Pse tani zoti Karamanlis!

Verë 2005. Ministri i Jashtëm grek, Petros Moliviatis,po përgatiste vizitën e tij të radhës në Shqipëri, kur u ftua, në kanale diplomatike nga autoritetet shqiptare, që ta shtynte për më vonë ardhjen në Tiranë. Arsyeja ishte e thjeshtë: fushata elektorale ndodhej në kulmin e saj dhe prania e një zyrtari të lartë grek mund të lexohej si një sinjal mbështetjeje për qeverinë e kohës. Katër vjet më vonë, një tjetër zyrtar i lartë grek, kryeministri Karamanlis, nuk e ka më këtë problem. Ai erdhi dhe shkoi, duke lënë pas vetes vazhdën e reagimeve, pikëpyetjeve dhe dilemave. Më shumë të medias sesa të politikës.

As çështja çame, as ajo e Kosovës, Ligji i Luftës apo edhe statusi i emigrantëve tanë në Greqi, nuk u cekën fare në takimet që ai pati me palën shqiptare. Të paktën ne, qytetarëve të këtij vendi nuk na u krijua kjo përshtypje, pasi nuk na u komunikua asgjë. Kryeministria u mundua dje t'i bëjë makijazh heshtjes kryeministrore, duke njoftuar se problemi i pronave çame është trajtuar në bisedimet dypalëshe. Një rast ky që e zbulon edhe më keq pozitën e kompleksuar dhe qesharake në të cilën është zhvilluar vizita e Karamanlis në Tiranë.

Karamanlis nuk erdhi gjatë tre vjetëve, që nga zgjedhja e tij si kryeministër, në Tiranë. E la për ta bërë këtë "qokë" në mes të fushatës elektorale në Shqipëri. Një gjest i pazakontë, krejtësisht jo-protokollar dhe turbullues, për sinjalet e hapura dhe të fshehura që dha. Vështirë, për shembull, që Obama ose dikush tjetër nga liderët e tjerë botërorë, do të zbrisnin në Athinë pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve. Megjithatë momenti që kreu i qeverisë greke zgjodhi për të vizituar Tiranën, përbën ndoshta detajin më të vogël për të polemizuar për një vizitë, ku edhe një herë kemi mbajtur shënime, e ku, mesa duket, kemi folur dhe na kanë dëgjuar shumë pak. Marrëveshjet tip "Shën Naum" që u nënshkruan, tregojnë sesa të "urtë" kemi qenë.

Karamanlis na tha se vendi i tij do të na mbështesë në rrugën drejt integrimit në Europë. Fare e pavërtetë! Greqia e tregoi me vepra sesa mbështetje i dha këtij procesi jetik për ne, kur e ratifikoi e fundit ndër vendet anëtare, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Afrimi i Tiranës me Brukselin, sa i përket rolit të Athinës, ka kaluar rregullisht në dekadën e fundit, nëpër "lupën" e interesave greke në Shqipëri. Ky proces është kushtëzuar kohë pas kohe me plotësimin e njërës apo tjetrës kërkesë që pala greke ka patur ndaj qeverive tona, e kjo nuk është ndihma më e sinqertë që mund t'i jepet një vendi të vogël fqinjë në nevojë. Kur në horizontin e marrëdhënieve tona tërhiqeshin një çast problemet e minoritetit grek, shfaqeshin papritur varrezat e ushtarëve të luftës italo-greke, kur binte qetësia mbi dosjen çame, dilte në pah problemi i Kosovës apo rivaliteti i heshtur me Romën dhe Ankaranë, ose marrëveshje të habitshme si ajo e shelfit bregdetar. Në mënyrë konstante dhe provokuese, Athina zyrtare i ka ndërtuar marrëdhëniet me ne, duke u nisur nga vetëm dhe ekskluzivisht nga interesat e saj. Jo se kjo është parimisht e gabuar. Një shtet vendos para së gjithash interesat e tij mbi ato të fqinjëve, por gjithsesi jo në mënyrë kaq të vrazhdë e imponuese, saqë çdo kompromis me shqiptarët të ketë rregullisht shijen e humbjes për këta të fundit.

Gjatë vizitës së fundit në Kinë, zoti Berisha e ka diskutuar me palën kineze problemin e njohjes së Kosovës. Nuk ka marrë ndonjë përgjigje-surprizë, por gjithsesi ka bërë detyrën e tij si shqiptar dhe si përfaqësues i lartë i një shteti që ka një detyrim të caktuar ndaj shtetit të ri kosovar. Nuk kemi asnjë element për të gjykuar nëse kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Greqisë të kenë biseduar lidhur me faktin që Greqia, fuqia kryesore rajonale në Ballkan, vijon të jetë njëri ndër katër vendet europiane që refuzojnë të njohin shtetin më të ri të kontinentit. Mbyllja e gojës së mediave bëri më shumë zhurmë sesa e kundërta e saj, pra lejimi i pyetjeve nga ana e shtypit. Ajo tregon se të dy kryeministrat kanë patur arsye të prekshme, për t'i rrëshqitur përballjes me mediat.

