Miratohet komisioni hetimor "Rama 2"

Mazhoranca, vetëm tri javë kohë për të investiguar mbi kreun e opozitës

Me 68 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenime Kuvendi miratoi dje ngritjen e komisionit hetimor për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kanë qenë vetëm deputetët e mazhorancës që kanë votuar pro ngritjes së këtij komisioni, pasi opozita bojkotoi edhe dje seancën parlamentare. Votat kundër ishin të deputetëve të PBDNJ-së, Spiro Peçi e Leonard Solis dhe të atyre të PDK-së, Nard Ndoka, Frrok Gjini, Ndue Shpani e Ymer Tola, të cilëve nuk iu pranua ideja për hetimin e spoteve qeveritare. Në kategorinë e abstenimeve futen votat e Durim Lamajt dhe Angjelina Kolës. Komisioni do të jetë i përbërë nga 9 anëtarë, ku pesë prej tyre janë nga mazhoranca. Ferdinand Xhaferri do të jetë kryetari i komisionit dhe anëtarët e djathtë janë Aldo Bumçi, Edi Paloka, Lajla Pernaska dhe Gjok Vuksani. Katër anëtarë do të ketë opozita, por deri më tani ajo nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë dhe nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë. Për ngritjen e këtij komisioni hetimor mazhoranca ka mbledhur dhe depozituar në Kuvend 40 firma të deputetëve. Kryetari i komisionit hetimor, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje se qëllimi i krijimit të këtij komisioni është hetimi i rasteve korruptive klienteliste dhe në konflikt të hapur interesi të lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Për mazhorancën është e mjaftueshme periudha prej 3 javësh për hetimin e abuzimeve të bëra nga kryebashkiaku në mbledhjen e fundit të KRRT-së. Xhaferri theksoi më tej se çështjet që do të hetohen lidhen me praktikat dhe procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi me Bashkinë e Tiranës në kundërshtim me ligjin, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimi dhe mosdërgimin e planit të ri rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratimin sipas ligjit dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues. Sipas mazhorancës, në mbledhjen e 12 prillit 2009, kryetari i bashkisë dhe i KRRT-së së Tiranës ka thirrur një mbledhje dhe nga 18 leje për projekte pune publike, 14 prej tyre votoheshin dhe fitoheshin prej vetë Ramës. "Dhënia e lejeve abuzive të ndërtimit dhe bllokimi i miratimit të planit të ri rregullues të Tiranës dëshmojnë veprimtarinë e tij të kthyer në një sjellje politike konstante dhe të mirëmenduar për të vazhduar abuzimin dhe ndërtimin e një sistemi korruptim ligjërisht të dënueshëm", theksoi Xhaferri. Në vlerësimin e mazhorancës, kryetari i bashkisë, Rama, ka dhënë leje ndërtimi për anëtarët e kartelit të tij në mënyrë të papranueshme, në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt të hapur interesi. Kryetari i komisionit hetimor tha se, Rama ka bllokuar miratimin e planit të ri rregullues të Tiranës. Xhaferri theksoi se "prej gati 10 vjetësh në mënyrë të qëllimshme Rama ka bllokuar hartimin e një plani të ri rregullues, i cili do të disiplinonte hapësirat urbane dhe do të ndërpriste masakrën urbane të dirigjuar prej tij". Deputeti Spartak Ngjela e kundërshtoi ngritjen e këtij komisioni hetimor, duke deklaruar se janë gabim procedurat dhe nuk kapen afatet e përcaktuara nga ligji. Kjo është hera e dytë që mazhoranca ngre një komision hetimor parlamentar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Komisioni i parë është ngritur në vitin 2003, kur kryebashkiaku u hetua nga një komision hetimor, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

Reagimi i kreut të Bashkisë së Tiranës

Rama: Vunë në jetë një skenar të vjetër

Një alibi e mazhorancës për humbjen në zgjedhjet parlamentare. Kështu e cilësoi dje kryebashkiaku Edi Rama vendimin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar kundër tij. "Sot, Kryeministri Berisha dhe shpura e tij ngritën një komision hetimor kundër bashkisë dhe kundër meje personalisht. Por dua t‘i them Kryeministrit se qytetarët e këtij vendi janë më të mençur nga çmendon ai dhe papagajtë e tij", tha Rama. Më tej, ai vuri në dukje se kjo nuk është asgjë e re, por është vënia në jetë e një skenari të vjetër. Rama vlerësoi se ngritja e komisionit hetimor është sulm politik për të arritur atë që kurrë nuk kanë për ta arritur, të shmangin humbjen në zgjedhje. Rama iu referua pikërisht dy tentativa të mëparshme të mazhorancës për të denigruar figurën e tij. Ai kujtoi publikimin e fotove të tija personale në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, për të cilat, siç u shpreh Rama, Berisha e mori përgjigjen përmes votës së qytetarëve. "Gjashtë vjet më parë, ngritën një tjetër komision hetimor dhe morën të njëjtën përgjigje. Humbjen për Berishën dhe shpurën e tij", deklaroi kryebashkiaku Rama. Ai u shpreh se ka një shprehje të vjetër: "I dëshpëruari bën gjëra të dëshpëruara dhe dëshpërimi i humbjes nuk mund të fshihet as me taksën e votës. Ka ardhur koha që t‘i jepet fund kësaj keqqeverisjeje". Më tej, lideri i opozitës vuri në dukje se komisioni është i paligjshëm, sepse ligji ndalon ngritjen e komisioneve parlamentare katër muaj para zgjedhjeve. Ai i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese gjashtë vjet më parë, që vlerësonte se pushteti lokal është i ndarë nga ai legjislativ. Si i tillë, për ta hetuar atë ekzistojnë mënyra të tjera dhe jo një komision hetimor parlamentar. Rama konsideroi se kjo nismë e fundit është një sulm politik, i organizuar në mënyrë që organizatorët të kompensojnë boshllëkun mes tyre, për të shmangur atë që i pret, humbjen. Rama tha se duke miratuar ngritjen e një komisioni hetimor, Berisha u dha më shumë shans shqiptarëve dhe një arsye më shumë për ta larguar atë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).