Si u bëra redaktor

Çfarë të bëj tjetër?

Kjo ishte çështja që më shtrohej përpara. Unë dola në jetë dhe punoja për veten time qysh në moshën trembëdhjetë vjeç (sepse tim eti ia hëngrën shokët pasurinë; dhe megjithëse neve na la si trashëgim një emër të mirë e të nderuar, unë nuk mund të jetoja vetëm me atë pa siguruar bukën e gojës) Jetesën pra e kisha përballuar me shumë lloj mjeshtërish, po në asnjë nuk kisha shkëlqyer; po listën e kisha akoma përpara dhe isha i lirë të zgjidhja ç'të doja, në qoftë se do të desha të punoja, - sepse puna nuk më pëlqente meqë kisha qenë aq i pasur.

Njëherë u bëra shitës i një bakalli, ku qëndrova vetëm një ditë, dhe u pushova nga pronari për shkak se harxhova shumë sheqer. Më tha se dëshëronte të më kishte më mirë myshteri se shitës. Fillova e studiova drejtësi një javë të tërë, por hoqa dorë se ishte e mërzitshme dhe e lodhshme.

Pastaj u mora me studimin e farkëtarisë, por humba aq shumë kohë për ta bërë gjyrykun që të frynte vetë, sa pronari më flaku jashtë me përçmim dhe më tha se nuk do të bëja kurrë prokopi.

U pajtova për pak kohë në një librashitës, po myshterinjtë më shqetësonin e nuk më linin të lexoja rehat; kësisoj pronari më dha një leje dhe harroi t'i vinte kufi. Pastaj hyra në një farmaci, po s'pata fat sepse më duhej të shisja më tepër pompa për stomak se sa ujë me sodë.

Kështu m'u desh të largohesha. U bëra radhitës në shtypshkronjë duke menduar se një ditë do të bëhem radhitës si Franklini, po edhe këtë e humba sepse nuk gjeta vend për të fjetur në Bashkimin e Esmeraldës, dhe përveç kësaj radhitja aq me ngadalë sa i kisha zili radhitësit që kishin dy vjet praktikë.

Unë kam qenë një pilot mesatar për udhëheqjen e anijeve në St. Luis dhe Nju Orleans dhe s'kisha përse të turpërohesha për aftësitë e mija në këtë fushë; rroga ishte dyqind e pesëdhjet dollarë në muaj, përveç ushqimit, prandaj hoqa dorë nga të bredhurat dhe qëndrova shumë kohë prapa timonit, po prapë bëra një budallallëk dhe u thashë: "Tani ka marrë fund, nuk do të kthehem më në vapor të më shajnë e të më mëshirojnë".

U bëra sekretar privat, minator argjendi, punëtor në fabrikën e argjendit, po në të gjitha nuk bëra prokopi dhe tani...
Çfarë të bëj tjetër?

Iu binda thirrjes së Higbisë dhe pranova ta provoj edhe një herë mjeshtërinë e minatorëve. U ngjitëm nëpër mal dhe arritëm për të punuar në një vend kërkimesh plot gërmadha ku ndodhej një pus nja tetë këmbë i thellë.

Higbiu zbriti brënda në pus dhe filloi të gërmojë me kazmë pa u lodhur, deri sa formoi një pirg me gurë e baltë; pastaj hyra unë me një lopatë me bisht të gjatë (vegla më e pavolitshme që ka shpikur mendja e njeriut), për ta nxjerrë dheun jashtë.

Duhej t'i mëshoje lopatës përpara me gju deri sa të mbushej dhe pastaj me një vërvitje të shkathët, ta hidhje prapa shpatullës së majtë. Mirëpo unë e vërvitja dheun deri në buzë të pusit dhe ai rrëshqiste dhe më binte përsëri mbi kokë, mbi kurriz e mbi zverk. Nuk fola asnjë fjalë, po dola nga pusi dhe ua mbatha këmbëve për në shtëpi.

Atje vendosa më mirë të vdes nga uria se sa të qëroj dheun nga pusi me një lopatë bishtgjatë. U shtriva në dhomë dhe e lëshova veten në duart e fatit; si i thonë fjalës.

Shpesh herë, për të kaluar kohë, shkruaja disa letra për gazetën krahinore të Virxhinias "Përpjekja e përditshme krahinore"dhe gjithmonë mbetesha i habitur kur i shikoja të botuara. Mendimi i mirë që kisha për redaktorët, filloi të ndryshojë, sepse më dukej se mund të gjenin diçka më të mirë për të mbushur gazetën se sa shkrimet e mija. Kur u ktheva nga shëtitja, një ditë, gjeta një letër në zyrën e postës, të cilën e hapa dhe e lexova.

