Perceptimi i korrupsionit

IDRA publikoi sot raportin vjetor mbi perceptimin e korrupsionit. Ky studim pason atë të publikuar vitin e kaluar dhe mbështetet sërish nga USAID. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e raportit ndërsa i gjithë raporti mund të lexohet duke vizituar faqen e IDRA.

• Perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Nga 20 grupe/institucione të vlerësuara në sondazhin e publikut të gjerë në 2009, 14 prej tyre konsiderohen si më shumë të korruptuara sesa të ndershme dhe vetëm 6 prej tyre kanë marrë më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Shumë i ndershëm” dhe 100 do të thotë “Shumë i korruptuar”.
• Drejtuesit fetarë, Presidenti, media, ushtarakët, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJFve shihen si më pak të korruptuarit. Doganierët, tatimorët, ministrat, parlamentarët dhe doktorët janë vlerësuar si më të korruptuarit.
• Pothuajse gjysma e kampionit të publikut të gjerë (48.5%) mendon se korrupsioni është rritur krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që 38% mendojnë se ai ka mbetur i njëjtë.

Përvojat me korrupsionin
• Në përgjithësi, përvoja me transaksionet korruptive ka rënë që nga viti 2005. Nga 10 mënyra përmes të cilave një individ mund të jetë pre e korrupsionit, në vitin 2009, numri mesatar i mënyrave të viktimizimit është mesatarisht 1.29 mënyra, nga 1.7 që ka qenë në vitin 2005. Nga dhjetë skenarët e paraqitur, përqindja e njerëzve të cilët deklarojnë se kanë pasur të paktën një përvojë korruptive ka rënë nga 66.5% në 2005 në 57.1% në 2009.
• Shëndetësia përfaqëson sektorin më të përmendur për korrupsion. 37.1% e të intervistuarve pohojnë se i kanë paguar ryshfet një doktori ose infermieri gjatë vitit të kaluar.

Lufta kundër korrupsionit, besimi dhe transparenca
• Përgjithësisht, publiku shqiptar mendon se institucionet nuk janë duke bërë mjaftueshëm kundër korrupsionit. Në një shkallë nga 0-100, ku 0 do të thotë “Nuk ndihmon aspak” dhe 100 do të thotë “Ndihmon shumë”, të nëntë institucionet e vlerësuara kanë një mestare të përbashkët prej 43.8 pikësh. Vetëm media shihet nga publiku sikur po ndihmon në luftën kundër korrupsionit, e vlerësuar me 63.6 pikë, ndërkohë që të gjitha institucionet e tjera janë vlerësuar me më pak se 50 pikë.
• Institucionet të cilat, në sytë e publikut, shihen si ato që ndihmojnë më pak në luftën kundër korrupsionit janë drejtuesit fetarë, Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisve dhe qeveria. Gjykatat dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim që nga viti 2005, përkatësisht me 5 dhe 6 pikë. Gjithsesi, këto dy institucione vazhdojnë të mbeten të vlerësuara me më pak se 50 pikë.
• Besimi i shqiptarëve në institucione vazhdon të mbetet i ulët. Mesatarisht, niveli i besimit për 15 institucionet e paraqitura është 44.3 pikë, në një shkallë nga 0-100 ku 0 do të thotë “Aspak besim” dhe 100 do të thotë “Shumë besim”. Edhe në kampionin e punonjësve të sektorit publik, vlerësimi mesatar mbi besimin në institucione është nën mesin e shkallës së vlerësimit (48.8 pik&eumlsmiley.
• Publiku i percepton intitucionet si jo-transparente. Asnjë nga institucionet e vlerësuara nuk ka marrë më shumë se 50 pikë në shkallën nga 0-100, ku 0 do të thotë “Aspak transparent” dhe 100 do të thotë “Shumë transparent”. Sipas publikut të gjerë, institucioni më transparent është pushteti vendor me 40.3 pikë. Institucioni më pak transparent dhe i vlerësuar me 27.2 pikë është Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Kuptimi i dukurisë së korrupsionit
• Kur gjykojnë të dy palët e përfshira në një transaksion korruptiv, shqiptarët tregohen më tolerantë kundrejt “dhënësve” të ryshfetit dhe më të ashpër kundrejt “marrësve”. Një nxënës i cili i  jep një këmishë mësuesit të tij me shpresën se dotë marrë një notë më të mirë është vlerësuar ose  i pa korruptuar (35.4%) ose i justifikuar (34.7%).Gjithashtu edhe një nënë e cila paguan 500 Lek për të shmangur rradhën për marrjen e një çertifikate për fëmijët e saj shihet si jo e korruptuar (26.3%) ose gjerësisht e justifikuar (43.4%).
• Ka një prirje nga ana e publikut shqiptar që të përfshijë në konceptin e “korrupsionit” edhe dukuri të cilat nuk janë të tilla. Pyetur për rastin e një shitësi lulesh i cili rrit çmimin e luleve gjatë një dite feste, pothuajse gjysma e të intervistuarve e shohin shitësin si të korruptuar dhe që duhet ndëshkuar. Megjithëse ky kuptim i gabuar mund të ndikojë në një mbivlerësim të përgjithshëm të korrupsionit të perceptuar, analizat tregojnë se ndikimi i këtij kuptimi të gabuar është i vogël në vlerësimin e përgjithshëm të grupeve ose institucioneve.

