Ndertimi, ose ngutja drejt krizes

Edhe pse thuhet se ai që vrapon më shpejt zakonisht do të lodhet më shpejt, ky konkluzion nuk mund të merret apriori si i vërtetë për të gjitha dukuritë dhe fenomenet. Në mënyrë të veçantë ai nuk ka gjasa të besohet në ritmin e ecjes dhe zhvillimit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë ku mund të pranohet se ka një ligjësi krejt të kundërt nga sa u tha më lart. Sektorët ekonomik të cilët kanë ritme zhvillimi mbi mesataren, ose që janë në pararojë në krahasim me të tjerët për sa i përket shpejtësisë së zhvillimit, krijojnë edhe mundësi më të mira për konsolidimin e tyre dhe hedhjen e bazave të sigurta për ngjitjen në një stad të ri zhvillimi, por edhe ky konkluzion duhet të merret me rezervë. Mund të ndodh që të kemi një pamje tjetër për sektorë të veçantë të ekonomisë së një vendi dhe sidomos në ato vende ku rregullat e lojës së ekonomisë së tregut sapo kanë filluar. Kështu në një moment të caktuar këta sektorë mund të gjejnë hapësira thuajse të virgjëra për zhvillimin e tyre, mund të gjejnë një treg të etur për to, mund të ndeshin në lehtësira të rregullave fiskale ose më saktë indiferentizëm dhe anashkalim në zbatimin e këtyre rregullave si dhe kushte favorizuese për kthimin sa më të shpejt të normës së fitimit, apo të fitimit thuajse pa limit. Në këto rrethana për sektorë të tillë krijohen mundësitë që jo thjesht ato të ecin më shpejt, por ashtu në ngazëllim e sipër, ecja e tyre të anashkalojë shumë principe të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me zbatimin e rregullave të ecjes por edhe me shpenzimin jo racional të energjive të tyre. Sektorë të tillë bëhen pre e lakmisë të njerëzve që kanë prirje për t’u marrë me biznes, apo edhe e atyre që në udhë e sipër i përvetësojnë këto rregulla, por edhe e shumë të tjerëve të cilët të nxitur nga fitimi pa shumë mundim hyjnë atje pa njohur dhe zbatuar asnjë rregull duke bërë që një sektor i tillë të ketë një pamje të rrëmujshme edhe ashtu me temp të lartë ecjeje. Ky sektor që ecën  kështu shpejt e rrëmujshëm, hyn më shpejt në një fazë lodhjeje, ose e thënë ndryshe në krizë. Ai që po i ndien më shumë pasojat e ngutjes në tempin e ecjes së tij është sektori i ndërtimit i cili realisht është në krizë. Por që të kuptohen më mirë shkaqet e kësaj krize do të duhej që së pari t’i hidhej një sy ecurisë së tij qysh nga fillimi i viteve nëntëdhjetë. Është e vërtetë se Shqipëria vuante nga mungesa e shumë gjëra në atë kohë, por së pari ajo ishte tmerrësisht e varfër në sferën e ndërtimeve. Shqiptarëve u ishte ofruar një mirëqenie e denjë për vendet e botës së tretë, por si të mos mjaftonin shumë e shumë privime të tjera, ata nuk kishin një strehë ku të futnin kokën gjë që u kuptua menjëherë nga ata që ishin bërë gati të startonin në biznes dhe nga ata që nuk kishin as njohurit fillestare se si mund të hyje në një biznes. Në këtë kuadër u pa që në fillim se biznesi i ndërtimit ishte shumë fitim prurës dhe të ardhurat realizoheshin brenda një periudhe shumë të shkurtër. Ishte nj biznes me treg të garantuar si paradhënie, që do të thotë se shitja ose marrja e të ardhurave quheshin të realizuara ende pa filluar puna e jo më të përfundohej ajo. Mjafton të ishte marrë leja e ndërtimit, apo më rastin më të mirë të kishte nisur çelja e themeleve të ndërtimit të ri dhe firma e ndërtimit e kishte të përfunduar shitjet e produktit të saj gjë që nuk ndodh me asnjë produkt tjetër sado joshës që të jetë  për klientët. Më e sakta do të ishte të thuhej se në biznesin e ndërtimit hallka e shitjes ishte thuajse e eliminuar që nënkupton një avantazh të dukshëm për ushtruesit e këtij biznesi, ndërsa në një procedurë të zakonshme zinxhiri do të ishte shumë i gjatë duke filluar me marrjen e lejeve të ndërtimit dhe deri tek hipotekimi i pallatit dhe kjo do të shënonte edhe aktin e shitjes Duke e kuptuar këtë avantazh nga biznesi i ndërtimit në përgjithësi, që në fillim vëmendja përqendrohej më tepër tek marrja e lejeve të ndërtimit që do të thoshte edhe shitje se sa tek vet ndërtimi dhe hallkat e tjera që vinin pas saj të cilat detyrimisht duhet të kaloheshin sipas radhës së tyre deri në shitje. Kjo dukuri duhet theksuar sepse ishte ky kapërcim, ishte ky devijim nga rregullat e tregut që prodhuan një dukuri të panjohur më parë dhe që ishte ndryshe nga të gjithë rregullat e tregut ku shitjet ishin totalisht fiktive. Klienti paguante lekët dhe nuk i realizohej jo më ligjërisht, por edhe fizikisht shërbimi që kërkonte që do të thotë se nuk e kishte mallin e tij. Kjo është një nga anët më negative