Lohan: Vizat? Duhet ende kohë

I prerë dhe krejtësisht nën kostumin e diplomatit. I tillë shfaqet ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan. Në një intervistë për "Shqip", ai konstaton se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një test vendimtar për pjekurinë demokratike të Shqipërisë. Diçka që do të ndikojë si në çështjen e lëvizjes së lirë, ashtu edhe te statusi i vendit kandidat. "Ky proces do të ketë një ndikim të madh në vendimin që do të marrë Bashkimi Evropian për atë nëse Shqipëria është gati që të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit evropian", thotë Lohan. Ai paralajmëron se vlerësimi për këto zgjedhje do të pasqyrohet në progres raportin vjetor, që pritet të bëhet publik në tetor të këtij viti. Insistimit të palës shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, ambasadori zgjedh t‘i përgjigjet duke përshkruar anën teknike. Sipas tij, mund të duhet një vit e gjysmë para se komisioni të përmbyllë vlerësimin e tij e t‘i dorëzojë një opinion Këshillit të Ministrave të BE-së për diskutim. Në atë moment, sqaron ai, duke e përshkruar si diçka voluminoze, shtetet anëtare të BE-së do të mund të vendosin nëse do t‘i jepet apo jo një aplikanti statusi i vendit kandidat. Teksa i referohet çështjes së lëvizjes së lirë, me gjuhë diplomatike Lohan sqaron se për shkak të fokusimit në shpërndarjen e kartave të identitetit, Shqipëria nuk e ka nisur ende prodhimin në shkallë të gjerë dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, kështu që do të duhet më tepër kohë në këtë fushë. Deklaratë që pothuajse paralajmëron mospërfshirjen e Shqipërisë në bllokun e parë të vendeve përfituese. "Shqipëria deri tani nuk ka prodhuar pasaporta biometrike", konstaton ambasadori, duke shtuar se koha e zgjatjes së dialogut për çështjen e liberalizimit të vizave do të varet shumë nga çasti kur do të fillojnë të prodhohen dhe shpërndahen pasaportat biometrike në Shqipëri.

Zoti ambasador, jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. A mendoni se po ecet në drejtimin e duhur për sa i takon përgatitjes së zgjedhjeve, pra infrastrukturës zgjedhore?

Në përgjithësi procesi po shkon në drejtimin e duhur; Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë një sërë vendimesh, si për shembull vendimin për buxhetin e zgjedhjeve, apo për tenderin për prodhimin e fletëve të votimit dhe po vazhdon punën e tij.

Sidoqoftë, koha ikën dhe unë kam vënë re se disa afate kohore të vendosura më parë nuk janë respektuar nga të gjitha palët, për shembull për emërimin e anëtarëve në administratën e Komisioneve Zonale Zgjedhore.

Po zhvillohen ende diskutime në lidhje me shpejtësinë e përgatitjeve, nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që përmbushin standardet dhe angazhimet ndërkombëtare, në veçanti në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit.

Lidhur me këtë, është thelbësore që të gjithë zgjedhësit shqiptarë që nuk kanë pasaporta, të kenë mundësinë materiale të pajisen me kartat e identitetit në kohë, përpara ditës së zgjedhjeve. Në fund të fundit, është rezultati ai që vlen.

Dhe një tjetër përsiatje: pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë demokratike themeltare dhe qytetarët shqiptarë mund të tregojnë angazhimin e tyre kundrejt një demokracie që funksionon, duke aplikuar sa më shpejt të jetë e mundur për kartat e identitetit.

Çfarë rëndësie kanë sipas jush zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit për Shqipërinë dhe aspiratat e saj?

Zgjedhjet do të jenë një test vendimtar për pjekurinë demokratike të Shqipërisë. Cilësia e zgjedhjeve do të ketë një ndikim të madh në vendimin që do të marrë Bashkimi Evropian për atë nëse Shqipëria është gati që të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit evropian. Vlerësimi ynë do të pasqyrohet në progres raportin vjetor, që pritet të bëhet publik në tetor të këtij viti, ku një kapitull i veçantë u kushtohet kritereve politike për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke qëndruar pikërisht te rruga drejt integrimit, Tirana zyrtare, zoti ambasador, ka deklaruar se do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda Presidencës çeke. Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, në Bruksel, atij iu sugjerua që të shtyhej momenti i aplikimit. Ju çfarë qëndrimi keni për këtë çështje dhe a mendoni se do të ndikonte në zgjedhje aplikimi për statusin e kandidatit në BE?

95% e shqiptarëve janë pro integrimit evropian. Po ashtu, për këtë objektiv ekziston edhe një konsensus i gjerë politik, prandaj nuk jam i mendimit se integrimi evropian ka për të qenë një çështje e debatueshme për zgjedhjet.

Më lejoni të shtoj edhe dy fjalë me atë ç‘ka ndodh, pasi t‘i dorëzohet Presidencës së Bashkimit Evropian aplikimi për anëtarësim në BE.

