Sondim

Përse letrat romantike?  Padyshim që drama e Alfred Musset Lorezancio, është tipike dhe me vlera simbolike të veçanta domethë-nëse përsa i përket temës që duam të trajtojmë në këtë paraqitje, pra mënyrës së shfaqjes së rinisë në jetën politike prej letrave të shekullit të 19–të. Alfred Musset lindi në një kohë, 1810, kur vrulli i revolucionit francez të vitit 1789 kishte nisur të zbehej, por ende faktet historike nuk flisnin për një proces të gjatë rikthimi te vlerat politike të shoqërisë së mbështetur tek ancien régime (monarkia absolute). Jeta e tij kaloi si meteor në hapësirën letrare pariziane Shumë shpejt do të dukej sikur rrota e historisë po kthehej prapa, ndonëse në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, një proces i tillë është i pamundur. Ushtritë napoleoniane, pasi i dhanë goditje të fuqishme monarkive absolute të Europës nëpërmjet shtrirjes së perandorisë në kontinent e më gjerë në bazë të forcës dhe dhunës, pa mëshirë, më në fund nisën të njohin disfata rrënuese para fuqive ushtarake dhe politike të koalicioneve të pushteteve mbretërore që i rrethonin. Waterloja i dha fund çdo shprese Napoleonit dhe frymës që ai përfaqësonte për të vazhduar projektin e nisur sa liberalizues në vlerat politike, aq edhe perandorak e kolonizues.
Familja mbretërore e Luigjëve rivjen në fron. Zhgënjimi i republikanëve është i fuqishëm. Idealet e tyre ndihen të rrëzuara përtokë. Nuk kishin kaluar veçse tri a katër dekada dhe ata shihnin se populli që i kishte përshëndetur me zjarr e emocion idealet rusoiste dhe volteriane të Revolucionit të madh, tani përshëndeste me po aq pasion dhe zjarr rikthimin e monarkisë. Dukej si një fëmijë i penduar. Si një djalosh që pasi i ka kaluar flladi i marrëzisë që i vjen nga energjitë e tepërta prej adoleshenti, rikthehet te kujtimet e vatrës familjare, kërkon mbrojtje tek Ati, duke i kërkuar falje atij për “çmendurinë” e treguar në revoltë e sipër kundër autoritetit të tij të vjetër simbolik.
Humbja e besimit te populli
Zhgënjimi i parë është ndaj popullit, pra masës së qytetarëve. Dekada të tëra instabiliteti politik në Francë kalohen me vështirësi të pashoqe, duke u konkretizuar në dramat politike të vendosjes së monarkisë së Lui Filipit pas ngjarjeve të vitit 1830 dhe më pas në një ndeshje të pashoqe midis republikanëve, krahut të tyre revolucionar, dhe monarkistëve që e kërkojnë shpëtimin te një president të fuqishëm sa herë nuk është e mundur të mbrohet hapur monarkia e ndritur, revolucionet europiane të vitit 1848 ishin shprehje e këtyre konflikteve, që në Francë përfunduan në 1852 nëpërmjet një grushti shteti me anë të të cilit Napoleoni III rikthen Perandorinë.
Drama e Alfred Musset konsiderohet prej kritikës si letërsi romantike. Gjuha e saj është një simbolikë artistike e zhanrit historik që, në fakt, pothuajse nuk e fsheh mesazhin e qartë politik aktual për kohën e vet. Historia bëhet kështu gjuha e aktualitetit.
Musset i referohet historisë së shekullit të 16–të në një prej qyteteve–shtet italiane të kohës, me lavdinë dhe tragjeditë e tija të paharrueshme, Firences. Familja Mediçis vendoset në qendër të tensioneve mes republikanëve demokratë dhe tiranëve autoritarë që rrëshqasin shpesh drejt despotizmit të hapur. Mesi i këtij shekulli në Firencen që nxjerr emrat e paharruar të Torriçelit, Makiavelit, etj., shoqërohet me grushte shteti, vrasje, kthime e rikthime në pushtet, gjithçka atje i ngjan një loje teatrale, ku spektator është masa e njerëzve të thjeshtë, të cilët shfaqen herë si qytetarë të lirë kryeneçe dhe herë të tjera si nënshtetas të bindur.
Ajo luhatje sistemesh qeverisjeje që arkivat e Firences dëshmonin tre shekuj më parë sesa Musset të shkruajë dramën e tij, përsëriten si me magji edhe në Francën dhe Europën e dekadave të para të shekullit të 19–të. Po ajo luhatje vlerash, po ajo mistikë në veprimin popullor që kalon nga revoltat e dhunshme dhe të hatashme në bindjen kokulur dhe skllavëruese e poshtëruese ndaj pushteteve. Duket sikur nuk është i njëjti popull.
Cila është natyra
e popullit, pra?
A ia vlen të sakrifikosh duke u vendosur në krye të tij, ndërkaq që ai pasi të mbështet, në një çast të vetëm, në inat e sipër, mund të të braktisë duke e lënë projektin historik në mes të udhës? Kohë zhgënjimesh që duket se lejon të dramatizohet për t’iu përçuar shekujve një mesazh universal.
