Raporti, çfarë ka ndodhur në Kuvend

TIRANË- "Shoku i mirë në ditë të vështirë". Një shprehje popullore kjo që i shkon për shtat edhe sjelljes së deputetëve tanë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët shpeshherë bëhen shpëtimtarë të rrogës së kolegëve të tyre duke çekuar prezencën apo duke votuar për ta edhe kur nuk janë fare të pranishëm në sallë, dhe duke vënë në këtë mënyrë në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të këtij institucioni. Një praktikë e përhershme kjo tashmë në Parlamentin shqiptar, e evidentuar edhe gjatë vitit 2008 në dy sesionet e tij nga skuadra e "MJAFT"-it, "Unë votoj".

Konstatimi

Edhe për vitin që lamë pas "MJAFT", në raportin e tij të vëzhgimit parlamentar, vëren se mbetet shqetësues fakti që edhe gjatë këtyre dy sesioneve parlamentare, me gjithë ndryshimet teknologjike të ndërmarra nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, kanë vazhduar shkeljet e rregullave të përcaktuara për mënyrën e votimit të deputeteve, duke shkelur një sërë nenesh të kësaj rregulloreje, që janë dhunuar në mënyrë të vazhdueshme nga deputetët.

Sipas vëzhgimit që pasqyrohet në këtë raport, vërehet një shtim i numrit të procedurave të dhunuara, ku disa nene të Rregullore së Kuvendit janë shkelur vazhdimisht nga 15 deputetet të grupeve të ndryshme parlamentare, ku dhe përcaktohet në mënyrë të qartë që "votimi është vetjak" dhe që "e drejta e votës nuk delegohet".

Duhet theksuar se disa prej këtyre deputetëve e kanë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme këtë shkelje, pra kanë votuar për kolegun në më shumë së një rast. Si rrjedhojë e kryerjes së kësaj shkeljeje procedurale, vihet në pikëpyetje edhe ligjshmëria e 16 nismave ligjore që janë votuar nga deputetët në shkelje të rregullores.

Deputetët

Stefan Çipa rezulton në këtë raport si parlamentari më "dorëgjatë" në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është kapur nga skuadra "Unë votoj" të paktën tre herë, duke votuar për kolegun e tij në krah.

Më konkretisht, bëhet fjalë për seancën plenare të datës 27.03.2008, ku Çipa ka votuar për kolegun për prezencën në sallë, për seancën plenare të datës 30.10.2008, ku Çipa me deputetin tjetër socialist, Ndriçim Hysa, kanë votuar për kolegun, gjatë votimit për projektligjin

"Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar", si dhe për seancën e datës 24.11.2008, ku ai ka votuar për kolegun gjatë votimit të projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999, "Për barrët siguruese", të ndryshuar".

Të dytët në listën e deputetëve që nuk kanë respektuar rregulloren për këtë çështje, renditen dy deputetët e tjerë socialistë, Andis Harasani dhe Flamur Hoxha, të cilët kanë votuar të paktën dy herë për kolegun gjatë dy sesioneve të shkuara parlamentare.

Në seancën plenare të datës, 31.01.2008, deputeti, z. Andis Harasani, ka votuar për kolegun, projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për disa çështje ekonomike dhe tatimore", ndërsa në seancën plenare të datës 28.02.2008, ai ka votuar për kolegun për prezencën në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Në listën e deputetëve që kanë shkelur rregulloren duke votuar për kolegët e tyre janë edhe Luan Skuqi, Rajmonda Stefa, Engjëll Cara, Ilir Bano, Blerim Çela, Kastriot Islami, Hajrrulla Paturri, Aleksandër Biberaj dhe Alfred Gega. Këto të dhëna, përveçse tregojnë rastet e shkeljes së rregullores së Kuvendit, vënë në pikëpyetje gjithashtu edhe ligjshmërinë e këtyre nismave ligjore që janë votuar gjatë këtyre seancave.

------------------------------------------------------------------------

Në toplistën e komisioneve antirregullore, është ai i Punës dhe Shëndetësisë, që pasohet nga Komisioni i Ekonomisë.

Shkelja, komisionet bëjnë
mbledhje me tre anëtarë

TIRANË- Aspak pozitive paraqitet situata edhe për veprimtarinë parlamentare në komisionet e përhershme dhe të posaçme. Sipas raportit të publikuar dje nga "MJAFT"-i, vërehet si shqetësues fakti që, gjatë vitit 2008, kanë qenë jo të pakta rastet kur mbledhjet e komisioneve janë zhvilluar pa kuorumin e duhur.

Nga monitorimi që është pasqyruar në këtë raport, evidentohet se kjo lloj shkeljeje e përsëritur ka bërë që shumë nisma ligjore të miratohen pa kuorum, çka e bënë vendimmarrjen të pavlefshme. Kështu, sipas këtij raporti, rezulton se komisionet që e praktikojnë më shpesh këtë shkelje janë komisionet e dorës së dytë, siç është ai i Veprimtarisë Prodhuese, i cili mban edhe rekordin e mbledhjeve dhe vendimmarrjeve pa kuorum, me plot 26 raste të tillë.