të biznesit të ndërtimit e cila e ka shoqëruar atë deri në ditët e sotme që do të thotë deri në krizë duke qenë edhe një nga indikatorët e krizës, për të cilën fajtorë janë në radhë të parë shitësit, por nuk janë pa faj edhe blerësit e këtij malli. Duke qenë një drejtim biznesi në dukje i lehtë, por sidomos shumë fitimprurës, drejt tij vërshuan lloj-lloj biznesmenësh të mëdhenj e të vegjël, apo thuajse jo biznesmen të cilët pa asnjë përvojë, por sidomos pa asnjë aset njerëzor dhe monetar, të domosdoshme këto për të filluar një biznes, filluan nga puna që do të thoshte nisja e punimeve dhe realizimi i shitjes në të njëjtën kohë. Firmat e ndërtimit u shtuan aq shumë sa ishin themelet apo skeletet e  pallateve që dukeshin në çdo hapësirë boshe. Ky shtim i pafund numerik bëri që tek shumë prej tyre të mungonte drejtimi i kualifikuar, të mungonte peshorja dhe logjika ekonomike sepse meqenëse prishej radha e hallkave të biznesit, kjo logjikë dhe peshore dukej si e panevojshme. Në momentin që realizohej shitja gjithë logjika ekonomike largohej automatikisht nga ky pallat dhe përqendrohej tek marrja e lejes së ndërtimit të pallatit në vazhdim e kështu me radhë. Në këtë mënyrë ky sektor i ekonomisë i shtrirë më shumë se asnjë sektor tjetër doli nga rregullat më elementare të funksionimit të një biznesi. Nëse normalisht këto rregulla do të nënkuptonin në linja kryesore, marrje e lejes së ndërtimit-ndërtim-hipotekim-shitje, kjo procedurë u transformua në një zinxhirë shumë më të shkurtër, më saktësisht, marrje leje së ndërtimit-shitje fiktive-marrje lejes së ndërtimit të pallatit në vazhdim. Siç shikohet nga skema e dytë, nuk duket në horizont as shitja reale e pallatit, por as edhe pallati real. Kjo ndodhte sepse këto procese mendohej se do të vinin më pas dhe nuk dihet se sa vazhdonin ato sepse edhe tani pas shumë vitesh ku banorët kanë hyrë në pallate, ata ende nuk janë pronarë të tyre. Në këtë mënyrë të ardhurat e realizuara nga shitja e pallateve që janë në fillim të ndërtimit ose në ndërtim e sipër nuk përdoret për vet atë pallat por për pallatin paraardhës i cili edhe ai është në proces ndërtimi. Kjo mënyrë funksionimi i jep ndërtimit shumë herë një imazh të pastër piramide ku i fundit shlyen të parafundit e kështu me radhë. Në këtë kuadër jo rrallë thuhet se një nga shkaqet që po e shtynë biznesin e ndërtimit të krizë, apo për të qenë më të moderuar në vështirësi, është edhe pamundësia e dhënies së lejeve të ndërtimit, ose edhe bllokimi i tyre. Pa u thelluar më shumë edhe kjo mund të jetë një arsye, por duke e parë problemin të lidhur me ato që sapo u thanë pakë më lart, bllokimi ose ç’bllokimi i lejeve të ndërtimit nuk është gjë tjetër veçse shtyrje e përkohshme, ose afrim i krizës së sektorit të ndërtimit. Duke qenë se sektori i ndërtimit ka pasur si veçori jo vetëm shtrirjen e tij, por edhe fitime të konsiderueshme, ai u bë i lakmueshëm dhe si një mundësi korruptimi e zyrtarëve të lartë, apo të shkallëve të ulëta, të djathë apo të majtë, korruptim ky që natyrisht ka ndikuar edhe në anashkalim të zbatimit të ligjshmërisë. Aq e  vërtetë është kjo sa mund të thuhet se sektori i ndërtimit ka qenë dhe është fusha më e lakmuar për të zhvilluar luftë politike duke e cilësuar si një tundim të pa rezistueshëm të shumë politikanëve. Kështu kur flitet për afera korruptive, le të themi për një njeri ordiner, mendja të shkon tek droga, prostitucioni, etj, ndërsa sa herë flitet për zyrtarë të korruptuar, refreni nis dhe mbaron me lejet e ndërtimit. Jo rrallë herë nën zë por edhe publikisht thuhet se në fushën e dhënies së lejeve të ndërtimit ka abuzime gjë që do të thotë se në këmbim të këtyre privilegjeve të pamerituara prishen rregullat e funksionit të ndërtimit si biznes ku zyrtarët janë ata që përgjigjen në radhë të parë për zbatimin e rregullave të lojës. Veç sa më lart, nisur nga mundësia për të pasur një normë fitimi sa më të lartë, në sektorin e ndërtimit kurba e rritjes së çmimeve ka ardhur gjithmonë në rritje duke mos pasqyruar ndryshimet që kanë ndodhur në ato sektorë të cilët janë bazë për furnizimin e këtij sektori. Kështu mjafton të përmendim  se vetëm brenda më pak se dy viteve  çmimi i hekurit i cili zë peshën kryesore në ndërtim është dyfishuar dhe pastaj ka shkruar po në nivelin që ka pasur në fillim, kjo gjë nuk është ndier aspak në çmimin a apartamenteve gjë që do të thotë se ka munguar fleksibiliteti që dikton tregu dhe për rrjedhojë edhe përshtatja e tij me këtë treg. Pasojat e një politike të tillë në fushën e ndërtimeve po i vuan vet ky biznes.>smiley>

