Vdekjeyll

Udhëtimet

Udhëtimet e mia kanë humbur
Si yjet pas reve të errëta në netë nëntori.
Kanë humbur kryqëzimet,
Kthesat dhe pemët që shoqërojnë rrugët rurale.
Pemë individuale, ndërthurura në mijëra degë që të vetmuara
Rrisin gjethe kaq të ngjashme, kaq të njëllojta.
Ka humbur shpresa për të parë e dëgjuar
Gjëra të reja, asnjë sens humori.

Udhëtimet e tua kanë humbur.
Qepallat përplas spazmatikisht, ankthi e di
Se veshja e shpirtit nuk mbijeton e arnosur.
Flamuj ngjyrëvdekur valëviten krenarë mbi buzët e tua të bukura
E ti, krejt e mekur puth
Puth zhgënjimin, sugjestionin e zhvendosjes.
Tej buzëve të tua ka ngrirë një buzëqeshje endemike
Gjoksi yt përjetësisht i fryrë pret thithjen
E ndonjë udhëpreri rastësor.

Dashnorët e tu me gjashtë-shtatë gjini nuk ecin mandej
Këmbërëndë, hapandrydhur ata luajnë kërmillthi.
Ngulur në baltovina të shndritshme lozin ping-pong
Me malarjen.
Sterilët
Nuk mbërritën të të falin një foshnjë.
Të etiketuar bukur në supermarkete marrëzirash të kota ata
Dhe udhët e tyre përmbyllen në fundbarkun tënd të depiluar
Gllabërues ëndrrash dhe vargjesh bjerrur ritmi.

az

 

Vdekjeyll

 

Vdekjeyll që m'futesh në kokë
Si hije. Zvarritesh përtokë
Shket e ftohtë, ngrin-brymon
Nën thembrat e mia. Si s’mbaron?
Edhe dhëmbët mi mpive, dëgjon vdekjeyll?

Vdekjeyll ti që ndriçon qiellin
E natës. Përse mbulon diellin?
Tej territ nuk duket të vijë mëngjesi
Gëzohen përbindshat! Nata s'do vdesi
Drithrimat më hyjnë, mposhtem nga stresi, vdekjeyll.

Vdekjeyll që largohesh pa kthyer
Fytyrën. Dhe më lë të zhgënjyer
Të nënujshme rrëshqasin lotët e mia
Si ngjyrë e paqartë. Mbretëron periferia
Qendra ra, e k’tu mbet anarkia, vdekjeyll.

az

 

 

Kur Mendja s'Mund

 

 

Se suicider ! Mais on passe la vie à le faire ! - Louis Scutenaire

Udha lakadredhon deri në shtëpi
Mesnatës ndriçon dritave t'qytetit
I ftohti bukur hyn në mëngë, pantallona
Lëkura shtrëngohet fort
Pas muskujsh, dejesh, një lloj emocioni
Intelektual, imagjinata lëshohet drejt mureve gri të pallateve
Gjen vend mes zhgarravinës
Inteligjenca i përket vetëm mureve
Në grafiti të deformuar
S’respektojnë as drejtshkrim, as bukurshkrim
As thelb

Natën
Qyteti duket bukur, nuk janë aty leckat
Terri mbulon plagët, sa do të doje
Të zgjatej nata
E dita të mos vinte kurrë
Zhelet degdisen diku në cepat larg spotlight-eve
Pas reklamave të mëdha, të shtrira duke u ofruar
Një klienti që vjellamendsh tund paret
E nata e qëndrueshme vijon të shtyjë
Gotë pas gote hidhërimin që zbret e kaplon stomakun
Zemrën, mushkëritë, harresën e trutë
Sikur të mos ishin aty

Veç nata s’mjafton të mbulosh leckashpirtin
Nata s’mjafton, as njëmijë e një netë
S’ka ngjyrë që të mbulojë hidhërimin
Gri të vetvetes, trishtimin që rrjedh nga çdo pore, çdo brimë
Atë çka s’munde ta thuash sepse
Nuk di aq shumë fjalë
S’ka terr të mbulojë zezonat e zemrës
Inteligjenca e pafuqishme shndërrohet
Në parazitozë të zhgënjimit!

az

16 Komente

Hmmm, ça t'mendoj o Sol?! Do me pelqente te te shihja me teper ne proze. Poashtu duhet te punosh me teper ne permiresimin e tematikes dhe melodise.

