Rruga e Parë, e Dytë, pastaj Rruga e Tretë

Edi Rama ishte i ftuar së fundmi në një debat përballë analistëve me cilësinë edhe të Kryetarit të Partisë Socialiste. Të gjithë po prisnim me padurim për të dëgjuar propozimet e tij për të ardhmen e Shqipërisë. U fol përsëri për politikën e re, për shqiptarët dhe shqiptaret që në 28 qershor do të shpëtojnë nga gjendja e mjeruar ku gjenden për shkak të politikës së vjetër, për vetë z. Rama që nuk është një politikan si gjithë të tjerët që kemi parë deri tani, sepse ai përfaqëson politikën e re që ka vetëm një cilësi: nuk është politika e vjetër e karriges dhe e pushtetit, por politika e qytetarëve dhe për qytetarët. Mësuam gjithashtu se Shqipëria në plot aspekte është shumë më keq se katër vite më parë, shumë më keq në arsim, shumë më keq në shëndetësi, shumë më keq në aftësi konsumatore, shumë më keq në kontrollin e korrupsionit.
Por nuk mësuam nëse z. Rama do të përfaqësojë ose jo partinë që ai kryeson në Parlamentin e ardhshëm. As nuk na u dha ndonjë ide sesi dhe në ç’mënyrë, për hir të cilave politika apo strategji Shqipëria do të jetë më mirë në katër vitet e ardhshme.
Zoti Rama kishte ardhur në studio me dosje të cilat nuk u hapën. Programi i partisë më të madhe opozitare na mbahet ende sekret, dhe nuk na mbetet vetëm të presim për të parë se cilat janë rrugët që do të ndjekë Partia Socialiste për ta bërë cilësisht më të mirë jetën e shqiptarëve dhe shqiptareve. Pra, kjo është një çështje tjetër.
Megjithatë, Kryetari i PS-së na bëri me dije diçka thelbësore: na tregoi se cila është shtylla teorike e politikës së tij të re: “Beyond Left and Right” një libër i sociologut të shquar Anthony Giddens, i cili ka qenë edhe këshilltari më i afërt i Tony Blair. Të dy së bashku ata janë iniciatorët e “New Labour” në Britaninë e Madhe. Ky botim i Giddens, siç tha edhe vetë z. Rama daton vitin 1998 dhe do të pasohet me “Third Way” në vitin 2000, një titull që u huazua për të etiketuar ndryshimin ideologjik që po kalonte e majta (jo vetëm europiane).
Dihet se kjo lëvizje u materializua në Britani së pari, e më pas me SPD në Gjermani.
Me të drejtë kryetari i PS-së na e paraqiti këtë libër, që e kishte marrë me vete në studion e Top Story, për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë përfaqëson oratoria e tij «përtej të majtës e së djathtës».
Titulli i librit është i njëjtë me lëvizjen qytetaro-politike të z. Rama. Shqiptarët dhe shqiptaret duhet të mos shikojnë të jetojnë të ndarë e të reflektojnë sherret e partive që luajnë politikën e vjetër, por të bëhen pjesë e përgjegjshme e politikë-bërjes, të marrin pra në dorë fatet e tyre, përtej së majtës e së djathtës.
Me të drejtë z. Rama përpiqet të kumtojë se partia që ai drejton është më së pari një lëvizje qytetare, ajo është kthyer pra tashmë në një catch-all party, siç njihet në gjuhën e shkencave politike: një parti që synon të marrë vota popullore, pra nga të tëra shtresat e popullsisë. Partia Socialiste është parti e gjithë shqiptarëve, dhe z. Rama lideri i qytetarëve.
Pa dashur këtu të debatojmë rrugën e zgjedhur nga kryetari i PS-së, edhe pse shpesh në teoritë e sistemeve politike pranohet se partitë politike janë qenie historike, dhe si të tilla ndryshimet e menjëhershme në tipologjinë e partisë riskojnë alienim të elektoratit dhe indiferencë të mbështetësve, do të ishte ndoshta me vend të debatohej rreth asaj që Giddens donte të transmetonte përmes librit të tij “Përtej të Majtës dhe të Djathtës”, por edhe këtu pa hyrë në shumë detaje dhe pa marrë parasysh faktin se vetë Giddens, por edhe studiues të tjerë kanë pranuar se “Third Way”, në mos dështoi, nuk ia arriti të artikulohej siç duhej. Kriza ekonomike është një argument më shumë për të vënë në dukje disa prej mangësive të teorisë së Third Way.