Të gjithë kryeministrat paraardhës të zotit Berisha, kanë guxuar në një formë ose në një tjetër, që ta ngrenë qoftë edhe me gjysmë zëri problemin e pronave çame. Berisha zgjodhi të kundërtën e kësaj; ai deklaroi se mes dy vendeve nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur. Kryeministri shqiptar duket se ka blerë me këtë heshtje vetë vizitën e homologut të tij në Tiranë. Një gjë aspak korrekte për postin që mban dhe atë që duhet të jetë qëndrimi zyrtar i vendit tonë, ndaj një problemi që prek disa dhjetëra mijë shqiptarë që sot kërkojnë varret e të afërmve dhe pronat e ligjshme. Mbyllja e gojës për problemin çam nuk do të thotë automatikisht se ky problem nuk ekziston. Shpesh gjërat që fshihen janë ato më të dukshmet. Megjithatë, mesa duket, pazari i vizitës së Karamanlis në Tiranë ka qenë i qartë dhe i prerë: ne, qeveria dhe opozita, mbyllëm gojën dhe hodhëm firmat për të mos vënë në siklet mikun. Kurse vetë miku na begenisi në këtë moment delikat zgjedhjesh? E çfarë duam më tepër se kaq?!

15 Komente

Nacionalizmi shqiptar ka nevoje per mbeshtetje ,bashkeveprim , e ndihmen shteterore......deri me sot eshte privat e jo shteteror...ka ardhur  koha qe te ngreme zerin per Arvanitet ,fqinjit tone jugor te cilet konsiderohen nga UNESKO NE PRAG ZHDUKJEJE  Kjo eshte me urgjente se ceshtja Came

C'fare thuaj o Adriano pash zotin, neve nuk po mbajme dot  keta kokpalaret tane qe jane bere te te gjithe "Jorgo"dhe po na flasin greqisht me "theks" edhe kur shkojne ne Shqiperi,ti thuaj arvanitasit... Per camet po qe duhet te kembengulim.

Sa për në greqi, patriotizmi ynë është tepër figurativ dhe i varfër!
Vet fjala patriotizëm kaq shum e përdorur është e barazvlefshme me fjalën shqip ATDHEDASHURI të cilën e kemi mbytur përbrënda si dhe  vetëmohimin e të qënit SHQIPTAR në greqi....! smiley 

Rrofte rrofte karamalis.Ne andej nga anet tona i themi keshtu"Lumi qe mori Vunon pse s'mori dhe Qeparon"Po ju qe me vajtoni dhe jetoni ne memdheun tone te dashur e qe jeni pjestare te OJQ-ve,PJQ-ve,KRRQ-ve,VKQ-ve e plot e plot VE-ve qe gjallojne neper Tirane,pse nuk i mblodhet njerzit e te kerkonit gjithe keto gjera qe thuhen ne shkrim.Po"Mjafti" ku ishte pse nuk doli e ti thonte MJAFT ketyre politikave,apo se la xhaxhi Edvini.

Adrian me ate ceshtjen e Arvanitve ja ke fut kot po kot fare se Arvanitet na urrejne me shume se na urrejne Greket.Me mire te shuhet fare dhe ajo pak gjuhe qe u ka ngelur dhe flem mendjen.Ne po na iken brezi ri qe jeton ne Greqi ti me thua per ata qe u eshte ber gjaku uje.Niprit dhe mbesat e mi nuk dine te shkruajne SHQIP dhe u them me shkruani anglishte se dhembe me pak,mbasi me shkruajne ndonjeher greqishte.

Nuk kane faj niperit e tu, or Tunxh; fajin e kane nena dhe baba i tyre, qe nuk kane as gjak e as karakter (ose greku i ka shkaterruar deri ne palce!!!). Mos u kerko femijeve llogari, po atyre qe u japin buke femijeve. Duhet te jesh njeri me shume karakter, me shume nerv dhe moral dhe parime teper te forta qe te arrish te lesh nje fare mbrese ne nje foshnje qe foshnja me pas (pa ia kerkuar apo detyruar) te kerkoje vete te mesoje per gjakun e te atit apo te emes.

Mire e ke ti ore zoti Dhaskal,po puna eshte se keta femije duan te han te pine te vishen etj etj dhe baba e nena 2 duar kan nuk jan si Shiva me shume funksione.Po ketu e patem muhabetin per MEMEDHEUN-ATDHEUN qe se c'qepi njeri gojen te hidhte nje llaf e keta niprit e mbesat tane te kishin mundesine e zgjedhjes e te mesuarit shkrim e kendim ne gjuhen e ati vendit qe si ve ne kandare.

Epo kur prinderit "shqiptare" u flasin femijeve greqisht ne shtepi, mos kerko faj tjeterkund. Edhe shtetin me patriotik dhe me te forte ne bote te kishe asgje nuk do te ndryshonte. 

Nuk eshte fakti se mungon nderhyrja e shtetit tone ne Greqi qe femijet shqiptare te arsimohen ne shqip sa c'eshte ndjenja e ulet qe kane prinderit e atyre kalamajve per sfondin dhe bagazhin e tyre kulturor/tradicional/etnologjik/ - gjakun e tyre, vete prejardhjen e tyre, qe i le ata femije ne ate lloj gjendjeje.