Sdq, vargjet e meposhtme me pelqyen:

Vdekjeyll që m'futesh në kokë
Si hije. Zvarritesh përtokë

(...)

Vdekjeyll që largohesh pa kthyer
Fytyrën. Dhe më lë të zhgënjyer

 

Me shumë dashamirësi sol, po për prozën, bie dakort me këtë pikën e vesës.

Uhhhh... edhe vdekjeyll më pëlqeu. Ça po bëhet këtu njëherë... pse po bi dakort kaq shumë me ktë unë?

Rosee? Nuk ka dalë dielli andej të të thajë? Apo je mçef poshtë ndonjë petaleje smiley?

 

rosee, midis bashkefshataresh, cfare do te thuash me permiresimin e tematikes, ne pergjithesi dhe konkretisht ne lidhje me tematiken e poezive ne fjale?

mendjen qe s'mund e lashe per me vone se vertet qe s'po me mund. por udhetimet ishte nje poezi e plote, e afte te shkaktoje emocion, te stimuloje imagjinaten vizive (ajo ishte nje pikture e gjalle moderniste, lere pastaj ping-pongun kermillor ne balte), te ngacmoje ndjeshmerite kolektive - ishte shume bashkekohore per sa i perket problematikes  (individi i bukur dhe kompleks dhe fundja jo aq individ sa c'kujton, izolim, zhvendosje nga realiteti, paaftesi! per ta (ri)prodhuar kete te fundit, dhe mbi gjithe kete deshtim akoma fije deshire). ishte ne pergjithesi nje poezi e shkruar mire, efikase si nje tregim por e bukur si nje kenge.

  1. Udhetim, udhetim-dashurie, dashnor(-e), pseudo-dashuri, gjenitale
  2. Dashnor(-e), dashuri, vuajtje-dashurie
  3. Shpirt i vuajtur, shpirt i leckosur, shpirt i viktimizuar…

Cila eshte idea qe po zhvillohet ketu ne forme te njepasnjeshme? Sa kontroll ka autori mbi vargjet e tija duke perdorur nje seri fjalesh kyçe me te cilat zoteria ne fjale identifikohet ne jeten e tije, ne qendrimin e tije dhe ne formen ne te cilen ndihet? Kjo ide kyçe qe ushqen tematiken nuk eshte nje detaj – siç mund te jete nje vagine e depiluar ose nje dashuri gone bad- por eshte nje element qe ngre koken ne forme te fuqishme dhe qe te perpin dhe ty si lexues.

 

Per te vazhduar, keto abstraksione ne cfare forme qenkan lidhur me eksperiencat e shumta jetesore te autorit? Keto eksperienca mbi-humane qe autori do te beje qe une t’i ndjej, ne cfare forme po m’i perçon? Une kur lexoj poezi dua te azeroj veten dhe te ushqehem nga shpirti i tjetrit por ne nje pike kur s’ka me çfare te me ushqeje poezia atehere thjeshte «  s’di c’te mendoj ».

 

PS. Natyrisht keto qe sapo thashe jane per bashkefshatare, nga nje bashkefshatare, shkaktuar nga kerkesa bashkefshatare. smiley

La R. poezite nder te tjera fillimisht merren me

1. atdheun

2. varesine (addiction)

3. frenezine

asnjera s'eshte per loves gone bad, por e kuptoj qe lexuesit ne pergjithesi lexojne cka duan dhe cka ndjejne (s'po them qe gjuha shkon aty ku dhemb dhembi smiley )

Sol, c'po thua tani? Qe atdheu yt eshte nje kurve e depiluar? smiley

Se dyti, ti idete mund t'i kesh qartesuar ne retrospektive por aftesia per t'i perçuar ato ide te ka munguar ne realizimin e ketyre gjonave mesiper. Thjeshte fakti qe ty te duhet te vish me kerbaç qe t'i nenvizosh e provon.

Dhe persa i perket dy rreshtave te fundit: sikur perceptimi im i veprave te tua do varej nga gjendja ime emocionale atehere une do shihja vetem zemra te vogla qe fluturojne mbi tapetin tim oooh aq te kuq-pasion. smiley Mgjth ty flm qe po e nenvizon pasi ne kete forme qarteson dhe me teper poziten tende.

Tani ne nje kontekst interesi (une te levdoj po me levdove ti) une dhe mund te te thur levdata te pafundta por...sikur s'jam ne dell sot. smiley

Sol, ketu une pashe vertitjen e njeriut ne kasolle tek perpiqet te kuptoje ku fillon e ku mbaron varferia dhe pasuria e tij.