Nëse u evidentuan disa probleme të cilat kanë të bëjnë me vet sektorin e ndërtimit, nuk duhen neglizhuar edhe faktorë të tjerë jashtë këtij sektori të cilët nuk janë pa influencë dhe që lidhen edhe me krizën globale. Kështu mund të përmendim se nëse vetëm para pak kohësh ishte thuajse e lehtë për të marrë një kredi për blerje apartamenti sot kjo mundësi, si rrjedhojë e forcimit të kushteve për dhënien e kredive nga bankat, është bërë thuajse pamundësi për blerësit e thjeshtë gjë që do të thotë një arsye më shumë për të mos blerë dot një apartament. Nëse vetëm para pak kohësh të gjitha kursimet e emigrantëve investoheshin tek blerja e një apartamenti, sot këto kursime jo vetëm që janë bërë më të pakta, por nën efektin e krizës ata mendojnë me sa duket për t’i përdorur ndryshe ato kursime se sa ngurtësim të tyre në një treg të tillë. Ne mund të numërojmë edhe faktorë të tjerë jashtë këtij sektori, por ajo që ka më tepër rëndësi është fakti se duhet njohur dhe pranuar vështirësitë që po kalon sot sektori i ndërtimit, i cili realisht është në krizë. Të ecësh shpejt natyrisht që nuk është aspak herezi, por ne u munduam të theksojmë se kjo ecje, më saktë kjo ngutje me ose pa dashje ka çuar në prishje të rregullave të sektorit të ndërtimit duke bërë të mundur që pasojat e një fakti të tillë të jenë sot evidente. Në këto kushte rëndësi ka që të njihen këto dukuri negative të krizës që po shfaqen si kudo edhe në ndërtim. Por edhe pse një e tillë është reale, me sa duket qeveri ka zgjedhur variantin e propagandimit të një situate jashtë krize. Ajo mund të ketë arsyet e veta pse ndjek këtë rrugë, por logjika se një plagë shërohet kur ajo njihet, natyrisht që është e vërtetë edhe në sfera të tjera jashtë mjekësore.>smiley>

