Tirana: fantazia e do të pakryer

Dy artistë izraelitë xhirojnë Tiranën si një nga 100 portretet e qyteteve që do të prezantohen më 2010 në Shangai. Ekzotike, evropiane apo kaotike? Effi & Amir artistët e videove 1 minutëshe nuk i stampojnë qytetit asnjërën nga klishetë

"Kryeqytetet janë tradhtare" thoshte 70 vjet përpara Indro Montaneli (ai mbush 100 vjeç së shpejti dhe veprat, edhe pas vdekjes, i përmenden) ndërsa udhëtonte për në Tiranë, duke mbajtur rezerva për autenticitetin e qendrës administrative të Shqipërisë krahasuar më 1939 me qytetet e mëdha evropiane që ai i kishte shëtitur.

Jo, Tirana është poetike, do të komentonin dje Effi dhe Amir, dy artistë nga Izraeli që çati kanë botën, siç thuhet shpesh për artistët e sotëm që kanë lënë atdheun, jetojnë në Perëndim dhe përherë janë në udhëtim.

Effi & Amir janë Amir Borenstein (1969) dhe Effi Ëeiss (1971) jetojnë së bashku prej vitit 1998, aktualisht në Bruksel.
Ata funksionojnë si duo artistësh dhe krijojnë sidomos video 1-minutëshe. Në Shqipëri kanë ardhur disa herë, qysh më 2003 kur u prezantuan për herë të parë me këtë vend që u ngjan me Izraelin.

Ata morën pjesë në edicionin II të Bienales së Tiranës me video instalacionin "Ferry Tale". Atëherë do të thoshnin: Albania, sa ekzotike!
Kurse sot, pesë vjet më pas, thonë: një qytet i pakryer, i papërfunduar që të nxit fantazinë. Effi dhe Amir ndodhen në Tiranë për të xhiruar qytetin.

Portreti i Tiranës do të jetë ndër 100 portretet e qyteteve të botës në një film dokumentar 24 minutësh i cili prezantimin e parë do ta ketë në vitin 2010 në International Expo Center në Shangai.

Ndryshe nga shumë artistë dhe gazetarë televizivë që hyjnë e dalin në Shqipërinë që ndryshon, duoja nuk operon me guida vendalinjsh të stërvitur, apo intervista me politikanë, dy grupe këta që prodhojnë Shqipërinë e parafabrikateve për opinionin jashtë vendit.

Meqënëse Effi dhe Amiri për hir të këtij projekti të quajtur "Portretet e qytetit" po bëjnë trajnime me studentët e Akademisë së Filmit dhe të Multimedias "Marubi", vjelin në sheshxhirim edhe idetë e sudentëve. Të njëjtën gjë kanë bërë së fundi edhe në Bukuresht, një tjetër qytet për t'u portretizuar prej tyre, ndërsa në qershor radhën e ka Pekini.

Ky projekt që i është ngarkuar duos është ngjizur si ide në Amsterdam. Ideja e organizatës që financon projektin është pak a shumë për një pamje të botës sot nëpërmjet 100 qyteteve.

Ju vini për 3 apo 7 ditë në Shqipëri për të bërë një vepër arti. Si mund të bësh artistin kur je tranzit në një vend?

Effi: Vështirësia qëndron këtu tek fakti që duhet të punosh në një kontekst i cili është i panjohur për ty. Ke vetëm një këndvështrim për së jashtmi dhe ka të ngjarë që të bësh interpretime krejt sipërfaqësore. Por kur ndodhesh në një situatë të tillë është edhe një sfidë sepse duhet të përballesh me pyetje të llojit: çfarë do të thotë të jesh "i huaj"? Çfarë do të thotë vish nga jashtë dhe të kërkosh diçka të brendshme, subjekte?

Amir: Kjo është hera jonë e tretë a e katërt që vijmë në Shqipëri. Kemi qenë pjesëmarrës në Bienalen II të Tiranës. Ideja jonë ishte që unë dhe Effi të jepnim një këndvështrim në kundërshtim dhe me çfarë jepej për Shqipërinë në Evropë.

Ju besoni se gjatë kësaj kohe mund të zbuloni diçka të vërtetë nga ky vend apo mund të jepni vetëm një këndvështrim?

Effi: Besoj se mund të japim vetëm një këndvështrim, diçka subjektive. Nuk do guxoja të thosha se po zbulojmë diçka të vërtetë.

Amir: Ne gjithsesi kërkojmë të vërtetën, kërkimi është i lidhur me të vërtetën. Por edhe këndvështrimi është një përvojë e vogël nga realiteti, nga realiteti ynë dhe realitetet e qyteteve të tjera.

Dhe çfarë del nga konfrontimi i këtyre realiteteve?

Effi: Janë shumë gjëra që ne i shohim nëpërmjet filtrit të vendit tonë. Më duket sikur këtu gjej disa ngjashmëri me Izraelin.

Për shembull njëra ngjashmëri është kriza ideologjike, humbja e asaj ideologjie që ka qenë dominante në jetën e njerëzve dhe me këtë kam parasysh vendosjen e disa vlerave që tani janë zhdukur ose kanë rënë bashkë me rënien e asaj ideologjie.

