Oaze në mes të shkretëtirës tonë komunitare

Ngrehinat e mëdha të pallateve të panumërta që kanë zaptuar terrenet e qyteteve tona, ne forma të çuditshme dhe të parregullta, nuk kanë mundur, megjithë krekosjen e tyre shumëngjyrëshe, të eklipsojnë humnerën që ekziston në mendësitë e banorëve të këtyre pallateve, përsa i përket edukatës së të jetuarit në mënyrë kolektive.

Blerja e banesave qindramilionëshe, rregullimi i brëndshëm i tyre me furnizime nga më luksozet, angazhimi i tyre për të krijuar parajsa individuale që shtrihen gjer tek pragu i derës, nuk kanë mundur veçse të krijojnë oaze të veçuara në një shkretëtirë të braktisur e cila përfaqësohet nga sipërfaqe të përbashkëta banimi. Sipërfaqe ku mungesa e pastërtisë, ujit, e funksionimit të ashensorëve etj, janë një tingëllimë e fortë përkujtuese se qytetaria qëndron pikërisht në mënyrën se si administrohet jetesa në komunitet.

Është jo vetëm për t’u habitur, por për t’u marrë vërtet me shqetësim, me faktin se si ka mundësi që këta banorë të cilët në më të shumtën e rasteve kanë investuar shuma marramendëse për blerjen e vendbanimeve të tyre, nuk qënkan në gjëndje që të bëjnë një pagesë minimale mujore që jo vetëm është qesharake por edhe shpesh e papërfillshme për të administruar nevojat e domosdoshme të një jetese në komunitet.

Janë pikërisht këta individë që në shtëpitë e tyre rreshtojnë një seri parfumesh firmato, mbi lavatriçe u gjendet një supermarket detergjentësh e pastruesish dhe kur kalojnë pragun e derës së vet të blinduar, nuk kanë as shqetësimin më të vogël, se përse kur zbresin apo ngjisin shkallët si pasojë e mos funksionimit të ashensorit, copa letrash e amballazhesh u përzihen me këpucët e tyre llustrafino.

Grumbulli i mbeturinave përzier me pluhurin e këpucëve, i japin mermerit të shkallëve të pallateve tona avangardë një të përhimtë trishtuese. Një këndvështrim i çuditshëm mbi të përbashkëtën. Duket se koncepti pronës tek ne, qëndron deri aty ku mbarojnë vijat e një planimetrie të çertifikatës së pronësisë.

Të edukuar për një gjysëm shekulli me konceptin e kundërt ndaj natyrshmërisë së pronës dhe qasjes se jetes komunitare, këto dy dekada kane qenë mizore kur i referohemi faktit se si u trajtua prona e përbashkët.

Ky trajtim anatemues ndaj hapësirës së tjetrit dhe të drejtës për të jetuar me standartet më njerëzore të mundshme, u pa që me mënyrën se si këto pallate u lejuan të ndërtoheshin. Ajo çka ndodh në shkallët e pallatave tona është një miniaturë e asaj çka ndodh në qytetet tona, ku një mbeturinë e hedhur brënda në kosh përbën një histori suksesi, një shkarkim uji në banjot e vendeve publike është një tingëllimë e rrallë dhe ku vijat e bardha prej letrash në rrugë, më kot mundohen të zëvendësojnë policin.

Tek vështron një situatë të tillë, në mendje të përvijohet ideja se ka një lidhje të pazgjidhshme në mes injorancës dhe pisllëkut. Ky raport i drejtë mes tyre shkakton një gërshetim në mes kokëfortësisë dhe moszgjidhjes së problemit në rastin e marrëdhënieve të ndërsjellta në komunitet.

Ka dhjetra raste ku duhet që shkallët e pallateve tona të mbushen me plehra e baltë që banorët e tyre të ndërgjegjësohen të paguajnë për pastrimin. Kjo zgjat për pak kohë dhe refreni fillon përsëri, pluhur e mbeturina si pasojë e mos pagesës. Pa përmendur rastet kur kurnacëria shkon deri aty sa të mos riparohet pompa e furnizimit me ujë të banesës.

Ligji i ri që po aprovohet në lidhje me caktimin e një administratori në banesat e përbashkëta, është një shtysë pozitive. Por, problemet tek ne nuk janë ligjet por zbatueshmëria e tyre. Frika është se edhe ky ligj do të pësojë fatin e ligjit të pirjes së duhanit në vendet publike.

Dyndja e qindramijëra shtetasve nga zonat periferike të vendit drejt kryeqytetit apo qëndrave të mëdha, në një kohë të shkurtër përsa i përket lëvizjeve demografike, ka përmbysur rrjedhën normale të proçesit të natyralizimit. Që do të thotë. Një lëvizje normale demografike në përmasa të kontrolluara, bën që të ardhurit në një komunitet qyteti apo kryeqyteti, t’i përshtaten modelit dhe rregullave të banorëve të atij vendi duke u natyralizuar me këtë komunitet dhe duke u bërë pjesë e tij.

Në rastin tonë, dyndja e menjëhershme dhe stërmadhe demografike drejt kryeqëndrave, bëri që të ardhurit, në një farë mënyre, të impononin rregullat dhe mënyrët e tyre heterogjene të jetesës si pasojë e krahinave të ndryshme, duke denatyralizuar edhe ata që tashmë kishin një jetë të rregullt komunitare. Ky proçes denatyralizimi edhe të atyre pak banorëve me koncepte të drejta të bashkëjetesës në komunitet e rëndon më tepër problemin duke e bërë atë gati-gati të pazgjidhshëm.

Nuk mund të pretendojmë të bëjmë gjëra të mëdha si popull, kur akoma nuk kemi zgjidhur problemet e vogla elementare. Ngjitja e një kombi realizohet përmes rrugësh të vështira të mundimshme duke filluar qofshin këto edhe nga një palë shkallë të pastra e higjienike. >smiley>

> smiley>

 

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).