Anthoni Athanas, ky patriot i mirë!

Kur e takova për herë të parë, në prag të nëntëdhjetave, Anthoni Athanas vazhdonte ende ta menaxhonte vetë restorantin më të dashur dhe më të famshëm ndër pesë restorantet e tij, "Anthony's pier 4". Ishte një ditë dhjetori e vitit 1999, në prag të mijëvjeçarit të ri, kur parkuam makinën përballë restorantit të tij, dhe kur unë u mundova të kujtoja se ç'kishte qenë ajo gjë që e kishte bërë këtë restorant të famshëm dhe ndër më të njohurit në Boston. Ishte ende herët, por Anthoni 89-vjeçar kishte mbërritur. I veshur shik, si çdo mëngjes ai kishte ndezur zjarrin dhe kishte filluar të drejtonte stafin e tij, një pjesë e madhe e të cilëve qenë emigrantë shqiptarë të pas 1990.

Në më shumë se tre orë, ngjiti dhe zbriti disa herë shkallët nga zyra e tij e vogël në katin e tretë, mbushur me foto dhe suvenire të shumë viteve dhe me vështrim të merakosur kërkonte që gjithçka të ndodhej në vend për drekën që po afronte. Dukej se jeta e tij ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me këtë restorant, ngritur 40 vjet më pare, aty ku nuk e besonte askush se do të kishte sukses. Atë ditë dhe në disa biseda gjatë vitit në vazhdim, Anthoni Athanas kishte dëshirë të kujtonte se kur ai bleu atë copë tokë, në një zonë magazinash pranë portit, ku vështirë se mund të kalonte edhe një kalimtar i humbur, shumë vetë besuan se ky ishte edhe fundi. Ai rrëfente se një miku i tij i vjetër, Kristo Thanasi, i merakosur për fatin e shokut kishte sjellë një mbasdite në atë zonë të harruar Fan Nolin.

- Kjo është toka që ka blerë Anthoni, i kishte thënë, jo pa dhimbje, por akoma më e dhimbshme kishte qenë përgjigjja e Fan Nolit:

- Anthoni nuk i ka mendtë në vend, ja kishte kthyer peshkopi i nderuar. - Ai do të humbasë por do të humbasim edhe ne.


Kjo shaka që Athanasi ma tregoi në të gjitha takimet, pa menduar që ma kishte thënë herën e parë, ishte vetëm njëra anë. Atë ditë të parë, duke më shëtitur në të gjithë restorantin, më tregoi se ditën që vendosi ndërtimin e restorantit dhe bleu truallin në atë kalatë të portit thirri gruan mënjanë.
I kërkoi asaj të vendoste disa dollarë në një anë dhe i tregoi se për investimin kishte vënë peng në bankë gjithë pasurinë, përfshi edhe shtëpinë.
- Nëse humbisja, nuk do të më mbetej më asgjë, foli ai, pa e fshehur krenarinë për triumfin, tashmë, 40 vjet më pas. - Por unë isha mësuar të rrezikoja dhe nuk më pëlqen të humbas kurrë, shtoi ai.
Madje suksesi i restorantit qëndronte pikërisht tek ajo që shihej si pika e dobët e tij: një autostradë që po i ndërtohej përbri. Athanasi kujtoi se si çoi aty vëllain, me të cilin punonin prej shumë vitesh. U përpoq ta bindte se do të kishte sukses dhe një moment i kishte thënë me një gjuhë prej profetësh: ajo rrugë që po ndërtohet aty do të na sjellë mjaft klientë. Dhe në fakt ndodhi kështu. Një rrugë që kalon pranë restorantit është edhe gjetja e artë që e bëri atë mjaft të frekuentueshëm.

Ishte një ditë e ftohtë, por me diell dhe nuk e di pse plakut të fisëm po i pëlqente të kujtonte atë kohë. Ai ecte dhe ndalonte në hollin e restorantit gjigand dhe dhjetëra fotografi e shohin nga muret e tij. Suvenire të katër dhjetëvjeçarëve që fare mirë mund të konsideroheshin edhe suvenire të viteve të trazuara të SHBA. Një koleksion fantastik artistësh të Hollivudit dhe politikanësh nga e gjithë bota. Një paradë e shtatë presidentëve të fundit të SHBA, nga Xhon Kenedi, me lukun e tij të qeshur e rinor, klient i vjetër i restorantit, e deri tek Bushi e Klintoni. Nga Perandori i Japonisë Aki Hito e deri te Kancelari Gjerman Helmut Kohl. Pa harruar njerëzit më të rëndësishëm të atdheut të tij. Një album në faqet e zverdhura të të cilit qëndronin Fan Noli dhe Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani dhe Pandeli Majko. Nuk e di sa ndenja atë ditë, por në ikje, ai më dhuroi një libër të botuar nga "Nju York Times" dhe që titullohej "Mrekullia amerikane". Një libër në të cilin tregoheshin fatet e emigrantëve që kishin mbërritur nga vendet e tyre vetëm me plaçkat e trupit dhe në pak vite qenë shndërruar në milionerë.

