Zgjedhjet e 28 qershorit dhe paria e Tiranës

Sa më shumë që po afrohet data e zgjedhjeve kuvendore në shtetin shqiptar, aq më shumë po ndizet debati tradicional për listat, deputetët, personalitetet, koalicionet, firmat konsultuese, analizat e elektoratit, parullat e radhës, si dhe për meritat dhe sukseset e të gjithë parisë politike dhe të segmenteve të saj të rreshtuara në partitë politike të prijatarëve përkatës.

Debati është i ethshëm dhe përplasja midis të ashtuquajturve personalitete politike të parisë së Tiranës është e karakterizuar nga një egërsi e pashoqe dhe e frikshme, si dhe nga një paturpësi karakteristike për rrugaçët e dorës së fundit.

Por, me gjasë, nuk ka shumë arsye për t'u shqetësuar, sepse, kur iu duhet, duket se të ashtuquajturit personalitete politike merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo sjellje mbulon qëllime të tjera.

Paria e Tiranës janë më të lidhur me njëri-tjetrin se sa lënë për të kuptuar kacafytjet televizive. Nga një anë, politika është biznesi i familjeve respektive të të ashtuquajturve personalitete politike. Të gjithë ato vetë kanë qenë të përfshirë në politikë që nga kohë të vjetra, që s'mbahen mend.

Në politikën aktive, në shtetin shqiptar, ka ish-partizanë të Luftës së Dytë Botërore, ish-sekretarë të PPSH-së, ish-ministra të kohës së Enver Hoxhës e të Ramiz Alisë e me radhë, të gjithë në krye të partive kryesore e në organet drejtuese.

Duhet thënë se edhe pse paria e Tiranës është një çorbë shumë e përzierë origjinash klasore, etnike e me radhë, shumë prej tyre vijnë nga shkolla e vjetër e PPSH-së. Ato kanë qenë të edukuar me shumë kujdes për të funksionuar në atë sistem dhe prandaj e gjejnë gjuhën shumë më lehtë me njëri-tjetrin. Si atëherë edhe sot, objektivi i tyre mbetet i njëjtë.

Ato duan për t'u bërë pari sunduese me zor, edhe pse rruga e tyre ka qenë dhe është e shtruar me mjerimin e vuajtjen e të gjithë shqiptarëve, dhe në këtë aspekt, asgjë nuk ka ndryshuar.

Ato e njohin mirë njëri-tjetrin, ndajnë të njëjta interesa, vlera, e qëllime dhe pavarësisht partive politike, janë dy anët e së njëjtës medalje. Duke gjykuar nga sjellja e pandryshuar e parisë së Tiranës, duket sikur tranzicioni për to do të mbarojë vetëm kur ato të kenë nën këmbët e tyre të gjithë shqiptarët, siç i kishin për disa dhjetëravjeçarë nën udhëheqjen e Enver Hoxhës. Por, ky qëllim, edhe pse i dallueshëm në veprimet e tyre, nuk përmendet hapur si dikur, sepse tashmë ato e dinë që nuk mjafton të sundosh dikë vetëm me forcë.

Sundimi më i mirë është kur tjetri bindet se gjendja ku është nuk mund të ndryshohet dhe, ose ikën e lë vendin ose nënshtrohet. Forca më e madhe e pushtetit është rezinjata e njerëzve dhe kjo arrihet me dështimin e njëpasnjëshëm të zgjidhjeve, të rrugëdaljeve e të të gjitha përpjekjeve për të ndryshuar drejtim. Prandaj, jemi e do të jemi në tranzicion të vazhdueshëm, derisa paria e Tiranës të arrijë objektivat e saj.

Nga ana tjetër, pra, parisë i duhet mbështetja e popullit. Për këtë arsye, të gjithë prijatarët partiakë po luftojnë që të mbajnë të lidhur mbas qerres së vet, militantët e tyre, tifozë fanatikë e klientë që shiten e blihen për një kafshatë buke, por që besojnë verbërisht në të ashtuquajturin lider; ato nuk besojnë në vlera apo në ide, por në liderin e, natyrisht, edhe në interesin e në kuletën e tyre.

