Rrahin kolegët, shpëtojnë të dyshuarin

Incidenti në Gjirokastër, nga shoferi i drejtorit të policisë dhe një oficer i Gardës

Shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës ndihmon një të dyshuar të kalojë postbllokun. Inspektorët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë pezulluar dje nga detyra policin Blerim Mëhilli, me detyrë shofer i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Arben Hyseni, pasi gjatë një incidenti, bashkë me një person të prezantuar si oficer i Gardës së Republikës, kanë rrahur me grushte pjesëtarë të patrullës së kombinuar të shërbimit të policisë rrugore dhe të grupit të gatshëm. Kjo përplasje ka ndodhur mbrëmjen e së të shtunës, në kryqëzimin që lidh rrethet e Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit, në afërsi të Urës së Leklit dhe që përveç grushteve janë nxjerrë edhe armët.

Dëshmitarët në vendngjarje bënë të ditur se përplasja mes policëve në shërbim, shoferit të drejtorit dhe shoqëruesit të tij të panjohur ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së këtyre dy të fundit, për të mos kontrolluar një makinë të ndaluar në postbllokun policor të ngritur në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, gjë të cilën e ka kundërshtuar edhe drejtuesi i automjetit të bllokuar.

Postblloku i vendosur në kryqëzimin e rrugëve që vijnë nga Tri Urat e Përmetit dhe Kakavija është pjesë e një operacioni të vetë policisë, me qëllimin për të luftuar trafiqet e lëndëve narkotike dhe njerëzore në këto zona pranë kufirit. Ngjarja është konfirmuar zyrtarisht vetëm një ditë më pas nga Drejtoria e Policisë së Qarkut. Në komunikatën e shpërndarë dje nga kjo drejtori, thuhet se përplasja ka ndodhur kur nga ana e punonjësve të policisë, të cilët kryenin shërbim në postbllok, është ushtruar kontroll në automjetin tip BMW, me targa GJ8420A, me drejtues shtetasin Qëndrim Çela, lindur dhe banues në fshatin Krahës të rrethit Tepelenë.

Pasi në postbllok ka mbërritur automjeti tip BMW, policët i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit jo vetëm që nuk ka pranuar të japë për verifikim dokumentacionin e automjetit, por ka kundërshtuar edhe kërkesën e përsëritur për kontrollin fizik të automjetit. Ai është justifikuar se nuk kishte dokumente, sepse "i disponon shefi që po vjen nga pas". Kjo fjali nuk është marrë në konsideratë nga ana e policëve, të cilët kanë insistuar në kontrollin fizik. Nuk kanë kaluar shumë minuta dhe menjëherë në vend ka mbërritur shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, Blerim Mëhilli, së bashku me shtetasin Evis Mërtiri, lindur dhe banues në fshatin Krahës të rrethit Tepelenë me detyrë punonjës policie në Gardën e Republikës, që udhëtonte me një veturë me targa të huaja. Këta dy persona kanë debatuar me punonjësit e postbllokut të policisë, për arsyen e ndalimit të shtetasit të lartpërmendur, pasi edhe këta shtetas kanë qenë në gjendje të dehur.

"Më pas, debati ka degjeneruar, kur shtetasit e lartpërmendur kanë goditur me grushte në fytyrë njërin prej punonjësve të policisë së Komisariatit të Gjirokastrës. Forcat e policisë në postbllok kanë ndërhyrë për të normalizuar gjendjen dhe shoqërimin e personave për në komisariat, por shtetasit Evis Mërtiri dhe Qëndrim Çela janë larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës", thuhet në komunikatën e policisë.

Grupi i policëve të shërbimit ka kërkuar identifikimin e personit shoqërues të shoferit të drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, që është prezantuar si oficer i Gardës Kombëtare, duke treguar një dokument që nuk u arrit të verifikohej në moment, për shkak të incidentit të ndodhur. Në përplasje e sipër shoferi i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës ka goditur me grushte inspektorin e policisë së rendit, Armand Gabën nga Lazarati, duke i shkaktuar plagë në syrin e majtë. Ndërkaq, personi i prezantuar si oficer i Gardës, ka nxjerrë armën e zjarrit, duke kërcënuar Gabën. Duke përfituar nga kjo përleshje trup më trup, në prezencë edhe të policëve të tjerë të grupit të gatshëm, shoferi i ndaluar, që nuk kishte pranuar t‘i kontrollohej automjeti, është larguar me shpejtësi, duke i lënë policët të ziheshin me njëri-tjetrin. Menjëherë pas këtij skandali të rëndë, policët e postbllokut të ngritur kanë informuar sallën operative dhe eprorët e tyre.

Në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, thuhet se nga ana e saj janë marrë masa të menjëhershme për këtë ngjarje, duke pezulluar nga detyra punonjësin e policisë, Blerim Mëhillin dhe nisjen e proceduarave disiplinore ndaj tij, si dhe vazhdon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë, të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes.

2 Komente

Rendesi ka qe e kemi meritue futjen ne NATO, paveresisht se policet i kemi akoma rrugace.

TRAFIKANT THUAJ

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).