Babë, unë ekzistoj!

Koha Ditore, 26 Maj 2009

Në traditën e studimeve koloniale, njëra ndër objektet kryesore të studimit është raporti dialektik ndërmjet të kolonizuarit dhe kolonizatorit. Në teorinë e Frantz Fanonit (si shprehja më e lartë e kësaj discipline të dijes), i kolonizuari është i ziu ndërsa kolonizatori është i bardhi. Më duket se te Fanoni, theksi kryesor në këtë ndarje nuk përkon me ngjyrën e lëkurës, sa me pozitën e vetëvetëdijes së tyre në situatën e kolonizimit. Por, edhe nëse ky interpretim i Fanonit nuk është i drejtë dhe i saktë, sidoqoftë duhet insistuar në po këtë lexim të tij. I bardhi dhe i ziu nuk duhet të lexohen në termet raciste të ndarjes në bazë të ngjyrës së tyre, por në nivel të pozitës së tyre në hapësirën politike të një vendi të kolonizuar. Sepse raporti i kolonizatorit me tjetrin e tij, të kolonizuarin, është mbi të gjithash raport i nënshtrimit ekonomik – të tjerat janë pasoja të saj. Këtu nuk po e implikoj tezën ortodokse marksiste, se është baza materiale ajo mbi të cilën ndërtohen strukturat shoqërore, mbi të cilën ngrihet superstruktura shoqërore. Kritika e Althusser, Poulantzas etj këtu është me rëndësi: për Marksin superstruktura ështe ideologjia (si diçka e keqe, që duhet shkatërruar, etj), përderisa Althusser e Poulantzas mendojnë se politika, ideologjia janë po aq të rëndësishme në përcaktimin klasor, sepse klasat sociale janë grupe të agjentëve socialë, të njerëzve të cilët parimisht, nuk definohen ekskluzivisht nga vendi i tyre në procesin e prodhimit, por nga vendi i tyre në sferën ekonomike. Mendoj se duhet të shkohet tutje, dhe të thuhet se për t’u siguruar dominimi dhe eksploatimi ekonomik, një formë e caktuar e organizimit politik është e domosdoshme. Në këtë rast, po flasim për kolonializmin si mjet politik për eksploatimin e vendeve të botës së tretë.
Fanon thotë se i ziu është i bllokuar në zezshmërinë e tij; përderisa i bardhi në bardhshmërinë e tij. Këto janë dy pozicionet e tyre subjektive, ose thënë ndryshe, kështu këta pozicionohen në sferën ekonomike dhe politike.
Në parathënien e famshme për librin e Fanonit Të Mallkuarit e Botës, filozofi francez Jean-Paul Sartre thotë se pasuria më e madhe që algjerianët e kishin në luftën e tyre dekolonizuese ishte urrejtja për francezët. Në të njejtën kohë, kjo është çka e fascionon Sartre për Fanonin: mënyra se si ai i qaset evropianit (të bardhit, kolonizatorit). Fanon ngrihet subjektivisht MBI evropianin, e injoron atë tërësisht dhe tërë kohën ai i referohet dhe i drejtohet algjerianit për vetveten (këtu “evropiani” dhe “algjeriani” duhet të kuptohen si shënjues, jo vetëm si subjekte partikulare politike).

Kur diskutohet për kolonializmin, e sidomos për Kosovën si vend i kolonizuar, përgjigja e parë dhe e vetme është ajo e një cinizmi postmodern, e cila na mëson se megjithatë, sot nuk mund të flasim për kolonizimin, ai i ka takuar shekullit të kaluar, tani jetojmë në epokën e demokracisë liberale, kemi mundësi të zgjedhjes, nuk ka më eksploatim, etj. Ndërsa të tjerët që konsiderohen të jenë radikal në teori, ata që angazhohen në studimet postkoloniale (e cila së bashku me studimet e homoseksualizmit, konsiderohet ndër drejtimet më radikale në akademi) e tëhuajësojnë problemin themelor në atë të problematikës multikultorore: siç thotë Žižeku, “studimet postkoloniale e zhvendosin problemin në të ‘drejtën e tregimit’ të përvojave viktimizuese të pakicave të kolonizuara, të mekanizmave shtetëror që shtypin ‘tjetërsinë’, ashtu që, në fundi i ditës, mësojmë që rrënja e shfrytëzimit postkolonial është mostoleranca jonë ndaj Tjetrit dhe, për më shumë se kaq, që vetë kjo tolerancë është e rrënjosur në mostolerancën tonë ndaj ‘të Huajit në Veten tonë’, në paaftësinë tonë për ta përballuar atë që ndrydhëm në dhe nga vetvetja – lufta ekonomiko-politike, pra, është shndërruar pandjeshmërisht në dramën pseudopsikoanalitike të subjektit të paaftë për përballjen e traumave të tij të brendshme”.