Eureka! (Nuk e dija ç'do të thotë Eureka, po m'u duk si fjalë e përshtatshme, gjersa s'më ra ndër mend ndonjë fjalë tjetër që të tingëllonte më bukur). Letra përmbante një propozim që të vija në Virxhinia e të hyja në punë si redaktor për qytetin i gazetës "Përpjekja..." me një rrogë prej njëzet e pesë dollarë në javë.

Këtë detyrë, mund të mos e kisha pranuar kur isha pilot, po tani isha gati t'i bija në gjunjë pronarit dhe ta adhuroja.

Njëzet e pesë dollarë në javë ishin një lluks i tepruar, - një fat, një fitim i begatshëm dhe i padrejtë. Po gëzimi im ra kur shkova ndër mend papërvojën dhe paaftësinë time për atë detyrë dhe përmbi të gjitha dështimet e shumta që kisha pasur në çdo punë.

Megjithatë, po të mos e pranoja këtë vend, duhej t'i bija më qafë ndonjërit për kafshitën e gojës, gjë që ishte e padurueshme për një njeri që nuk e ka provuar këtë poshtërim që kur ka qenë trembëdhjetë vjeç. Kjo është gjë e zakonshme dhe s'ka përse të mburrem, po n'atë kohë vetëm me këtë mund të mburresha. Kështu pra kisha frikë ta pranoja detyrën e redaktorit.

Do të kisha vendosur të kundërtën sikur të mos më kishte shtërnguar nevoja, e cila të detyron të përfitosh nga rasti. N'atë kohë edhe sikur të më thoshin të përktheja Talmudin nga hebraishtja kundrejt një rroge, do ta kisha pranuar, - megjithëse plot drojtje e dyshim, - për hir të parave do t'i jepja sa më shumë larmi që të ish e mundur.

Vajta në Virxhinia dhe fillova mjeshtërinë e re. Dukesha si një redaktor kokëshkretë, - mund ta them hapur, - pa pallto, me një kapelë të gjerë, me këmishë të leshtë bojë qielli, pantallonat të rrasura në grykën e çizmeve, me mjekër deri në mes të gjoksit dhe me një revole marine të ngjeshur pas brezit. Pastaj gjeta një palë rroba më të mira dhe e lashë mënjanë revolen.

Unë s'kisha pasur kurrë rast të vrisja ndonjë njeri dhe as që ma donte zemra një gjë të tillë, po e mbaja revolen si një gjë që u pëlqente të gjithëve dhe se po të mos e mbaja, do të bija në sy dhe mund të më sulmonin. Të gjithë redaktorët dhe radhitësit mbanin revole.

Pyeta kryeredaktorin dhe pronarin (Z. Gudmen, kështu do ta quaj sepse ky emër i përshtatet më mirë se çdo emër tjetër) për disa udhëzime lidhur me detyrën time dhe ai më tha të harboj nëpër qytet dhe t'u bëj shumë lloj pyetje shumë lloj njerëzve, të mbaj shënim përgjigjet e tyre dhe pastaj t'i shkruaj për gazetën. Në fund shtoi:

-Mos shkruaj mësojmë se ose thuhet se... ose flitet se... ose marrim vesh se..., po shko mblidh faktet e nevojshme dhe pastaj bjeri drejt ka ngjarë kjo e kjo. Përndryshe njerëzit nuk do t'i besojnë lajmet e tua. Lajmet që jep një gazetë me famë të mirë, nuk vihen në dyshim.

Çështja ishte aq e vogël sa përmblidhej në një gujavë arre; edhe sot e kësaj dite kur lexoj ndonjë artikull të ndonjë gazetari që e fillon me marrim vesh se..., kam përshtypjen se ai gazetar nuk e ka marrë mundimin të informohet ashtu si duhet. Këtë e them për të mësuar të tjerët se vetë nuk e bëja gjithmonë kur isha redaktor për qytetin. Kur kisha krizë për lajme, e lija të lirë shpesh herë fantazinë time.

Nuk më harrohet kurrë dita e parë që fillova punën si gazetar. Trapita nëpër qytet duke pyetur këdo, duke mërzitur këdo dhe shihja se ata s'dinin kurgjë. Në krye të pesë orëve, vura re se fletorja e shënimeve kishte mbetur bosh.

