Xhuveli i jep njeriut të tij lagunën e Aldo Bares

Asgjë nuk ka ndryshuar në lagunë, pas rënies së bandës së Aldo Bares, përveç përgjysmimit të numrit të peshkatarëve dhe një barakeje prej teneqeje, të konsideruar si investim i ri

 

Nga Karavastaja

Lindita Çela

KARAVASTA - Një kolibe ngjyrë blu dhe një tra i pakalueshëm për të panjohurit, janë shenjat e para dalluese të “zotërve” të rinj në Lagunën e Karavastasë. Sapo kalon urën me dërrasa, bunkeri i përdorur dikur si vendroje të kujton se kjo zonë ishte shndërruar për vite të tëra në tokën e një prej bandave më famëkeqe në vend. Megjithëse njihet si pjesë e Parkut Kombëtar të Divjakës, i cili ndodhet 5 kilometra larg qytetit, në lagunë nuk kanë shkelur njerëz, qofshin këta turistë apo të apasionur të biodiversitetit, që sipërfaqja prej afro 10 hektarësh e lagunës ta ofron bujarisht. Rruga për në lagunë, përmes pyllit të Divjakës, thuajse është e pakalueshme. Megjithëse laguna ka qenë burim i majmë fitimi, askush nuk ka vënë ujin në zjarr për të sistemuar rrugën prej 3 kilometrash që të çon në një nga zonat më bukura të Divjakës. Përtej parkut, gjithçka duket ende e shkretë dhe e frikshme.

***

Pasi lë mbrapa zonën e mbushur me lokale në mes të pyllit të Divjakës, të vetmit njerëz që mund të hasësh janë peshkatarët e Lagunës së Karavastasë. Edhe pse kanë kaluar tre vjet nga arrestimi i Aldo Bares, sërish laguna mbart “namin” e lënë pas prej tij. Ndërsa të huajve u është rekomanduar të mos shkelin në këtë lagunë, edhe pse zona konsiderohet një nga mrekullitë e bregdetit të Adriatikut. Të paktën këtë të thotë gjermani  Hans, që e hasim me rulotën e tij në plazhin e Divjakës. Për të shkelur Lagunën e Karavastasë, mundësia e vetme, përveç detit, është një urë e vogël. Pikërisht aty ku ndodhet baraka ngjyrë blu e shndërruar në një vendroje dhe trau që ndalon kalimin për në brendësi të zonës. Tashmë, laguna konsiderohet sërish “pronë private”. Në fakt është e njëjta zonë që tre vjet më parë pronar kishte Aldo Baren. Sipas peshkatarëve, pronari i ri ka marrë të njëjtën sipërfaqe që dikur konsiderohej si mbretëria e krimit të një prej personave më të akuzuar në Shqipëri. Peshkatarët thonë se shefi është një “i madh”, por që zyrtarisht është prezantuar Jonuz Kasa. Në Ministrinë e Mjedisit të thonë se firma ka marrë përsipër të kryejë investime të rëndësishme në Lagunë. Ajo çka sheh realisht nuk është gjë tjetër, veçse godina prej teneqeje, përkarshi pronave të sekuestruara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Dhe ky investim zë fill që në hyrje të ndërmarrjes me koliben ngjyrë blu që është pak metra larg ish-ndërtesës së fortifikuar, ku djemtë vigjilentë të bandës bënin roje 24 orë. Pak më tutje, në zemër të lagunës, ndodhen magazinat e peshkimit dhe së fundmi, zyrat e shoqërisë së re që ka marrë në përdorim për 10 vjet Lagunën e Karavastasë.