Tani je i nderuar nese nuk i lexon tre komentet pasardhese smiley

s'je shume larg se vertetes smiley , vertitja eshte, dhe perpjekja per te kuptuar ku fillojne e ku mbarojne muhabetet e rendesishme smiley

Tre poezi te mrekullueshme Arber!  

paskeni pas nevoje per kerkesen bashkefshataresishte qe te diskutonit ju smiley

rosee ne fakt po te kombinosh nje gjysorsh ne rruget e tiranes me nje gjysorsh perpara tv-se kur jepen lajmet, atdheun mund ta perfytyrosh fare lehte, por ne varesi te humorit, si kurve te depilume.

dashuria eshte nje koncept i ngjeshur mbi te cilin ka nje fare dakortesie mes bashkefshataresh. prandaj sa here qe problemi x perceptohet si nje 'ajo' (ne rastin e az-se) apo si nje 'ai', pritet qe ne mendjen e lexuesit  te rritur figura te zberthehet ne nje shumellojshmeri perfytyrimesh, qe rruga drejt 'asaj' te te coje edhe drejt dhjetera destinacioneve te tjera. nuk eshte ceshtje imagjinate aspak, eshte ceshtje lidhjesh mendore automatike qe i ben nje lexues dicka mbi mesataren- marredhenia me shokun eshte nje lidhje dashurie, marredhenia me token, frutin, atin, atdheun eshte nje lidhje dashurie, dhe me rradhe. seksi eshte ana materiale dhe ne te njejten kohe vetem forme e realitetit. dashnoret hapin tunele ne minierat tona dhe nuk prodhojne kur bie cmimi i bakrit ne tregjet nderkombetare. spazmike jane rrahjet e zemres se lodhur nga stresi, pritja dhe zhgenjimi, nga emocioni dhe bjerrja e trupit ne kohe. qepalla e saj eshte dritarja ku te gjithe duan te futen, si tek pasqyra e lizes ne boten e cudirave, per te kaluar edhe ne nje tjeter, edhe ne nje tjeter bote.

sigurisht ka plot menyra per te shkuar tek lexuesi, por kenga e dashurise mua me duket nje nga me te efektshmet.

seksi eshte ana materiale dhe ne te njejten kohe vetem forme e realitetit. dashnoret hapin tunele ne minierat tona dhe nuk prodhojne kur bie cmimi i bakrit ne tregjet nderkombetare. spazmike jane rrahjet e zemres se lodhur nga stresi, pritja dhe zhgenjimi, nga emocioni dhe bjerrja e trupit ne kohe. qepalla e saj eshte dritarja ku te gjithe duan te futen, si tek pasqyra e lizes ne boten e cudirave, per te kaluar edhe ne nje tjeter, edhe ne nje tjeter bote.

Keni shkruar ndonjehere diçka ketu? Jam kurioze te lexoj diçka tuajen.

Persa i perket temes materializimit dhe personifikimit te elementeve seksuale, nje koleg i imi ka pase dhene ne fakultetin vendor nje ligjerate vertete interesante mbi seksin ne literature. Do shoh kur te kem kohe per slides dhe dokumentacionin e asaj ligjerate, shpresoj t'i kem akoma neper shtepi. Do ishte nje material interesant per t'u botuar, natyrisht mbas nje perkthimi te mirefillte.

poezia e pare me pelqeu shume

sugjerim; ndryshoje ate; peme individuale, mua me duket se nuk tingellon mire... me duket term burokratik...

 

le rose, kjo eshte jashte teme, kam qeshur me ty ne nje teme kur kam lexuar (shpejt e shpejt) nje koment  ku shpjegohej se si duhej te sillej femra "me mashkullin e saj",  si me qenë tarzani  ai )  smiley

po degjoja nje dite ne radio intervisten e nje"  rrok-star"-i,qe nder te tjera thoshte se kendonte per te perhapur dashuri ne kete bote.e pare nga ky kendveshtrim( te paten nga ky)keto poezi jame fare te panevojshmesmiley,e thene ndryshe me gjuhen time,shume afer nje gafe letrare.te me fali autori por nuk mu durua pa e thene.do jem me i heshtur here te tjera. 

nuk e di pse te deshtojne idete neper fjale?!!!!

vdekje yll ( te josh me lexu nje  gje te rralle..... dhe pason nje zhgenjim i rralle).

zhgenjim i rralle vallahi, ia paskerkam arritur qellimit...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).