Megjithatë, shkurtimisht duhet përmendur se Third Way ishte rrjedhim i dështimit kryesisht në Britaninë e Madhe të First Way (e majta tradicionale e pas Luftës së Dytë Botërore e mbështetur teorikisht nga Keynesianizmi) dhe Second Way (fondamentalizmi i tregut dhe sipërmarrjes së lirë apo Theçerianizmi). Ekonomistët, sociologët dhe politologët, mes tyre Giddens, shihnin se dukuri të tilla si globalizmi, individualizmi, fragmentarizmi social dhe pasurimi i shpejtë përmes aktivitetit sipërmarrës, sidomos të multinacionaleve, po e përballonin të majtën me një sfidë të madhe ideologjike, sepse elektorati (veçanërisht ai europian i këtyre dy-tre dekadave të fundit) po zhvendosej dukshëm djathtas, argumentet neo-liberale ishin më të fortë, por edhe më të prekshëm, si edhe e majta argumentohej se kishte mbetur pa një alternativë të qartë kundër-balancuese.
Prandaj, New Labour, e frymëzuar nga Giddens, shpallën se lufta e klasave ka mbaruar, konflikti midis liberalizmit dhe socializmit duhet të përfundojë, shteti në kushtet e globalizmit nuk mund të krijojë më solidaritetin komunitar, prandaj është koha për “Socializmin Liberal”. Përkthyer në terma politikë, kjo do të thotë “devolution”, thanë ata. Shteti duhet të shpërbëhet në një lëvizje për poshtë, duke favorizuar fort qeverisjet lokale, dhe duhet shpërbërë në një lëvizje nga lartë, p.sh. për kah strukturave supra-nacionale si EU për të përballuar sfidat e globalizimit.
Nga ana ekonomike, kjo do të thotë kufizim i funksionit të institucioneve publike dhe stimulim të organizmave privatë për të përmbushur misione të shërbimeve publike dhe komunitare. Ekonomia duhet të frymëzohet nga një etikë përgjegjësie, por duhet pranuar konkurrenca e lirë. Punësim, thoshte Blair dhe Giddens do të thotë më shumë fleksibilitet dhe më tepër vende pune të hapura nga sipërmarrja private.
“Përtej të majtës dhe të djathtës” në kuptimin e Giddens do të thotë afrim i të majtës më shumë drejt qendrës, duke përfshirë në ideologjinë e saj edhe terminologji dhe problematika që i takonin të djathtës. E majta pranon liberalizmin dhe koncepti i saj i barazisë shoqërore dhe ekonomike kthehet në barazi shansesh dhe drejtësi sociale.
Të majtët tradicionalë e kanë kundërshtuar këtë lëvizje nëpër spektrin politik, sepse kështu e majta nuk mbulon në interesat e shtresave të varfra, por përqendrohet më tepër në thithjen e votave dhe përfaqësim të shtresave të mesme.
Nuk dihet nëse edhe zoti Rama do të pasqyrojë në programin e tij elektoral të njëjtat masa socio-ekonomike që mbron libri që mbante në dorë.
Nëse do ta bënte, do duhet të shohim sesi do të diferencohet partia e tij nga partia aktualisht në pushtet, që edhe ajo është investuar në afërsisht të njëjtat linja.
Por mundet që lideri i PS-së të përdorë vetëm titullin e librit dhe t’i japë fushatës së tij elektorale një dimension krejt të ndryshëm nga New Labour dhe Giddens e Blair.
Do të na duhet pastaj ta justifikonim për këtë shmangie, sepse fundja fare shqiptarët dhe shqiptaret fatkeqësisht dhe për hir të së vërtetës, nuk janë të bashkëmatshëm me ata britanikë, gjermanë apo amerikanë. Ata nuk kanë përfituar ende nga First Way e nga Second Way, rrjedhimisht s’kanë sesi të pretendojnë të kalojnë menjëherë në Third Way.

