Arroganca urbane

Nëse ka diçka në Prishtinë që të befason dhe është në kontrast të plotë me pamjen e jashtme të qytetit, ato janë lokalet, kafenetë dhe restorantet. Të dekoruara thjesht, por me shije, me një atmosferë të ngrohtë dhe shërbim të përsosur, ato përbëjnë një nga pjesët më të rëndësishme dhe më të mira të jetës së kryeqytetit. Jo vetëm për banorët e përhershëm, por edhe për mijëra të huaj që prej vitesh vijnë e shkojnë në Kosovë. Ato janë pjesë e kulturës së një qyteti. Janë pjesë e një rituali të përditshëm, ku njeriu ka nevojë të gjejë pak prehje, pak argëtim, të shijojë ushqimet e mira e të freskëta. Të lexojë gazetat çdo mëngjes, të bisedojë me dikë pa u shqetësuar nga muzika e lartë, ose edhe të dëgjojë muzikë të lartë pa u shqetësuar nga dikush. Lokalet në Prishtinë i ofrojnë ende këto mundësi.

Them ende, sepse muajt e fundit kam një perceptim se diçka ka ndryshuar për keq. Madje, më ngjan me një déjà vu. Vetëm në pak muaj, kam qenë dëshmitar në disa incidente që kanë ndodhur në lokalet më të njohura të Prishtinës. Në dy raste, ato janë shoqëruar edhe me të shtëna armësh. Në të tjerat, me rrahje të kamarierëve, kërcënim të klientëve dhe thyerje të dyerve. Mjaftojnë për të konstatuar se kjo pjesë e bukur e jetës në Prishtinë, ndihet e kërcënuar.

Përmenda më sipër termin déjà vu, sepse, pak a shumë, e njëjta gjë pat ndodhur vite më parë edhe në Tiranë. Menjëherë pas ’90-ës, disa privatë, me traditë të dikurshme familjare, por të ndërprerë gjatë periudhës së komunizmit, hapën kafenetë e restorantet e para, të thjeshta, por me atmosferën e duhur që të bën të ndihesh mirë. Kjo periudhë zgjati fare pak. Etja e shfrenuar për fitim, dyndja e madhe në një kohë të shkurtër e dhjetëra mijëra njerëzve drejt Tiranës, si dhe futja në biznesin e shërbimeve e çdokujt që kishte bërë një dorë para, e shkatërruan një pjesë të bukur të jetës së Tiranës, pa lindur ende. Të joshur nga fitimi, shumë pronarë i komercializuan lokalet e tyre: muzikë tallava që tërheq si me magnet tipat me shumë para dhe me zinxhirë ari në qafë, e që largon si murtaja klientelën e vjetër. Stili i dekorimit filloi të bëhej gjithnjë e më kiç dhe e vetmja gjë që kishte vlerë ishte konsumi i shtuar i pijeve. Një pjesë e atyre që u kthyen nga perëndimi, ndonëse pa asnjë eksperiencë në këtë lloj biznesi, të hollat e mbledhura i investuan në restorante e pub-e luksoze, por me një shërbim katastrofik dhe atmosferë të rënduar. Këto lokale mund të tërhiqnin ose pasanikët e rinj e të përkohshëm, ose ata që ne i quajmë “të fortë” ose klientë të rastësishëm. Nuk ishte fare çudi, që shpeshherë, ato shndërroheshin në arena sherresh, grushtesh dhe pistoletash. Sot, nuk janë të shumta lokalet që i rezistuan kaosit të para disa viteve dhe me gjithë përpjekjet për ta ringritur këtë pjesë të jetës në Tiranë, dëmi i shkaktuar ka lënë gjurmë të forta.

Fenomeni në fjalë, duket se po kërkon të përsëritet edhe në Prishtinë. Shumë lokale kanë filluar t’u përshtaten shijeve të klientëve që kanë para dhe të prishin traditën e dikurshme, duke harruar rregullin e artë se më mirë pak dhe përherë sesa shumë dhe një herë. Individë të ardhur nga jashtë, me para të fituara nga kush e di çfarë lloj biznesi, kanë investuar në lokale të mëdha, gati kështjella, ku mbizotëron luksi agresiv dhe WC-të me sensorë, por ku mungon krejtësisht filozofia e shërbimit. Ndërkohë, disa lokale të tjera me traditë në qytet, po japin shenjat e para të deformimit për shkak të konkurrencës. Nëse kjo tendencë bëhet mbizotëruese, atëherë krismat dhe sherret në tavolina do të shtohen. Djemtë që zbresin në Prishtinë me makina të mëdha, do të thyejnë më shumë dyer lokalesh kur t’i gjejnë mbyllur. Vajzat do të ndihen gjithnjë e më të shqetësuara nëse dalin vetëm. Lokalet më të njohura të Prishtinës do të popullohen nga tufa me burra të pirë që kërcejnë me njëri- tjetrin. Dhe ajo pjesë e jetës së kryeqytetit, që më së shumti na pëlqen, do të shuhet pak nga pak.

Në Prishtinë, ndryshe nga Tirana, një fenomen i tillë ka shumë më tepër shanse të shmanget. Mbi të gjitha, sepse pronarët këtu kanë përvojën dhe kulturën e gjatë të shërbimit, që në Shqipëri ishte zhdukur nga komunizmi bashkë me pronën private. Po ashtu, eksperienca e fituar nga kosovarët në Perëndim është shumë më e gjatë dhe më e plotë sesa e të rinjve nga Shqipëria që për herë të parë dolën nga izolimi në vitin 1991. Megjithatë, këto nuk mjaftojnë, duhet edhe diçka tjetër. Duhet që deformimi, i cili ka dhënë shenjat e para të mos tolerohet, të mos trajtohet si një fenomen i kohës, si diçka që do të ndodhë gjithsesi, por t’i bëhet rezistencë. Në të kundërt, ashtu siç është dëmtuar së jashtmi nga arroganca urbane, Prishtina rrezikon të dëmtohet edhe së brendshmi.

Kafeja e mëngjesit ose birra e mbrëmjes, janë një ritual që askush nuk ka të drejtë të na e prishë. Lokalet nuk u përkasin vetëm pronarëve të tyre, ato janë pjesë e kulturës së qytetit, janë pjesë e rëndësishme jetës së njeriut që duhet mbrojtur nga çdo dhunim i mundshëm.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).