Përtej të vjetrës dhe të resë

Fushata zgjedhore tashmë ka filluar. Bashkë me strategjitë përkatëse, palët po shpalosin edhe mangësitë e tyre. Një shprehje e qartë e këtyre mangësive është edhe mungesa e një strategjie dhe vizioni për të ardhmen e administratës publike. Qëndrimi ndaj ndërtimit të institucioneve dhe krijimit të një administrate moderne dhe të pavarur ka qënë edhe një nga karakteristikat e përbashkëta të forcave politike që kanë qeverisur Shqipërinë gjatë 18 viteve të fundit.

Vetë termi “reformë institucionale” tanimë është veshur me petkun e një koncepti që ka humbur kuptimin, një retorikë ose në rastin më të mirë nënkupton një ristrukturim të institucioneve me qëllim rikonfigurimin e personelit sipas interesave partiakë të momentit. Gjithçka është kthyer në një rreth vicioz ku rotacioni politik nënkupton automatikisht edhe ndryshim të thellë të administratës. Pasiguria në mbajtjen e vendit të punës për shkak të varësisë së drejtpërdrejtë politike e bëjnë performancën e administratës shumë të luhatshme, sidomos në prag të zgjedhjeve.

Pavarësisht kahut politik të qeverisë, vazhdojmë të shikojmë punonjës që detyrohen të marrin pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të fushatës, të punojnë jashtë orarit pa marrë shpërblimet që u takojnë, për t’u pezulluar në fund nga detyra pas ndërrimit të pushtetit. Këto lloj praktikash kanë ndikuar ndjeshëm në performancën e institucioneve publike duke diskredituar, deri dhe delegjitimuar, imazhin që një administratë shtetërore duhet të gëzojë. Në këtë mënyrë, vazhdon të mbartet e përbrendësuar në perceptimin publik sindroma e ndarjes “ne” dhe “ata”, karakteristikë kjo e regjimeve komuniste. Institucionet ishin një pjesë e huaj (ata) dhe jo përbërëse e shoqërisë (ne), me të cilët ishte e pamundur që individët të identifikoheshin.

Në një vend demokratik administrata është e shtetit dhe për rrjedhojë e të gjithë qytetarëve pasi paguhet me taksat e tyre, pavarësisht bindjeve partiake. Në raste boshllëqesh të tilla në performancën dhe konsolidimin e një tradite institucionale, është relative të flasësh edhe për politika të majta apo të djathta. Për të zbatuar platforma ideologjike komplekse të çfarëdo lloji nevojiten në radhë të parë kapacitetet institucionale për t’i mundësuar dhe vënë në jetë ato. Sa herë që në Shqipëri synohet një qasje ideologjike e caktuar mbi një problem, shikojmë që shpesh zgjidhja mbetet e cunguar pasi nuk është konsideruar tërësia e habitatit strukturor si dhe nuk është llogaritur mirë nevoja institucionale për të realizuar objektivin. Për këtë arsye, të debatosh mbi të majtën apo të djathtën në Shqipërinë e sotme, është njëlloj si të grindesh me miqtë në makinë për kthesën që duhet të marrësh te kryqëzimi pasardhës, kur timoni nuk i përgjigjet korrektësisht udhëzimit të drejtuesit të mjetit.

Pikërisht këtu, duke filluar me ndreqjen e timonit, edhe një herë lind nevoja e pragmatizmit dhe e një reforme afatgjatë në institucionet shqiptare. Kjo reformë nevojitet përtej palëve politike, të majta apo të djathta, ideologjike apo pragmatiste, të vjetra apo të reja. Kjo reformë mbetet thelbësore për mirëfunksionimin afatgjatë të shtetit shqiptar dhe duhet të përmbajë patjetër elementin e konsistencës nga njëri rotacion politik tek tjetri. Konsolidimi i një administrate funksionale dhe të pavarur mbetet edhe element thelbësor për përmbushjen e angazhimeve që Shqipëria ka marrë me partnerë ndërkombëtarë.

