Besoni në këtë ëndërr zoti Bojaxhiu?

Ndërsa ishte i ftuar në një studio televizive për të shpalosur idetë e tij politike, drejtori i KESH-it dhe njëkohësisht një nga pretenduesit për kreun e PD-së së Tiranës, z.Bojaxhiu, padyshim është ndier në pozitë të vështirë kur drejtuesi i emisionit e ka pyetur nëse kishte ndonjë koment për fjalët e shefit të tij, i cili publikisht kishte deklaruar se mbështeste një tjetër kandidat. Është ndier ngushtë për faktin e thjesht se ajo që ishte thënë i prishte të gjitha rregullat e lojës sepse ishte shpallur rezultati ende pa filluar loja.

Pas një hezitimi të shkurtër, ai u shpreh se kjo nuk ishte pjesë e veprimtarisë së tij politike. Nuk ishte detyra e tij që të bënte parashikime. Rregullat e zgjedhjeve si dhe të caktimit të kandidatëve ishin e drejtë ekskluzive e organizmave të partisë, duke filluar që nga seksionet e saj e kështu me radhë, të cilat do të bëjnë propozimet përkatëse, shtoi ai në vijim.

Pyetja që iu drejtua ishte e drejtpërdrejtë, ndërsa përgjigjja nuk ishte e tillë. Kjo përshtypje të krijohej në pamje të parë. Por pse të mos themi se ndoshta ajo përgjigje ishte skajshmërisht e sinqertë, që do të thotë edhe skajshmërisht e drejtpërdrejtë?

Pavarësisht nga kjo, duhet shtuar se gjërat nuk mund të shikohen kaq thjesht. Edhe nëse një pyetje e tillë do t’i ishte drejtuar kandidatit për kreun e Partisë Konservatore, le të themi të Londrës, ne përsëri kishim të drejtë që një përgjigje të tillë kaq parimore ta merrnim me rezerva, pasi kur bie fjala për zgjedhje edhe në ambiente thellësisht demokratike, ka plot gjëra që duken dhe që nuk duken. Ka lobingje të fshehta dhe të hapura, të cilat nuk të lejojnë të jesh kaq i prerë në ato që mendon dhe thua.

Nëse ky konkluzion mund të mendohen edhe për ambiente jashtë dhe larg nesh, të thuash me bindje se gjërat do të ndjekin këtë rrjedhë edhe kur është fjala për zgjedhjet e kreut të partisë së kryeqytetit shqiptar nga kushdo parti qoftë, kjo do të ishte pak më shumë se një komoditet dhe luks. Më saktë do të ishte një papjekuri e pafajshme.

Shefi i zotit Bojaxhiu, i cili tani është mjeshtër i vjetër në punët e partive dhe i njeh shumë mirë si veprojnë brenda një partie rregullat e shkruara e të pashkruara, ishte shumë herë më praktik, shumë herë më i sinqertë dhe natyrisht shumë herë më objektiv se vartësi, kur tha se unë mbështes kandidatin Aldo Bumçi. Ai nuk la vend për asnjë hezitim, mëdyshje apo për ndonjë hapësirë për këdo tjetër.

Në pamje të parë duket se deklarata e zotit Berisha është një shkërmoqje e pamëshirshme e të gjithë atyre që mund të mendojnë apo të besojnë se gjërat mund të ecin në tjetër rrjedhë. Kjo natyrisht ka qenë e papritur edhe për vetë inspiruesin e kreut të PD-së së Tiranës. Do të ishte e kotë të thoshim pas kësaj se zoti Berisha nuk e di gjithashtu se ka seksione partie, të cilat duhet të bëjnë propozimet përkatëse. Do të ishte naive të pranonim se ai nuk e di rrugën që duhet të ndjekë një kandidat deri sa të arrijë në kreun e partisë së kryeqytetit apo kudo tjetër. Po kështu do të ishte fare e panevojshme të mendonim për një çast se lideri i Partisë Demokratike nuk e njeh gjuhën diplomatike, e cila të paktën formalisht duhet t’i mbante në garë të gjithë pretendentët. Përkundrazi ai la të kuptohej se i njeh mirë rregullat e kësaj loje shqiptare dhe përkundër nanurisjeve idealiste të njërit apo tjetrit kandidat, apo dhe të një mase militantësh partie, vendosi të mos i binte problemit rrotull e rrotull.

