Bajdeni e di mire...

Albin Kurti

Nënkryetari i ShBA-ve, Xhozef Bajden, nuk erdhi në Kosovë për t‘ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës. Nuk besoj që ai ta ketë ndjerë nevojën e tifozerisë së deputetëve kosovarë që duartrokasin deri në delir si ndonjëfarë sekti primitiv. Nuk besoj as ta ketë marrë malli për Manastirin e Deçanit apo të ketë ardhur për t‘i ngushëlluar ushtarët amerikanë për jetën e rëndë që bëjnë në kampin "Bondsteel".

Duket që potencialin shpërthyes në Ballkan më mirë e dinë ShBA-të sesa BE-ja. ShBA-të e dinë më mirë se BE-ja padrejtësinë inherente në marrëveshjet që e qetësuan Ballkanin. Nënkryetari Bajden sigurisht që këmbëngul në Marrëveshjen e Dejtonit dhe në Planin e Ahtisaarit, por ai është më i vetëdijshëm se kolegët e tij evropianë për paqëndrueshmërinë e këtyre. Ato ishin kompromise joparimore që e bënë Serbinë faktor në Bosnjë dhe në Kosovë. Marrëveshja e Dejtonit dhe Plani i Ahtisaarit janë platforma që shpien te nxjerrja jashtë e Bosnjës dhe Kosovës nga Serbia, duke ia mundësuar asaj që të hyjë brenda tyre.

Bosnja dhe Kosova gjithsesi kanë ngecur. Në Bosnjë, suksesi quhet status quo. Nëse s‘bëhet më keq, mirë është. Reformat centralizuese nuk u përmbushën dhe ndarja e brendshme është më e thellë se kurrë. Elitat politike janë të korruptuara, kurse kriza financiare pritet ta godasë ekonominë edhe ashtu shumë të brishtë. Në Kosovë vazhdon marketingu me njohjet e reja të ishujve të ndryshëm, që duke na njohur, po i njohim. Tërësia territoriale nuk ekziston, sovraniteti ekziston, por është në duar të Pieter Feithit dhe ca të tjerëve, ndërkaq zhvillimi ekonomik as ai nuk ekziston.

Sa i përket vlerësimit të rrezikut, Xhozef Bajden nuk ndodhet para politikanëve e diplomatëve evropianë për shkak se ai vetë është më i mençur se ata, ose për arsye të këshilltarëve më të zotë të tij. Ka një shkak më të thellë për këtë. Fjala kryesore e politikës amerikane (qysh nga themelimi dhe tradicionalisht) është ‘liberty‘, pra liria; ndërkaq, fjala kryesore e politikës evropiane (jotradicionalisht dhe aq më pak prej themelimit) është ‘peace‘, ‘paix‘, ‘frieden‘, ‘pace‘, pra paqja. Vetëm prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e këndej ‘paqja‘ është fjala qendrore e politikës evropiane. E kuptueshme: duke qenë e dërrmuar nga dy luftërat botërore që u zhvilluan në truallin e saj, Evropa ishte tronditur nga thirrjet për liri dhe vetëm paqja i interesonte. Gjendjen në Bosnjë dhe Kosovë sot ajo nuk i sheh si gjendje ku mungojnë liria, demokracia dhe progresi ekonomik, por, para së gjithash, si vende ku megjithatë kemi paqe. Mirëpo, Xhozef Bajden e di mirë që përkundër tragjedive nga e kaluara, njerëzit dhe historia e bëjnë njëra-tjetrën jo aq nga dashuria për paqen, sa nga urrejtja për padrejtësinë. Sidoqoftë, politika amerikane dhe evropiane puqen nga ana tjetër: që të dyja e duan stabilitetin, i cili, mbi të gjitha, si paradigmë teorike dhe konfirmim praktik, siguron depërtueshmërinë e lëmueshme për kapitalin (e atyre që e kanë at&eumlsmiley.

Nuk është e vështirë ta parashikojmë se çfarë i kanë thënë nënkryetarit amerikan Bajden, Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi. Nuk është e vështirë ta parashikojmë as çfarë nuk i kanë thënë atij. Porse kjo e dyta duhet përmendur meqë është pakrahasimisht më e rëndësishme. Sigurisht që nuk i kanë thënë se e kanë ndërmend që deri në një datë të caktuar t‘ua ndërtojnë fshatarëve ujësjellësin e tyre në Suhodoll, t‘i kemi pikat doganore në veri, t‘i marrin ato 450 milionë euro të privatizimit, t‘i shpërbëjnë strukturat paralele të Serbisë, ta revitalizojnë Trepçën, ta bëjnë FSK-në ushtri etj., etj., dhe për të gjitha këto të kërkojnë ndihmën amerikane. Nuk ma merr mendja se ia kanë thënë këto. Më parë ata janë shtirur si burrështetas në filma epikë që s‘flasin për gjëra konkrete, por për çështje të përgjithshme madhore, natyrisht, në pauzë të batutave që s‘dihet aty për aty nëse njëmend ishin lucide, meqë qeshja pasuese ishte e obligueshme.