Këtyre u bëhen premtimet për policë e doganierë se, ndryshe, të ashtuquajturit personalitete politike nuk i marrin dot votat e shumta që i mbledhin militantët respektivë dhe i sjellin në kutitë e votimit. Por, militantët po pakësohen dhe interesaxhinjtë e makutëria po shtohen dhe politika është biznes si asnjëherë tjetër në historinë e shqiptarëve.

Po ashtu, po shtohet edhe numri i shqiptarëve që nuk duan të luajnë më këtë lojë me viktima, por që duan një politikë serioze e të mençur, që të mbrojë nderin e jetën e sigurinë e njerëzve, por që ende nuk shohin zgjidhje serioze e që duhet ta mbështesin.

Zgjidhje ka, ato janë të ditura, mirëpo kjo rrugë nuk i intereson parisë së Tiranës, thjesht sepse vendosja e një sistemi të ndershëm e të përgjegjshëm, u cenon interesat e shumta e të gjithanshme që ato kanë.

Duket se për parinë e Tiranës, nuk ka e nuk duhet të ketë një popull shqiptar që do të jetojë me qetësi, siguri, edhe pse më i varfër se disa të tjerë, por me nder në vendin e vet. Populli shqiptar duhet të copëzohet, përçahet, dezinformohet, manipulohet e kontrollohet me të gjitha mënyrat e mundshme, që paria i njeh mirë dhe nuk heziton që t'i përdorë.

Ku nuk ec kërbaçi, përdoret kulaçi. Ku nuk mund të premtohet e ardhmja, manipulohet e shkuara. Ku nuk mund të ofrohet bukë e siguri, ofrohen fjalë boshe për sedrën e sëmurë dhe emrin e familjes së madhe, edhe pse gjyshi ka qenë rrobaqepës apo bakall. Ku nuk ofrohet punë e jetesë, ofrohet rruga e mërgimit dhe e përzënies së heshtur prej atdheut.

Dhe e gjithë shoqëria duhet të luajë këtë lojë hipokrite, sepse paria po ia shet krimin e vet si zgjidhje të vetme të së ardhmes së popullit.
Prandaj, për parinë e Tiranës, përçarja e shqiptarëve është norma e sjelljes dhe ajo nuk do të ndryshojë.

Në shtetin shqiptar, gjithkush është e duhet të ndjehet i persekutuar nga një sistem i caktuar, gjithkush është e duhet të jetë pronar dhe ish-pronar, të gjithë kanë luftuar e do të luftojnë me e kundër Turqisë e imperializmit, me e kundër fashizmit e komunizmit, asnjë nuk është derë e vogël, dhe të gjithë njerëzit janë intelektualë me shkollë të lartë publike e jopublike dhe, kur vjen puna tek pasuria, pasurinë e pafundme që kanë mbledhur le noveau riche të rrethinave të Tiranës, na thonë se e kanë vënë me mund e me gjak, anipse nuk na tregohet se mundi e gjaku i kujt është.

Gjithsesi, kjo fushatë intensive, zallamahia elektorale, si dhe zhurma e mjeteve të informimit, të transformuara në pushkaliqet mediatike, nuk mund të fshijnë disa mungesa të ndjeshme që e bëjnë këtë fushatë, si dhe rezultatin që mund të vijë prej saj, të duket qysh tani si i pashpresë.

Është e dobishme që të vihet në dukje, anipse shkurtimisht e thjesht si ilustrim, mungesa e disa prej këtyre elementëve, të pranishme në fushata të këtij niveli në çdo vend demokratik.

Edhe po të mos jenë të pranishme në vende të kategorisë së shtetit shqiptar, kudo që janë ato vende, në Afrikë apo në botën e tretë, kjo nuk është justifikim, se shteti shqiptar gjendet mu në anë të Europës, ku do të mbesë për shumë-shumë kohë, edhe pse së shpejti do të hyjë në NATO.

Por, natyrisht, nuk ka rëndësi si të sheh e se si të konsideron bota ty, rëndësi ka se si e sheh ti veten.
Për parinë e Tiranës, askush nuk duhet të ndjehet shqiptar dhe të drejtojë gishtin drejt tyre e të flasë për krimet e parisë.

