Të trokasësh në dhomën e gjumit të tjetrit

Nëse do të thuhej se respekti ndaj privatësisë së tjetrit është një detyrim ndaj dinjitetit të tij, kjo do të ishte e pamjaftueshme për të kuptuar vlerat që ka vet privatësia. Më saktë mund të thuhej se ai që kërkon të hyjë dhe të trazojë privatësinë e të tjerëve, duhet të mendojë më parë lëndimin e sedrës së tij kur dikush do të tentojë të kryejë atë veprim që po bën ai, pra t’i trokasë atje ku nuk duhet trokitur apo ta përgjojë tinëzisht nga vrima e çelësit. Nisur nga rëndësia që ka ruajtja e dinjitetit të personit, bota demokratike ka sanksionuar rregulla të cilat vendosin një cak të caktuar, shkelja e së cilës quhet veprim antiligjor dhe i dënueshëm. Kështu mund të përmendim se ka shoqëri të cilat janë më të ndjeshme ndaj këtij problemi dhe kanë caktuar kufij strikt për ruajtjen e privatësisë së individit, por përsëri ato mbeten shtete thellësisht demokratike, sepse në bazën e tyre kanë respektin ndaj tij. Ka shoqëri të tjera, jo më pak demokratike se të parat, tek të cilat ka një frymë më liberale ndaj këtyre problemeve, po dhe ato mbeten po kaq demokratike sa të parat sepse me gjithë lirinë e tyre kanë arritur atë shkallë pjekurie, ku liria kontrollon vetveten dhe nuk ecën pa kufi. Po ka dhe ca shoqëri të tjera, ca shoqëri të dehura dhe të harbuara në liri-rrëmujën e tyre, të cilat të krijojnë përshtypjen se nuk duan t’ia dinë për asnjë lloj rregulli kur flitet për individin. Ka ca shoqëri të tjera që ndërsa betohen se nderi i familjeve të tyre është i shenjtë, tallen me këtë nder duke nxjerrë në pazar bisedat intime “të dhomës së gjumit”, duke u zbavitur tej mase me shenjtërinë që predikojnë. Ka ca shoqëri të tjera, që ndërsa mburren se janë tepër burrërore në karakterin e tyre, nuk e kanë aspak problem ta zhveshin lakuriq individin. Për fatin e keq, në grupin e atyre shoqërive të cilat e kanë zhvleftësuar maksimalisht privatësinë e individit dhe që me një cinizmin të skajshëm kanë thyer të gjitha rregullat dhe kufijtë se deri ku mund të shkohet duke përgojuar tjetrin, bën pjesë ajo në të cilën jetojmë ne.
Do të ishte krejt e gabuar nëse do të mendonin se ky është një fenomen i ri për shoqërinë tonë. Në një periudhë të gjatë, që nga mezi i shekullit të kaluar, personaliteti i individit, pa paprekshmëria e atyre gjërave të cilat janë atribut i tij, ruajtja e fshehtësisë së një bote që duhet të ishte vetëm e tij, nuk kanë pasur asnjë kuptim. Këto dyer që duheshin të ishin të mbyllura, në kuptimin që askush nuk duhet të fuste hundët atje, shqyheshin dhunshëm dhe pas kësaj, dashuritë, urrejtjet, xhelozitë dhe të gjitha pasionet e tjera njerëzore të cilat e kanë bukurinë edhe tek fshehtësia e tyre, po kaq dhunshëm nxirreshin në udhë të madhe duke ua marrë erzin, ndërsa kolektivizoheshin dhe u hiqej intimiteti. Në këtë kuadër, me fillimin e epokës demokratike ne natyrisht që kishim plot gjëra të tjera të cilat duhet të ishin krejt ndryshe, siç dhe ndodhi fatmirësisht, ne kishim plot gjëra për të rregulluar, siç ka ndodhur dhe po ndodh në vazhdimësi, dhe të flasësh për gjëra të “vogla” ndoshta në pamje të parë edhe mund të duket një komoditet i tepërt. Absolutisht nuk duhet të menduar kështu. Përqendrimi i vëmendjes tek problemet e mëdha nuk do të thotë se duhet të anashkalojmë disa aspekte të tjera, të cilat kanë të bëjnë me konstruktin e personalitetit dhe dinjitetit të njeriut, nuk do të thotë që ne natyrisht të etur për liri, t’i shtyjmë kufijtë e saj më shumë se sa duhet.