Fillimisht i duhet rikthyer nënpunësit civil prestigji i merituar. Është e vërtetë që statusi i nënpunësit civil përcaktohet qartë në legjislacion, ashtu si shumë histori të ngjashme shqiptare ku përshkrimet në letër nuk reflektojnë realitetin. Por edhe në letër ka shumë boshllëqe dhe aspekte që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Mendoj se dy janë faktorët kryesorë: i pari, reformimi i sistemit të lëvizjeve, vlerësimit dhe incentivave brenda administratës, dhe i dyti, ndryshimi strukturor i kompetencave të Komisionit të Shërbimit Civil. Nuk është nevoja për revolucione apo për të kopjuar praktikat më të mira të huaja, siç do ishtë sistemi i shërbimit civil anglez ose praktika të tjera europiane. Këto zgjidhje do ishin problematike në terma afatgjatë dhe nuk do përshtateshin dot me realitetin. Qëllimi kryesor është ndreqja e çatisë aty ku pikon, pasi tranformimi radikal thjesht do vazhdonte riprodhimin e vetvetes brenda atij rrethi vicioz që përmendëm më sipër.

Thënë ndryshe, t’i rikthesh nënpunësit civil prestigjin e merituar do të thotë që ky status të bëhet tërheqës për burimet njerëzore më të specializuara që ka vendi. Duhet që ky status të ofrojë perspektivë. Kjo mund të arrihet duke reformuar sistemin e lëvizjeve dhe incentivave, por edhe duke i dhënë siguri këtij statusi, duke rishikuar kompetencat e Komisionit që duhet të mbrojë efektivisht administratën, duke garantuar edhe pavarësinë politike të saj. Natyrisht që një pjesë e administratës në nivele drejtuese duhet të jetë politike pasi është e nevojshme për të zbatuar vizionin politik të forcës qeverisëse. Megjithatë ky fakt nuk përjashton domosdoshmërinë që pjesa më e madhe e administratës të jetë e konsoliduar, e pavarur dhe e rregulluar nga brenda, duke mos lejuar ndërhyrje të njëanshme nga faktorët politikë. Madje shpesh duhet të jetë vetë administrata që ruan dhe mbron mbarëvajtjen e institucioneve, edhe kur ato cënohen nga politikanë të paaftë. Ashtu siç thoshte Schumpeter mbi 60 vite më parë, një administratë efiçente dhe e konsoliduar është përgjigja më e mirë ndaj politikanëve diletantë e të paaftë.

Shpresat që një reformë e tillë të vijë nga një mandat i dytë i qeverisjes aktuale janë shumë të pakta. Pavarësisht fasadave në formën e rritjes sporadike të rrogave apo të programeve jo strukturorë si Brain Gain, në thelb kjo qeverisje reflektoi traditën negative 18 vjeçare të trajtimit të çështjes së administratës publike. Nga ana e saj, opozita përveç denoncimit të vazhdueshëm të problemeve të administratës dhe rekrutimeve politike e pa kriter, nuk ka bërë publike një strategji afatgjatë për këtë çështje. Kjo temë duket si një tabu me të cilën asnjë nuk dëshiron të merret apo të përballet. Kjo ndodh kryesisht sepse, përveç vullnetit dhe vizionit afatgjatë që kërkon, reforma mund të ketë kosto politike në periudhën afatshkurtër. Pikërisht prej vështirësisë dhe rëndësisë që ajo mbart, mund të konsiderohet si një thirrje përtej të vjetrës dhe të resë, një thirrje jo për politikanët e radhës por për udhëheqësit e munguar shqiptarë.

16 Komente

Po, po, shume dakort. Edhe  pastaj  ???

Se kto qe the jane te ditura e te sterditura, sme duket te kete nai nevoje te madhe per ti riformuluar serish, sado me gjuhe te paster dhe te kendshme.

 

Ndrishe nga ti, e lexova po nuku kuptova gjë prej gjëje...taksirat kur të kesh kohë Tatjana a ma ftillo i çik me dy-tre rreshta?

Mire Onegin smiley

Pervece shkruar korrekt ne gjuhen shqipe, autori ska thone nai gjo pra smiley

Desdemona, faleminderit per komentin.

Shkrimi nuk pretendon patjeter te sjelle ndonje risi, por thjesht te riktheja ne vemendje kete ceshtje pasi asnje nga palet ne fushate nuk e ka ne program. Dhe kjo ndjell keq per te ardhmen, pasi do te vazhdoje e njejta histori edhe ne vitet ne vijim. E vetmja "risi" eshte nje studim qe une kam bere mbi rolin e Komisionit te Sherbimit Civil dhe se si ai duhet reformuar ne kushtet shqiptare.

ho pra, si duhet reformuar ?

se ket sna e the ..