Më duket se e njëjta gjë, e njëjta situatë është sot edhe në vendin tonë. Në këtë kuptim besoj se kjo ngjashmëri ka për të na ndihmuar.

Amir: Kurse unë kam përvojë romantike me vendin tuaj. Jeta dhe realiteti këtu na kujton disi fëmininë tonë, tridhjetë vjet të shkuara, sepse kushtet e jetës dhe zgjidhjet ekzistenciale të këtushme i shtyjnë njerëzit që të jenë kreativë në jetën e tyre të përditshme. Mendoj se në situata të tilla jeta e njerëzve është shumë më tepër poetike sepse secili ka mënyrën e tij të të parit të gjërave.

Në rrugë e gjen këtë poezi që është shumë e vështirë ta gjesh në vendet e Evropës Perëndimore të cilat globalizmi po i bën rrafshina. Kurse në Tiranë gjen njerëz të ndryshëm që shohin realitetin në mënyra të ndryshme. Për mua kjo është më interesantja, sepse është më njerëzore.

Ku e shihni ju këtë poezi në Tiranë?

Amir: Mjafton të kapërcesh pragun e hotelit, të dalësh në rrugë dhe aty e ke. Nuk është nevoja ta kërkosh. E gjen në një kioskë të vogël, e gjen...

Efii: Them se kjo poezi është tek kombinimi i gjërave, tek improvizimi, tek transformimi i destinacionit të objekteve, gjë që ma zunë sytë edhe dje. Nuk e kam fjalën për ekzotizmin, apo ndonjë gjë e ngjashme me ekzotizmin, jo...

Falemnderit për shpjegimin e duhur.

Effi: Jo, jo. Unë e shoh si një dëshirë dhe vullnet të qenies njerëzore për të rinovuar dhe për të mos e pranuar gjithçka si "ready made". Ti shikon se si ata e përdorin një rrangalle kove, e kthejnë përmbys, i vendosin një gazetë përsipër dhe nuk presin që dikush të prodhojë për ta diçka ku të ulen.

Dhe ky vëzhgim i takon vetëm Tiranës?

Effi: Është i vetmi vend që njohim në Shqipëri.

Ju duket e drejtë të arrini në konkluzione të tilla duke iu referuar vetëm kryeqytetit?

Effi: E dimë që nuk është e drejtë, por edhe nga vendet e tjera njohim kryesisht kryeqytetet.

Ne nxjerrim konkluzione nga Tel Avivi për pjesën tjetër të vendit edhe pse ndryshimi është i madh. Këto qytete zakonisht janë fronti, balli i një procesi, dhe vendet e tjera e ndjekin pas. Mbase me Shqipërinë nuk funksionon kështu, mbase është më e rehatshme të flasësh vetëm për Tiranën.

Dhe ju ndodheni këtu për Tiranën. Çfarë pritet nga projekti juaj?

Qëllimi është për të realizuar një film 24 minuta ku çdo minutë paraqet një orë të ditës. Deri tani projekti është mbyllur për një pjesë të madhe të qyteteve. Mendohet që të shfaqet në Internacional Expo Center në Shangai në vitin 2010. Të gjitha videot nga të gjitha qytetet e botës do të projektohen në të njëjtën kohë.

Çfarë mund të tregoni në kaq pak kohë nga kryeqyteti i Shqipërisë?

Effi: Për këtë po na ndihmojnë edhe studentët e "Marubit". Nëse punojmë me 24 studentë ne mund të përftojmë 24 momente dhe atmosferë të ndryshme nga ky qytet.

Amir: Ne shpresojmë të japim qytetin në një shikim të shpejtë, në një vezullim, që të nxisë fantazinë.

Nuk është diçka që të nxisë turistët?

Effi: Aspak, aspak një këndvështrim turistik. Do të jetë një mozaik sepse do të jenë këndvështrime personale.

Keni një përkufizim për Tiranën në këtë moment?

Effi: Kërkesa jonë e parë për studentët e "Marubit" ishte një cilësim për Tiranën. Mbiemri që më pëlqeu më shumë dhe me të cilin bie dakord është: i papërfunduar, Tirana e pakryer. Kjo situatë është frymëzuese, diçka e pabërë akoma. Dikujt mund t'i duket negativ ky vlerësim. Kur thua i papërfunduar dmth që aty ka probleme.

Amir: E papërfunduar për mua ka një kuptim optimist. Një vend i papërfunduar është një vend për të imagjinuar.

Effi: Është një vend për të ndërhyrë në hapësirë.

Amir: Tirana është unike.

2 Komente

Artikulli eshte i kendshem. Por sinqerisht po merzitem duke degjuar te flitet kudo e kurdo vetem per Tiranen. Shqiperia eshte me e madhe se aq; me relatitete shume te ndryshme nga kryeqyteti. Me duket sikur e gjithe ajo pjese e shoqerise qe mund te beje ndonje fare ndryshimi ne Shqiperi, eshte fokusuar ne diametrin e  ngushte te Tiranes dhe flet ne hava duke pretenduar perparim per gjithe vendin.

Vertete e lodhshme dhe absurde!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).