Përmbysja e vlerave
Duket se horizontet historike janë përmbyllur përsëri. Shekulli i tetëmbëdhjetë nëpërmjet letrave të shndritshme të tija dukej si plot shpresë e besim. Shekulli që e pason sjell zhgënjime.
Përfundon ideja e progresit që gjoja sjell arsyeja – vlerë dhe utopi aq e dashur për iluministët e shekullit të 18–të. Shpresa se liria përkon me thelbin e natyrës njerëzore nis e venitet.
Besimi se pas përmbysjes së regjimit të vjetër shoqëria do të hyjë në fazën e lulëzimit progresiv përplaset në realitetin e hidhur të një pune në fabrikë, ku kushtet njerëzore i ngjajnë më shumë burgut, çmendinës, xhunglës sesa një institucioni social normal.
Pas epokës revolucionare, heroike, njeriu po përballonte ashpërsinë cinike, prozaitetin e punës së përditshme, monotone, tjetërsuese të industrisë së asaj kohe. Bashkë me të gjitha këto përmbysje vlerash, transformohet krejt edhe trajtimi i temës së rinisë dhe i idealeve të saj politike. Iluministët kanë krijuar tashmë figura të rinjsh idealë si Kandidi, Emili etj.
Në pamfletet letrare të Volterit, i riu i kohës është në ndeshje të vazhdueshme me absurditetet e regjimit të vjetër. Puna e edukon Emilin e Rusoit, arsyeja është forca e tij e pashtershme. I riu është plot gjallëri, arsye, ideale që i arrin pas përpjekjesh historike. Duket sikur historia i ka hapur portat e saj për ta lejuar shoqërinë t’i arrijë objektivat e vendosura në përpjekjet që ajo bën drejt progresit. Duket se liria është aspirata themelore e saj. Rinia është në ballë të lëvizjeve revolucionare, përmbysëse, bartëse e idealeve të reja triumfuese. Arsyeja mbisundon mbi mistiken dhe paragjykimi, liria paraqitet si antipodi i ndritur i sundimit tiranik, i papranueshëm për natyrën njerëzore. Njeriu i lirë, kishte argumentuar Xhon Loku, është vetë njeriu, liria është projekti thelbësor njerëzor, është vetë natyra e qenies njerëzore.
Çfarë ka përballë kjo kulturë letrash e shekullit të 18–të kur transferohet në shekullin e 19–të? Cili është imazhi i rinisë një shekull më vonë? David Koperfild, Evgjeni Grande, vëllezërit Karamazov, Kozeta, Gavroshi, Ana Karenina etj.
Varfëria, humbja e idealeve, rënia shpirtërore, individualizmi, kotësia e një jete pa ideale, shfrytëzimi. Ardhja e një periudhe disi të zymtë zhgënjimesh prek së pari pikën më sensitive: imazhin e rinisë dhe rolin e saj në politikë.
Lorenzacio
Personazhi kryesor i dramës së Musset është Lorenzacio. Është një djalë i ri që vjen nga e njëjta familje Mediçi, sikurse edhe tirani i Firences, edhe ky një djalosh i ri, i ardhur në pushtet nëpërmjet mbështetjes së marrë një Papa dhe nga Mbreti i Francës që në atë kohë sundonte mbi pjesë të gjera të gadishullit italik. 
E vërteta e jetës dhe e qëllimeve të këtij të riu del pothuajse në fund të dramës. Ai kishte pas qenë një fëmijë i mbarë dhe një adoleshent gjithë ndjenja. Ndërkaq, si pjesëtar i familjes Mediçi, kushëri i tiranit të Firences, ia kishte fituar zemrën këtij të fundit, i cili nuk e ndante prej vetes si shok e mik në të gjitha orgjitë, aventurat cinike, karnavalet, ballot, përdhunimet, dehjet, gjahun, ngacmimet, dhunën e ushtruar në qytet kundër njerëzve të varfër dhe qytetarëve fisnikë. I gjithë qyteti trembej dhe urrente si tiranin ashtu edhe mikun e tij, Lorenzacio.
Pas një veprimi dramatik plot tension, në fund të veprës letrare, qytetarët, të udhëhequr nga kryetari i familjes Skorca, Filipi, përgatiten të kryejnë një revolucion, ta rrëzojnë tiranin nga froni dhe të rivendosin me forcë republikën. Filipi, një qytetar fisnik rreth të gjashtëdhjetave, ka arsye të forta personale për të qenë në krye të lëvizjes: vajza e tij është tërhequr në rrugën e prostituimit nga tirani, djemtë e tij rrezikojnë të burgosen, e gjithë familja të shkatërrohet. Pritet reagimi i tiranit, sepse djemtë e familjes Skorca kanë vendosur ta vrasin për t’u hakmarrë. Ky do të ishte edhe sinjali i revolucionit.
