Përse ka të drejtë Mustafaj

Dalja e fundit publike e ish-ministrit të Jashtëm,Besnik Mustafaj, na kujtoi edhe një herë, nëse e kishim harruar, se partia më e madhe e shumicës qeverisëse në Shqipëri është e sëmurë rëndë. Deklaratat e Mustafajit rreth zgjedhjeve në PD-në e Tiranës dhe rreth votimeve të 28 qershorit, pasqyrojnë një shkallë jo të vogël alarmi që vjen nga një figurë qendrore e maxhorancës dhe që prek tema të vjetra dhe të reja për Partinë Demokratike dhe atë çka ajo përfaqëson sot në jetën tonë politike.

Në esencë, ajo që thotë Mustafaj, është pjesë e kronikës së një të keqeje të paralajmëruar prej shumë vitesh, në të gjitha mënyrat e mundshme. Eshtë provuar edhe më parë që PD-ja të ndryshojë, të hapet, të emancipohet dhe të përshtatet me kohën dhe me standardet e një force politike normale e demokratike. Ka pasur nga ata që ia kanë përplasur Berishës në fytyrë që në gusht 1992 kritikat e tyre (dhe që për turpin e tyre lëpijnë sot atë që kanë pështyrë dikur), duke u dënuar me një emigrim të detyruar politik jashtë partisë së tyre për shumë vite rresht. Ka pasur të tjerë që kanë tentuar të kandidojnë kundër tij, pa mundur ta shohin ditën e votimit apo të tjerë që kanë predikuar pritjen, kritikat e tërthorta dhe qëndrimet e zbutura, si ilaçin e vetëm të mundshëm për të mbijetuar në ditën kur prijësit “do t’i rrëshqiste këmba”. Të gjitha këto tentativa kanë sjellë një rezultat të vetëm, aspak entuziast: Sali Berisha ka fituar dhe ka humbur i qetë dhe i patrazuar nga askush dhe nga asgjë. Ai është ngjitur dhe ka
zbritur nga pushteti, fare i patrazuar nga brenda partisë. Askush nuk i ka kërkuar atij llogari për më të voglën gjë, askush nuk ka shtruar kurrë për diskutim nëse ai ka pasur ndonjë përgjegjësi çfarëdo në humbjet që PD-ja ka pësuar. Për njëzet vjet rresht ai ka lundruar në ujërat e qeta të PD-së, pa hasur thuajse në asnjë moment me rrezikun konkret të rrëzimit nga froni. I konsideruar në vitet ’90 si një lider i fuqishëm dhe i padiskutueshëm që i priste shpata nga të gjitha anët, Berisha mundi që në mesin e kësaj dekade të fshihet me mjeshtëri pas moshës së re dhe kostumeve moderne të KOP-istëve, për ta kapur edhe një herë për fyti PD-në dhe ata që guxojnë ta shohin si të përkohshëm dhe si “të vdekshëm” në mandatin e tij drejtues.

Zgjedhjet në PD-në e Tiranës janë shprehja më e fundit e arrogancës dhe absurdit ku lundron aktualisht partia e zotit Berisha. Përballë përvojës dhe moderimit të Besnik Mustafait dhe frymës së re dhe inteligjencës së Gjergj Bojaxhiut, duket se po triumfon servilizmi naiv i Aldo Bumçit, i cili bëri që edhe Berisha të pozicionohet hapur dhe në shkelje të të gjitha rregullave të garës, kur e cilësoi si një kandidat të shkëlqyer. Në fakt ky nuk është një deformim i kufizuar, lokal dhe që prek vetëm një degë të PD-së. Ai është treguesi i shtrembërimit të pakthyeshëm politik e njerëzor që është ulur këmbëkryq në parti dhe që është kthyer prej shumë vjetësh në të vetmin kod mortal mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet politike brenda partisë. As institucione, as statut, asgjë prej gjejë. Në PD ka vetëm një njeri dhe një mendje që i bën të gjitha. Të tjerat dhe të tjerët, nëse perifrazojmë Ajnshtajnin, “janë detaje”. Tani mund të jemi përballë një mundësie historike, që kjo statu-quo të marrë fund. Paradoksalisht ky moment çlirimi kalon përmes rënies së kësaj partie në opozitë më 28 qershor, si dënimi kapital që votuesit mund t’i japin stilit anakronik qeverisës të ish-presidentit më të vjetër të Ballkanit, ende në jetën politike aktive. Humbja e zgjedhjeve do të ishte vërtet një rezultat parimisht i padëshiruar edhe për ata politikanë brenda PD-së, që sot e konsiderojnë Berishën një kapitull të tejkaluar. Por ama fitorja e 28 qershorit do të shënonte në të kundërt, jo vetëm konfirmimin e politikës autoritariste të Berishës në krye të vendit, por edhe triumfin e një linje politike që devijimin nga programi qeverisës e shet për përmbushje të tij, që korrupsionin e transformon në politikë të duarve të pastra, që imponimin dhe arrogancën politike ndaj institucioneve të shtetit e konsideron stil të natyrshëm dhe normal drejtimi, që frymën partiake dhe klanore e ka ngritur në nivele të paprecedent. Mustafaj, Topi dhe dhjetëra të tjerë që sot kanë zgjedhur të bëjnë opozitën e butë brenda ose jashtë partisë, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë politikisht në një mjedis ku fitorja elektorale përjetohet rregullisht si licencë për të spastruar dhe djegur me zjarr të gjithë ata që shihen si të dyshimtë. Nëse Berisha do të ndodhet edhe një herë në këtë pozitë force pas qershorit, asgjë s’do të jetë në gjendje të ndalë ekzaltimin e tij politik, që përkthehet në më shumë kontroll dhe dominim dhe në më pak liri dhe demokraci të brendshme për vetë partinë.