Disa muaj më vonë e takova sërish, tashmë në Shqipëri. Ishte në moshë të thyer, por kishte vizituar dy herë në gjashtë muaj Shqipërinë dhe Kosovën, ndihej krenar për këtë dhe i pëlqente të rrëfente. Nuk e di pse herën e fundit që e pashë kishte një ndjenjë të fortë nostalgjie. Një nostalgji që ja përforconte respekti i njerëzve dhe gjuha shqipe që dëgjonte kudo.

- E di, më tha, jeta ime është e pabesueshme.

Ai filloi të më kujtonte me dhimbje dhe me sens humori atë ditë të largët të vitit 1915, kur mes flakëve të luftës së parë botërore i hipur mbi një mushkë, së bashku me familjen dhe disa të afërm kishte lënë Korçën në drejtim të Pireut. I kujtohej pak ai udhëtim i largët edhe pse siç tregonte atë ditë,për shumë kohë më vonë ishte zënë me kushëririn e tij që kishin udhëtuar bashkë. Ai ende nuk e dinte nëse vërtet kishin hipur në mushka apo gomarë. Por sidoqoftë, mushka apo gomari qenë treguar bujarë. I kishin çuar refugjatët e ardhshëm deri në portin grek prej nga kishin marrë anijen për në Nju Jork. Anthoni ishte atëherë vetëm pesë vjeç.

Pesë vjet më vonë braktisi biznesin e tij në Korçë, për t'u shpërngulur në Boston të SHBA. Atje ku kishte kaluar dy vjet në vitet 1907-1909. Atëherë pesë vjeçar, Athanasi kujtonte se si mbërritën në Ellias Island, një ishull i vogël pranë Nju Jorkut ku qenë vendosur edhe zyrat e emigracionit të SHBA. Dhe ku çdo ditë mbërrinin vaporët me mijëra emigrantë, nga e gjithë Evropa, në kërkim të ëndrrës amerikane.

Babai i tij kishte emigruar me 1907 në SHBA, por ishte kthyer përsëri dy vjet më vonë. Tregtar i vogël, ai kishte arritur ta bënte të suksesshme një kafe që në Korçë njihet ende si kafja e bilbilave. Por duket se djali nga Trebicka kishte të tjera ambicie. Dhe nuk e kishte harruar kurrë Amerikën e magjishme, vendin ku mund të ndodhte çdo gjë. Ai u martua dhe më 1910 lindi djalin e parë, që e quajti Anthon.  Familja u vendos përfundimisht në Bedford, një qytezë pranë Bostonit, ku i ati i tij hapi një dyqan të vogël ku shiste fruta dhe perime. Athanasi kujtoi se në vitin 1917 atje ishin 50 familje shqiptare nga Korça dhe Tepelena dhe shqipja dëgjohej kudo. Për më tepër gjyshja fliste vetëm shqip dhe fëmijët e ruajtën gjuhën e prindërve. Ai më rrëfeu se si një dite i ati i dha disa kuti me luleshtrydhe dhe ai filloi të trokiste derë me derë për t'i shitur ato. Ditën e parë nuk ja arriti dhe kur u kthye në shtëpi me pemët e kalbura e kishte mbytur dëshpërimi. I ati e bindi se biznesi nuk është i lehtë dhe se mbi të gjitha për të pasur sukses duhej të ishte këmbëngulës dhe i ndershëm. 80 vjet më vonë ai nuk kishte harruar asnjë prej këtyre dy parimeve që e patën ndihmuar aq shumë në jetë.