Paria e Tiranës, deri dje jeniçerët e përjetshëm denbabaden të të gjitha sistemeve që kanë ekzistuar e sunduar në atë vend, ka marrë vendim që ne shqiptarët të jemi europianë dhe hocus-pocus, na thuhet se jemi bërë të tillë.

Një demagogji e tillë i bën të qeshin të gjithë ato që e njohin pak Europën, por paria nuk ndalet. Ndër patologjitë e shumta të tjera që vihen re ashiqare dhe që do të duken edhe më mirë në ditët e javët e ardhshme, janë mungesa e debatit të mirëfilltë ideologjik, mungesa e vizionit për të ardhmen, shterpësia e vlerave morale, përçarja e qëllimtë e popullit, mungesa e vetëdijes për përgjegjësitë politike të partive dhe feudalizimi i tyre, afrimi i kolapsit ekonomik, kriza e thellë dhe efektet e saj mbi emigrantët, manipulimi me ligjin dhe elektoratin, shkatërrimi i sistemeve të shërbimeve publike, legjitimimi i politikanëve të korruptuar e të kriminalizuar, shtrembërimi i qëllimtë i vendit që zë shteti shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe mbi të gjitha, dështimi i pakontestueshëm dhe i qëllimtë i prijatarëve politikë për me ndërtue një shtet modern të shqiptarëve e në shërbim të tyre.

Duket se qëllimi i pandryshuar i parisë së Tiranës dhe i të ashtuquajturve personalitete politike, vazhdon të jetë që ta transformojnë shoqërinë shqiptare në një top gëlbaze morale, ku askush të mos ketë forcë të thotë të vërtetën e të mos ketë respekt e dinjitet për vete e familjen, dhe për këtë po përdoret gjithçka që ato kanë në arsenalin e tyre.

Po ashtu, duket se objektivi i tyre i pandryshuar është që të trullosin sa më shumë që të munden segmentet e caktuara të shoqërisë dhe t'i bëjnë të votojnë për to si e keqja më e vogël, si dhe të bindin të huajt se ato janë kandidatët më të meritueshëm me u zgjedhë për me drejtue shtetin dhe institucionet e tij.

Duhet thënë se kjo mënyrë që ka gjetur paria e Tiranës me i zgjidh problemet e veta, është shumë efektive dhe ka funksionuar shumë mirë në të shkuarën, të paktën gjatë tranzicionit të deritashëm, që as nuk ka mbaruar e as nuk duket se do të mbarojë së shpejti.

Të ashtuquajturit personalitete politike rrihen e shahen në media gjithë ditën, por duke gjykuar nga ligjet e vendimet që aprovojnë, me e thanë disi metaforikisht, flenë bashkë gjithë natën dhe ruajnë e mbrojnë interesat e tyre identike dhe për këtë ato kanë përdoruar e do të përdorin mjete të shumta.

Nuk ka arsye pse një taktikë e tillë nuk do të funksionojë edhe në të ardhmen, përfshirë këtu edhe zgjedhjet e 28 qershorit. Qëllimi i parisë është që të duket se kjo rrugë, ku ato duan që ne të ecim, është e pashmangshme.

Qëllimi i atyre që duan të jetojnë me nder, duhet të jetë që të vënë në dukje të keqen, t'ia vënë emrin që ka, të ndahen prej saj dhe të luftojnë për ta ndryshuar rrjedhën e jetës e për t'i ikur zgjedhës ku do ta mbajë popullin shqiptar paria e Tiranës.

3 Komente

Eshte e vertete shqiperine akoma e sundojne komunistet

edhe te partite e djathta ka me shume komuniste,eshte e veshtire

ta shkulesh nga rrenjet kete fare te keqe se ka 50vjet qe eshte mbjelle

po cila do te jete zgjidhja se keto gjera i dime dhe i kemi degjuar dhe lexuar sa here aq sa jemi merzitur

Artikullin e lexova dje direkt nga gazeta dhe me pelqeu. Kishte kap me gjith mend disa pika te rendesishme te aktualitetit.Do ishte me interes qe ky artikull te perkthehej dhe ne gjuhet anglisht dhe frengjisht, per te huajt.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).