 

3 Komente

5 *

Mua me shqeteson shembulli i Spanjes. Nje nga vendet me rritje ekonomike me te larte, sot ka nje papunesi prej 20% per shkak te krizes. Ndertimi eshte nje nga zerat kryesor te Prodhimit te Brendshem. Ndertimi eshte nje faktor zhvillimi ne periudhen e shkurter, po nuk ka efekt ne permiresimin e struktures industriale. Me vjen keq, qe ne pergjithesi ne klasen politike, nuk shoh nje strategji te qarte mbi ate, qe duam te bejme me vendin tone. Turizmi deri me sot i eshte lene iniciativave personale. Nga qeveria aktuale shoh tendencen per te perqendruar forcat ne sektorin energjitik, tregtar. Po sa eshte bere per te formuar klasen drejtuese dhe ate teknike? Shqiperia lulezon me fakultete ne shkencat humanee  universitete qe s'vlejne dy leke. Vendin e çojne perpara inxhinieret, ekonomistat, inovatoret, jo gazetaret e avokatet (me gjithe respektin per gazetaret e avokatet)

Per opoziten "pertej te majte e te djathtes" socialiste, mos te flasim fare, se mungon koncepti baze strategjise ekonomike.

Ndertimi eshte sektor i shkelqyer per te krijuar pasuri, po sa do te jemi ne gjendje ta perdorim kete pasuri te akumuluar per ta shnderruar ne faktor zhvillimi afatgjate, kjo eshte sfida e vertete e nje klase politike largapamese.

 

 Mendoj se bllokimi i lejeve te ndertimit eshte provizor, gjersa urbanistika te beje studimet e duhura per zona te lira ndertimesh.  Natyrisht qe urbanistika projekton rruget e ardhshme ne fillim, ndonje autostrade qe do te kaloje, rrugen e trenit elektrik me dy kalime (sepse ne nje te ardhme Shqiperia do te lidhet me Europen nepermjet Malit te Zi), pastaj projekton blloqet e ndertimit te apartamenteve dhe hoteleve. Biles projekti i trenit elektrik, piketimet, duhet te mbarojne sa me shpejt, per te mos bllokuar deri vitin qe vjen ndertimet. Dy akset kryesore te saja jane Mali i Zi-Tirane dhe Maqedoni-Prrenjas-Durres. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).