Prokuroria: Dosjet ku ndërhyn politika

Një raport i detajuar u mbërrin ambasadorëve të huaj: Problemet penale e gjyqësore me çështjet e "nxehta", "Durrës-Kukës", "Gërdeci" dhe "Fazliç"

Një raport i detajuar rreth problematikave penale dhe gjyqësore të tri dosjeve është në duart e përfaqësuesve ndërkombëtarë të akredituar në Tiranë, të cilët po njihen rreth zhvillimeve më të fundit në drejtësinë shqiptare, ku epiqendra ka qenë përballja prokurori-gjykatë për "Durrës-Kukës", "Fazliç" dhe "Gërdeci". Në të tria rastet, gjykatat shqiptare kanë kundërshtuar organin e akuzës më disa akte procedurale dhe jo me përmbajtjen e tyre, duke sjellë në një rast dështimin e dosjes "Durrës-Kukës", i cili duket se do të pasohet nga një dështim i dosjes "Fazliç", për të përfunduar me problematikën e "Gërdeci". Të gjitha, të detajuara janë tashmë në duart e ndërkombëtarëve, të cilat mund t‘i përdorin në progres-raportin e Shqipërisë, i cili pritet të publikohet pas disa muajsh. Ftesa për kryeprokuroren Ina Rama dhe për nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, nga ndërkombëtarët ka qenë për njohjen e problematikave të këtyre dosjeve, të cilat mesa duket do të jenë një shuplakë e rëndë për qeverinë, e cila ka influencuar për dështimin e tyre. Zyrtarë të akuzës qendrore thanë se kanë informuar se për të akuzuarit e dosjes "Durrës-Kukës" nuk kanë pranuar akuzat, ndërsa aktet materiale që ndodheshin brenda tyre i kanë hedhur te dera e prokurorisë. Gjithashtu për këtë dosje, ndërkombëtarët janë njohur edhe me ecurinë e përballjeve midis gjykatës dhe prokurorisë, ku kjo e fundit doli e humbur në tetë përballje dhe nuk fitoi asnjë proces gjyqësor për procedura, duke u detyruar të mbyllë dosjen. Në lidhje me dosjen "Gërdeci", burime nga akuza qendrore thanë se kanë informuar ndërkombëtarët se të pandehurit VIP nuk kanë pranuar akuzat, duke i quajtur politike, kur në rastet më flagrante dokumentet flasin për një përfshirje të tyre. Gjithashtu, burimet deklarojnë se një problematikë tjetër e kësaj dosje janë edhe deklaratat politike të qeverisë aktuale, e cila ka sulmuar prokurorët e çështjes, madje edhe kryeprokuroren, kur në një ngjarje të rëndë humbën jetën 26 persona. Për dosjen "Fazliç", ndërkombëtarët janë njohur kryesisht me vendimet gjyqësore që janë marrë duke dëmtuar prokurorinë. Shpeshherë, gjyqtarët, sipas prokurorisë, kanë kaluar kompetencat e mbrojtjes dhe kanë favorizuar të akuzuarin. Edhe për këtë dosje nuk kanë munguar deklaratat politike, të cilat janë në mbështetje të të hetuarve të dosjes.

"Durrës-Kukës"
Problematika e kësaj dosjeje, sipas akuzës qendrore, konsiston se në datën 5 dhjetor 2008, disa orë pasi Prokuroria e Përgjithshme i kishte dërguar shtetasit Lulzim Basha aktet e dosjes Durrës-Kukës, ku ish-ministri i Transporteve është marrë i pandehur, dy punonjës të Ministrisë së Jashtme kanë hedhur para akuzës qendrore shtatë volumet e dosjes. Prokurori Arben Kraja, gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Lartë, tregoi episodin e paprecedent, në përpjekje për t‘i mbushur mendjen Kolegjit Penal, se Basha nuk ka dashur asnjëherë të njihet me dosjen e abuzimeve gjatë ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, ku dyshohet se ka abuzime me miliona euro. "Jam njoftuar në datën 5 dhjetor rreth orës 19.00 nga zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme, se dy punonjës të Ministrisë së Jashtme kanë hedhur dosjen në derën e prokurorisë. Pas këtij veprimi, ia kemi dërguar dosjen sërish me postë, pasi i pandehuri refuzonte në mënyrë kategorike të paraqitej në prokurori", do të deklaronte prokurori Arben Kraja. Gjykata, duke iu kundërpërgjigjur prokurorit, deklaroi se në datën 5 dhjetor 2008 janë kryer disa veprime nga prokuroria, si dërgimi i kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë, njoftimi i të pandehurve me aktet hetimore, si dhe veprimet e tjera. Prokuroria deklaron se nëse nuk ishin vënë në dijeni të pandehurit për aktet hetimore, dita e dërgimit të dosjes dhe dita e gjykimit ishin të mjaftueshme për t‘u njohur. E gjithë ecuria e proceseve gjyqësore do t‘u serviret ndërkombëtarëve. Krahas këtyre, ata do të përdorin nga burime të tjera edhe deklaratat politike për këtë çështje, ku juristët kanë qenë njëzëri se Gjykata e Lartë gaboi që mbylli dosjen me procedura dhe qeveria mendon se veprimi është i ligjshëm, duke vendosur drejtësi, pasi procesi ishte fals. Se kush ka të drejtë, tashmë do të vendosin ndërkombëtarët, të cilët në këtë rast do të bëjnë rolin e "gjykatësit".