Përshtypja që fiton Xhozef Bajden dhe stafi i tij nga takimet me politikanët e Kosovës, por edhe nga qytetarët që e prisnin rrugëve eskortën e tij, është se sado kudo kemi të bëjmë me një popull të kënaqur, me një popull të lumtur me gjendjen e vet. Në anën tjetër, politikanët serbë në Beograd dhe në Manastirin e Deçanit sigurisht që i janë ankuar dhe kanë vajtuar për gjendjen e serbëve, duke fajësuar shqiptarët. Pra, Bajden dhe të tjerët me të, i kanë dëgjuar ankesat e Serbisë dhe kënaqësinë e Kosovës. Politikanët botërorë (e këtu Bajden nuk mund të përbëjë përjashtim) e gjejnë njëfarë mesatare - dikush më lart, dikush më poshtë, por atypari diku. Nxjerrja e një mesatareje të përafërt është e pashmangshme, sepse këtë e imponon vetë paradigma e stabilitetit, e cila balancon kërkesat e palëve dhe qëndrimet e tyre. Në fakt, të dyja palët me këtë rast po gënjenin: Beogradi kur përshkruan rrejshëm vështirësitë dhe rrezikun në të cilën ndodhen serbët, por edhe Prishtina kur i portretizon me ngjyrë rozë të arriturat e Kosovës së pavarur. Dhe, kjo pa dyshim që është dyfish keq për Kosovën. A nuk ishte indikative shprehja e njëlloj mirëkuptimi të Bajdenit, qysh para se ai të arrinte në Kosovë, për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia edhe për një kohë? Kjo do të thotë që Serbia ka arritur ta shesë edhe te ShBA-të njohjen e Kosovës si destabilizuese për veten e saj. Qeveria e Serbisë e paraqet popullin serb si shumë radikal, si diç që do të shpërthente po të njihej pavarësia e Kosovës nga Serbia kur, në fakt, e kundërta e kësaj është e vërtetë: si përherë, vetë qeveria e Serbisë është segmenti më ekstrem i popullit dhe shoqërisë serbe.

Nga mirëseardhja kosovare për nënkryetarin amerikan Xhozef Bajden, me këngë e me valle jashtë Kuvendit e me duartrokitje shurdhuese brenda tij, pa plane e kërkesa konkrete për të, gjithsesi nuk do të përfitojmë.

8 Komente

Pa vajtur ne Decan (nga BBC News):

Serbian President Boris Tadic said the two states could progress "on the basis of dialogue rooted in mutual respect".  But he made clear that Serbia would not give ground over its claims to Kosovo, which declared independence last year.  "Serbia does not recognise Kosovo's independence, and would never recognise it. Serbia has the legitimate right to defend its territorial integrity peacefully by diplomatic and legal means," he said.

Mr Biden said: "The United States does not, I emphasise, does not expect Serbia to recognise the independence of Kosovo.  "It is not a precondition for our relationship or our support for Serbia becoming part of the European Union," he said.

Per viziten ne Decan, me shume detaje ketu.

PS: Komplet pa lidhje me temen, eshte per te pasur zili lobi serb ne Cikago.

Per kendveshtrimin e tij ...Qenka i Forte ne arsyetim! Eshte i pakundershtueshem....... por por edhe ..... shume shume.....afer realitetit  Urime   z.Albin per hapsiren ,qartesine e thellesine e analizes ne rapotin EU - USA.....Fjala kryesore e politikës amerikane (qysh nga themelimi dhe tradicionalisht) është ‘liberty‘, pra liria; ndërkaq, fjala kryesore e politikës evropiane (jotradicionalisht dhe aq më pak prej themelimit) është ‘peace‘, ‘paix‘, ‘frieden‘, ‘pace‘, pra paqja....Deri me sot nuk jane shfaqur thenie te ketij kalibri qe orientojne mjaft qarte. Dhe qe i ve kapakun te gjithe artikujve me anal-iste .....

Sidoqoftë, politika amerikane dhe evropiane puqen nga ana tjetër: që të dyja e duan stabilitetin, i cili, mbi të gjitha, si paradigmë teorike dhe konfirmim praktik, siguron depërtueshmërinë e lëmueshme për kapitalin (e atyre që e kanë at&eumlsmiley......Kjo qartesi  e barazvereson Lul Bashen si portier te min jashteme ku vendin primar e gezojne personalitete si z Albin!

