Beteja për tipin e fushatës

Pretendenti kryesor për kryeministër të Shqipërisë, Edi Rama, u përpoq dje të bënte një diferencë të qartë rreth natyrës së fushatës së tij elektorale me kryeministrin, Sali Berisha, për ta përdorur këtë si avantazh të parë elektoral. Me një ndërhyrje spontane kundër një mbështetësi të tij që thirri “Poshtë Sali Berisha!” në miting, Edi Rama u përpoq të fokusojë qartë, jo vetëm për mbështetësit e tij, por për gjithë qytetarët se nuk do të hyjë në spiralen e fyerjeve dhe fushatës negative që po zhvillon shumica. “Ne jemi këtu për të ngritur lart njëri-tjetrin dhe për të lartësuar Shqipërinë, jo për të baltosur njëri-tjetrin”. I vetësigurt se fushata negative i tremb elektoratin e ndërmjetëm dhe e vendos në pozitë të pafavorshme, Edi Rama duket se do ta përdorë kujtesën për fushatë pozitive si siguri te fitorja.

Fushatat negative janë pjesë e taktikave elektorale dhe përdoren në të gjitha ato raste, kur e ke të nevojshme të ulësh epërsinë e kundërshtarit. Zakonisht përdoren kundër atyre që shfaqen para në sondazhe dhe që besohet se kanë mbështetje popullore. Në historinë e fushatave tona elektorale ka disa shembuj tipikë.

Në fushatën e vitit 2005, për shembull, ish-kryeministri, Fatos Nano, zhvilloi një fushatë të ashpër negativiste kundër kandidatit për kryeministër, Sali Berisha. Ai u fokusua te ngjarjet e vitit 1997 dhe te rreziku që përbënte për Shqipërinë rikthimi i Berishës. Vetë Berisha atëherë iu shmang debatit negativist, megjithëse me shumë vështirësi. Një shpërthim i papritur i zonjës Topalli në mes të fushatës, kur iu drejtua dy eksponentëve socialistë se “Berisha duhet t’ju kishte dhënë plumb ballit më 1997” për pak humbi ekuilibrin e fushatës. Të gjitha sugjerimet e ekspertëve ishin për fushatë pozitiviste për të ruajtur të pavendosurit dhe për të formuar frymë festive. Përballë tij ekspertët e fushatës së Nanos sugjeronin po ashtu jo pa sukses një fushatë agresive. Kuotat e zotit Nano ishin të ulëta dhe shpresa e vetme ishte të ulte dhe Berishën për të shkuar në të njëjtat kuota.

Po dhe vetë Berisha ka aplikuar fushatën negative. Fushata e zgjedhjeve lokale të vitit 2007 nga ana e PD ishte negativiste. Duke qenë se Edi Rama ishte bindshëm përpara në Tiranë, të gjitha sugjerimet ishin përpjekje për të ulur popullaritetin e tij. Ka shumë zëra kritikë që thonë se ka qenë gabim përdorimi i fotove nudo të Ramës në publik. Nuk di cili rival do ta kishte kursyer rivalin e vet për foto të tilla, përveç atij rivali që ishte i sigurt i fituar. Por Olldashi ishte e qartë se ishte pas Edi Ramës. Fushata negativiste ishte arma e vetme për të shkurtuar diferencën. Duke mos llogaritur sabotimet nga brenda PD të fushatës, nuk jam i sigurt se sa do të ishte diferenca pa atë fushatë negativiste. Nuk hyj tek ata që thonë se fotot i rritën popullaritetin Ramës, por thjesht nuk e dëmtuan aq sa duhet dhe për shkak të mbrojtjes së shkëlqyer që bëri, duke i pranuar ato dhe duke marrë rolin e viktimës. Kështu, ai arriti ta kthejë atë në një çështje personale të keqpërdorur dhe besoj se shumica e qytetarëve e injoruan si problem.

Ky është rasti i dytë radhazi që Berishës i duhet të përdorë një fushatë negative kundër Ramës, por këtë radhë përballë tij nuk është Olldashi, por vetë Berisha. Sërish sondazhet, me sa duket, sugjerojnë një gjë të tillë. Por duke qenë fushatë kombëtare për zgjedhje politike, ka shumë shanse që Rama ta kthejë diferencën në formën e fushatës në një epërsi politike dhe ta nxjerrë jashtë loje arsenalin e sulmeve që recitohet çdo ditë nga njerëz të qeverisë.

Berisha duhet ta kishte menduar pak më gjatë dhe më me qetësi këtë çështje, e cila vlen shumë për të kuptuar se kush është në hall dhe kush është i qetë në fillim të lojës. Fakti që ai po fokusohet te fushata negative, tregon që është në hall dhe kjo i jep disavantazh, pasi i tregon anën e tij të dobët kundërshtarit. Po t’i shtosh kësaj dhe faktin që për tridhjetë ditë rresht Rama do na shfaqet dhe në gjumë duke kënduar dhe Berisha duke sharë, diferenca e tipit të fushatës do bëhet dhe më e madhe.

3 Komente

fushata e edi rames mund te shkoje vecse ne ngjitje. gje qe nuk mund te thuhet per ate te sali berishes. te mbrosh nje bilanc eshte shume e veshtire dhe duhet shume talent qe fushata te mos kete tone monotonie, sic kishte dukshem fushata e ps-se ne 2005...

Si thua mor  Mero qe do na shfaqet ne gjume duke kenduar Rama?! Ty mund te shfaqet ne gjume Rama mor djale se e ke mbush xhepin plot nga ai te cilit dikur i more neper goje loqet smiley

po edhe po sna u shfaq ne gjume do ta degjojme te kenduar ne çdo ane te vendit nga rinia e te pakten atyre  nuk kemi çfare historie me loqe tu marim neper goje....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).