Ne jemi të gjithë “romë”

Para pak ditësh u konstatua një dukuri që nuk ishte parë dhe dëgjuar kurrë më parë. Kjo nuk kishte ndodhur as në vitet e pakta të demokracisë por as në dekadat thuajse kilometrike para saj. Për herë të parë, (dhe kur themi kështu nuk ka vend për asnjë dyshim se është vërtet për herë të par&eumlsmiley, qeveria ndërmori një nismë si një kavaliere spektakolare. Ajo deklaroi se do t’i vihej në ndihmë për kartat e identitetit, jo thjesht një shtrese njerëzish të varfër, jo thjesht një grupacioni që ndodhej në vështirësi pavarësisht nga origjina apo kultura e tyre, por për një minoriteti të tërë i cili jeton në Shqipëri siç është minoriteti romë. Dhe pas kësaj kuptohej se nuk kishte më rëndësi fakti nëse dikush prej tyre jetonte buzë lumit apo në pallat, nëse ishte në udhëtim të pafund me karvanë kuajsh apo shiste diku tek tregu, nëse derdhte shpirtin në art me saze nëpër dasma, apo kalkulonte në një zyrë të dhënat për mbarëvajtjen e biznesit. Nuk kishte më rëndësi nëse dikush prej tyre endej udhëve të botës krah një tjetri që ndryshonte prej tij vetëm nga nuanca e lëkurës, apo rropatej duke fshirë udhët e qytetit me fshesë po krahas dikujt që ka zbritur nga larg dhe që nuk është aspak minoritet. Të gjitha këto nuk kishin më rëndësi, por harrohej një fakt fare i thjesht. Ne jemi të gjithë “romë”.

Ndoshta kaq hapur nuk e ka thënë askush para se qeveria të ndërmerrte hapin e saj, veçse janë thënë ca gjëra të tjera të cilat po t’i vëresh me një shikim fare të përciptë të çojnë tek konstatimi i mësipërm. Por për të mos u nxituar le të ndjekim një rrjedhë ngjarjesh që lidhen me këtë temë. A nuk ndodhi që para pak ditësh u tha hapur, por edhe në vazhdim po thuhet po kaq hapur, se për t’u pajisur me karta identiteti falas do të ndihmohen vetëm ato shtresa që janë në vështirësi ekonomike? A nuk ndodhi që pas kësaj thuajse në mënyrë prekëse dhe mallëngjyese, u deklarua se nga kjo filantropi përfitojnë vetëm romët (edhe egjiptianët) dhe askush tjetër? A nuk vërehet se në nismën e qeverisë ka një lidhje shumë kokëforte mes faktit të të qenit në vështirësi ekonomike dhe të qenit romë? Duke ecur më tej, a nuk jemi thuajse të gjithë ne në ditë të këqija ekonomike? Pas kësaj, a nuk kemi të drejtë të bëjmë edhe lidhjen që ekziston mes gjendjen sonë ekonomike dhe romëve, mes romëve dhe nesh, mes nesh, gjendjes ekonomike dhe romëve dhe të gjitha këto të pleksura në një qerthull të pafund ku duket se nuk ka asnjë dallim? E pra duke ndjekur këtë logjikë të ngjarjeve ne mund të pranojmë pa frikë se nuk ka dyshim se jemi të gjithë jemi “romë”.