Në fillim, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian i kërkon zyrtarisht Komisionit Evropian që ky i fundit të përgatisë një opinion (vlerësim) në lidhje me aplikimin. Kjo nënkupton një punë tepër të madhe për administratën e vendit aplikues, pasi qindra faqe të një pyetësori duhet të gjejnë përgjigje, por edhe shumë punë për kolegët e mi në Komisionin Evropian, pasi ata duhet të analizojnë mijëra faqe me përgjigjet e këtij pyetësori. Si rrjedhojë, mund të duhet një vit e gjysmë para se komisioni të përmbyllë vlerësimin e tij e t‘i dorëzojë një opinion Këshillit të Ministrave të BE-së për diskutim. Vetëm atëherë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të mund të vendosin nëse do t‘i jepet apo jo një aplikanti statusi i vendit kandidat dhe nëse duhen hapur apo jo negociatat për anëtarësim.

Pak kohë më parë ju bëtë një deklaratë lidhur me nevojën për qëndrueshmëri në administratën publike. A ka siguri tashmë nga politika shqiptare, që pas zgjedhjeve të ardhshme nuk do të ketë ndryshime thelbësore në administratën publike?

Pikë së pari dua të theksoj se ju mund t‘i vini re ndryshimet në administratën publike jo vetëm kur ka ndryshim qeverish, por edhe kur ka ndryshime ministrash brenda të njëjtit kabinet qeverisës. Kështu që thirrja ime për qëndrueshmëri është një thirrje që i drejtohet kujtdo që do të marrë në dorë qeverisjen e këtij vendi pas zgjedhjeve të ardhshme.

Integrimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO a do të ndikojë në procesin integrues dhe në Bashkimin Evropian?

Së pari, do të doja ta përgëzoja Shqipërinë për anëtarësimin e saj në NATO.

Pritshmëritë për pjekurinë demokratike të një vendi anëtar të NATO-s janë shumë të larta. Pa dyshim që Shqipëria do të përpiqet t‘i përmbushë këto pritshmëri, prandaj suksesi në këto përpjekje do të jenë fitimprurës për përparimin drejt integrimit evropian.

Në kuadër të liberalizimit të vizave, një grup ekspertësh mbërritën në mars për të parë nga afër situatën. A është gati Shqipëria të kalojë në këtë fazë dhe nëse ka probleme, cilat janë ato?

Një mision teknik me ekspertë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sapo është larguar nga Shqipëria, pasi analizoi ecurinë në fusha kyçe si siguria e dokumenteve, migracioni, menaxhimi i kufijve dhe azili, institucionet e zbatimit të ligjit, si edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këta ekspertë do të përgatisin një raport dhe do t‘i dërgojnë Komisionit Evropian konkluzionet e tyre, të cilat do të përdoren për të propozuar lëvizjen e lirë pa viza, për ato vende që i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara më parë.

Për shkak të fokusimit në shpërndarjen e kartave të identitetit, Shqipëria nuk e ka nisur ende prodhimin në shkallë të gjerë dhe shpërndarjen e pasaportave biometrike, kështu që do të duhet më tepër kohë në këtë fushë.

Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi se për ato vende që do të vlerësohen pozitivisht, do të ketë një vendim për çështjen e vizave brenda këtij viti. Sipas Rehn, për ato vende që nuk vlerësohen në këtë formë, dialogu do të vazhdojë. A do të thotë kjo që do të ketë kushte, detyrime të tjera për ato vende që nuk i kanë përmbushur kriteret, pra do të ketë afate të reja, apo procesi i negociimit do të vazhdojë pa limit?

Nuk do të ketë detyrime të reja. Dialogu për liberalizimin e vizave do të vazhdojë. Do t‘ju jap një shembull specifik. Shqipëria deri tani nuk ka prodhuar pasaporta biometrike. Në një moment të ardhshëm Shqipëria do të thotë se ne kemi prodhuar dhe shpërndarë deri më tani 200 mijë, 300 mijë, apo 400 mijë pasaporta biometrike, kështu që koha e zgjatjes së dialogut për çështjen e liberalizimit të vizave do të varet shumë nga çasti kur do të fillojnë të prodhohen dhe shpërndahen pasaportat biometrike në Shqipëri. Pra, pikësëpari koha e këtij dialogu varet nga Shqipëria.

Pothuajse e gjithë bota është përfshirë në një krizë ekonomike. Sakaq, Shqipëria ka deklaruar gjithmonë se nuk është pjesë e kësaj krize dhe ndërkohë zyrtarisht as nuk ka përgatitur një plan antikrizë. A ju duket normale kjo situatë?

Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj krizës në të njëjtën mënyrë sa edhe ekonomitë e vendeve të tjera, që janë të integruara tërësisht me ekonominë globale. Por Shqipëria varet kryesisht në marrëdhëniet e saja tregtare nga partnerët e saj kryesorë, Italia dhe Greqia. Kështu që impakti i krizës ekonomike mbi Shqipërinë do të varet më së shumti nga fqinjët e saj në Bashkimin Evropian.

2 Komente

po keto te EU's po tallin b*then me Shqiptaret e shkrete ...nga njera ane politikanet e evropes dhe nga tjetra politikanet Shqiptare! Si e bene me Rumanine dhe Bullgarine? Pse duhet qe Shqiperia te trajtohet ndryshe nga ata dy vendet?

Une nuk e kuptoj kete punen e kartave. Shembull hipotetik: Une nuk dua te votoj psh dhe nuk shkoj te marr karte. Si do interpretohet? Qe mua nuk deshen te me pajisin me karte?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).