosur të kaluarën, e këtë e vërejmë në temën e filmit.

E shkuara dhe e tanishmja veprojnë gjatë gjithë kohës. Ndërkaq, aktori Enver Petrovci, i cili në film luan një gjeneral me plotë dekorata, adhurues i diktatorit dhe i shtrirë në spital, në mënyrë profesionale ndërton rolin.

Ai mjeshtërisht i njeh replikat dhe e di se çfarë fshihet prapa tyre, thjesht di se çfarë kërkon. Në mendjen e Petrovcit tërheq vëmendjen sajimi fotografik i së shkuarës, udhëtimi i suksesshëm në kohën e diktatorit, dashuria dhe mburrja e flaktë me të, por në fund e kupton realitetin dhe i fal medaljet e tij.

Ndërsa, një personazh tjetër me emrin Era (Ermela Teli), e cila ka humbur identitetin e saj, bie në dashuri me Rolandin, në shikim të parë, ajo bije pre e ndjenjave.

Ana e brendshme e Telit manifestohet rrjedhshëm nëpërmjet mimikës jo të tepruar. E zhytur tërësisht në personazh, ajo i shkon deri në fund strukturës së veprës, madje edhe në disa raste kur shfaq dashurinë, ajo nganjëherë përzien agresivitetin e të çmendurit me butësinë. Kam disa vërejtje të vogla teknike, të cilat kanë të bëjnë me zërin, në shumë situata zërimi ishte i dobët, por magjia e aktorëve asnjëherë nuk na çonte në pakuptimësi.

1 Komente

 Kete film e pashe vjet ne kinema dhe mez pelqeu. Do te ishte mire qe te rishfaqej perseri ne korrik-gush, muaj ku vijne me shumice emigrante. Ne kete rast do te fitonte edhe kinemaja edhe grupi i xhirimit se bashku me artistet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).