Këto ishin disa konkluzione logjike për të hedhur dritë rreth konstatimit të bërë që në nisje të këtij shkrimi. Por ka dhe plotë fakte të tjera të cilat na çojnë në konkluzionin se ka plotë ngjashmëri të cilat qeveria me fare pak kujdes duhet t’i kishte evidentuar dhe nuk duhet ta kishin lënë atë të gabonte duke na diskriminuar në këtë mënyrë ne jo romët, “romë”. Ajo nuk duhet të ishte sjell kaq padrejtësisht me “romët” e tjerë. Këto fakte janë aq të shumta po sa për ilustrim përmendim vetëm disa prej tyre. Dihet se veçoria më kryesore e popullsisë rome është pasioni i saj për të shtegtuar ku të mundi. Ajo strehohet ku e zë udha pa e vrarë shumë mendjen se atë strehë nuk e ka në pronësi. Aty në atë shtëpi që nuk është e tyre ata lumturohen, shijojnë të gjitha kënaqësitë deri në ekstrem mes këngëve dhe gazit. Për të nuk kanë asnjë vlerë as tapitë, as vulat, as hipotekat nuk kanë asnjë vlerë. Për ta nuk kanë vlerë as zyrtarët që merrem me probleme pronash dhe mund të bëjnë lloj-lloj korrupsioni për të të dhënë një pronë e cila mund të jetë e jotja, por edhe mund të  mos jetë jotja. Duket se në këtë kuadër ata i kanë hequr një shans më shumë veseve që infektojnë trurin e njeriut, sepse vesi që e ka bazën tek prona tek ata që nuk kanë pronë nuk ka asnjë vlerë. Këto janë veçori të atyre që quhen popullsi rome. Për të parë lidhjet që ekzistojnë le të shohim një popullsi tjetër, pra veten tonë. Në rreth njëzetë vite ne kemi shtegtuar aq shumë sa edhe romi më endacak do të ndihej ngushtë kur të shikonte secilin prej nesh me një grumbull plaçkash duke u endur sa në një cep të Shqipërisë në tjetrin. Është i njëjti shpirt endacak, i njëjti pasion për të ndryshuar jo njëherë por disa herë vendbanimin. I njëjti ngazëllim për të ikur me plaçka në krah sa në një skaj në tjetrin, jo vetëm brenda kufijve të vendit, por madje edhe përtej oqeanit. Si ata, pra romët po ashtu dhe ne ndërtojmë ngulmimet tona, nëpër pllaja apo fusha pa asnjë rregull, me rrugë, pa rrugë, me dyer nga lindja apo perëndimi, me dashuri të zjarrtë për fqinjin që sapo e shohim pranë vetes dhe pastaj me sherre të pafund me të deri sa sherret mund të ndahen edhe ndryshe, si dimë t’i ndajmë ne jo romët. Por ajo që ka më tepër rëndësi në këtë drejtim, siç u përmend edhe më lart  është fakti se nuk ka asnjë ndryshim për sa i përket pronësisë mbi strehën ku futin kokën si romët ashtu dhe ne. As romët, por në një masë të madhe as të tjerët që nuk janë romë nuk kanë asnjë pronësi për strehën e tyre. Jo vetëm atje në bathoret shqiptare të shpallura, por edhe në ato të pashpallurat që do të thotë nëpër lagjet e qyteteve ne jetojmë në jo pak raste në ca shtëpi që nuk janë tonat. Për këto shtëpi edhe ne të tjerët ashtu si romët po e humbasin konceptin e hipotekës, të pronësisë, etj etj, gjëra këto që janë tipare të njerëzve të ngeshëm, por në asnjë mënyrë veçori e popullsisë rome, apo e asaj me ndjenja romiste siç jemi ne. E  pra si mund ta gjejmë ndryshmin mes dy etnive, të cilat të dyja e kanë pasion, madje dalldi të lëvizin duke qëndruar nën një strehë që e kujtdo mund të jetë, por jo e tyre.

Nëse do të ecim më tej do të shohim edhe ca afërsi të çuditshme edhe në drejtim të konstruktit shpirtëror. Kështu ndërsa thuhet se të parët e atyre që nuk janë romë kanë pasur veçori dalluese dhe të spikatura folklorin e tyre, tani ka ndodhur një rrafshim romist mbi të gjitha dallimet, dialektet, veçoritë, rrafshim ky  i paparë ndonjëherë. Duket se më në fund rezistenca e dallimeve të atyre që nuk janë romë është dorëzuar nën zhurmën e sazeve dhe të tingujve melankolik që nuk dihet nga cili skaj i botës kanë ardhur. Pa paragjykuar asgjë, pa dashur të bëjmë edhe orakullin ju mund të hapni një stacion radioje apo televizioni ku jepen këngë të pafund, të shkoni në një dasmë në cilin skaj të këtij vendi që të doni, në jug apo në veri, të merrni pjesë në një gëzim të hareshëm nën ca çadra buzë lumit, apo në një lokal luksoz dhe pastaj pa pasion, pa inat, pa asnjë mllef të përpiqeni të numëroni disa ndryshime. Të jeni të bindur se do të dështoni dhe menjëherë do të hiqni dorë nga kjo ndërmarrje duke u justifikuar veten se bota po shkon drejt barazimit të vlerave. Po jo vetëm kaq. Ne edhe mënyrat e festimit thuajse i kemi të njëjta. Të hareshme, plotë zhurmë ku shumë vet flasin dhe askush nuk dëgjon, ku tymi dhe zhurma janë të vetmet sunduese në atmosfera të tilla. A doni vetëm një shembull? Kujtoni ato festime zhurmuese të vetëm pak ditëve më parë. Një turmë e ekzaltuar që priste në aeroport të zbriste paria, pastaj ulërima të pafund borish që dukeshin si hingëllima kuajsh të azdisur, ku nuk e merrte vesh i pari të dytin, tym i paparë nëpër xhade në një vrapim makinash që dukeshin si kuaj thuajse të harbuar të cilët me tërsëllëm ndalën para shkallëve të qeverisë dhe pastaj... mirupafshim...festa vazhdon. Asgjë nuk mbaron këtu.

