Tutorët e listave

Fenomeni i listave është një ndër aspektet me të dhimbshme e më tragjike të periudhës së largët komuniste për shoqërinë shqiptare. Ky fenomen nuk është shuar në jetën organizative dhe politike të vendit, madje ai ka marrë dimensionin e një filozofie sunduese.

Partitë po bëjnë listat. Në fakt, listat janë legjitimuar me Kod, si monopol i kryetarëve partiakë të vendit. E kam fjalën për listat e kandidatëve për deputetë, që do të regjistrojnë kryetar-partitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ky proces aq i rëndësishëm, madje më thelbësori në përcaktimin e përfaqësimit të ardhëm parlamentar të vendit, malinjisht po lihet për t‘u diskutuar në çastin kur listat të kenë marrë vlerën e "formës së prerë". Asnjë prej partive politike, deri në këtë ditë, nuk ka respektuar, qoftë edhe formalisht, statutin e vet juridik. Ky është anashkalimi më i turpshëm i normës së demokracisë dhe rregullit të parashkruar të pluripartizmit dhe së drejtës principale për të zgjedhur dhe për t‘u zgjedhur. Kjo mënyrë tipike demokratureske e partive kryesore po imitohet edhe prej partive dhe partiçkave që do të formësojnë koalicionet formale dhe informale të këtij turi elektoral. Koha fizike e parashikuar prej statuteve formale të partive për këtë debat apo diskutim, ka filluar me kohë, mirëpo procesi apo hapja e diskutimeve dhe propozimeve në forumet apo anëtarësitë partiake, as që mendohet se do të ndodhë.

Heshtja që shoqëron këtë shkelje tipike shqiptare është realisht e frikshme. Është e frikshme sepse ajo më shumë se kuptimin e pritjes, ka atë të frikës. Kjo heshtje legjitimon shumë të këqija, ndër të cilat mund të kryerenditen: trafiku i ardhshëm parlamentar, trafikimi dhe pazarizimi me qeveriformimin dhe institucionalizimin.

Në partitë tona politike është instaluar një frikë e rrezikshme. E rrezikshme jo për të sotmen, por më së shumti për të ardhmen. Ky është një deformim real i demokracisë dhe i së drejtës së zgjedhjes në institucionet partiake, të cilat vetëm të tilla nuk paraqiten.

Heshtja nga brenda partive ndaj këtij deformimi është indikatori më i mirë i vlerës reale që ka demokracia partiake te ne. E kemi fjalën për një vlerë të rrënuar të saj, si kurrë ndonjëherë më parë në këtë periudhë postkomuniste. Ndërsa heshtja nga jashtë për këtë proces të rëndësishëm është e pafalshme(!)

Nuk mund të pritet dita e afishimit publik të listave që do të depozitojnë kryetarët e partive politike në KQZ, për të mësuar emrat e deputetëve të ardhshëm të vendit. Procesi i pashpallur, ai që mbahet diskret dhe që është i shëmtuar sa më s‘ka për mënyrën se si po lejohet të ndodhë, pra, procesi i korrupsionit të hapur brenda partive me listat, i cili ka për protagonist dhe aktorë të parë titullarët e partive, është "zemereku" i së ardhmes së korruptuar shqiptare. Ky proces nuk ka nevojë të investigohet, ai ka nevojë vetëm të pasqyrohet, pasi ka nisur prej ditësh të shumojë subjekte, ndodhi dhe ngjarje që nuk publikohen.

Asnjë prej mediave tona dhe asnjë segment i shoqërisë (të quajtur civile) deri më sot, nuk është artikuluar për këtë problem thelbësor.

Ka qenë para dy ditësh zyra e "Transparency International Albania" (TIA), e konsideruar si pikë kontakti prej organizatës ndërkombëtare, e cila ka apeluar për publikimin e CV dhe të biografive të kandidatëve. Mirëpo kaq është e pamjaftueshme, për të mos thënë që është e thëna formale për procesin informal. Asnjë prej forumeve politike partiake në këtë shoqëri të hapur, nuk ka hedhur gjysmë fjale për këtë proces të rrezikshëm dhe këtë nënshtrim fatal të strukturave dhe elementëve të shoqërisë.

Mekanizmi i veprimit të pakontestueshëm është krejt i njohur. Kryetarët e partive do t‘i dorëzojnë listat që do t‘i vetëfirmosin në ditën e fundit të afatit ligjor, ose në momentet e fundit. Paskëtaj, do të jenë ata që do t‘u mbyllin gojën oponentëve dhe të pakënaqurve. Zhurmën e ankesave të brendshme do ta eklipsojnë me turret dhe sherrnajën mediatike sa nga njeri fshat te tjetri dhe sa nga njëra qendër pensionistësh, te një qendër rinore. Me turmën e militantëve nga pas, ata do të bëjnë çmos të censurojnë ankimtarët dhe analistët e këtij procesi të krahasueshëm me procedimin komunist të dikurshëm.

Ky korrupsion i buruar prej autoritarizmit flagrant të lidershipit në nivel partiak është strumbullari i pakthyeshëm i demokracisë së gjymtuar në raportet qytetar-pushtet. Kjo sjellje afirmon seriozisht autoritarizmin e kryetarëve partiakë në vend.

Nuk është vetëm korrupsioni i padenoncuar dhe fatkeqësisht, sipas gjasave edhe i padenoncueshëm, i cili në ndërgjegjen individuale të qytetarëve shton pakënaqësinë, por është trishtimi që injekton injorimi flagrant i parimeve të demokracisë si sistem.

Shmangia e qëllimshme, deformimi shërbyes i demokracisë partiake në vend, janë realitet i frikshëm si mes së majtës edhe mes së djathtës. Por po kaq shëmtueshëm paraqitet kjo shmangie edhe në partitë e tjera, qoftë ato që pretendojnë të jenë të tretat, e qoftë ato që mbesin të treta e të katërta. Ky sistem është unifikuar fatalisht prej tutorëve partiakë të vendit. Këtë shqetësim askush nuk po e bën prezent. Kjo heshtje apo ky nënshtrim bolshevik është shenja parandodhëse e autoritarizmit vijues në Shqipëri.

Produktet e këtij autoritarizmi partiak do t‘i vërejmë në ditët e mbetura deri në 28 qershor, në forma të ndryshme. Kjo prirje rrezikon përdorimin e disa prej institucioneve, ky proces kërcënon shndërrimin e drejtësisë në paradhomë apo mashë elektorale. Gjasat janë që për ditët e mbetura në këtë Parlament të bëjmë sehir se si palët politike do të falin dhe do të votojnë heqje imunitetesh dhe linçime deputetësh. Të gjitha do të ngjasin jo për shkak të pastrimit, por për shkak të politikës selektuese dhe skualifikimit të listave të kryetarëve.

Autoriteti absolut i kryetarëve për firmosjen dhe hartimin e listave të kandidatëve për deputetë është dhunuesi i parë dhe më brutal i demokracisë dhe parimeve zgjedhore në këtë republikë.

Heqja e shikimit mediatik nga ky procedim dhe ky arbitraritet kryetarësh është një krim që vret vetë mediat, por që gjymton lirinë dhe demokracinë e krejt shoqërisë. Për të parë këto pasoja nuk duhet pritur post-28 qershori, por le të përqendrohemi në aktin epilogues të këtij Parlamenti.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).