Kështu, ky komision nuk i ka të pakta rasatet kur mbledhjet e tij i zhvillon me një numër minimal deputetësh të pranishëm, ku më ekstremi është ai me prezencë 5, nga 15 që janë gjithsej. Vendin e dytë për nga shkeljet e kësaj natyre e zë komisioni i Ekonomisë dhe Financave me 8 mbledhje pa kuorumin e duhur. Më pas vjen Komisioni i Ligjeve me pesë mbledhje pa numrin e duhur të deputetëve për të zhvilluar një mbledhje.

Por, rastin më ekstrem e ka shënuar Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, i cili më datë 07.04.2008, ka nisur punën për shqyrtimin e projektligjit "Për një shtesë në ligjin nr. 8685, datë 09.11.2000, "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë", të ndryshuar", me vetëm 3 anëtarë nga 13 anëtarë që ka ky komision.

Gjithashtu, shkelje të rregullores janë hasur edhe në ato pika ku përcaktohet veshja zyrtare për deputetët për pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e komisioneve dhe seancave, si dhe për mospirjen e duhanit në këto ambiente.

--------------------------------------------------------------------------------------------

 


PD-ja ka numrin më të madh të nismave, por shumë herë më të vogël për një parti që ka mazhorancën.


Nismat ligjore, partitë mbesin në klasë

TIRANË- Partitë politike mbeten shumë pak të angazhuara në realizimin e premtimeve dhe programeve të tyre politike dhe qeverisëse.

Legjislatura e shkuar dhe vendimmarrja parlamentare gjatë saj, tregon se shumica e premtimeve të bëra nga forcat politike gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005, nuk kanë qenë gjë tjetër, veçse një mënyrë për të marrë votat e shqiptarëve. Kështu, nga monitorimi dhe krahasimi që ky raport u bënë prioriteteve të shpallura nga forcat politike gjatë zgjedhjeve dhe vendimmarrjes në Kuvend, rezulton se ato janë shumë pak të qasura me njëra-tjetrën.

Nga monitorimi i 161 çështjeve gjatë seancave plenare, rezulton se Partia Demokratike, përmes grupit të saj parlamentar, ka arritur të qasë me platformën e saj elektorale 32 nisma ligjore, d.m.th., vetëm 19% të totalit të ligjeve, një shifër kjo më e madhe se 16% e sesionit të kaluar, por gjithsesi tepër e ulët për një parti që ka mazhorancën parlamentare.

Ndërkohë, duhet theksuar se për shkak se PD-ja është forca më e madhe qeveritare, ajo është edhe nismëtarja më e madhe e projektligjeve në Kuvend. Gjithashtu, një tjetër forcë e spektrit të djathtë që sot në vend ka pushtetin dhe që është bërë objekt i këtij monitorimi, është edhe Partia Republikane, grupi parlamentar i së cilës ka arritur të prekë platformën e premtimeve zgjedhore me 45 nga 161 nisma ligjore, ose 28% të këtyre nismave të monitoruara.

Edhe kjo parti shënon një rënie në qasjen e nismave ligjore me premtimet zgjedhore, krahasuar me sesionin e kaluar, ku niveli i qasjes ishte 32.1%. Nga ana tjetër, Partia Socialiste, megjithëse në opozitë, ka mundur të qasë me premtimet e saj 38 nga 161 nisma ligjore të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë dhe të monitoruara nga skuadra "Unë Votoj".

Pra, partia më e madhe opozitare në Kuvendin e Shqipërisë ka përmbushur 23,3% të premtimeve të saj elektorale, prezantuar votuesve shqiptarë në fushatën zgjedhore të vitit 2005.

Ndërkohë, edhe pse në mungesë të votave të duhura, PS-ja ka paraqitur 7 nisma ligjore, siç ishte ai "Për një shtesë në Kodin e Procedurës Civile", "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke", apo projektligjin për dhunën në familje, etj. Nga monitorimi i seancave plenare nga skuadra "Unë Votoj", rezulton se Lëvizja Socialiste për Integrim ka prekur me platformën e saj elektorale 39 nga 161 nisma ligjore.

2 Komente

Shkrimi i mesiperm i eshte referuar te dhenave te Mjaftit; lidhur me deputetet tane dhe veprimtarine e tyre pak gjera kane mbetur pa u mesuar, sepse shtypi i ndjek ata deri ne aspekte te jetes private dhe s'ka gje me per t'u habitur.

Por persa i perket raportit te Mjaftit, te skuadres "Une votoj" shpreh dyshimet e mia per te dhenat e mbledhura nga kjo organizate dhe seriozitetin e punes se saj nisur nga individet qe e drejtojne ate: femije me delir madheshtie, te etur per pushtet e per pasurim te shpejte dhe sidomos, per protagonizem.

Jo shume dite me pare verifikova akuzat e tyre ndaj nje institucioni. Thene shkurt: "Futja kot!" 

Ndaj dhe shkrimi me siper me duket jo i besueshem.

  

Raporti behet nga nje grup monitoruesish te trajnuar, qe e ndjekin minute per minute parlamentin ne veprimtarite e veta. Raporti eshte i shoqeruar me faktet, fotografite, grafiket dhe shifrat. Ka tashme tre vjet qe behet, ne menyre periodike, dhe deri me sot nuk ka dale ndonje deputet qe te pergenjeshtroje, edhe ne rastet kur ka patur kontestime.

Edhe pse nuk ka ndonje konsistence logjike prej akuzes ne akuze (po te kerkosh logjike ne kete vend tashme eshte luks), cilen akuze te tyre vertetove para ca ditesh qe paskerka qene futja kot?

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).