Une urrej gjithshka qe Shqiperia eshte bere sot, madje edhe nje pjese e mire e atyre qe vetequhen shqiptare, dhe perseri ta them qe kjo nuk me pengon aspak qe femija im te flase shqipen si une, pavaresisht nga vendi ku jemi. Eshte gjeja me elementare qe do i le gjakut tim si trashegimi... pastaj ka per t'u bere njeri. Ate e vendos une dhe asnje tjeter. 

Ka nje cudi te madhe ne marredheniet Shqiperi-Greqi per sa i perket anetaresimit tone ne BE. Ne gjithe historine e zgjerimit te BE-se, vendet kufitare me anetaret e rinj potenciale kane qene promotoret kryesore te zgjerimit. Kjo ndodh jo vetem nga perfitimet e pritura nga tregetia, por edhe per arsye te stabilitetit rajonal. Prandaj i vetmi shpjegim per qendrimin grek eshte qe ky shtet, ne bashkepunim me paloshtetin tone, ka perfitime shume me te medha ekonomike dhe politike nga mungesa e stabilitetit tone, perfitime monopolistike korruptive, perfitime hapesirash gjeografike e nje tufe gjerash te tjera qe njeriu nuk do as t'i mendoje. Ky lloj perversiteti ne politiken e BE-se nuk ka gjetur asnje reagim brenda ketij organizmi dhe kjo eshte cudia e rradhes, sepse Greqia nuk ka nje pozite te forte brenda BE-se per te mbyllur gojet.

Prandaj ka nje aspekt te forte negativ perkrahja e gjere e shqiptareve per anetaresim ne BE, sepse kjo deshire e madhe e jona perkthehet ne prioritet ekskluziv te politikes se jashtme, ne ulje te fuqise sone negociuese, dhe ne shemtira te tilla si vizita e Karamanlisit.

Karamanlis na tha se vendi i tij do të na mbështesë në rrugën drejt integrimit në Europë. Fare e pavërtetë! Greqia e tregoi me vepra sesa mbështetje i dha këtij procesi jetik për ne, kur e ratifikoi e fundit ndër vendet anëtare, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Dhe e ratifikoi unanimisht. Kjo duhet pranuar.

 Artikull me vend. 

Sa per komentet ketu per gjuhen dhe arvanitasit/shqiptaret ne Greqi, kjo eshte sa dobesi e ter shqiptarve atje (dhe shqiptarve autokton atje dhe shqiptarve emigrante) , po aq dhe nga diktatura qe shteti grek ka ushtruar ndaj shqiptarve autokton dhe shqiptarve emigrante, duke mos lejuar qe gjuha shqipe te flitet ne vendet publike.  Mendoj se emigrantet duhet tu çojne libra shqip (abetare etj) arvanitasve atje, si dhe Top-Chanel (si kanal qe i perçon valet atje) duhet te japi emisione 1-2 here ne jave ne dialektin arvanitas apo çam.  

 Ca emisionesh te jape?portokalline? kush qesh me me te tilla idjotesira? cfare te jape? lajmet? me injorancen pakufi qe percon te shikuesi? cfare dialekti po thoje? - ata palo gazetare s'dine te flasin e te shkruajne shqip more djale jo me te kapercejne neper dialekte!!! si po thua ti, t'i mbysin dhe ata pak arvanite me injorancen dhe idjotesine e tyre???

Qe te dish nje fakt, ja keshtu, rikoshet po ta hedh ketu, - arvanitasit dhe gjuha arvanite, eshte studiuar me interesin me te madh, nga cdo albanolog; - shqiptar dhe i huaj, perkunder faktit qe sa huazime qe shqipja e sotme i ka futur pa karar, ne arvanite ruhen akoma nje mori fjalesh te lashta te shqipes, qe injorante te tipit top channel, nuk kane shance dhe nuk do te kene kurre shance t'i mesojne, edhe sikur t'i rendojne ketij dheu per mbi 1000 vjet!!!

Zotrules, i ke vene vulen. Dhe ti Pjoter, zbrit nga rete...

Po ca u ba me lajmin e koordinatave e territorin detar te falur nuk u fol ma apo do e marrim vesht kur te jet "e kryeme" puna...kam dyshim se asht e vertet...Greqia behet perher e me agresive ne perher e me kurrizulun.Jo se mandej na e kan fajin te hujt.

Mendoj se shteti dhe klasa jone politike nuk punojne ne te mire te bashkekombasve te tyre, biles kunder interesave te tyre. Kjo shihet jo vetem me heshtjen skandaloze ndaj ceshtjes Came, por me edhe korrupsionin, sistemin e rrenuar arsimor, infrasturkturen, spitalet, dhe shume e shume nevoja minimale qe ky popull ka. Kjo tregon se politikanet tane nuk kane as me te voglin interes qe te permiresojne jeten e ketij populli. Realiteti flet vete.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).