Veproi drejt apo veproi gabim, kjo nuk ka më shumë rëndësi se sa fakti se ai tha një realitet të pranuar dhe të njohur. Por duke e lënë mënjanë deklaratën e kryetarit të PD-së, si dhe duke besuar se zoti Bojaxhiu është njëri prej atyre që mendojnë ndryshe, ose të paktën që i ka të gjitha premisat për të qenë një mendje ndryshe, është i çuditshëm qëndrimi i këtij të fundit edhe pasi mëson se zoti Berisha e paska zgjedhur kryetarin e partisë së kryeqytetit. Ai përsëri mendon se ky proces do të eci në një rrugë tjetër! Fillimisht duhet thënë pa hezitim se ajo që shprehu z.Bojaxhiu do të ishte e bukur edhe po ta mendoje e jo më të ishte një realitet. Nëse ai e ndjen vërtet se duhet vepruar në këtë mënyrë, duhet përgëzuar të paktën për mendimet e tij në lidhje me rregullat e lojës për zgjedhje dhe për njohjen perfekt të statutit të partisë, ashtu siç duhet t’i thuhet se vërtet duhet ashtu si mendon ti, por në realitet ndodh krejt e kundërta dhe statutet e rregullat e lojës janë të tilla për sa kohë ato veprojnë brenda konceptit shqiptar të zgjedhjeve në përgjithësi dhe jo vetëm atyre partiake.

Zgjedhjet brenda një force politike nuk mund të shikohen si të shkëputura nga gjithë ai mekanizëm dhe konceptet që ne kemi krijuar në mentalitetin tonë për zgjedhjet. Për të qenë më konkretë, po themi se do të ishte e besueshme që zgjedhjet të bëheshin mbi bazën e rregullave të lojës në radhë të parë në një tjetër terren, siç janë zgjedhjet legjislative ku për mbarëvajtjen e tyre ka rregulla dhe sanksione të përcaktuara ligjore.

Por dihet se ne kemi krijuar tani një model se si nuk duhet të zhvillohen këto zgjedhje. E pra, ne nuk dimë të bëjmë zgjedhje edhe atje ku të paktën formalisht prishësi i zgjedhjeve shkon para ligjit. Ne jemi mësuar tani më shumë me farsë zgjedhjesh se sa me zgjedhje të ndershme, aq sa jemi duke besuar se nuk ka model tjetër zgjedhjesh veç modelit të njohur deri tani. Ne nuk kemi guximin që si fitoren ashtu dhe humbjen ta pranojmë me dinjitet si një respekt të vullnetit të votuesve të cilët të votojnë ose jo për t’i drejtuar për periudhën në vazhdim. Kjo ndodh se ne jemi instruktuar dhe mësuar me shëmbëlltyrën e fituesit.

E pra, kur kjo gjë ndodh në një lojë ku arbitri është vet ligji, ku rreth vetes ke vëzhgimin e vazhdueshëm ndërkombëtar, mendoni se për çfarë rregullshmërie mund të flitet kur kjo gjë bëhet në ca zgjedhje të tjera, pa arbitra. Mendoni si mund të bëjmë ne zgjedhje të ndershme në këto sfera ku qeveria (kryetari i partis&eumlsmiley as që bëhet fjalë të ndryshohet, por përkundrazi ai është i vetmi arbitër, nëse mund të quhet i tillë, në dorën e të cilit është edhe fati i zgjedhjeve.