5 Komente

Edi Rama gjate ketyre viteve si person publik,ka pasur shume here kthesa 180 gradeshe...Ne jeten tokesore eshte pak veshtire te kesh shume here kthesa te tilla p.sh. nuk mund te jesh komunist ,monarkist,e pastaj katolik i qendres...Jane zgjedhje qe per tu bere persembari kerkojne reflektime te thella ,serioze  e ne kohe...Kjo e ben nje person shume pak affidabile e me nje mungese koherence intelektuale e politike skandaloze....Kapriçiot e Rames jane gjeja me e paket per te cilen kemi nevoje....

Eshte interesant paradoksi qe pershkon artikullin e mesiperm. Gazetarja merr disa pjeseza nga mozaiku i Top Story dhe na i servir ketu duke mundesuar nje konceptim shume te kufizuar te situates, por nuk mjaftohet me kaq, fillon e na shpjegon edhe aplikimin e ketyre platformave politike ne Angli dhe pse ne fund kujtohet qe shqiptaret nuk mund te barazohen me anglezet.

Cuditerisht harrohet nje fakt shume i rendesishem qe ekziston ne Shqiperi, fatkeqesisht (apo fatmiresisht?!) ketu nuk ka ende parti me baza elektorale te mirefillta, cka do te thote qe ketu asnje parti nuk mbron interesat e nje klase te caktuar shoqerore, pra ne kemi nje te majte qe mbron interesa gjithperfshirese (keshtu ka qene dhe me pare), nje qender qe pothuajse eshte inekzistente ne objektivat e saj dhe nje te djathte gjitheperfshirese gjithashtu, pasi ne Shqiperi vazhdon te kete nje amulli dhe rrumpalle te pashoqe dhe marrja e pushtetit nuk kerkon me domosdoshmeri perfaqesimin e interesave te klasave te caktuara shoqerore. Ne kete kendveshtrim, nje platforme pertej ketyre rrymave politike inekzistente ne thelb ne Shqiperi nuk ka perse te shkaktoje krijimin e nje tymnaje te paarsyeshme, ne fund te fundit elektoratit shqiptar tani per tani i intereson plotesimi i nevojave te tij me jetike, siguria e jetes se cdo individi, rritja e nivelit te arsimimit, rritja e nivelit ekonomik, ulja e papunesise, pra me pak fjale permiresimi i jetes ne nje nivel mbi-mesatar (niveli i sotem eshte poshte zeros). Perballe ketyre edhe shume nevojave te tjera te shqiptareve, nuk mendoj se qendron e ardhmja elektorale e partive apo bashkimi ose ndarja e ideologjive politike te tyre.

Ne lidhje me Ramen, me duket shume alogjike te diskutohet jeta personale e tij, potenciali politikberes dhe shtetformues tek individet nuk percaktohet nga ekzistenca e marteses apo divorcit ne jeten e tyre....

Autorja lidh shume bukur endrren me realitetin.

Edi, ne propagand e siper ka gjetur diçka te bukur.

Pertej se majtes, pertej se djathtes.

Pyetja qe shtrohet zgjedhesve eshte;

"Kush do i perfaqesoje keto "pertej" ne kuvend?"

Cili eshte programi i partis, ç'fare don te thote "pertej" ne çeshtjet e pazgjidhura Shqiptare, pronat, dosjet, investimet, reformat per vendoret, taksat, masmedia, drejtesia.???????????????

Jane shume pyetje, SI ?

pershendetje autorit te shkrimit

ne te vertete ne Shqiperi mungon debati per politika te majta apo te djathta

gjithcka eshte fokusuar ne nje debat te ngaterruar dhe jo transparent per tatimet dhe taksat

Third Way sic e permend edhe autorja eshte levizje e te majtes drejt qendres.

Eshte nje grup politikash dhe filozofi qe kundershton socializmin strikt, qe jane te marrosur pas nderhyrjes se shtetit kudo dhe gjithashtu politikat neo-liberale te tregut etj.  Kjo filozofi eshte per sipermarrjen private, pasurine etj., por eshte edhe per "drejtesine sociale" dhe qe shteti duhet te kete rolin kryesor ne kete.

Cilat nga keto politika ka Rama dhe ku dallon nga PD-ja pasi ne pergjithesi te njejten menyre ka; filozofine e djathte ta lehtesoje me politika qe zakonisht kane qene te se majtes?  Por me nje ndryshim thelbesor, PD-ja, nen lidershipin e Berishes eshte e mire shprehur dhe e qarte ne kete (edhe me koston e kritikave nga te djathte te forte), ndersa Rama ka vetem sllogane te tipit "pertej te majtes dhe te djathtes", "nje program, nje ekip, nje lider" qe jo vetem jane gjera bosh pa permbajtje, por edhe shqetesuese pasi jane perdorur dhe kane nje prejardhje nga diktatore dhe totalitarizma.

Rama, qe do "bashkoje qytetaret" (shqetesuese kjo!) dhe qe eshte "pertej te majtes dhe te djathtes", cfare konkretisht ofron per shtresa te tjera te shoqerise qe zakonisht nuk votojne per te majten?  Si do ta materializoje kete sllogan per sipermarresit private, per rolin e shtetit, privatizimin dhe sherbimet publike, taksat etj.  Po per shtetin social, shtresat ne nevoje etj.  Po kritika nga te majtet qe kritikojne kete levizje pasi largohet nga shtresa e varfer apo e ulet dhe afrohet tek shtresa e mesme, ku eshte?

Mesa duket Rama ka marre vetem titullin e librit nga Giddens, Beyond Left and Right, pasi permbajtja eshte alla-Rama, propagande shpesh here me frymezim dhe fjale nga diktatura, per te genjyer shqiptaret qe te realizoje synimin e tij per karrigen, te cilen kerkon ta marre me cdo cmim dhe kusht, dhe kjo eshte dicka tjeter shqetesuese.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).