Thirrje pronarëve bregdetas, kudo ku ata do të votojnë, si dhe politikanëve që po kërkojnë votat tona

Nga Kryesia e Shoqatës A. K. “Bregdeti”

 

Kërkesave tona për zgjidhjen definitive të anarkisë së titujve të pronësisë në zonën turistike, të shkaktuar nga politika e gabuar prej vitit 1991, ka ardhur momenti t’u japim zgjidhje nëpërmjet votës tonë. PR, PD, PS, LSI në programet e tyre për 18 vjet kanë vazhduar të mohojnë kërkesat tona të ligjshme dhe na ofrojnë kompensim, sipas modelit të kalendave greke. Së fundi në skenë për përfaqësimin politik të pronarëve ka dalë Partia Balli Kombëtar. Ju informojmë se kjo parti nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me ne. Ne nuk ia kemi bërë Ballit ketë kërkesë, se ajo as që është ndjerë deri sot, por nuk dimë që kjo kërkesë përfaqësimi politik të jetë bërë edhe nga shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi”. Ne druhemi se Balli e kërkon këtë kartë tani thjesht për propagandë elektorale, fenomen ky i zakonshëm dhe i përsëritur edhe në fushatat e mëparshme elektorale. Kujtojmë se gjatë kohës së grevës së urisë gazeta e kësaj partie për dy javë rresht nuk e ka pasqyruar as edhe si lajm të thjeshtë grevën e urisë së shoqatës së pronarëve. Sqarojmë pronarët nga Vlora në Sarandë, se shoqata A. K. “Bregdeti” është mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë shoqatën kombëtare të të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” për zgjidhjen e problemit të pronës. Qeverisë ne i kemi kërkuar shumë herë të kuptojë veçoritë specifike për zonën turistike dhe kthimi i pronës të jetë detyrim i qeverisë, në mënyrë që të ndalojë sorollatja e pronarëve dhe korrupsioni në Komisionet e kthimit të pronave që mbajnë peng pronarët. Qeveria i posedon dokumentet, si dhe të gjitha instrumentet e nevojshme për kthimin e pronës tek i zoti, që nga Arkivi i Shtetit, kadastrat, Instituti i hartave etj. Nëse kryeministri do të vazhdojë të heshtë ndaj shumë kërkesave që i janë drejtuar qeverisë nga degët e shoqatës sonë të fshatrave të ndryshëm si Gjilek, Piqeras, Palasë, Qeparo, Vuno, Lukovë, Nivicë etj., dhe ndaj kërkesave të përsëritura dhe të bëra publike në shtyp të kryesisë së shoqatës “Bregdeti” dhe nuk do ta zgjidhë problemin e kthimit fizik të tokave në zonën turistike gjatë këtij muaji ose maksimumi në fillim të muajit maj, ne iu bëjmë thirrje pronarëve të Bregdetit të mos votojmë këtë mazhorancë, se votojnë kundër vetes së tyre. Nëse mazhoranca i do votat tona, ka akoma kohë, le të veprojë, se ky veprim e nderon edhe para BE dhe NATO-s. Nëse mazhoranca do t’i plotësojë këto kërkesa që ne i kemi përsëritur shumë e shumë herë, edhe qëndrimi ynë për votën dhe mbështetjen politike do të rishikohet. Ne e kemi thënë me dhjetëra e qindra herë dhe përsëri theksojmë se nuk duam kompensim, se në bregdet problemi zgjidhet vetëm me kthim fizik të pronave tona, të cilat prej vitit 1991 e deri sot po shërbejnë për të pasuruar politikanët.