Filipi ndjehet në një çast kthese të jetës së tij. Ai ndodhet mes miqsh të betuar për t’i shkuar deri në fund çështjes së marrë përsipër për ta shpëtuar qytetin nga tirania. Synimin e tij ia shfaq me zemër të thyer edhe Lorenzacios, për të cilin ende ka një farë shprese se nuk është tërësisht i degjeneruar sa tirani. I thotë se ka ardhur më në fund koha kur ai e sheh me qartësi jetën e tij dhe thelbin e njeriut, atë që njeriu duhet të bëjë për lirinë. Ndjehet fajtor që ka qenë gati pacifist, se ka shpresuar se e mira do të triumfojë vetiu mbi të keqen, se ka parë vetëm mbrothësinë e familjes së tij të ngushtë dhe nuk ka vërejtur rreth e rrotull tij fatkeqësitë e të tjerëve duke qëndruar indiferent ndaj tyre. Më në fund, më mirë vonë se kurrë, ka vendosur ta thotë të vërtetën e jetës së tij: njeriu kurrë nuk duhet të rrijë duarlidhur ndaj vuajtjeve të të tjerëve, gjithmonë duhet të jetë partizan dhe militant i lirisë dhe për republikën, sensibël ndaj qytetit, solidar me qytetarët që e rrethojnë, i sakrificës.
Të gjitha këto, i mërzitur sikurse është, ia shpreh Lorenzancios. Por, habitet dhe tronditet pa masë kur dëgjon përgjigjen e këtij të fundit. Këtu shfaqet edhe thelbi i personazhit kryesor të dramës, Lorenzacio, si edhe vetë çasti dramatik më i spikatur i saj.
Replika e Lorenzacios është befasuese.
Unë, i thotë ai qytetarit të vjetër që po përgatit kryengritjen, do ta vras vetë tiranin sonte. Do ta vras unë, prandaj ju nuk duhet të lëvizni, nuk ka nevojë për revolucion. Mos u bëj thirrje qytetarëve të ngrihen për liri. Tani, po ta tregoj të fshehtën e jetës sime. Jam bërë mik me tiranin me qëllim që pasi t’i fitoj besimin të gjej rastin ta likuidoj fizikisht. Qysh në rini, duke lexuar librat e historisë greke dhe romake, kam ëndërruar për të kryer një vepër të madhe në jetë. Isha i mbushur me idealet e librave që dëshmonin për aktet madhështore të të rinjve dhe shërbimet që ata i kishin bërë vendeve të tyre.
Më pasiononte fakti që Brutusi kishte vrarë Cesarin.
Çfarë guximi heroik!
Nuk kisha parasysh mirë se kë duhej të vrisja. Njërin nga tiranët e gadishullit, nuk ka rëndësi se cilin. Vajta në fillim të vrisja diktatorin e Romës, por më pikasën në qëllimet e mija dhe prandaj më zbuan nga qyteti. Erdha në Firence dhe kam vite që po përgatitem të likuidoj tiranin e qytetit. Më dukej se ai e meritonte këtë fat. Prandaj, rrini të qetë, aktin e fundit ma lini se do ta kryej vetë.
Nuk ka nevojë për revolucion, ka nevojë për një vrasje.
Synimi im djaloshar më kishte përpirë të tërin në fillim. Doja të mbetesha heroik në histori, për mua të flisnin librat e historisë. E gjithë qenia ime më shtynte drejt veprës heroike. Për këtë qëllim nuk doja ta ndaja me të tjerë aktin liberator, doja ta kryeja vetë, të isha i vetmuar autori i saj.
Pak e nga pak hyra në jetën intime të tiranit. U bëra pjesë e pandarë e festimeve, orgjive, paudhësive, padrejtësive, përdhunimeve të tij. Për vite me radhë. Me një qëllim të vetëm: të gjeja rastin për ta zhdukur.
Por, sa më shumë i afrohesha qëllimit tim, aq më tepër gjërat ndërlikoheshin. Pak e nga pak jeta ime nisi të dyzohet. Filluan edhe mua të më pëlqejnë qejfet, orgjitë, pija, gjahu, jeta e lehtë, festat, ballot dhe sjelljet e shfrenuara. Sigurisht në fillim mendoja se kjo nuk do të më pengonte për ta kryer aktin tim fisnik. Degjenerimi im moral po kryhej në emër të aktit historik që i kisha caktuar vetes si qëllim madhor. Justifikohej dhe legjitimohej prej tij. Nuk e shihja se çfarë po ndodhte në veten time të përditshme, ndërkohë që e quaja personin tim si instrumentin e lirisë kolektive dhe të drejtësisë universale. Çfarë rëndësie kishte fakti se i kisha hyrë një jete të shthurur, kur kjo justifikohej nga qëllimi im i drejtë? Por, pak e nga pak pikërisht kjo jetë e shthurur e përditshme, korrupsioni, padrejtësia, përbuzja e qytetit, jeta mes një ambienti krejt përbuzës ndaj qytetarit të thjeshtë nisi të më pëlqejë. Dyzimi i jetës sime u bë një fakt i pamohueshëm. Mjeti po e infektonte gradualisht krejt qëllimin e jetës sime. 
Por, prit se nuk mbaron me kaq ajo që më ka ndodhur. Pak e nga pak në sytë e njerëzve unë isha njësoj si vetë tirani, imazhi i tij më ishte ngjitur mbi lëkurë. Ishte bërë lëkura ime e dytë. Në sytë e opinionit publik unë edhe ai ishim bërë e njëjta gjë. Ishim të dy njësoj. Isha bërë pa e kuptuar si ai. Revolucionari ishte ndryshuar duke u bërë njësoj si tirani. Jo aq nga brenda vetes. Qëllimi mbetej i njëjti, ai e urrente tiranin dhe donte gjithmonë ta vriste. Nuk ishte puna aty. Puna ishte te shfaqja e jashtme, te kuptimi i jashtëm i veprimeve të veta. Populli më dukej se nuk kuptonte kush isha. Ai i barazon midis tyre veprimet e njëjta nga pamja e tyre e jashtme, pavarësisht qëllimeve të kundërta që fshiheshin pas tyre.