Me duket se e thote ne paragrafin 5, 6 dhe 7.

...ne vija te pergjithshme, pra!

Kjo me duket e interesante:

Thënë ndryshe, t’i rikthesh nënpunësit civil prestigjin e merituar do të thotë që ky status të bëhet tërheqës për burimet njerëzore më të specializuara që ka vendi. Duhet që ky status të ofrojë perspektivë. Kjo mund të arrihet duke reformuar sistemin e lëvizjeve dhe incentivave, por edhe duke i dhënë siguri këtij statusi, duke rishikuar kompetencat e Komisionit që duhet të mbrojë efektivisht administratën, duke garantuar edhe pavarësinë politike të saj.

aha, kshu ne vija te pergjithshme......

mire, dakort.

interesant dhe paragrafi, shume interesant.

Po sikur te thoja une qe po te punonte ne rregull gjykata, permbarimi dhe gjithe hallkat ligjore dhe zbatuese te ligjit, nepunsi, statusi dhe komisioni do ishin krejt ne rregull  si me kompentencat ashtu dhe me incentivat (fjale e huaj smiley) dhe pavaresine etj etj.

Me rrogen i here si i behet, ket me thoni juve mua. Se jo per gje, por rroga dikton shume gjera qe lidhen pastaj  me dinjitetin e nepunsit.

Nejse, mua mu duk llafe ne ere ky shkrim. Konstatime te mirenjohura dhe teori ne leter se si duhet te jene gjerat, por jo se si arrihet atje.

 

Problemet qe ti permend jane reale dhe shume me te medhenj. Por administrata varet nga vullneti politik, ky eshte thelbi.

Ceshtja e rrogave hyn tek sistemi i levizjeve brenda administrates. Levizjet paralele dhe vertikale, si dhe te sistemi i incentivave.

Gjithesesi, dinjiteti nuk eshte cenuar vetem tek rroga por tek varesia direkte nga politika dhe luhatja nga pasiguria e vendit.

Per llafet ne ere, nuk kam cfare te them. Opinioni yt i respektuar smiley

E perseris qe nuk eshte risi po terheqje vemendje pasi eshte harruar teresisht ne programet e partive. Keshtu fillon edhe artikulli po ta shikosh.

mire o mire,

spo them gje. Ta thashe qe ne fillim qe konstatimet jane te drejta.

A ta boj i pytje une ?

Ke punu naihere ne Administrate?

Ose, sa afer adminstrates ke qene, problemeve dhe halleve reale te saj ? Dmth, nai ide qe eshte larg perceptimit mbarepopullor qe administrata jane ca njerez neper zyra qe dredhin zinxhirin, pine kafe dhe nderrojne kpucet dhe bizhute dite per dite sipas gjendjes shpirterore.

 

hahaha, shume te ngjyrosur e paske imazhin e administrates.

Une kam punuar ca kohe ne administrate, po kjo nuk ka lidhje.

Po te nisesha nga eksperienca personale, artikulli do ishte shume me teper subjektiv. Une jam munduar ta bej diskutim strukturor dhe jo mbi specifikat e ceshtjes.

e ke shume gabim, eksperienca personale hyn shume ne pune.  Mjaft qe mos ta pergjithesosh.

Nejse, e lashe tani. Na co linkun kur te jete online, pale kena nerva me e lexu.

"Kjo mund të arrihet duke reformuar sistemin e lëvizjeve dhe incentivave, por edhe duke i dhënë siguri këtij statusi, duke rishikuar kompetencat e Komisionit që duhet të mbrojë efektivisht administratën, duke garantuar edhe pavarësinë politike të saj."

Artikulli publicistik nuk ofron hapesire per te shpjeguar detajet. Gjithesesi e gjen ne nje reviste universitare, sapo te jete online do vendos linkun.

mire, ok

Flm smiley

Nuk po marr mundimin te lexoj shkrimin, por mqs e boton Panorama po provoj ta gjej:

"pertej te vjetres dhe te rese........ Ilir Meta!"

 

Libertas,

Fakti qe Panorama me lejoi botimin nuk do te thote asgje. Une aty nuk sulmoj asnje personalisht, por sulmoj fenomenin ne teresine e tij. Patjeter qe edhe Ilir Meta eshte pjese e rendesishme e fenomenit.

Lexoje njehere shkrimin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).