Largimin e Berishës e kërkojnë sot në mënyrë të heshtur shumë krahë brenda partisë. Nga Presidenti Topi, aktualisht në gjendje lufte me kryeministrin deri tek Mustafaji dhe ministra e deputetë që gjejnë njëmijë mënyra për të shprehur publikisht ose privatisht kundërshtimin e tyre ndaj kreut të partisë, sot është krijuar një amalgamë e dukshme dhe e padukshme personash dhe humoresh të këqija rreth asaj që përfaqëson prezenca dhe trashëgimia politike e liderit historik. Shpesh kjo opozitë gjysmë-ilegale është vënë përballë pazarit të zhurmshëm të PS-së, ku prej vitesh ai që ka një ide ndryshe nga ajo e Nanos apo Ramës sot, nuk mendohet dy herë para se ta bëjë atë publike para dhjetë televizioneve dhe njëzet gazetave. Stili politik dhe komunikativ brenda PD-së është krejt i ndryshëm, ai nuk është deklamativ dhe as debatues, për arsye që tashmë njihen dhe që kanë të bëjnë me teorinë e tolerancës zero që Berisha ka aplikuar në vite ndaj atyre që e sulmonin publikisht. E megjithatë është mëse e mundshme dhe e pritshme që kjo pakënaqësi e shurdhët sot, të kthehet në një vorbull të rrezikshme nesër, nëse Berisha del i humbur nga përballja me socialistët. Pas njëzet vjetësh ulje-ngritje në pendulin e politikës, duket se kryeministrit i ka kaluar edhe mosha, edhe motivacioni mbi të gjitha, edhe justifikimi publik para të vetëve, për të qëndruar edhe një herë në majën e partisë. Nëse gjithçka e ka një fund, ky duket të jetë fundi i rrugës edhe për Doktorin. Kjo forcë politike e madhe meriton natyrshëm një fat më të mirë sesa përcaktimi dëshpërues “Pa Berishën s’ka PD”. Ajo meriton një fat më të mirë sesa ekstremizmi qesharak i Jozefina Topallit, lejfenizmi politik i Aldo Bumçit dhe heshtja e fajshme e qindra të tjerëve që kanë bërë prej kohësh me vete paktin e shëmtuar të duartrokitësit të shefit të madh. Zgjedhjet e qershorit vërtet përmbajnë riskun për të humbur pushtetin, por njëherësh ofrojnë edhe shansin për të normalizuar më në fund një parti që i ngjan një toke të djegur në mes të skenës tonë politike.

3 Komente

As institucione, as statut, asgjë prej gjejë. Në PD ka vetëm një njeri dhe një mendje që i bën të gjitha. Të tjerat dhe të tjerët, nëse perifrazojmë Ajnshtajnin, “janë detaje”.

Nese ndryshon kjo atehere mbaron epoka e tranzicionit ne Shqiperi.

Me qene se z B Mustafai u lodh si minister i jashtem qe besoj ishte nje dikaster qe e lakmonin te gjithe dhe ju besua, le te clodhet e te shkruaj ndonje liber.

Z Minxhozi te mos merakoset shume per PD se nuk do ti kerkoje askush

ndihme, por le te meret me PS-ne pas ardhesen e partise se gjysherve te tij

se prej andej e ka prejardhjen.

nuk kuptoj se perse fshihen komentet nga administratori. te pakten te kihet respekt qe njerezit marrin kohe te shprehin mendimin e tyre ne kete forum dhe nuk ben fort sens qe keto mendime te censurohen

meqenese komenti im i meparshem per kete shkrim qenka "zhdukur" desha te theksoj se sipas meje Mustafaj nukka te drejte me pronincimet e tij dhe nuk duhet te pres mjaft perkrahje pasi ai vete nuk ka pasur fort problem me berishen kur verponte e bente te njejtat gjera me viktimat e rradhes dhe kur vete mustafaj ishte mik per koke me nerishen dhe si i tille merrte edhe te mirat e privilegjet qe i lejon berisha mercenareve te tij. Mustafaj duhet ta bej e vazhdoj luften e tij (jo dhe aq parimore) se pari ne strukturat e PD dhe te perpiqet te ndryshoje kete monster anakronike te partise-individ apo partise/berishaqe nuk duhet te kishte vend ne kohet moderne perbrenda. Eshte rruga me e lehte qe tja mbathesh sic ben me pare te gjithe plangprishesit pd-ist duke filluar nga zogaj, pollo e te tjere qe u kthyen me bisht ne shale e paturp tek krahet e berishes qe su lagjera pa bere. Kjo eshte situata e mjere qe diktatore si berisha krijojne rreth vetes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).