I dukej i njëjtë tirani që vepronte për të përmbushur dëshirat e veta perverse, dhe Lorenzacio që vepronte si ai, por për qëllime krejt të tjera. Veprimet e tyre shfaqeshin të njëjta në sytë e masës së qytetarëve të shtypur. Unë isha bërë si ai, ai ishte si unë.
Fundja, njeriu është ashtu sikurse e shohin.
Duke dashur të mbetesha në histori si vrasës tiranësh, figurë sublime, që më kishte tërhequr me pasion në rininë time naive, papritmas kisha mbetur në kujtesën popullore si figurë po aq e urryer për popullin. Çfarëdo që të kisha pasur në mendje, kujtesa kolektive do t’iu përcillte tashmë brezave jo aq atë që unë isha në brendësi të vetes sime, por kuptimin e jashtëm të sjelljes sime. Historia kështu gabon, është e destinuar të gabojë pafundësisht. Misioni dhe ideali im për të mbetur si figurë e lirisë dhe e drejtësisë kishte dështuar pikërisht sepse opinioni më shihte sipërfaqshëm, nga ana që i interesonte atij, pra nga aktet dhe jo nga qëllimet e mia.
Po përsëri nuk ishte kjo më e dhimbshmja. Ka edhe më tej. Kuptova se të gjithë librat e historisë na kishin përcjellë gënjeshtra dhe iluzione krejt të gabuara. Sikurse kujtesa kolektive do ta përcillte edhe imazhin tim, krejt gabim, në historinë e ardhshme, po ashtu do të kishte pas bërë historia e kaluar me heronjtë e dikurshëm, apo së paku me ata që ne i quajmë heronj. Ata në brendësi të tyre do të kishin pas qenë krejt tjetër nga sa ne dimë dhe mund të dimë për ta. Fatalisht kemi një informacion historik të transmetuar kolektivisht në mënyrë të gabuar.
Librat e historisë na gabojnë jo vetëm për heronjtë, por edhe për shpirtin e popullit. Këtu mbaron drama ime, fundi i iluzioneve dhe i ëndrrave të mia. Ti Filip, gjykon se tani në pleqëri të ka ardhur koha për ta thënë të vërtetën tënde, për të kuptuar se jeta ka kuptim vetëm nëse sakrifikohesh për qytetarët, për idealin e lirisë dhe të drejtësisë për ta. Tamam atëherë kur kujton se mendja jote është ndriçuar, pikërisht atëherë ke rënë në gabimin e fundit, përfundimtar, të jetës tënde. Kjo vjen se ti ke një kuptim krejt të rremë për qytetarët dhe masën e popullit. Ti projekton atje idetë dhe shpirtin tënd fisnik. T’i shihesh atje si në një pasqyrë. Kujton se sheh vërtet thellësinë e ujit të ndejtur që ke përpara syve të tu dhe nuk kujtohesh se në të vërtetë je duke parë veten tënde të reflektuar mbi sipërfaqen e shndritshme të ujit, pa ditur dhe kuptuar fare se çfarë fshihet brenda saj, çfarë ka poshtë saj. Kurse unë, ndonëse i ri, zgjodha një rrugë tjetër për ta kuptuar jetën.
U bëra sondë.
Nuk qëndrova në sipërfaqen e lëmuar të jetës, por hyra thellë brenda realiteteve të hidhura të saj. Duke bashkëjetuar me krimin, me përdhunimet, me vjedhjet, me padrejtësitë, me orgjitë, me korrupsionin, duke e ngacmuar jetën në pikat e saj më delikate, duke u zhytur, pra, pikërisht si sondë, në detin e gjerë të jetës, ujërave të ndjetur të qytetit, unë pashë se çfarë kishte vërtet në të. Librat e historisë më kishin gënjyer, na kishin gënjyer. Na kishin thënë se njeriu lind i lirë, se liria është thelbi i qenies njerëzore, se njerëzit janë gati të vdesin, janë gati të revoltohen sa herë që mbi ta bie shtypja dhe tirania. Por, sondimi im disavjeçar, përvoja ime, më tregoi krejt të kundërtën. Njerëzit janë qenie të nënshtruara, të frikura, pa guxim, servile, i nënshtrohen më të fortit, atij që i shtyp dhe i poshtëron. Nuk është vetëm tirani burimi i së keqes. Pushteti i tij nuk mbështetet thjesht në mizorinë dhe perversitetin e tij, por edhe në përunjësinë frikamane, servile, të paturp të qytetarëve.
Sa etër kam parë që pranonin dhunën mbi djemtë e tyre pa bërë zë, a thua se kjo ishte vetë dora e Zotit që i ndëshkonte!
Sa familje kam parë që janë cenuar në nderin e tyre dhe nuk kanë bërë zë, përkundrazi, nuk janë revoltuar, dhe janë sjellë me servilizëm ndaj pushtetit të tiranit, duke iu përulur atij po ashtu sikurse i përulet besimtari Zotit të tij të vërtetë!
Sa vajza kam kaluar nëpër duar thjesht sa për të kënaqur dëshirat e mia erotike, dhe fituar besimin e tiranit për t’i treguar se isha si ai!
I përdhunoja në emër të lirisë!