Politikanët e papërgjegjshëm, duke filluar me ata të shkallëve të larta, deri tani kanë thënë se çështja e kthimit nuk mund të zgjidhet. Këta harrojnë se po ata ishin në parlament dhe votuan për anulimin e “reformës agrare dhe shtetëzimeve të Enver Hoxhës” dhe vepruan mirë për këtë pikë, por në vijim këto pasuri i shfrytëzuan për mirëqenien e tyre... Ne këmbëngulim se zgjidhjen e pengojnë një grusht politikanësh. Ligji absurd dhe antikombëtar 7501 i zbatuar në gjithsej në vetëm 23% të gjithë vendit në Bregdetin turistik duhet të abrogohet me gjithë pasojat e tij. Në emër të pronarëve e kërkojmë këtë ligj përpara zgjedhjeve. Shteti pas vitit 1991 nuk kishte dhe nuk ka të drejtë ligjore t’iu falë të tretëve ullinjtë tanë, bahçet dhe pronat tona apo të na detyrojë ne që t’ua shesim pronat tona atyre që na i grabitën. Çdo pronar është “kryeministër dhe president” i pronës së tij të trashëguar. Presidenti dhe kryeministri i vendit kanë detyrim të zbatojnë detyrimet kushtetuese dhe të ndalojnë dhunën shtetërore mbi pronarët autoktonë. Përse kryeministri na quan ne ish-pronarë, mos vallë pronari i pronave tona qenka qeveria apo komisionet që po na sorollatin?! Si mund të pretendohet për demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut?! Këto parime i kanë thënë publikisht të gjithë ambasadorët, që nga ai i SHBA, i BE, i Britanisë së Madhe, Francës etj. Ne iu kërkojmë përfaqësuesve të këtyre vendeve demokratike të veprojnë më efektivisht për këto kërkesa që janë ABC-ja e të drejtave të njeriut dhe e çdo rendi demokratik. Të gjithë e dinë mirë se shteti nuk ka pasur dhe nuk ka titull pronësie mbi pronat që grabiti diktatura. Sot Shqipëria është i vetmi shtet anëtar i NATO-s dhe i vetmi shtet që po përgatitet për të bërë kërkesën për në BE që ka standard anti-NATO dhe anti-BE për pronën e trashëguar, pasi standardi aktual është grabitës ndaj pronës së trashëguar. Prona tek i zoti shënon hapin e parë të çrrënjosjes së diktaturës dhe të futjes së ekonomisë në rrugën e zhvillimit demokratik. Bregdeti Vlorë-Sarandë e tregon qartë situatën kaotike. Problemi do të zgjidhet shpejt dhe pa faturë financiare me angazhimin tonë në politikë. Vetëm të bashkuar ne pronarët bëhemi faktor nëpërmjet votës sonë demokratike. Platforma që ne dhe “Pronësi me Drejtësi” ka kohë që e kemi propozuar, nuk lejon mundësi për korrupsionin pushtetar që ai të mashtrojë më tej dhe njëkohësisht zgjidh anarkinë e krijuar. Zbatimi i platformës sonë kërkon mbështetjen tuaj, të pronarëve të ligjshëm.

Kjo platformë e bërë publike dhe shumë herë të tjera edhe nga shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi” konsiston në këto kërkesa:

Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e Këshillit të Evropës, detyrimet kushtetuese dhe sipas titujve të mirëfilltë të pronësisë të pranohet me ligj si detyrimi i qeverisë dhe shtetit. Ky proces duhet të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.

Qeveria të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona, ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë dhe cilat janë prona që shteti i diktaturës iu grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet t’u kthehen fizikisht të zotëve. Nga pronat e shtetëzuara nuk kthehen tek i zoti, por kompensohen ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose vazhdojnë edhe sot të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit.

Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet, me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuara në persona të tretë.

Të përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik (rikthimi i të drejtës së posedimit), të pronave të trashëguara, në kufijtë e vjetër sipas dokumenteve zyrtare të para vitit 1945. Kthimi t’i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm, grup pronarësh apo institucioni fetar. (Kthim fizik, pavarësisht nga zëri kadastral apo lloji i pronës: tokë bujqësore, kullotë, livadh, truall, pyll etj., dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat). Pronarëve të vërtetë t’iu kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara me mënyra korruptive nga qeveria sipas interesave klanore. Të llogaritet masa për zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim financiar, personave të tretë, që pas vitit 1991 i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të mirëfilltë dhe pronat e mirëfillta të shtetit.

Pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që sipas të dhënave zyrtare përbëjnë mbi 52% të pronës.

Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe mund të hartohen vetëm pas përfundimit të kthimit. Kompensimi të parashikohet vetëm për pronat që vazhdohen të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem, sepse janë shumë pak dhe shteti me 52% të pronave, ku është pronar i mirëfilltë, qeverisë i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale, pa krijuar deficite financiare, për të cilat të gjithë shqiptarët duhet të paguajnë për më shumë se 1000 vjet. Ne e përbuzim këtë kompensim që është propagandë negative, tymnajë dhe mashtrim.

Pronarë bregdetas, ju bëjmë thirrje që të jemi të bashkuar që e drejta jonë të fitojë.

Ju lutemi, këtë thirrje lexojeni dhe jepjani një pronari tjetër që të informohen të gjithë bregdetasit që të mos hezitojnë të bashkojnë votat me shoqatën “Bregdeti” dhe shoqatën kombëtare “Pronësi me Drejtësi”, që ne pronarët të mos mashtrohemi dhe mos besojmë më në fjalët e bukura paraelektorale të politikanëve. Asnjë votë politikanëve që po pasurohen me pronat tona, që na quajnë ish-pronarë dhe janë kundër pronarëve të vërtetë, pra dhe kundër kthimit të pronës tek i zoti!

1 Komente

 Zvarritja qe qeveria iu ben zgjidhjes se te drejtave te pronarve te bregdetit, nuk ben gje tjeter veç e agravon me keq situaten. Dhe te mos harrojme se ne Bregun e Detit te gjithe fshataret kane patur tokat e tyre, gati te barabarte, s'ka patur bejlere e agallare, keshtu qe problemi i tyre eshte shum i zgjidhur apo i kollajte. Te veshtire e ben qeveria.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).