PE rezolutë për integrimin e Ballkanit perëndimor

Parlamenti Europian miraton një rezolutë për Ballkanin Perëndimor ku konfirmon se anëtarësimi i këtyre vendeve në Bashkimin Evropian do të stabilizojë këtë rajon. Në rezolutën e miratuar me 305 vota pro, 23 kundër dhe 12 abstenime, thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë kriteret e Kopenhagenit dhe anëtarësimi i secilit në BE do të varet nga shkalla e plotësimit të këtyre kritereve. Por PE-ja shpreh shqetësimin për pasojat e luftës në Ballkan që mbeten ende pengesë për sigurinë dhe stabilitetin politik të Rajonit. Gjithashtu parlamentarët europiane shqetësohen edhe për ndërhyrjen poetike në mediat e Ballkanit Perëndimor si dhe në ndërthurjen e interesave të biznesit, politikës dhe medias në këto vende.

Parlamenti Europian thekson 4 pika në këtë rezolutë: zgjidhja e çështjeve konfliktuale në Ballkan, plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave, bashkëpunimi me gjykatën e Hagës dhe bashkëpunimi ndërparlamentar mes parlamentit evropian dhe parlamenteve të vendeve Ballkanike. Përsa i përket liberalizmit të vizave, PE-ja thekson rëndësinë e këtij procesi si një mjet për ta afruar popullin e rajonit me BE-në. Por në radhë të parë kërkohet që vendet e Rajonit të heqin vizat për njëri-tjetrin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe më pas të plotësojnë kushtet individuale për heqjen e vizave. Në një pikë të rezolutës thuhet se BE duhet të shmangë krijimin e një situate ku të krijohen diferenca mes vendeve të Ballkanit, veçanërisht në procesin e liberalizmit të vizave, çka do të thotë se favorizohet liberalizimi për gjithë vendet e rajonit në të njëjtën kohë. Gjithashtu në këtë rezolutë kërkohet që të rriten fondet për bursa studimi për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor. Kërkohet të krijohet dhe një kornizë investimi për rajonin në 2010 që do të koordinojë të gjithë fondet, huatë, apo grantet që jepen nga BE.

Rezoluta në fjalë u përshëndet nga Partia Demokratike. deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj përshëndeti veçanërisht qëndrimin francez për zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor . (a.r/news24/balkanweb)
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).