Mendoni se ç’mund të ndodhë në këto zgjedhje ku nuk ka policë, nuk ka prokuror, nuk ka organizma ndërkombëtare që t’i ndjekin, por ekziston vetëm “vullneti i lirë” i atyre që votojnë. A nuk është më shumë se një iluzion të pranosh se ne që nuk dimë të bëjmë zgjedhje edhe nën mbikëqyrjen e ligjit, mund të jemi kaq parimor dhe kaq demokrat në zgjedhje të tjera, ku prirja jonë për të manipuluar dhe për të intriguar gjejnë një hapësirën thuajse të pa kufi?

Në këto kushte të flasësh për vullnet të lirë të zgjedhësve dhe është më shumë se një pallavër e vërtetë. Të mendosh se atje nëpër seksione është duke u ideuar demokratikisht kreu i ardhshëm i partisë, natyrisht që më e pakta është të thuash se tingëllon si një pozicion krejt naiv. Kujtesa jonë nuk duhet të jetë aq e lodhur sa të mos kujtojë historitë e zgjedhjeve partiake gjatë gjithë këtyre viteve, jo vetëm në një parti por në të gjitha ato.

Themi kështu pasi ato janë kopje e njëra-tjetrës. Në momentin kur luajnë aktin e zgjedhjeve duket se gjithçka e kanë paracaktuar paraprakisht. Ka ndodhur vetëm njëherë tek Partia Demokratike, ku një kryetar i kësaj partie, i ri në moshë, guxoi të mendojë dhe të veprojë sipas imazhit që kishte ai për demokracinë, duke dashur ta çlirojë partinë nga prangat e atyre që e drejtonin atë edhe duke mos qenë në krye të saj. Pas kësaj nuk është fare nevoja të flitet për zhgënjimin e tij total, por edhe për fundin e tij. Po kështu edhe tek Partia Socialiste vetëm njëherë ka ndodhur, ku një kandidat tjetër provoi të hynte në garë me liderin e kësaj partie dhe thuajse për pak vota mori karrigen e kryetarit të partisë. Edhe kjo ishte një shkëndijë e cila pati vetëm pak rrezatim se pas saj “dielli” i liderit e mbyti atë. Këto kanë qenë vetëm fragmente të shkëputura të iluzionit se partitë në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë zgjedhjet brenda tyre janë një lojë demokratike, ku të gjithë mund të kenë shanse të barabarta.

Është kjo arsyeja që mund të themi pa hezitim, se, nëse deklarimi i zotit Berisha mund të shkojë në drejtim të kundërtën me ato parime demokratike që reklamohen nga të gjitha partitë, ajo është në të njëjtën kohë në shtratin e mentalitetin të krijuar tek ne. Në këtë mënyrë duke qenë i vërtetë, ky deklarim tingëllon i paqortueshëm. Ai është i paqortueshme edhe pse pas kësaj të gjitha punët dhe procedurat do të marrin atë drejtim që paracaktoi lideri i partisë sipas një rregulli të njohur. Më të lëkundurit pas kësaj nuk do të kenë asnjë hezitim kur të shkojnë tek kutia e votimit. Edhe më indiferentët duhet të shpejtojnë të hedhin një gurë më shumë në atë skemë që u ndërtua vetëm me një deklarim televiziv. Edhe më kundërshtarët e kandidatit të parapëlqyer të kryeartit të partisë, pas kësaj do të kuptojnë, se, nëse do të votonin kundër do të mbeteshin në minorancë dhe do të shihen si dele e zeze në sallën ku do të zhvillohen zgjedhjet dhe ku më së shumti do të shkëlqejë ngazëllimi i përkrahësve të kandidatit të kryetarit të partisë.