E theksojmë këtë fakt pasi që në fillim të shembjes së tabuve u duk se kishte një keqkuptim edhe në drejtim të gërvishtjes së jetës private, duke e cilësuar padrejtësisht si një tabu që duhej shembur edhe kjo si të tjerat. Të krijohej ideja se po padrejtësisht na ishte privuar e drejta për të folur mbarë e prapë edhe për skutat e jetës private të gjithkujt, duke hyrë në një garë të ethshme për të zhbiruar sa më shumë fakte nga “dhoma e gjumit” e atyre që ishin në qendër të sulmeve për motive të tjera jashtë sferës private, por që privatësia përdorej si një armë më shumë në këtë betejë aspak të pastër. Do të ishte e panevojshme të silleshin shembuj të kësaj thashethemnaje, e cila fillimisht gjeti hapësirat e veta nëpër faqet e shtypit, ku u desh të ndiqeshin skena bajate të përgojimit të jetës intime të njerëzve që një ditë krejt papritur ishin bërë mediatik. Duke qenë një fushë beteje e re, ku nuk ishin harxhuar më parë energji, u shpresua se ajo që nuk mund të arrihej mes debateve të tjera, le te themi politike, do të arrihej duke ngacmuar (pa) burrërinë e kundërshtarëve të vet. Fillimisht kjo tingëlloi si një gjetje që tërhiqte kureshtjen e publikut dhe duhet thënë se pati efekt për të ngulitur mendimin se ai që pretendonte për të drejtuar nuk e meritonte, veç të tjerash sepse kishte një moral të dyshimtë dhe nga dritarja e “dhomës së gjumit” të tij, që do të thotë nga bota e tij e fshehtë, ishin parë dhe dëgjuar gjëra krejt të padenja për moralin sipas konceptit tonë. Por harrohej se që në nisje të kësaj beteje, armët që po përdoreshin ishin gjithë ndryshk, sepse, së pari ne vazhdonin të kishim për moralin po atë koncept arkaik të kohës që lamë pas dhe, së dyti, duke nxjerrë në shesh imtësi bajate të jetës së njërit apo tjetrit që nuk vlejnë as t’i dëgjosh e jo më t’i marrësh si bazë krahasimi dhe vlerësimi, që në nisje kjo betejë ishte pak të thuash se ishte një betejë e baltosur që spërkaste me stërkala balte si atë që sulmonte, por edhe atë që sulmohej. Madje këtu duhet shtuar se stërkalat e baltës ishin të mjaftueshme për të njollosur gjithë shoqërinë dhe kjo ka argumentet e veta. Një shoqëri e cila shpesh krekosej se flinte me kanunin poshtë kokës, komikisht po tregonte ca anë të panjohura të moralit të saj të dyshimtë. Një shoqëri e cila shpesh i binte gjoksit duke u betuar se nuk të lejonte të shkoje deri brenda mureve të familjes, një ditë krejt papritur u bë aq kureshtare për të ndjekur telenovela me personazhe konkret që kishin për bazë atë familje “të paprekshme” dhe dukej se nga kjo shfaqje groteske shoqëria po zbavitej jashtë mase. A nuk ishim ne që u ambientuam me faktin e prishjes së privatësisë së tjetrit duke treguar një zell të pakufishëm për të treguar histori grash e burrash të qena dhe të paqena? A nuk ishim ne që nga të tulatur për të folur për jetën private, u kthyem në ca llafazanë të rëndomë duke e zhburrëruar veten, ndërsa tirrnim nëpër bisedat tona pafundësisht fakte private me të cilat është më shumë se turp të merren edhe ata që e kanë ndërtuar jetën e tyre mbi bazën e thashethemeve e jo më një shoqëri e pjekur, e cila pretendon se është ngritur mbi bazën e vlerave reale të akumuluara nga shoqëritë demokratike? A nuk ishim ne që hiqeshim aq shumë të kursyer kur bëhej fjalë për të përgojuar dikë dhe aq më tepër, ku në mes ishte një femër, që befas një ditë u shfaqëm aq të thekur pikërisht për biseda kur përgojohej një femër?
