Kuvendi i heq imunitetin Neranxit, 6 të PD kundër

Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Në votimin e fshehtë elektronik (nuk u përdor kutia e votimit) pro heqjes së imunitetit të tij kanë qenë 62 pro, 13 kundër dhe 4 prej tyre kanë abstenuar. Duke marrë në konsideratë faktin se socialistët dhe socialdemokratët nuk ishin në sallë, i bie që edhe brenda PD-së ka pasur deputetë që kanë votuar kundër heqjes së imunitetit të Neranxit. Të paktën 6 deputetë të PD-së votuan kundër heqjes së imunitetit.

Në fillim të seancës parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka ftuar deputetin e PD-së, Ilir Bano, të mbajë relacionin e Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit. "Duke marrë në konsideratë qëndrimin e Kuvendit, i kthyer në një standard, për të dhënë autorizimin apo vepra të tjera që lidhen me detyrën, mbështetur në nenin 118, pika 3 e Rregullores, në unanimitet i rekomandon Kuvendit të votojë pro autorizimit për ndjekje penale ndaj deputetit Neranxi", tha Bano. Në raportin e Prokurorisë theksohet gjithashtu se është "deputeti i LSI-së që hedh poshtë akuzat e ngritura nga raporti i Prokurorisë së Përgjithshme". "Deputeti pretendon se Prokuroria nuk arrin të provojë lidhjen e veprës penale të kontrabandës, as edhe të provojë se ka dyshime të arsyeshme që në këtë vepër penale të kontrabandës, as edhe të provojë se ka dyshime të arsyeshme që në këtë vepër të jetë i implikuar ai vetë në të", thuhet në raport.

Deputeti demokrat deklaroi se, "Këshilli vlerëson se Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një kërkesë formale, e cila është në përputhje me ligjin. Pas votimit mësohet se Kuvendi ka shkelur Rregulloren, pasi në seancë duhej të lexohej raporti i Këshillit dhe më pas të votohej. Pikërisht me nenin 118, pika 4 thuhet se, "shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti, vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së dytë pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin".  Gjithashtu në të përcaktohej e drejta e deputetit për t'u mbrojtur përpara këtyre akuzave, si dhe mund t'i përgjigjet pyetjeve të deputetëve. Mbi bazën e këtij përcaktimi dje Kuvendi duhej të paraqiste raportin dhe votimi duhej të bëhej mbas dy seancash.

Imunitetet
Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi ka hequr imunitetet e disa prej deputetëve. Në këtë përfshihen ministrat dhe ish-ministrat si Lulzim Basha e Fatmir Mediu. Kohë më parë u kërkua heqja e imunitetit të deputetit të PR-së, Albert Faruku, por çështja më pas u pezullua. Në këtë fund mandati të Kuvendit, Prokuroria i kërkon që të heqë imunitetin e deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi. Që në fillim të kësaj legjislature u kërkua që deputetët të mos mbanin imunitetet për raste të caktuara, por një gjë e tillë nuk u reflektua asnjëherë në ligj.

Neranxi: Prokuroria më akuzon për një faturë vetëm 180 mijë lekë

"Unë jam deputeti që kam dëshmuar qëndresë morale në veprimet, sjelljet dhe artikulimet e mia politike. Unë jam i pari që demaskova politikanin me sjellje dhe përmbajtje skandaloze të quajtur Lufter Xhuveli". Kështu deklaroi deputeti i LSI-së, Neranxi, gjatë mbrojtjes së tij në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të kërkuar nga Prokuroria. Ndërsa për akuzat, "edhe sikur faktet që shkruhen në materialin e Prokurorisë t'i marrim si të vërteta për një çast, përsëri nuk ka vend për ndjekje penale, sepse nga 21 faturat që ekspozon Prokuroria, 20 prej tyre i përkasin periudhës së vitit 2001 deri në prill të vitit 2004, çka do të thotë se ato janë parashkruar në bazë të nenit 66 të Kodit Penal, sepse ka kaluar afati 5-vjeçar i ushtrimit të ndjekjes penale". "E vetmja faturë që ka mbetur pa u parashkruar, i përket muajit gusht 2004, me një shmangie doganore prej 181.000 lekë". Si ka mundësi që organi i akuzës të investohet kaq me bujë për një shumë kaq minimale? Nikollaq Neranxi nuk është as administrator dhe as ortak i shoqërisë dhe nuk ka shkuar kurrë në doganë për të bërë procedurat doganore. Si ka mundësi që megjithëse unë nuk kam asnjë lidhje juridike me kompaninë që pretendohet se ka bërë shmangie doganore prej 181 mijë lekë, të jem person i dyshuar se paskam bërë evazion fiskal? Pse me kaq ngutje Prokuroria vjen në Kuvend me kërkesën për heqje imuniteti pa kryer as ekspertimin e firmës që ndodhet në dokument?", tha Neranxi.

Ai thekson se asnjë nga doganierët nuk u mor në pyetje mbi këtë çështje të nisur për hetim. "Si ka mundësi që Prokuroria nuk pyet asnjë nga doganierët që kanë firmosur rregullisht zhdoganimin e ngarkesave të kamionëve? Si mundet autoriteti doganor të kallëzojë në prokurori pa njoftuar dhe sqaruar paraprakisht subjektin për detyrimin doganor të pretenduar? Këto janë të drejta që ligji ia jep çdo subjekti tregtar. Përse përjashtohen nga kjo e drejtë familjarët e një deputeti? Të gjitha këto pyetje kanë vetëm një përgjigje: Ky proces synon të hakmerret me një deputet opozitar, që ka demaskuar për katër vjet rresht praktikat korruptive të qeverisë", tha Neranxi. Ai shtoi se "unë nuk kam nevojë për imunitet dhe këtë e kam provuar e vazhdoj ta provoj jashtë dyerve të kësaj godine të nderuar. Imuniteti ka qenë dhe mbetet gjëja më pak e rëndësishme për kaq kohë sa kam qenë deputet. Imuniteti im i vetëm, mbetet investimi, përpjekja, lidhja me qytetarët e zonës sime dhe matanë zonës sime, respekti që kam pasur ndaj çdo qytetari në hall dhe në veçanti ndjenja që kam trashëguar për të qenë besnik i karakterit". Me mbylljen e fjalimit, një pjesë e deputetëve të LSI-së kanë duartrokitur diskutimin e tij. Ndërsa kanë protestuar që ministri Xhuveli të reagonte ndaj diskutimit të Neranxit. Demokristiani Frrok Gjini i doli në krah Neranxit, duke mos lejuar që ministri i Mjedisit të replikonte.
 

3 Komente

paska qene jave e mbrapshte per piratet Himarjote smiley

Deputeti ne fjale vete pohon qe ka 'gisht' ne kte historine e pagesave ne dogane. Tani na arsyetohet si puna e Berluskonit dhe ja ve fajin viteve qe kane kaluar. Po ligjit nuk i shpetohet...sikur edhe ne minutat e fundit te jesh.

Megjithse e kam deputetin e zones time dhe me intereson qe te vazhdonte dhe te punonte ne ato projekte te pakta qe ka nisur Komuna/Bashkia, nuk besoj qe deputeti ka fituar respektin e 'qytetareve' qe pretendon, aq me shume qe tanipo e mbyll 4-vjeteshin pa imunitet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).