Të nesërmen doli përsëri me kutitë e luleshtrydheve dhe kësaj here nuk ktheu në shtëpi asnjë. Që nga ajo ditë braktisi shkollën dhe filloi biznesin me të atin.  Por dukej se djali i ri kishte plot ambicie të tjera. 15-vjeçar braktisi dyqanin e të atit dhe filloi të punonte në restorant. Ndizte zjarrin dhe bënte gjithë punët e tjera që gjithçka të ishte në rregull për mjeshtrin. Në të vërtetë, kujtonte ai, mjeshtrat ishin fanatike dhe kur gatuanin nuk donin që ne t'ju merrnim zanatin. Por ne i shihnim fshehurazi dhe kur ktheheshim në shtëpi i shkruanim formulat e tyre.

Punonte në një restorant kur në Bedford mbërriti kriza e viteve '30 dhe fabrikat e pambukut u mbyllën. Atëherë la familjen dhe u vendos në Nju Jork, ku vijoi të punonte për disa kohë në një restorant. Ishte në atë kohë, në moshën 18-vjeçare, kur pa Aleksandër Moisiun, që luante Otellon në një nga teatrot e Brodueit. Ishin po ato vite kur filloi të lexonte në Nju Jork, një gazetë të arbëreshëve të Italisë që botohej gjysmë shqip dhe gjysmë italisht. Nju Jorku duket se kishte lënë gjurmë në jetën e tij dhe formimin e tij. Kujtonte se mbrëmjeve ëndërronte gjatë të kishte biznesin e tij. Dhe nuk do të vononte shumë për ta pasur realisht. Në mes të
viteve '30 babai i vdiq në moshën 56-vjeçare dhe ai, si djali më i madh, u kthye të kujdesej për familjen në Bedford. Tashmë kishte eksperiencë në fushën e restoranteve dhe në vitin 1937 hapi restorantin e parë në qytetin e tij. Midis dokumenteve në bibliotekën e studios, në katin e sipërm të restorantit te famshëm, Anthoni Athanas më kishte shfletuar me mburrje edhe kontratën e blerjes së restorantit të parë. Për një shumë prej 5 mijë dollarësh, duke vënë kesh vetëm 1800. Në të vërtetë ende, 50 vjet më pas, duart i dridheshin kur kujtonte se me ato 1800 dollarë të mbledhur me mjaft mundim kish nisur një biznes, i cili do t'i sillte miliona më vonë. Atëherë kisha vetëm 1800 dollarë shtoi ai, ndërsa në fillim të viteve '90, vetëm nga një gjyq me një firmë të hebreje humba afro 200 milionë dollarë. Natyrisht ato u zëvendësuan përsëri më vonë. Por me sa dukej Restoranti i parë qe me fat për shqiptarin ambicioz. Pak
kohë më vonë ai bleu një ndërtesë pranë që deri atë ditë kishte qenë kinema dhe e bëri parking. Vendosi ajrin e kondicionuar ndër të parët në qytet, filloi publicitetin në gazetë dhe restoranti mori famë për gatimin dhe mikpritjen.

Më 1940, kur dukej se biznesi i tij qe vënë në vijë, u martua me një vajzë shqiptare nga Stratoberdha, e lindur në SHBA. Me të pati katër djem dhe asnjeri prej tyre nuk fliste, së paku deri atë moment shqip. Kam frikë se atë moment, kur vdekja i qe afruar dhe ai e ndiente mirë
se ishin vitet e fundit të tij, ky ishte edhe pengu i madh i Athanasit.

- E di, - më tha - ata nuk kanë pasur një baba aq të mirë sa e kisha unë.

Restoranti i bizneseve u bë i pari për familjen Athanasi. Më 1945 hapi restorantin e dytë dhe më pas edhe dy të tjerë. Ai kishte katër restorante më 1960, kur bleu një nga kalatat e portit të dikurshëm të Bostonit dhe vendosi të ndërtojë aty restorantin që i dha më shumë
famë dhe natyrisht para se kushdo tjetër. "Anthony's pier 4" përfundoi me 1962 dhe ai u ndërtua i gjithi në stilin kolonial.

-E di se cila është ajo gjë që më ka motivuar në jetë dhe më ka bërë të ndihem mirë, më pyeti?
- Biznesi, ju përgjigja pa mendje, i bindur se mbarëvajtja e tij ka një dimension të rëndësishëm në jetën e një amerikani.
- Jo djalë, ma ktheu me një toskërishte të vjetër si të dalë nga kushedi ç'libra të vjetër të rilindasve. Komuniteti Shqiptar dhe të ndjerit pjesë e tij.