Ja tregova Z. Gudmen dhe ai më tha: Dani bëri një punë të mirë me karrocat e barit në një kohë të thatë kur s'kishte as zjarre as hetime.

A nuk vinë karroca bari të tjera nga Traki? Në rast se vinë, atëhere ti mund të shkruash për rifillimin e punës së tyre dhe çdo gjë që të ta marrë mendja lidhur me tregtinë e barit. Nuk është ndonjë ngjarje rrëqethëse ose e bujshme, po ka një farë interesi tregtar.

Barita përsëri nëpër qytet dhe nuk gjeta gjë tjetër përveç një kamioni të vjetër me bar që mezi po kthehej nga fshati. Atë e shfrytëzova gjer në pikën e fundit.

E shumëzova me gjashtëmbëdhjetë, e solla në qytet nga gjashtëmbëdhjetë drejtime të ndryshme, përpilova gjashtëmbëdhjetë lajme të veçanta dhe nxora një reportazh të tillë për barin, të cilin nuk e kishte parë kurrë qyteti Virxhinia.

Kjo më dha zemër. Mbusha dy kollona gazete më gërma gjashtëshe dhe prapë s'kisha mbaruar. Dhe kur filloi të më binte shkrime, atëhere shpika një kokëkrisur që vrau një person mu në mes të pijetores dhe shkrimi filloi të ngrihet përsëri. Nuk jam gëzuar kurrë për një gjë kaq të vogël në jetën time. I thashë vrasësit:

- Zotëri, ti je i huaj për mua, po më ke bërë sot një të mirë kaq të madhe sa nuk do të ta harroj kurrë. Në rast se mirënjohja ime më e madhe do të vlente si një shpërblim i vogël, atëhere merre të tërë.

Ndodhesha në pikë të hallit dhe ti më nxore nga balta me bujari në një kohë kur çdo gjë më dukej e zezë dhe e tmerrshme. Qysh sot e tutje, do të më kesh shok për kokë, sepse unë nuk jam njeri që e harroj të mirën.

Jo se ja thashë me të vërtetë këto fjalë, po të paktën më hante përbrenda që t'ja thosha. E përshkrova katilin me kujdes të madh e me hollësi, dhe kur e mbarova, e nxora aq të regjur sa çdo njeriu do t'i vinte keq që nuk e varën në vend mirëbërësin tim, që unë ta përshkruaja edhe këtë.

Pastaj zbulova disa karroca të mërguara nga vendet armiqësore të indianëve, të cilat kishin udhëtuar nëpër rrugë të prishura për të ardhur në Pazar.

E përshkrova këtë ngjarje me hollësitë më të vogla që më lejonin rrethanat dhe po të mos druaja nga prania e gazetarëve të gazetave të tjera, do t'i kisha ngjitur hollësira të tjera që do ta bënin edhe më interesante. Në të vërtetë unë gjeta vetëm një karrocë që shkonte për në Kaliforni dhe i bëra disa pyetje të zotit të saj.

Kur u sigurova nga përgjigjet e shkurtra që u dha ai pyetjeve të mija, se po largohej me të vërtetë dhe nuk do të ndodhej të nesërmen në qytet për të më nxjerrë ndonjë bela, ua hodha gazetave të tjera, sepse pasi i mora atij një listë emrash, ua ngjita të vrarëve dhe të plagosurve duke e vënë këtë karrocë në një betejë të pashëmbëllt kundër indianëve.

I mbusha plot të dy kollonat e gazetës. Kur e lexova shkrimin në mëngjes, m'u duk se më në fund, e kisha gjetur mjeshtërinë që më përshtatej.

Duke e gjykuar atë shkrim me mendjen time, shkrimi ishte me të vërtetë interesant, tamam i atillë siç e donte gazeta, - e ndjeva veten të pajisur me një aftësi dhe prirje të veçantë për atë punë. Z. Gudmen më tha se unë isha një gazetar aq i mirë sa Dani.

Unë nuk desha lëvdatë më të madhe. Me një inkurajim të tillë, unë isha gati të merrja penën dhe të vrisja të gjithë fshatarët e mërguar, po ta donte nevoja dhe interesi i gazetës.

1 Komente

Shume bukur ju u bet redaktor por tjeret duke perfshire dhe veten time po na behen kohe qe po studiojme median dhe akoma nuk e dime nese do gjejm apo jo ndonje vend pune per te siguruar buken e gojes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).