***

Në fakt, ndërmarrja e peshkimit aktualisht është shndërruar në ndërtesa paralele, ku vetëm boja e teneqeve bie në sy. Ndërsa peshkatarët, tamam si punëtorë me mëditje, lejohen të gjuajnë në zonën që ligjërisht quhet ende Park Kombëtar. Në ndërmarrje mësojmë se edhe pronarët e rinj nuk kanë marrë mendimin e peshkatarëve, dhe pse dikur kanë qenë aksionerë të ndërmarrjes së peshkimit. Për shoqërinë “J & T” vendimi është marrë në Tiranë. “Erdhën dhe u prezantuan si pronarë të rinj, por nuk do të jetë e largët dita që do të na ndalojnë të peshkojmë këtu dhe pse mbajmë frymën gjallë me ujërat e kësaj lagune”, - të thotë një ndër peshkatarët e zonës. Sipas tyre, shfrytëzuesi i lagunës nuk kanë asnjë ndryshim me ata të vjetrit. Në lagunë jo vetëm që nuk është investuar, por edhe rrjetat peshkatarët duhet t’i blejnë vetë, ndërkohë që janë të detyruar ta shesin në magazinat e ndërmarrjes së peshkimit. Nga ajo sa thonë peshkatarët, duket se ditë më të zeza kanë ardhur për punën e tyre.  Shumica prej tyre jetojnë me frikën se të nesërmen, edhe për ta trau mund të jetë i pakalueshëm.

 

 

“Mbretëria” e Aldo Bares

 

Laguna e Karavastasë,

mes mitit dhe së vërtetës

 

Peshkimi nuk ka qenë qëllimi i vetëm i Aldo Bares për të privatizuar Lagunën e Karavastasë. Të paktën kështu u tha nga hetimet paraprake të prokurorisë, për një nga bandat më famëkeqe në vend. Legjenda shkonte deri te shndërrimi në një varrezë ku dergjeshin eshtrat e njerëzve të humbur, ndërsa faktet tek trafiku i drogës apo i qenieve njerëzore. Megjithëse gjithçka është nën gjykim, fillimisht është dyshuar se Laguna e Karavastasë mund të jetë përdorur edhe për trafik droge dhe qeniesh njerëzore. Fakti që prej vitesh zona ka qenë jashtë kontrollit të shtetit, por të bandës kriminale të lë të kuptosh se aty ka qenë “mbretëria” e Aldo Bares. Për vite të tëra, laguna ka qenë nën kontrollin e “ushtarëve” të bandës dhe përveç peshkatarëve, askush nuk guxonte të shkelte në këto zonë. Në vitin 1999, nëpërmjet kërcënimit të peshkatarëve, Alfred Shkurti arriti të privatizonte ndërmarrjen e peshkimit. Megjithëse askush nga peshkatarët nuk ka parë qoftë edhe një herë të vetme “padronin” e lagunës, emri i tij ishte i mjaftueshëm për të mos u ankuar. Ndërsa në vitin 2000, ndërmarrja rezulton nën pronësinë e Denata Kodrës, e njohur si e fejuara Aldo Bares. Madje, studentja e Mjekësisë ka shkelur në këtë lagunë pak herë, aq sa për të thënë se kush ishte zot i ri i ndërmarrjes së peshkimit. Por realisht, laguna ka qenë pronë e Alfred Shkurtit deri në vitin 2007. Sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kreut të bandës i është sekuestruar shoqëria “Laguna Karavasta sh.p.k”, e cila ka një sipërfaqe prej 11792 metrash katrorë, me vendndodhje në Divjakë të Lushnjës. Vetëm pak kohë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda aprovoi kërkesën e prokurorisë për sekuestron e hapësirës që përdorej për gjueti peshku prej vitesh dhe e cilësuar si bazë për kryerje të veprave kriminale nga ana e anëtarëve të grupit. Së bashku me lagunën janë sekuestruar edhe 1216 metër katrorë ndërtesa, si dhe pajisjet brenda objekteve, së bashku me barkat e peshkimit, rrjetat apo dajlanët.

1 Komente

e po dikush edhe duhet ta administroje ate si lagune pasi shteti nuk besoj se do te jete efektiv

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).