Më tregoi se ishte vetëm dhjetë vjeç kur shqiptarët që banonin në Bedford, u mblodhën së bashku në kishë për pashkë. Ai u lidh fort me komunitetin shqiptar dhe që nga ajo ditë e largët e vitit 1920, nuk reshti së punuari për atë komunitet. Madje gjëja më e vështirë e jetës së tij kishte qenë gjithnjë që të sqaronte se është shqiptar dhe vetëm shqiptar. Se emri i tij nuk ka të bëjë me Greqinë dhe se kisha ortodokse shqiptare është e ndarë nga ajo greke. Nuk e di a ja kishte arritur kësaj. Shumë vite më vonë, kur ai nuk ishte më tashmë, ndërsa i kërkova një taksije të më ndalonte atje, shoferi foli qetë: ah, restoranti i Anthonit, grekut, po e di, e di.



Kisha ka qenë edhe vendi që na ka lidhur së pari me komunitetin e sqaronte ai. Aty kishte njohur për herë të parë një ditë pashke, Fan Nolin. Njeriun që do ta respektonte dhe nderonte gjithë jetën. Djalë i ri, ai u lidh shpejt me Vatrën dhe Diellin. U bë mik i Konicës dhe sidomos i Fan Nolit. I kujtonte të dy me admirim edhe pse Fan Nolin e kish njohur më mirë. Konica vdiq shpejt dhe ai kujtonte se si e varrosën në Boston, kujtonte fjalimin e mrekullueshëm të Fan Nolit dhe ditët e majit 1995, kur së bashku me disa shqiptarë të tjerë  përcollën eshtrat e tij për në Tiranë. Nuk e di nëse e kish vuajtur faktin se pavarësisht se ç'kish bërë për komunitetin shqiptar, atdheu ja kish mbyllur dyert keq. Që nga ikja e largët e 1915, vetëm në 1989, plot 74 vjet më pas, qe kthyer në Shqipëri.

Në vitin 1968, kur bëheshin festimet për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut pati trokitur për herë të parë në derën e Ambasadës Shqiptare në Paris. Kërkoi një vizë për në Shqipëri, por kur mësuan lidhjen e tij me Vatrën nuk i hapen as derën. Një herë tjetër i ra gjatë ziles së Ambasadës Shqiptare në Romë, por nga ana tjetër nuk mori përgjigje, pasi mësuan se vinte nga diaspora e SHBA. Rasti e solli të vizitonte Shqipërinë vetëm me 1989, kur linjat e
fanatizmit politik ishin zbutur dhe dukej se në atdhe po frynte një erë e re. Ai kujtonte se shumë miq të tij ishin kundër kësaj vizite dhe se kishin frikë për fatin e tij. Mbërriti në një Shqipëri të qetë dhe gjëja e parë që i ra në sy qe se njerëzit ishin veçanërisht të
kujdesshëm, flisnin pak dhe ju largoheshin të huajve. Në Hotel Dajti e pritën mirë dhe njëra nga punonjëset e shërbimit, i dha me vete një hudhër kur iku. Vizitoi Korçën, por nuk mundi të shkojë në Trebickë, fshati i lindjes së babait. Humbi kështu rastin të vizitonte fshatin që nuk e kishte parë kurrë. Më pas u kthye edhe pesë herë të tjera në Shqipëri. Ajo që bisedonim bashkë ishte e fundit.

Nuk u pamë më asnjëherë. Deri në ditë të vitit 2005, kur erdhi lajmi se kish ndërruar jetë. Ishte 95 vjeç dhe po linte pas një histori suksesi. Nuk e di pse ndjeva një keqardhje të thellë atë ditë. Besova se mund ta ndjente çdo shqiptar që do ta njihte historinë e tij dhe që hallakatjet e pas vitit 1990 i kishin lënë së paku një emigrant në familje. Shkruajta një artikull që e titullova: Athanasi, një shqiptar i mirë! A ishte vërtet i tillë. Sot mund të përgjigjem pa asnjë hezitim, PO. Në një botë të mbushur me retorikë patriotizmi, ai ishte nga ata të paktët njerëz që për 90 vjet me radhë kishte qenë një patriot i mirë. Pa e kuptuar, pa e ditur, pa u turbulluar nga suksesi i tij amerikan. Kishte qenë një patriot që atë moment, kur 5 vjeçar, kishte hipur në një gomar apo mushkë për të udhëtuar nga Korça drejt Pireut e më pas SHBA. E kish mbartur patriotizmin me vete. Nuk e kish dashur për votë, për kredo, për karrierë apo për t'u evidentuar diku. E kish pasur thjesht një dimension të jetës së tij, një nevojë të atdheut të munguar. Atdheut që e kish parë vetëm pesë herë në 90 vjet. Më pak se shumë shtete të tjera të botës që kish vizituar, por që s'e kish harruar kurrë.