Prisja që nënat e tyre të më hidheshin në fyt, që vëllezërit e tyre të më zinin pusi në ndonjë cep rruge për të më vrarë, por asgjë nga këto nuk ndodhte. Populli na nderonte edhe më shumë. Nënat i shtynin nga pas bile vajzat e tyre për të më rënë në sy sa herë kaloja rrugëve të qytetit. Donin të m’i blatonin. Mbase njëra prej tyre, kushedi, do të kishte fat. Ku i dihej? Donin të fitonin jetën, t’iu afroheshin të fuqishmëve qoftë edhe duke shkelur mbi nderin dhe lirinë e vajzave të tyre.
Duke luftuar për lirinë e qytetarëve, pashë se në thelb ata nuk ishin gati për ta fituar atë. Ata nuk e donin më lirinë, sepse ishin mësuar që të jetonin të shtypur.
Nga ai çast kuptova se qëllimi im për të vrarë tiranin nuk kishte pas qenë veçse një delir djaloshar, një ëndërr adoleshenti, një shpirt egoist për të qëndruar në histori si heronjtë e dikurshëm, si një iluzion i gabuar i nxitur nga gënjeshtrat e teksteve të historisë së shkuar. Në vetvete nuk paskësh pasur asnjë kuptim meqë nuk ka pikë kuptimi të luftosh për lirinë e atyre që nuk e duan lirinë, që janë çmësuar prej saj dhe janë të lumtur të jetojnë në nënshtrim.
    Njeriu dëshiron vetëm të sigurojë interesin personal, material, dhe asgjë më shumë, idealet e lirisë, qytetarisë, barazisë mbeten ideale iluzorë. Gënjeshtra të ardhura nëpërmjet teksteve të historisë. Ja si puna jote, Filip, ti thua se po ngrihesh për lirinë e qytetit, në fakt, kërkon në një ditë si kjo vetëm të hakmerresh për atë që ke pësuar personalisht. Ti fsheh nën idealin tënd hipokrit për liri vetëm egoizmin tënd, dëshirën tënde personale për hakmarrje. Ti je një hakmarrës, me sy të skuqur nga inati, nuk je një luftëtar i lirisë. Edhe ti një ditë do ta harrosh këtë dhimbje që të mundon sot. Do ta gëlltisësh si mijëra të tjerë. 
Prandaj, nuk ka kuptim të bëni revolucion, të vendosni republikën, qytetarët një ditë përsëri do t’ju tradhtojnë dhe do të bashkohen pikërisht me ata që i kanë shtypur, përdhunuar e poshtëruar, apo me pasardhësit e tyre. Do t’iu tradhtojnë, sepse liria është një vlerë shumë e vështirë për t’u përqafuar. Populli është shumë larg prej saj.
Lini armët, kthehuni në shtëpitë tuaja, mos e fusni qytetin kot në pellgje gjaku dhe lojëra dhune. Republika nuk e ka jetën e gjatë. Një ditë populli do ta kërkojë përsëri tiraninë, sepse dëshiron mbrojtje, ka nevojë të jetë i sigurt nën shtypjen e tiranit. Sa për tiranin, rrini të qetë, sonte do të shkoj ta likuidoj fizikisht, mos kini merak, por nuk e bëj në emër të idealit tim fillestar.
    Idealet e mia janë zbehur dhe zhbërë gjatë rrugës së realizimit të tyre.
    Do ta bëj thjesht sepse dua në mënyrë egoiste edhe unë t’i mbetem besnik frymës sime të pakuptimtë djaloshare, asaj që kam pasur në rininë time të hershme. Do ta vras ndofta pikërisht sepse jam bërë si ai. Ndofta duke e vrarë atë, pohoj njëherazi zhdukjen time, humbjen e iluzioneve të hershme. Është mbase një hakmarrje kundrejt tij meqë ai fitoi ndaj meje, mbase sepse e kuptova që ai në thelb është si vetë ata, qytetarët, që ai shtyp. Pas këtij akti do të më vrasin, aq më bën, çfarë më duhet kjo jetë ku kam humbur autenticitetin tim, ku mjetet i përmbysën qëllimet, ku lufta ndaj tiranit të përpin dhe të bën tiran.
Çdo shekull, modelin e tij.
Çdo shekull, në letrat e tij, përpunon një imazh krejt të veçantë për rininë dhe rolin e saj në politikë. Shekulli i 18–të: revolucionarin idealist dhe vetëm që beson idealisht te progresi. Shekulli i nëntëmbëdhjetë të riun që nuk di ta gjejë rrugën në jetë, kritik dhe të larguar e zhgënjyer nga idealet politike utopike të një shekulli më parë, cinik. Shekulli i njëzetë, te Pavël Koçagin dhe heronjtë e Maksim Gorkit, na sjell revolucionarin që me dhunë dëshiron të ndryshojë faqen e botës, rrënjësisht, duke fshirë nga faqja e dheut pronë e familje.
Kanë qenë modele ideologjike kalimtare që bëjnë në histori udhën e tyre të përkohshme.
Të gjithë të vlefshëm, të gjithë iluzione. Iu kanë besuar atyre breza të tërë të rinjsh, “bij të shekullit të ri”, të cilët u plakën dalëngadalë në politikë, nga shekulli në shekull, e pastaj lihen pas sa me dhimbje aq edhe me harresë të pashoqe.
 Nuk ka pjekur brezi idealin, ka qenë ideali që ka plakur brezin.
Aq sa shpesh pyetet: Janë ideale të moshës, apo vlera universale?
Të shohim se çfarë do të na ofrojë shekulli i njëzetenjë!   