A nuk është kjo lidhja e qartë, politikisht brutale me realitetin e Kosovës? Hegeli thoshte se skllavi e njeh dhe e pranon Padronin në realitetin dhe dinjitetin e tij/saj njerëzor, përderisa vetvetën e gozhdon në jetën e tij shtazore. Skllavi shfaqet si domosdoshmëri për vetë-vetëdijën e Padronit, dhe “Padroni është vetëdija që ekziston për vetveten”, e jo si një “koncept abstrakt i Vetëdijes”. A është vetëdija jonë SHBA-të? Padroni të cilit në i përkulemi dhe i nënshtrohemi, në raport me të cilin ne e pranojmë nivelin tonë të mjerë politik (ekonomik)? Shembulli më i mirë ishte ardhja e Joe Biden në Kosovë. Harrojini të gjitha përfitimet politike që eventualisht (edhe pse me shumë dyshim) do të vijnë nga vizita dhe premtimet e tij: megjithatë vizita e tij e shpërfaqi gjendjen simptomatike të subjektivitetit tonë politik. Në psikoanalizë kjo quhet histeri. Është ajo gjendje shoqërore, pa ndonjë orientim të qartë, një dezorientim kaotik i hapësirës politike, i shoqërisë si të tillë – në këto rrethana na duhet një shënjues, një Master–shënjues i cili tërë kaosin automatikisht e shndërron në rregull. Ky Master-shënjues nuk është askush tjetër pos Babës. Mënyra se si kaloj vizita e Biden në Kosovë ishte pikërisht sublimimi i përpjekjeve tona të parreshtura histerike për ta identifikuar Babain. Sepse si histerikë, ne e japim vetveten për kënaqësinë e Tjetrit, pyesim pa rreshtur se si dukemi në vështrimin e tij, çka kërkon ai prej nesh, etj (kujtoni komentet në web-faqet për ardhjen e Biden). Por, çka gjeti Biden në Kosovë, përveç atij tmerri artistik dhe aplaudimeve e qeshjeve frenetike e të pashije? Atë që realisht e priste. Nevojën tonë, ose domosdoshmërinë tonë politike për të pasur një Babë, një Babë i cili na orienton, na mëson, na qorton, e nganjëherë edhe na shpërblen me ndonjë përqafim atëror. Atë edhe e bëri. Konceptet politike, tipike për të kolonizuarin, si miqësia, miku ynë, njohësi i realitetit politik të Ballkanit, përkrahja, etj, nuk duhet të lexohen përtej fjalorit tonë folklorik politik, për konsum të brendshëm. Babai ynë na e konfirmoi statusin tonë politik – por cilin? Atë që Žižeku e quan “subjekte toksike”, njerëz që përkrahen vetëm përderisa janë subjektivisht të depolitizuar, kur jemi të viktimizuar – pra, Babai ynë e dëshiron një Kosovë të privuar nga substanca reale e shtetit, shtetin e Kosovës si një jo-shtet, ose siç e quajti Žižeku në ligjëratën në Prishtinë gjatë javës së kaluar, një Kosovë pa kofeinë (kofeina këtu e ka kuptimin e substancës së privuar nga forma, si produket që i gjejmë në treg: kafe pa kofeinë, birrë pa alkohol, etj). Po në këtë linjë duke iu referuar ligjëratave të javës së kaluar, ne duhet bërë gjithçka që të mos nxihemi në ëndrrën liberale perëndimore, në pështirësitë e tyre mbi Kosovën. Ose thënë ndryshe, pasi nuk mundemi të ngrihemi objektivisht mbi ta, atëherë ngritja ose lartësimi ynë subjektiv është domosdoshmëri politike. Babën duhet ta shpallim të vdekur. Sepse siç thotë ajo thënia e vjetër: i vetmi Babë i mirë është Baba i vdekur.

2 Komente

 Artikull interesant, i kapur nga nje kendveshtrim qe nuk perputhet me shumicen/turmen, veç me pakicen/eliten do te thosha se perputhet.

pritja bajdenit kishte te bote me mshtetjen qe i ka dhon ai personalisht Kosoves ne vitet e luftes. kjo analiza mduket si ato rrangullinat e lubonjes kur i hyp delli filozofit psikolog te turmave dhe fillo ka citimet dhe e mormja gojes

e njojta gjo ka nodh ene me Bekerin knej posht ene me Bushin. autori nqs do me analizu kolonizimin duhet t'ia filloje me ata te OKB-se i her dhe te BE-se dy here qe i jan ul komkryq mi kaptine, masnej jalla se mund te shifet si e paanshme kjo "analiza" lart (qe duket si perkthim i nai robi mslloveni) dhe jo si produkt i lag e sterlag gjithanej ka marksizmi, qe osht. pranej ska me ec as vetvendosja per sa koh mshtjell rreth vetes shterpsi te till ene retorik llasticash

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).