Michels dhe politika në Tiranë

Pak ditë më parë në faqet e gazetave të Tiranës, u përmend emri i Roberto Michels. Në këtë përrallë ia vlen që të diskutojmë pak për argumentin e tij dhe për politikën e sotme shqiptare si evidencë në mbështetje të argumentit të tij. Michels (shqiptohet Mikels) studioi partinë socialdemokrate gjermane. Studimi i tij që doli në vitin 1915 e bindi Michels që nuk kishte zgjidhje tjetër përveç sundimit të oligarkisë dhe të pranimit të sundimit të saj.

Paradoksi që studioi Michels ishte ky: si shpjegohet që një parti e krijuar në bazë të një ideologjie universaliste si marksizmi dhe me bazë klasore proletariatin përfundoi që të mbështesë kauzën nacionaliste dhe të votojë në mbështetje të hyrjes së Perandorisë Gjermane në Luftën e Parë Botërore? Shpjegimi që Michels i dha këtij paradoksi ishte "ligji i hekurt i oligarkisë." Thënë shkurtimisht, ligji i hekurt i oligarkisë përmblidhet në këtë: pavarësisht origjinës së një partie politike, (dhe të gjitha partitë fillojnë si parti të masave të gjëra dhe me një bosht ideologjik) në fund të fundit, struktura e shkëput partinë nga kontrolli i ideologjisë dhe e vë në shërbim të një grushti oligarkësh që e përdorin partinë për interesat e tyre dhe e kontrollojnë atë pse kontrollojnë strukturën e saj. E vetmja gjë që e ndryshon këtë gjendje është dalja e një partie të re të bazuar në ideologji dhe me udhëheqës të rinj. Mirëpo edhe kjo parti e re, me kohë, sipas Michels do të bëhet si të tjerat përpara saj dhe do të përfundojë si strukturë në shërbim të disa oligarkëve që e kontrollojnë partinë me dorë të hekurt. Dhe kështu rifillon cikli i minimit të ideologjisë dhe i fillimit të oligarkisë partiake. Duke mos parë zgjidhje tjetër, vetë Michels përfundoi në Itali si mbështetës i fashizmit dhe i Musolinit. Mirëpo, përvojat demokratike, veçanërisht ato mbas Luftës së Dytë Botërore, kanë treguar se jo gjithmonë ky ligj është i vërtetë. Përvojat demokratike kanë treguar se ky ligj nuk është as i hekurt e as përgjithësues.

Megjithatë, në rastin e shtetit shqiptar gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit , ky ligj është vërtetuar plotësisht e katërcipërisht. Politika shqiptare është në ekstremin e mundshëm të oligarkizimit dhe të kontrollit të strukturave partiake të cilat janë vënë pa kushte në shërbim të interesave të individëve e të klaneve të oligarkëve që i kontrollojnë këto parti. Pjesë e parisë së Tiranës e të lidhur me njëmijë fije, siç edhe e kam argumentuar në shënimet e tjera, këto struktura oligarkike kontrollojnë partitë politike, shtetin, shoqërinë, vlerat, e militantët me dorë të hekurt dhe i kanë vënë në shërbim të tyre. Partitë nuk kanë ideologji as vlera që i lidhin militantët me to. Varfëria ideologjike shihet ashiqare në mungesën e programeve afatgjata që duhej të paraqiteshin në këto zgjedhje e që nuk janë kurrkund. Kontrolli i strukturës shihet qartë në turrjen e militantëve, hajna, lamashë e cuba në mbështetje të marrëzive të radhës të prijatarëve partiakë. Çfarëdo që thuhet prej prijatarëve, thënie kontradiktore, pa vlerë, fyerje personale, shpifje e të tjera, thithet nga mbështetësit e tyre si sfungjer.

Mirëpo, në mos tjetër, tash jemi në fund të ciklit oligarkik. Mbështetja për këto parti e për prijatarët e tyre, të cilët kanë manifestuar e manifestojnë sjellje jonormale në politikë është në rënie të vazhdueshme. Niveli i votimit është në rënie. Dështimi i tyre është i prekshëm. Nevoja për një zgjidhje të gjithanshme të problemeve të shumta është e dukshme. Thirrjet e tyre për ideologji e për justifikime ideologjike të reja janë qesharake, si thonë labët, "e lëshoi mjekrën dy pëllëmbë, por nuk e besoi njeri". Mbas këtyre zgjedhjeve, e mbas dështimit të pritshëm, mund të ketë feudalizim e personalizim të mëtejshëm të politikës, por zhurma e pushkaliqeve mediatike nuk e ka shmangur nevojën për një politikë të re të mbështetur në një ideologji që iu shërben të gjithë shqiptarëve.

Pra, dështimi i përplotë i demokracisë në këto njëzet vjet në shtetin shqiptar shihet qartë në dështimin e partive politike të parisë së Tiranës dhe të prijatarëve të tyre që janë në krye të klaneve oligarkike. Në rastin e shtetit shqiptar Michels mund të ketë pasur të drejtë për këto vite që kaluam, por nuk është e thënë që ai të ketë të drejtë në të ardhmen, edhe pse ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet të mësojmë nga rastet e tjera, pozitive e më të mira ku politika është vënë në shërbim të qytetarëve. Edhe pse kjo është e do të jetë një luftë e ashpër kundër parisë së Tiranës e veglave të saj, ia vlen që të bëhet, sepse kjo është zgjidhja e vetme që iu shërben shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë me to.

1 Komente

Eshte e sakte, po autori nuk ka kuptuar Michels, siç e shqipton ai.

Ne persa i perket standartit " demokraci" jemi diku afer viteve te luftes se pare botrore.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).