Më gjeni një njeri që nuk ka veshur njëherë në jetën e tij rroba me ngjyra llamburiste blerë atje tek tregu i grumbujve të pafund të rrobave, duke bërë që të mos ketë asnjë ndryshim jo mes etnive të ndryshme po as ne mes njeri-tjetrit. Në një paradë groteske mode ne i gëzohemi atij tregu. Kjo nuk thuhet për të treguar se ndoshta ne bëjmë gabim që veprojmë kështu, por përmendet thjesht për të parë se sa pak dallime ka. Çdo dallim i sforcuar nuk është gjë tjetër veçse pjellë e kotë e mendjeve të atyre që drejtojnë të cilët kanë dëshirë t’i shikojnë shtetasit e tyre të ndara në grupe edhe kur këto grupe nuk ekzistojnë. Të varfër dhe të pasur janë veshur me ato rroba. Idealist dhe mashtrues dhe lloj-lloj tipash që më pas hyjnë e dalin nëpër dyqanet e modës, fillimisht janë veshur atje. Ambicioz dhe karrieristë të cilët ende nuk janë bërë politikanë, vishen fillimisht atje dhe pastaj kur ulen në karrigen e politikës duket se i harrojnë ato. Ndoshta mund të përmendim edhe tipare të tjera të cilat tregojnë se qeveria ka bërë një gabim krejt të pafalshëm kur ne na ka menduar si njerëz ndryshe. Ne ashtu siç u tha duket se kemi shumë ngjashmëri gjeografike, kulturore, zakonore dhe plotë të tjera të cilat ishin plotësisht të mjaftueshme që ajo të mos na ndante nga gjesti i saj bujar. Ne të gjithë të tjerët nuk duhet të ishim diskriminuar kaq hapur. Si të mos mjaftojnë kaq shumë shembuj ngjashmërie do të duhej t’i hidhnim një sy edhe një treguesi mbase të parëndësishëm siç është ana ekonomike. Mbase ky tregues duhet të përmendej në fillim pasi atje është mbështetur qeveria për të ndihmuar komunitetin e romëve (dhe të egjiptianëve), por kjo nuk do thotë se nga rëndësia qëndron i fundit. Nëse përkimet e mësipërme mes minoritetit romë dhe pjesës jo rome ishin përkime që mund të tingëllojnë artistike, ajo më e vërteta, ajo që nuk ka lidhje me asnjë lloj arti është xhepi ynë i shpuar. Është një nga ngjashmëritë të cilën nuk do të donim të ekzistonte, por ja që ajo është fakt. Edhe ne si romët marrim rrugën e kurbetit me shpresë të një jete më të mirë, madje nganjëherë të duket se ata janë më shumë të lidhur me këtë tokë se ne. Edhe ne si romët vërtitemi nëpër “Omoniat” tona të krijuara në çdo qytet me vegla në krahë me shpresë se dikush do të blejë pak nda djersa jonë. Por edhe pse mund ta marrim bukën me listë nuk harrojmë të blejmë një makinë të bukur të cilës ia ledhatojmë faqet e saj të ndritshme si qimet e buta të një doriu të stolisur me plotë lulka si romë të vërtetë.

Minoriteti romë është një minoritet i respektuar, një minoritet plotë botë poetike, plotë tradita dhe zakone aq të bukura sa shpesh do të ndiheshe mirë po të ishe romë. Të gjitha ato që u thanë nuk kanë asnjë lidhje me këtë popullsi dhe për këtë nuk duhet krijuar asnjë keqkuptim. I vetmi gabim, i vetmi ngërç që ekziston në këtë mes është padrejtësia e krijuar nga qeveria jonë ndaj nesh, e cila krejt papritur na ndau nga ky komunitet. Ishte ky gjykim që e ka futur politikën në një kurth qesharak ku të gjithë po bëjnë llogari si të zbresin 100 apo 200 lekë, si të krijojnë ca mekanizma të sofistikuara që këto 100 apo 200 lekëshe të merren në forma të tjera e plot sofizma të tjera kur kjo mund të zgjidhej fare lehtë. Po ndoshta qeveria ka menduar se po ta zgjidhte ndryshe problemin me këto 100, 200 apo 1200 lekë do të dëmtonte fisnikërinë tonë jo romiste. Sidoqoftë ajo nuk duhet të na kishte diskriminuar ekonomikisht kaq hapur ne jo romët, “romë”.

1 Komente

Ti japesh falas kartat e identitetit romeve, minoritetit egjyptian eshte te vazhdosh ti ushqesh me ate ndjenjen e papergjegjshmerise, qe historikisht i ka karakterizuar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).