Rrethimi mediatik i Polit të Lirisë

Poli i Lirisë, aleanca më e gjerë e forcave të djathta jashtë koalicionit në pushtet, po shkon drejt organizimit përfundimtar të strukturave të tij elektorale. Një ditë më parë ata prezantuan bordin drejtues të këtij koalicioni, ndërsa po shpejtojnë të shpërndajnë kryesitë e listave në të gjitha qarqet.

Ish-pronarët, ish-të persekutuarit, elementë të papajtueshëm me politikat e PD dhe koalicionit në pushtet dhe ish-figura të rëndësishme të Partisë Demokratike janë bashkuar në një koalicion të ri, me shpresë se do të mbrojnë përfaqësimin e tyre politik jashtë ombrellës së PD.

Nëse i shikojmë realisht shtresat që kanë deklaruar aleancë me këtë koalicion të ri politik, kemi arsye të besojmë se kanë një identitet të qartë politik. Ish-pronarët janë pjesa më e diskriminuar nga pushteti i PD. Ata, jo vetëm që nuk arritën të marrin pronat e tyre, por me ligjin e legalizimit ata humbën çdo shpresë që të kompensoheshin për tokat e tyre që ua rrëmbyen para syve, pas vitit 1990. Ky fenomen është shumë i ndjeshëm, jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por dhe në Jug të Shqipërisë, sidomos në bregdetin nga Semani e deri në Ksamil. Pronarët u anashkaluan në procesin e kompensimit real dhe janë poshtëruar me procedurat ku duhet të përfshihen për t’u kthyer tokën e tyre.

Po ashtu, ish-të persekutuarit kanë humbur shpresat se do të arrijnë të kenë kohë të marrin sadopak nga fondi i dëmshpërblimit që është llogaritur të ndahet për ta në dy dekada.

Këto dy shtresa tradicionale, që ishin mbështetja natyrale për PD, tani kanë shprehur mbështetjen e tyre për Polin e Lirisë. Së bashku me ta ka disa ish-figura të njohura të PD të shkëputura në kohë prej saj për shkak të mungesës së rregullave demokratike dhe devijimit të saj programor.

Por problemi kryesor që po has ky koalicion është mënjanimi mediatik dhe mungesa e vëmendjes ndaj tij për shkak të vonesës që ata kanë në organizimin elektoral. Në të vërtetë, gjerësia e shtresave që përfaqëson koalicioni dhe qartësia e identitetit të tij politik, është në kontrast me vëmendjen që ka ndaj tij media shqiptare dhe lajmet që prodhon ai koalicion. Ndryshe nga dy koalicionet e mëdha, ku listat janë problematike, pasi duhet të jenë të renditura në koalicione të tilla si Poli i Lirisë, efekti i listave të renditura është zero, pasi partitë e vogla brenda tij praktikisht garojnë në një mënyrë të tillë që fiton ai kandidat që merr më shumë brenda tyre. Pra, paraprakisht në koalicione të tilla listat e renditura nuk kanë vlerë, dhe disa individë mund të bëhen efektivë për ta bërë të suksesshëm këtë koalicion në secilin qark.

Mënjanimi mediatik i këtij koalicioni pikërisht për shkak të këtij prioriteti që ai ka në zgjedhje, stimulohet dukshëm nga koalicioni në pushtet, i cili e shikon atë si problem real për t’i marrë disa emra, të cilët mund të ndahen të pakënaqur me listat e renditura të PD. Duke qenë se brenda Polit të Lirisë ka disa parti dhe secili individ mund të zgjedhë dikë prej tyre për të garuar në qarqe të ndryshme, rreziku për të dëmtuar PD rritet realisht. Shmangia e Polit të Lirisë nga media dhe fokusimi vetëm te dy forcat kryesore plus LSI është e ndryshme nga skema e vitit 2005, ku së paku skema funksiononte më e balancuar duke konsideruar dhe LSI, dhe LZHK me të njëjtin standard.

Ky mënjanim i “justifikuar” dhe me vonesën e riorganizimit të këtij koalicioni duket se ka mbetur arma e vetme për të lënë pa adresë votat që nuk shkojnë më drejt PD. Nga mënyra se si lidershipi i këtij koalicioni do ta çajë këtë rrethim mediatik, do të varet shumë rezultati i tyre në këto zgjedhje dhe mundësia që ata të bëhen një pakicë përcaktuese pas zgjedhjeve.
 

3 Komente

Me Polin e Lirise jane bashkuar ca pronare dhe ndonje ish i persekutuar politik, por jo se ky koalicion perfaqeson keto shtresa.  Kjo eshte rrene meriste.

PD-ja eshte perfaqesuesja reale dhe tek e fundit me e mira e mundshme per keto shtresa.

Per te persekutuarit eshte miratuar ligji dhe po behet demshperblimi, duke futur ketu edhe ata qe disa socialiste i quajten kolaboracioniste.  Ndersa per pronaret jane hedhur hapa per kompensimin e tyre:  Kompensimi financiar, duke futur ketu edhe parate qe perfitohen nga legalizimet dhe kompensimi fizik.

Ne fakt Poli i Lirise nuk i shkakton dem PD-se dhe duhet shikuar me dashamiresi, pasi mund te beje te vlefshme voten e shume qytetareve te djathte qe nuk votojne per PD, por kjo nuk behet me njerez si Nard Ndoka apo Gilman Bakalli.

Aktualisht PD-ja po perballon e vetme establishmentin e kuq te ndare ne grupe politike me emra te ndryshem.  Eshte establishment i forte shume, ne sensin organizativ, te lidhjeve, gatishmerise etj.  Eshte parti apo organizim politik 68 vjecar. 

Krahut te djathte politik i duhet nje alternative qe grumbullon votat e te djathteve te pakenaqur me PD, sic eshte rasti me LSI ne krahun e majte. 

 

PD-ja eshte perfaqesuesja reale dhe tek e fundit me e mira e mundshme per keto shtresa.

Po, shume e drejte! Prandaj PD-ja ndorri ligjin tip "Reforma Agrare 1945" #7501 me moton komunare "Toka i takon atij qe e punon." Apo qe programi i PD-se eshte me "social" se ai i Partise Socialiste, etj. etj.

Sinqerisht polo, i beson vete kto qe shkruan?

Meqe jemi tek diskutimet per te Djathten ne Shqiperi, eshte rasti te ju perkujtojme te djathteve se nese nuk vleresojme voten, nese nuk japim mbeshtetjen per organizimin politik te qendres se Djathte ne Shqiperi, qe eshte PD-ja, rrezikojme te na kthehen perseri ata qe ishin ne '05 dhe zaten qe nga '45 kane qene aty, me nje shkeputje te vogel.  Pastaj mos u qani si grate e liga kafeneve dhe forumeve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).