Kjo është ajo që ndodh në të vërtetë kudo në të gjitha partitë dhe jo vetëm tek rasti për të cilin po flasim. Por pranimi i faktit se zgjedhjet partiake tek ne dhe jo vetëm ato, tingëllojnë më shumë si moszgjidhje, nuk ia privon askujt të drejtën të mendojë ndryshe. Kjo nuk i pret rrugën askujt që për sa varet prej tij, ta orientojë në mos të tjerët të paktën imazhin e vet, në një përfytyrim demokratik. Por në të njëjtën kohë kjo është edhe një mundësi më shumë që gjërat t’i shohim realisht ashtu siç janë.

Dhe tani pas argumenteve që cituam është momenti të pyesim, seriozisht ju zoti Bojaxhiu besoni tek ato fjalë që thatë? Ju besoni në atë ëndërr që shpalosët? A nuk ju duket se krejt pa dashje keni rënë në një si kurth mediatik sepse edhe ta mohonit përgjigjen e asaj pyetjeje, edhe ta pohonit, duket si e njëjta gjë? E pra, në rast se ju nuk ndiheni i sigurt në fjalët tuaja, kjo do të thoshte se ju i keni kuptuar hilet e politikës shqiptare dhe me sa duket jeni përshtatur me këto hile. Në këtë variant ku për një moment ato fjalë u dukën të bukura, jo ju, por ne do të zhgënjeheshim.

Po nëse i besoni realisht fjalëve se jeni futur në garë për të ecur mes asaj rruge që cituat, imazhi juaj i ardhur nga përtej oqeanit do të pësonte një gërvishtje plage të dhimbshme. Ai do të plagosej si shpagim për ëndrrën e bukur që i besuat pak çaste. Pas kësaj do të ishit ju zoti Bojaxhiu që do të trishtoheshit.

2 Komente

kush ka ëndërr me ?

Bojaxhiu ?

Bojaxhiut vecse ne i dalin akoma ne enderr paret e tenderave qe ja mori Dollapi.

ëndërra me leke shofin kta mer lal, te gjithe.

Eshte turp me rrejt veten se kane nai ëndërr tjeter.

pfffffffff

e para, kur jane zgjedhjet per pd'ne e tiranes?

e dyta, cfare do me thene ky artikull, qe o maje kalit o rashe e vdiqa?

Bojaxhi ka te drejten e tij te kandidoje. Ka shume arsye pse dikush mund te kandidoje. Ai eshte i ri, erdhi nga jashte direkt ne nje pozicion te larte, por teknik (zevendeskryeminister, KESH). Ai e ka bere te qarte qe eshte me i interesuar per politike. Por ketu ka ca probleme, se ka rregulla loja, dhe edhe nese behet cfare thote Sala, edhe Sala vete nuk thote dhe ben dot gjithmone ate qe mendon se eshte me mira.

Puna eshte se keta duhet te fitojne bazen. Dhe eshte e pritshme nje mosbesim apo edhe mospelqim i bazes se PD'se ndaj dikujt qe nuk ka qene "i tyre". Por ka shume menyra se si dikush mund te krijoje karrieren e tij politike. Kjo eshte mundesi e mire per te per tu njohur me mire dhe me na afer me strukturat e PD'se. Kjo mund ta ndihmoje Bojaxhi'un te krijoje kapital politik per te ardhmen. Gjithashtu, duke qene pjese e gares mund te influencoje programin dhe ceshtjet qe do dalin ne kete fushate.

Edhe ne rastin e pritshem qe ta fitoje Bumci, perseri Bojaxhi mund ta luaj mire dhe te fitoje goxha nga kjo gare. Shpresojme te tregoje qe eshte ndryshe nga gjithe ata te vjetrit qe ne "humbjen" e pare me Salen u larguan nga PD dhe krijuan "Polet" e tyre. Gara eshte e hapur per te gjithe dhe megjithe faktin qe llafi i Sales ka peshe te madhe, nuk ka arsye se perse Bojaxhi te terhiqet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).