"Gërdeci"
Për këtë dosje, prokuroria informoi ndërkombëtarët se të pandehurit e dosjes nuk kanë pranuar komunikimin e akuzave, madje disa prej tyre kanë debatuar me prokurorët e çështjes, duke i "kërcënuar". Prokurorja e Përgjithshme ritheksoi para diplomatëve evropianë faktin se institucioni i Prokurorisë është gjendur vazhdimisht në presionin e politikës dhe qeverisë, si pasojë e çështjeve që janë vënë nën hetim, por edhe nën presionin e publikut, i cili, sipas saj, ka pritur rezultate konkrete për luftën ndaj korrupsionit. Ata kanë kërkuar të mësojnë konkretisht edhe për hetimet dhe presionet e mundshme ndaj prokurorisë për çështjen e Gërdecit. Krahas mospranimit të akuzave, numri një i akuzës shqiptare ka informuar ndërkombëtarët se ndaj institucionit të prokurorisë kanë ardhur sulme politike e madje edhe denoncime ndaj titullarëve me pretekste të kota. "Ina Rama ka shkelur nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, i cili thekson se nuk mund të bëhen publike faktet hetimore, qofshin ato sekrete, apo jo sekrete. Për më tepër, drejtpërdrejt zoti Sokol Stojani, apo me urdhër të Ina Ramës, ka nisur dhjetëra mesazhe për t‘u adresuar karshi meje në një emision televiziv me mënyrat më të ndryshme, që është shkelje flagrante e ligjit", do të deklaronte disa javë më parë ish-ministri Fatmir Mediu.

"Fazliç"
Kjo dosje, sipas drejtuesve të hetimeve, mund të zbardhet përfundimisht pas ardhjes së letër-porosive nga Qipro dhe Kroacia. Por, shtyrja e afatit hetimor me 30 ditë, ka sjellë reagimin e të hetuarve, duke paditur prokurorët dhe duke kërkuar që çështja të mbyllet... me procedura. Kjo problematikë, si dhe deklaratat politike të çështjes, kanë qenë informimi i kryeprokurores për ndërkombëtarët, por në një masë, duke mos nxjerrë sekretin hetimor. Duket se kjo dosje mund të ketë fatin e Durrës-Kukës, ku vendimet gjyqësore janë kundër prokurorisë. Gjykata e Shkallës së Lartë dhe ajo e Apelit në Tiranë i kanë dhënë të drejtë personit nën hetim Damir Fazliç që prokuroria të mos sekuestrojë pronat e tij në Durrës. Krahas këtij vendimi, gjyqësori ka vendosur që hetimi i prokurorisë është i paligjshëm...

4 maj
Gjykata e Tiranës cakton datën 4 maj si ditën kur do të shqyrtojë kërkesën e biznesmenit Damir Fazliç për mbylljen e hetimeve të prokurorisë shqiptare ndaj tij

4 maj
Po në këtë datë, Gjykata e Lartë hap shqyrtimin gjyqësor të dosjes "Gërdeci". Të pandehur janë 30 dhe pritet të kërkojnë ndarjen e procesit gjyqësor

29 prill
Gjykata e Lartë do të vendosë nëse vendimi i Fatmira Hajdarit, që i dha të drejtë Bashës, është i ligjshëm apo jo. Nëse fiton prokuroria, do të rishikohet dosja "Durrës-Kukës"

1 Komente

Po mir  a ka njeri ta shpjegoje  ky Fazllici  si shtetas jo shqipetar ka te drejte me ble toka ne shqiperi??

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).