Sistemi gjyqësor
• 46.6% e të intervistuarve kanë “Shumë” ose “Disi” besim në sistemin gjyqësor. Ky është një përmirësim prej 12 pikë përqindje nga viti 2005 kur 34.6% e të intervistuarve kishin këtë mendim.
• Pothuajse tre të katërtat e qytetarëve të cilët kanë pasur të bëjnë me gjykatat kanë deklaruar se janë trajtuar “Mirë” ose “Shumë mirë” prej tyre. Ky është një përmirësim i dukshëm me pothuajse 15 pikë përqindje që nga viti 2005.

Vlerësimi i ekonomisë
• Më shumë se gjysma e të intervistuarve (54.4%) mendojnë se gjendja ekonomike e vendit është “E keqe” ose “Shumë e keqe”. Optimizmi ekonomik, i vlerësuar nga opinionet e të intervistuarve mbi situatën ekonomike për vitin e ardhshëm është pak më i lartë se në vitin 2008 por shumë larg prej niveleve të viteve 2005 dhe 2006. Një në katër të intervistuar u përgjigj se është pesimist mbi gjendjen ekonomike të vendit në vitin e ardhshëm.

3 Komente

"Oh te keqen...",  do thoshte Altini i RadioRock-ut! smiley

Ministrat perceptohen me te korruptuar sot sesa ne 2005.

Ia moren edhe qeverive te "Specialistave" keta me duar te pastra.

 

Po Idra e Edi Rames dhe G99 cudi qe e ka nxjerre kaq mire perceptimin e korrupsionit. Duhej te ishte me keq.

Kuptimi i dukurisë së korrupsionit

• Kur gjykojnë të dy palët e përfshira në një transaksion korruptiv, shqiptarët tregohen më tolerantë kundrejt “dhënësve” të ryshfetit dhe më të ashpër kundrejt “marrësve”. Një nxënës i cili i  jep një këmishë mësuesit të tij me shpresën se dotë marrë një notë më të mirë është vlerësuar ose  i pa korruptuar (35.4%) ose i justifikuar (34.7%).Gjithashtu edhe një nënë e cila paguan 500 Lek për të shmangur rradhën për marrjen e një çertifikate për fëmijët e saj shihet si jo e korruptuar (26.3%) ose gjerësisht e justifikuar (43.4%).

• Ka një prirje nga ana e publikut shqiptar që të përfshijë në konceptin e “korrupsionit” edhe dukuri të cilat nuk janë të tilla. Pyetur për rastin e një shitësi lulesh i cili rrit çmimin e luleve gjatë një dite feste, pothuajse gjysma e të intervistuarve e shohin shitësin si të korruptuar dhe që duhet ndëshkuar. Megjithëse ky kuptim i gabuar mund të ndikojë në një mbivlerësim të përgjithshëm të korrupsionit të perceptuar, analizat tregojnë se ndikimi i këtij kuptimi të gabuar është i vogël në vlerësimin e përgjithshëm të grupeve ose institucioneve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).