10 Komente

Unë, i thotë ai qytetarit të vjetër që po përgatit kryengritjen, do ta vras vetë tiranin sonte. Do ta vras unë, prandaj ju nuk duhet të lëvizni, nuk ka nevojë për revolucion. Mos u bëj thirrje qytetarëve të ngrihen për liri. Tani, po ta tregoj të fshehtën e jetës sime. Jam bërë mik me tiranin me qëllim që pasi t’i fitoj besimin të gjej rastin ta likuidoj fizikisht. Qysh në rini, duke lexuar librat e historisë greke dhe romake, kam ëndërruar për të kryer një vepër të madhe në jetë. Isha i mbushur me idealet e librave që dëshmonin për aktet madhështore të të rinjve dhe shërbimet që ata i kishin bërë vendeve të tyre.
 

Shume yje Fuge, megjithese na ke share qe jemi zullumqare ketej nga PPU. smiley

Ou! Më në fund, më në fund!

Rrofsh AlisaT per prurjen ketu.

Ah, po, pleqeria dhe mencuria...

Pleqeria dhe atrofia, thuaj. Pleqeria dhe rehati.

Habitem pse i meshohet ketij hegelianizmi "cdo shekull ka modelin e tij" kaq rende? Pse vazhdon e i meshohet ketij "automatoni shahist" kur te eshte bere e qarte qe karagjozi me gjigand i teatrit me kukulla mund te levizet nga xhuxhi me i vogel? Megjithese pa problem. Modeli i ketij shekulli qe hyri shpresoj do jete mungesa absolute e nje modeli. Veshtire. Momenti total i marksizmit te superfuqise kapitaliste do jehoje pergjate gjithe shekullit si monedhe shkembimi me fytyren ndryshe te Obames. Eshte tmerr Nitzschean i perseritjes se perjetshme ky ku ke rene, o Profesor. Vetem mos harro qe universi po zvogelohet, e rrjedhimisht dhe shperthimet, dhe Gerdecet do shpeshtohen. Model? Regresi. I vlefshem, dhe aspak iluzion. Bujrum e artikuloje ne terma ahistorike. E sa per popullin, eshte po aq e vlefshme te thuash se do lirine sa eshte e vlefshme te thuash se do tiranin. Modelet jane mbinjerezore. Mos ndoshta mjaftojne semaforet si model?

mire e ka Fuga se 'cdo shekull ka modelin e tij', po ne kemi qene gjithmone nje shekull me vonese, dhe romanticizmin e kemi perjetuar ne shekullin e 20-te, ose kemi pasur nderthurje, dhe jo cdo gje eshte kaq e prere ne vendin tone, i cili nuk ka ecur me te njejtin hap me europen perendimore.

Prof. Fuga, interpretim interesant i drames se Musset.

Figura e Lorenzaccio's mund te analizohet ne shume kendveshtrime.  Si reflektim, pasqyrim i vete Musset, apo ne nje tablo me te gjere sic eshte bere ketu.  Ne nje analize me intime, Lorenzaccio nuk eshte vecse Musset i shpalosur ne menyre dramatike; perjetimet e tij, zhgenjimet nga jeta personale e me tej, apo me e rendesishme zgjim i "dhunshem" nga idealet e rinise.  Megjithese lidhur ngushte me kohen qe jetoi Musset, ashtu sic eshte vene ne pah nga prof. Fuga (jeta politike ne France, revolucioni i "tre diteve te lavdishme" e me tej) nuk mund te anashkalohet drama, tragjedia personale e Lorenzaccios, dhe etapat e evolucionit te figures se tij.  Ne ate kendveshtrim, lindin pyetje te tilla si psh neqoftese qellimi jystifikon mjetet?  Vete metamorfoza e Lorenzaccio-s te shtyn apo te vetepergjigjet qe ndoshta jo.  Sepse mjetet behen tunik e Nessus, qe helmon dhe perfundimisht vret "heroin", idealin, qellimin sado sublim. 

Ne nje kendveshtrim me te gjere, lindin pyetje per vete idealet, qellimet, metamorfoza e tyre, apo imazhi, iluzioni i metamorfozes se tyre. 

Ia vlen te ndalemi tek paradigma "cdo shekull, modelin e tij."  A eshte e vertete?  E pare nga kjo ane, ndoshta mund te sillen si shembuj shek 18 vs 19, por per mendimin tim ky kendveshtrim nuk sjell gje tjeter vecse zhgenjim "lorenzaccio-an".  Historia e njerezimit ka perjetuar etapa evolucioni te rendit ekonomik, shek 19, ka qene pikerikisht i vuajtshem per masat si rrjedhoje e shpalosjes se efekteve te revolucionit industrial nisur qe nga shek 18.  Shoqeria u transformua, apo iu adoptua ndryshimeve te rendit ekonomik, por a ndryshuan vlerat universale?  Cilat jane vlerat universale?

Prof. Fuga ka permendur John Locke.  Por nqs permendet Locke, atehere duhet te diskutohet dhe (ne dukje) antiteza e tij, Thomas Hobbes.  Eshte debat me vete Locke vs Hobbes.  Por ne kete teme do te vecoja dicka te ngjashme qe kane mes tyre.  Me gjithe "idealizmin" e njeriut te lire te Locke (njeriu eshte i lindur i lire, te cilen Lorenzaccio apo Musset e hedh poshte) nje aspekt kyc i trajtuar prej Locke eshte ajo i prones private (e me tej i ndarjes se punes.)   Dhe me tej edhe pse Locke argumenton per "liberty" ai shprehet qarte qe njeriu nuk eshte dhe aq "free": "no one ought to harm one another, in life, health, liberty or possession."  Hobbes shprehet se individet jane te barabarte dhe me gjithe etjen per te poseduar cdo gje, argumenton qe ne fund te fundit, individi ne menyre racionale perpiqet te evitoje vdekjen.  Menyra perpetuale e mbrojtjes se prones private te individit te Locke te con te pyetja nese ajo jetese nuk do ishte e ngjashme me jeten e individit te Hobbes "solitary, poor, nasty, brutish and short."  Si zgjidhje Locke ofron kontraten sociale me shtetin, Hobbes me monarkun. 

Kerkoj ndjese per humbjen e kohes me Locke vs Hobbes, por qellimi im (me gjithe tejzgjatjen) eshte per te vene ne pah se te pakten deri tani (pa nje ndryshim themelor sistemik) historia e njerezimit perbehet nga vlera universale; idealizmat e rinise, nqs mund te quhen te tilla jane iluzione ose keq-interpretim i tyre.  Ne mendimin politik ajo qe ka perjetuar dhe ka qene konstante qe nga Thucididi e deri ne realpolitik te Kissinger eshte rryma "realiste."  Rendi shoqeror me gjithe evolucionet ne rendin ekonomik, edhe pse mund te kete ndryshuar emertimin e klasave, apo dhe zgjerimin e nje klase apo tjetre ne thelb marredheniet bazohen mbi te njejta vlera.  Jeta e njeriut ndoshta nuk eshte dhe aq "short & brutish" por hartohet ne baze te interesave personale dhe jo idealizmit te interesit te pergjithshem.   