"...Në fakt, të dyja palët me këtë rast po gënjenin: Beogradi kur përshkruan rrejshëm vështirësitë dhe rrezikun në të cilën ndodhen serbët, por edhe Prishtina kur i portretizon me ngjyrë rozë të arriturat e Kosovës së pavarur. Dhe, kjo pa dyshim që është dyfish keq për Kosovën..."  

M'duket qe qendron kjo qe thote Albini.

 

"....Nga mirëseardhja kosovare për nënkryetarin amerikan Xhozef Bajden, me këngë e me valle jashtë Kuvendit e me duartrokitje shurdhuese brenda tij, pa plane e kërkesa konkrete për të, gjithsesi nuk do të përfitojmë..." 

Ndoshta ka te drejte ketu.

Nje shkrim qe nga qartesia dhe thellesia te le mbrese. Kritike me vend dhe e argumentuar mire. Albin Kurti eshte nje nga kokat intelektuale e politike te se ardhmes shqiptare. Sikur ta kishim nje si ky dhe nga ana tjeter e kufirit... Nejse, ky mjafton per te dy anet. 

As "liri" e as "paqe," por gjithe dynjaja ke vec interesa.  Dhe keto te fundit duhet t'i shohin dhe shqiptaret per hesap te vet, nqs s'duan te enderrojne per diell e periodikisht "vellezer" te medhenj. 

Duhet shtet e perparim ne te dy anet e kufirit qe ndan shqiptaret ndervedi. Se dhe babo Natale njehere ne vit vjen.  Ops,  keto  lodra nuk  behen dot kur menja eshte vec per te xhvat, prap fatkeqesisht ne te dy anet e kufirit.

Ndersa mua me duket se Albini e ka shkruar kete per te mos nderprere vazhdimesine e shkrimeve te tij, ose deklaratave... Nuk me duket se ka duk ne ate qe ka shkruar, dhe nuk me duket as si Albini, te them te drejten.

Faktikisht, me duket me shume si lloisje ne tym sesa si analize "politike". Albini ketu flet me hamendje, se cfare mund t'i kene thene politikanet tane Bajdenit, pra, se paku, Albini nuk ja ka idene se per cfare eshte folur.

Vetem nje gje shof Albince ketu, - kritikat ndaj "mefshtesise" se politikes shqiptare. Por, si gjithmone, kritika - por pa dhene asnjehere zgjidhje apo rrugedalje.

Nuk e marr vesh titullin ne rradhe te pare ne lidhje me artikullin; Cfare di mire Bajdeni?

Albini eshte kritik deri ne nje fare mase edhe ndaj Amerikes, por duhet ta themi troc ketu, qe deri tani, Amerika ka ecur shume qarte krah per krah me popullin shqiptar. Dhe ne Beograd e ka shprehur troc Bajdeni qe Amerika eshte fuqishem pas pavaresise dhe integritetit territorial te Kosoves. Jo vetem deklaratat alarmiste jane te mira, ndoshta Albini keshtu kujton kur shkruan te tille artikuj. Mua me duket se politika eshte pak me e veshtire se kaq, se duhet te genjesh dhe te ruash fytyren ne te njejten kohe.

Cfare priste Albini nga Bajdeni, dhe pse duket i pezmatuar, apo i zhgenjyer nga vizita e tij?

Por, te fillosh te hamendesosh se cfare mendon Bajdeni, eshte nje gabim me shume qe ben Albini, e ndoshta eshte tregues se sa larg eshte ketij realiteti (te politikes dhe kulisave) ai.

Me kete shkrim ka humbur ca pike, per mua; por Albini mbetet gjithmone nje ze i drejte, perfaqesues, dhe i domosdoshem.

Si gjithë shkrimet e tjera të tij, janë komplet në hava. Ky flet sikur jeton në hënë dhe jo në tokë me gjendjen reale. Të dinte më mirë se si duhej vepruar t'ua thoshte njerëzve dhe të kishte dalë në zgjedhje. Flet për bashkimin territorial, por as e ka idenë se si do bëhej kjo gjë. Pa luftë s'bëhet, dhe lufta pa mbështetje ndërkombëtare s'bëhet, dhe ndërkombëtarët siç thotë dhe vetë s'duan luftë. Atëherë si do e bëka bashkimin territorial duke iu lutur Bajdenit që të qortojë Serbinë se s'është sjellë mirë? Mos është Bajdeni i rrituri dhe Serbia e Kosova dy çiliminj që po zihen, dhe Bajdeni e ka në dorë t'i kapi veshin Serbisë për hatrin e Kosovës? Më vjen keq se duket që e ka për të mirën e Kosovës dhe është një patriot i vërtetë, por ia këput komplet kot, dhe s'kam parë as edhe një zgjidhje reale nga Kurti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).