Kjo ishte një panoramë të cilën e shpalosi kryesisht shtypi që merrej me nxitjen e thashethemeve të pas viteve nëntëdhjetë, por nëse do të ishte ndalur këtu, ndoshta nuk ia vlente të flitej gjatë, por e keqja duket se do të shkonte edhe më larg. Ngjyra rozë spërkati thuajse gjithë shtypin partiak, por edhe shtypin në përgjithësi. Më tej pas kësaj, pak nga pak nëpër podiume partiake, por edhe podiume të tjera, nga e majta dhe nga e djathta, nisën të shpalosen fakte të denja për kronikat rozë, që do të thotë se kjo ngjyrë i dha edhe betejave politike imazhin e vet jo të denjë. Dhe e keqja vazhdon akoma kur jo rrallëherë, për të argumentuar armiqësitë ndaj një kundërshtari politik, në mënyrë institucionale, që do të thotë shtetërore, lloj-lloj zëdhënësesh shtypi që paguhen nga taksapaguesit, ndërsa duan të hedhin poshtë një mendim, një veprim të kundërshtarit të forcës që është në pushtet, nuk harrojnë t’i kujtojnë dëgjuesit, se ky kundërshtar jo vetëm ka bërë atë apo këtë gafë politike, po të mos harrojmë se ai ka dhe një histori rozë. Kjo duket se e bën më bindëse argumentin në logjikën e tyre, por në fakt ajo e zhvleftëson atë plotësisht. Është e rëndësishme të përmendet edhe një aspekt jo i parëndësishëm i përgojimit të jetës private. Duke qenë një shoqëri nën diktatin mashkullor, sa herë që në luftën politike hyn privatësia e kundërshtarit, përdhosja e femrës ka përmasa tragjike. Në asnjë prej këtyre rasteve nuk është menduar apo thjesht të sillet në mendje se morali i femrës dhe i mashkullit është pesëdhjetë me pesëdhjetë nëse flasim me gjuhën e shifrave, pra ka vlerë të barabartë, por femra në këto sajesa burrash pa vlerë, hyn vetëm si një rrobë që përdoret vetëm për të treguar lakuriqësinë e burrave dhe asgjë më shumë. Thua se ajo nuk ka atë dinjitet që kanë edhe burrat, thua se edhe nëse e ka këtë dinjitet ai pak na intereson, kur para kemi një kundërshtar burrë që duhet ta njollosim. A nuk ndodhi pikërisht kjo gjë para pak ditësh, kur në mënyrë krejt cinike, madje me një cinizëm zyrtar u shkel me këmbë dinjiteti i një ish-aktoreje të njohur, e cila momentalisht jeton ditë të këqija. A nuk ndodhi që nuk ia kursyen baltën jo vetëm ata që për shkak të moshës së tyre të re nuk e kanë parë në ekran fytyrën e saj fisnike, por edhe ca të tjerë që dikur mes imazheve të saj kinematografike kanë harruar një pjesë të mllefit apo stresit që u shkaktonte koha ku jetonin, (nëse vërtet ajo kohë u ka ngjallur mllef dhe stres, sepse ata edhe mund të jenë ngazëllyer pas asaj kohe)?! Kjo u bë vetëm e vetëm se qëlloi që ajo të ketë qenë ish-bashkëshortja e liderit të opozitës. Se si mund të funksionojë logjika që për të luftuar dikë duhet shkelur brutalisht dhe mizorisht një tjetër, këtë e dinë vetëm ata që ndjekin këtë rrugë. U përmend ky rast thjesht për të argumentuar faktin se shkelja e privatësisë së tjetrit ka dhe një aspekt që nuk duhet anashkaluar, atë të vlerësimit të dinjitetit të njerëzve të ndryshëm mbi standarde të ndryshme, gjë që është një anë tjetër e zymtë e kësaj thashethemnaje kënetore e cila nuk duhet anashkaluar.
Kjo shoqëri është ende në ndërtim, është ende e papjekur demokratikisht, prandaj ka nevojë edhe për sanksione, veç të tjerash edhe për ata që shkelin privatësinë e tjetrit. Në këtë tymnajë duket se është e vështirë të gjykohet, sepse si ata që trokasin apo përgjojnë pas derës së dhomës së gjumit të tjetrit, por edhe ata që janë brenda saj mund të jenë mëkatarë. Veçse nuk duhet harruar si fillim se cinizmi, pabesia dhe poshtërsia janë në radhë parë vese të atij që përgjon apo troket në dhomën e gjumit të tjetrit.

1 Komente

po mire, tha, po hajduti s'kishte faj?

Privatesia eshte detyre e jotja ta ruash, megjithe çmundesh. Jane jo pak te rralla rastet kur privatesia shitet me çmim, kembim ose falas. Mos e hap deren e dhomes se gjumit, madje as mos fle ne kuzhine kur ke mundesi...eshte bote e eger!

Nejse..me aq lexova...me vjen mire qe ka njerez qe mendojne keshtu e qe iu japin rendesine e duhur ketyre gjerave. Shume mire vertet!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).