Më shumë se kushdo tjetër ai reflektonte atë thënie të Xhon Kenedit, presidentit që e kish njohur dhe dashur aq shumë: "Mos pyet kurrë se ç'ka bërë atdheu për ty, por thuaj se ç'ke bërë ti për atdheun". Kam bindjen, se nëse në momentet e fundit të jetës dikush do t'ia kishte bërë këtë pyetje, ai kish plot për t'i thënë. Kam bindjen se ai kish bërë gjithçka, duke qenë një nga rastet e fundit, kur suksesi, largësia, mungesa e kontaktit dhe mëria politike e atdheut, nuk ja kish zbehur dashurinë për të.

Zoti dhëntë që më shumë njerëz të kenë pasionin dhe përkushtimin e tij…

6 Komente

Me sa duket qenka bere edhe ky Blendi antar i Peshkut se ne fakt kete artikull ka me shuem se 2 muaj qe e ka shkruajtur ne nje te perditshme....!

Gjithsesi URIME URIME....Disa futen ne parti e disa te tjere tek...rrjeta e peshkut....por ne fakt mire ben se vrimat (jo te rrjetes) e halleve i ka mbyll te gjitha deri ne momentin kur filloi te ndihej paksa PRONAR....qe per hir te vertetes ...rritet cdo dite...!!!

Megjithate ky shkrim me ka pelqy shume dhe nje tjter per Mentor Qokun ne mos gaboj,nje shqiptar vertet i shquar por qe njihet gjithashtu ne rrethet okulte per organizimin  etakimit te famshem midis Nanos_berishes&co ne Trieste....!

Syri Shqiponjes, jam dakort me ty, vetem per sqarim shkrimin e ka postuar Monda, jo Blendi Fevziu. smiley. Tani do bej nje kerkim per kete shokun e okultit se tingullon interesant.

Syri i Shqiponjes, ky shkrim me erdhi ne e-mail, (from a third party) dhe jo nga Blendi Fevziu.  M'u duk interesant, shkrim i mire, "patriot i mire" ndaj e solla ketu.  Kerkoj ndjese vertete nqs qenka publikuar me pare dhe eshte material i vjeter.  Neve jashte, na vijne ca me vonese keto gjera.  Por te siguroj, te pakten nga ana ime, qe s'ka pasur ndonje prapaskene karshi autorit, thjesht material per subjektin.  

Blerja e atij trualli buze detit dhe kthyerja ne restorant, mendoj se ka qene nje nga veprimet me te mençura te Athanasit, sepse sot , lokalet buze detit jane me te frekuenturat, ndoshta dhe per shkak te heqjes se stresit. 

Monda, une s'e kisha lexuar me pare, mbase ngaqe kam shekuj qe s'lexoj gazeta, por me pelqeu. Flm. smiley

Antoni Athanas e kam takuar mbi dhjete here dhe ka qene 100% ashtu sic e pershkuan Fevziu.

Sa per ate qe thote Pjer Thomas eshte e vertete ne parim.Por duke ditur qe vendi ku u ndertua restoranti, ka qene nga me te pasigurtet ne Boston( ka qene vendi me kriminalitetin me ta larte ne kohen qe e bleu Antoni) ai ka marre vertet rrezik te madh.Qe ju shperblye edhe me nje fitim jashtezakonisht te madh.Ndertimi i rruges 93 dhe miqesia me familjen Kenedi e ndihmoi shume biznesin e tij.

Antoni ka qene ikona e Bostonit.Edhe diten e vdekjes na nderoi si komunitet, pasi lajmi ishte ne faqet e para te te gjithe gazetave dhe i pari ne lajmet e tv.Permendej origjina e tij shqiptare dhe kjo gje na ka mbushur me krenari ate dite,sepse u mburreshim te tjereve me famen e tij.Une te pakten ate dite u ndjeva shume krenar, kur koleget amerikane me afroheshin dhe me thoshin fjalet me te mira per Antonin dhe permendnin origjinen e tij shqiptare.

Por sic thote edhe Fevziu ne fund:

Zoti dhëntë që më shumë njerëz të kenë pasionin dhe përkushtimin e tij…

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).