Bie numri i ndërmarrjeve të mëdha, të reja

Gjatë vitit 2008 pati një lulëzim të madh të ndërmarrjeve të vogla

Numri i ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha, të krijuara gjatë vitit 2008, është më i vogël në dekadën e fundit, por bizneset e vogla kanë vijuar të lulëzojnë, bëhet e ditur nga statistikat e regjistrit të ndërmarrjeve të publikuara nga INSTAT. Gjatë vitit të kaluar u krijuan vetëm 15 ndërmarrje me mbi 50 punëtorë, ndërkohë që në vitin 2007 qenë regjistruar 42 ndërmarrje të mëdha. Numri i ndërmarrjeve të mesme që janë me 10-49 punëtorë u rrit me 79 njësi gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që në 2007 qenë regjistruar 394 të tilla. Te kategoria e ndërmarrjeve të mesme u regjistruan 19 mijë njësi të krijuara të reja. Shqipëria ka 105 mijë ndërmarrje ekonomike, nga të cilat 97 mijë kanë një deri në katër punëtorë. Vendi numëron 15 mijë kafene, hotele dhe restorante, 50 mijë njësi tregtare, 5 mijë kompani ndërtimi dhe 10 mijë kompani industriale. Afro një në njëzet shqiptarë maxhorenë ka biznesin e vet, por 93 për qind e tyre kanë biznese të vogla dhe janë më së shumti në nivelin e të vetëpunësuarit apo biznesit familjar, sesa në nivelin e sipërmarrësit.

Rënia e numrit të ndërmarrjeve të mëdha të krijuara në Shqipëri shpjegohet sipas ekspertëve me mungesën e investimeve të mëdha. Zyrtarisht Shqipëria tërhoqi 800 milionë euro investime të huaja gjatë vitit 2008, por nuk është e qartë se çfarë biznesi kanë prodhuar këto para.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).