Ne fund te fundit, sondimi i Lorenzaccio-s nuk eshte gje tjeter vecse nje udhetim i dhunshem, i pergjakshem dhe perdhunues per te kuptuar kete thelb.  Jo vetem kaq, por bere ne emer te lirise qe "eshte nje vlere shume e veshtire per t'u perqafuar."  Por ajo qe e ben me te veshtire, apo me zhgenjyes zgjimin eshte se liria jo vetem eshte e veshtire per t'u perqafuar por liria nuk eshte absolute.  Sepse, nder te tjerash mbaron atje ku fillon e tjetrit.  Atehere a jystifikohet vete idealizmi i Lorenzaccio-s, dhe aq me keq mjetet e tij?!   

Prof. Fuga na e jep te kondensuar shkurt dhe qarte mesazhin. Jo per te dekurajuar perpjekjet per drejtesi qe cdo brez ika, dhe them une, duhet t'i kete. Po per te ndihmuar caze Piter Panet mes nesh qe megjithese tingellojne romantike (dhe jane), pergjithesisht flasin endrra dhe realitetin e perbuzin, por vetem kaq se ne fund realiteti i perbuz 100 fish.

Shkrim pa lidhje. Habitem sesi Monda ka ligjeruar aq gjate mbi kete shkrim. Sinqerisht, nuk gjej asgje per te thene. Ne mos, kete :

- nuk marr vesh me ke e ka Fuga, me popullin apo me individin ?

- nuk di gjithashtu kush flet cfare. Fuga nuk perdor asnjehere thonjezat dhe ligjeraten e drejte.

Kush flet ketu, nje banor i Firencies apo Fuga ? (thonjezat jane te miat, cituar nga teksti i Fuges) :

"I dukej i njëjtë tirani që vepronte për të përmbushur dëshirat e veta perverse, dhe Lorenzacio që vepronte si ai, por për qëllime krejt të tjera. Veprimet e tyre shfaqeshin të njëjta në sytë e masës së qytetarëve të shtypur. Unë isha bërë si ai, ai ishte si unë.
Fundja, njeriu është ashtu sikurse e shohin.
Duke dashur të mbetesha në histori si vrasës tiranësh, figurë sublime, që më kishte tërhequr me pasion në rininë time naive, papritmas kisha mbetur në kujtesën popullore si figurë po aq e urryer për popullin. Çfarëdo që të kisha pasur në mendje, kujtesa kolektive do t’iu përcillte tashmë brezave jo aq atë që unë isha në brendësi të vetes sime, por kuptimin e jashtëm të sjelljes sime. Historia kështu gabon, është e destinuar të gabojë pafundësisht. Misioni dhe ideali im për të mbetur si figurë e lirisë dhe e drejtësisë kishte dështuar pikërisht sepse opinioni më shihte sipërfaqshëm, nga ana që i interesonte atij, pra nga aktet dhe jo nga qëllimet e mia."

Nese eshte Fuga qe flet, atehere nga c'parajse na del kjo "thagme" (huazim nga Monda) qe populli gabon kur e gjykon njeriun nga aktet dhe jo nga qellimet ?

Zoti Fuga, njerezit nuk gjykohen sipas qellimeve por sipas akteve. Kjo eshte ne baze te te gjithe historise njerezore dhe jurisprudences qe shoqeria njerezore ka ngritur pergjate kesaj historie.

Qellimi dhe synimet e nje njeriu nuk kane asnje vlere perballe asaj cka ai ben per t'i vene ne jete keto qellime. Perndryshe, rrofte Makiaveli ! (qellimi justifikon mjetin).

Ka dhe ca shtremberime te drames se Musset : Lorenzo nuk vret duken gjoja per te shpetuar popullin, por thjesht ngaqe donte te hiqte qafe ngacmimet e dukes qe iu bente shoqeve te mamit te vet. Dhe se Lorenzo, ne kete akt te tij, nuk ka kurrfare synimi kolektiv por thjesht vetjak. Madje Lorenzo e di fort mire qe republikanet s'kane kryqe te perfitojne nga vrasja e dukes.

Lorenzo pispilluqi eshte qelbur mjaftueshem me bemat e dukes, dhe nuk eshte aq burre i mire sa e heq veten.

Kur dikush eshte figure publike (si Lorenzo, kusheri i dukes), dhe i jepet rasti te tregoje veten (si Lorenzos, duke qene se populli i ka syte vetem per oborrin), ai mund te kete synimet me te fisme (gjoja si Lorenzo, per te shpetuar qytetin !), POR JANE VEPRIMET ATO QE PESHOJNE GJITHMONE (si veprimet e Lorenzos qe hardalliset me kushon).

Shkurt, morali mussetian i kesaj drame eshte PER NE ATE KOHE dhe nuk pi uje per ne ditet e sotme.

Drama "Lorenzo" ka veti informuese por jo mesuese. Thjesht na ve ne dijeni si ishte atehere, por aspak si duhet te jete ende sot.

Zhgenjimet e Musset ne lidhje me hypje-zdrypjet ne fron te Frances s'kane kurrfare lidhje me vitin 2009.

Sepse, po te bejme sic ben Fuga, duke i kapercyer shekujt per qejf te vet, atehere i bie qe ne vitin 2009, populli te behet pre e lojerave dhe intrigave te udheheqjes, psh :

Mehmet Shehu, nje komunist i eger, mendon te vrase Enver Hoxhen, nje komunist i eger dhe ky, dhe populli, si me magji, t'i harroje krimet e Mehmetit dhe te dale ne rruge e te brohorase : rrofte Mehmeti !

Me nje fjale, nuk e mora vesh per cfare flitet ne kete shkrim.

Hurbinek, me bere verejtje qe kam ligjeruar gjate, por s'ke ligjeruar aq shkurt dhe ti smiley

Me nje fjale, nuk e mora vesh per cfare flitet ne kete shkrim.

