Transplanti dhe pastërtia

Poliklinika e Barit është një qendër e madhe universitare dhe spitalore në Italinë e jugut. Në repartin e urologjisë, të drejtuar nga prof. Selvaggi të gjithë njohin mjekët shqiptarë që u trajnuan për të bërë transplantin e parë të veshkave në Shqipëri. I gjithë personeli, mjekë e infermierë, dinë tashmë për ndërhyrjen e parë që u bë në Tiranë te një vajzë 20 vjeçare dhe janë optimistë se si shkuan gjërat. Kjo qendër e madhe spitalore, ashtu si dhe e jona “Nënë Tereza” përbëhet nga shumë godina, reparte, disa të vjetra, të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore e disa të reja, me arkitekturë ultramoderne. Reparti i Urologjisë ndodhet në një godinë të vjetër, mure të lartë, lyer deri në mes me bojë vaji, fisk si në disa reparte të vjetër mbetur pa rikonstruktuar në Qendrën tonë Universitare, por strukturat kanë një ndryshim: rregullin dhe pastërtinë. Që në 7.30 të mëngjesit korridoret shkëlqejnë e mbajnë erë të mirë, dritaret të hapura ajrosin gjithë mjedisin, infermieret, mjekët i dinë fare mirë punët e ditës dhe çdo pacient thirret me rregull për të bërë analizat e radhës. E megjithë këtë, dikush ankohet se sinjalistika për të gjetur sa më shpejt seksionet, nuk është bërë mirë. Paralelisht më erdhi në mendje një takim në repartin e kardiologjisë në Qendrën Universitare “Nënë Tereza”. Takimi ishte në orën 9.00, por mjeku u paraqit në orën 10.00. Korridoret me fara luledielli, të paajrosura ashtu si dhe zyra e doktorit. Ishte i parfumosur ai, por gjithçka rreth e rrotull ishte mbuluar nga pluhuri dhe papastërtia, sikur të ishte një magazinë. Sëmundjet janë njësoj të trishtuara në gjithë botën. Të gjithë dridhen, kanë frikë, edhe nëse hyjnë në repartin e mjekut më të famshëm, apo në klinikën më të vogël të fshatit. Dallimi është te kushtet dinjitoze që i krijohen të sëmurit, që te mikpritja, pastërtia, efikasiteti. Tani në Shqipëri bëhen dhe transplantet dhe gjërat do të shkojnë gjithnjë e më mirë, por sa i takon rregullit e pastërtisë nuk e besoj se duhet ndonjë trajnim në Romë, Paris apo Bari, mjafton, për shembull, mendja e një gruaje korçare të pastër e të mirë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).