Ndoshta, do ta kishe me te lehte sikur te ndaje per analize dramen e Musset nga mesazhi apo pikepamja e dr. Fuges. 

Drama "Lorenzo" ka veti informuese por jo mesuese. Thjesht na ve ne dijeni si ishte atehere, por aspak si duhet te jete ende sot.

Nuk jam aspak dakort.  Shiko me vemendje rrethanat historike te drames, qe nga origjina (shek 16. ne Firence) paraleli per kohen te cilen e ka shkruar Musset.  Dhe me duket e pamundur te mos gjesh paralele historike ne shek 20 (se 21 eshte akoma i ri, por edhe gjinden.)  Por pertej rrethanave historike, heroi i drames se Musset, nuk qendron i vetmuar.  Ka Hamlet ne te.  Kujtojme heronjte e tragjedise greke; vrasje, incest, shthurrje, patricid, matricid etj. 

Per sa i perket exitus acta probat debati/diskutimi mund te behet me ore te tera, dhe pas shume argumentash dhe gota vere lol, mund te mos bihem dakort.  Por ne kete rast, gjithe thelbi eshte se Lorenciazzio pasi i perjeton mjetet deri ne ekstrem, arrin ne perfundimin se ne proces, qellimi i tij zhvishet deri ne nuditet te perdhunuar (perdhunova ne emer te lirise) dhe ve ne pikepytje pikerisht qellimin, dhe jo dhe aq mjetet, apo si rrjedhoje e mjeteve.

Shkurt, morali mussetian i kesaj drame eshte PER NE ATE KOHE dhe nuk pi uje per ne ditet e sotme.

Cili eshte morali i drames se Musset?  Sipas perkufizimit tend. 

Per mesazhin apo dilemen qe paraqet dr. Fuga une personalisht do vecoja kete paragraf:

Çdo shekull, në letrat e tij, përpunon një imazh krejt të veçantë për rininë dhe rolin e saj në politikë .... Të gjithë të vlefshëm, të gjithë iluzione. Iu kanë besuar atyre breza të tërë të rinjsh, “bij të shekullit të ri”, të cilët u plakën dalëngadalë në politikë, nga shekulli në shekull, e pastaj lihen pas sa me dhimbje aq edhe me harresë të pashoqe.
 Nuk ka pjekur brezi idealin, ka qenë ideali që ka plakur brezin.
Aq sa shpesh pyetet: Janë ideale të moshës, apo vlera universale?
Të shohim se çfarë do të na ofrojë shekulli i njëzetenjë!

Sikur ta lesh menjane Lorenzaccio-n per nje moment, c'mund te thuash ne lidhje me kete paragraf? 

Po e le me dy poema te Musset. Kane nje fare lidhje me dramen, botekuptimin dhe perjetimet e Musset (per mendimin tim) por dhe me tej:

Tristess

J'ai perdu ma force et ma vie,
Et mes amis et ma gaieté;
J'ai perdu jusqu'à la fierté
Qui faisait croire à mon génie.

Quand j'ai connu la vérité,
J'ai cru que c'était une amie;
Quand je l'ai comprise et sentie,
J'en étais déjà dégoûté.

Et pourtant elle est éternelle,
Et ceux qui se sont passés d'elle
Ici-bas ont tout ignoré.

Dieu parle, il faut qu'on lui réponde.
Le seul bien qui me reste au monde
Est d'avoir quelques fois pleuré.

***

Sonnet au lecteur

Jusqu'à présent, lecteur, suivant l'antique usage,
Je te disais bonjour à la première page.
Mon livre, cette fois, se ferme moins gaiement ;
En vérité, ce siècle est un mauvais moment.

Tout s'en va, les plaisirs et les moeurs d'un autre âge ;
Les rois, les dieux vaincus, le hasard triomphant,
Rosalinde et Suzon qui me trouvent trop sage,
Lamartine vieilli qui me traite en enfant.

La politique, hélas ! voilà notre misère.
Mes meilleurs ennemis me conseillent d'en faire.
Etre rouge ce soir, blanc demain, ma foi, non.

Je veux, quand on m'a lu, qu'on puisse me relire.
Si deux noms, par hasard, s'embrouillent sur ma lyre,
Ce ne sera jamais que Ninette ou Ninon.

Monda,

Si thoshte ai burri : "do te shkruaj gjate se s'kam kohe te shkruaj shkurt" :

Dua te te pyes pak (meqe, sic e shoh, teksti i Fuges eshte pertypur me mire nga ty se nga une - e pranoj qe shkrimet e ketij Fuges me jane dukur gjithmone nje katrahure) :

A jane te Fuges keto fjale, si me poshte ?

Misioni dhe ideali im për të mbetur si figurë e lirisë dhe e drejtësisë kishte dështuar pikërisht sepse opinioni më shihte sipërfaqshëm, nga ana që i interesonte atij, pra nga aktet dhe jo nga qëllimet e mia.

- Si keshtu, opinioni te shihka siperfaqshem nese ai te sheh nga veprat dhe jo nga fjalet qe ti sh-pall gjithe diten ?
_____________________

Ne lidhje me fragmentin e Fuges, qe ti me kerkon ta komentoj :

- Sorry, por "frankly", Fuga nuk shkruan mire shqip. UNE NUK E KUPTOJ DOT SHQIPEN E TIJ. Ndoshta mangesia ime, por ja qe keshtu eshte.

Nese nuk perton, dhe meqe kam pare se ti je goxha e kuptueshme ne shkrimet e tua, a mund ta parapertypesh ti kete fragment dhe te ma japesh mua te gatshem ?

Me nje fjale, me fjalet e tua, c'ka dashur te thote Fuga ne kete fragment ? E pastaj te jap une mendimin tim.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).