Kthimi te shteti

Në planetin Mars ka jetë. Ky nuk është titull i ndonjë gazete të vjetër që provon ta bëjë shkencën interesante. Këshilli i Sigurimit të OKB-së jeton në planetin Mars. Sepse, vetëm prej andej shihet i gjithë planeti Tokë. Duhet të jenë larg që të jenë lart. Duhet të jenë të ndarë nga ne që të na shohin të gjithë neve. New York-u është në Tokë. Mirëpo, New York-u zyrtar është në Mars. E shikojnë Kosovën vetëm duke e shikuar tërë botën. Pikëvështrimi që kanë hedhur mbi neve është sikurse i Kubrick-ut te "2001: A Space Odyssey". Pikëvështrim kozmik mbi botën dhe historinë e njeriut - kthim poetik i shikimit nga yjet mbi sytë poetikë që shikojnë yjet.

 

 

Tajvani, Tibeti, Osetia Jugore, Abhazia, Galicia, Katalonia, Baskia… KS i OKB-së nuk mund ta shikojë Kosovën pa i parë njëkohësisht edhe këto vende e shumë të tjera të ngjashme anekënd botës. Prandaj, kur na shikon neve e shikon tërë botën me neve në të. Nuk brengosen se si bota po e ndryshon Kosovën për çdo ditë, por se si Kosova do të mund ta ndryshonte botën një ditë. U dukemi të vegjël, por shumë të rëndësishëm (për veten e tyre, natyrisht). Sepse, "domino efekti" mbetet kufiri i imagjinatës së tyre. "Nëse Kosovës ia pranojmë pavarësinë", dëgjohen zhurmshëm lajmet që vijnë nga planeti Mars, "atëherë kjo do të inkurajonte popujt e tjerë për pavarësi". KS i OKB-së tash 10 vjet vazhdon të na keqtrajtojë me Rezolutën 1244, me konsensusin e tyre për neve. Parimi universal i ruajtjes së kufijve është bërë veçse mjet i interesave partikulare të shteteve që brenda kufijve të tyre shtypin popuj të tërë.

Kosova sigurisht që nuk po e ndryshon botën. Më parë, Kosova është simptomë e ndryshimit të saj. "Domino efekti", si arsyetim i kundërshtarëve ndërkombëtarë të pavarësisë, ishte shkaku që përkrahësit (po ashtu ndërkombëtarë të pavarësis&eumlsmiley ta sjellin Kosovën para sportelit pa personel të quajtur sui generis. Pasoja dihet: eksperimentimi që bëhet me neve pikërisht nga përkrahësit ndërkombëtarë të pavarësisë. Kur cilësohesh sui generis, kjo do të thotë që je një rast aq i posaçëm saqë s‘ndodhesh askund në librat e historisë, rregullat ndërkombëtare dhe as në përvojat e njerëzve, prandaj veç eksperimentimi mbetet metodë e mundshme e trajtimit. Në vend që Kosova ta fitojë pavarësinë, sepse ajo i takon asaj si e drejtë universale (për vetëvendosje), pavarësia u nxor nëpër deriçkën sui generis, me ç‘rast substanca nuk arriti ta kalojë pragun. Në vijim, Kosova nuk u pranua në organizmat ndërkombëtarë porse atë e njohën 57 shtete veçmas. Kosova, e cila vetë nuk është tamam shtet, është bërë simptomë e kthimit të shtetit në skenën botërore. Jetojmë në kohën kur po dobësohen organizmat ndërkombëtarë dhe kur po rritet roli i shteteve të veçanta. Kriza financiare botërore ka sjellë një gjendje të jashtëzakonshme ku sovraniteti klasik i shteteve po nxjerr krye. G20 është bërë praktikisht Këshilli i ri i Sigurimit. Siguria botërore sot varet shumë më tepër nga G20 sesa nga KS i OKB-së. Shtimi i rolit të një organizmi tjetër ndërkombëtar është indikacion i dështimit të konceptit të ndërkombëtares. A nuk na e dëshmojnë këtë zënkat e liderëve të shteteve që marrin pjesë në takimin e Londrës qysh para fillimit të mbledhjes? Nëse përgjatë viteve ‘90, mbledhjet e rëndësishme ndërkombëtare shënonin formalizimin e vendimeve të dakorduara paraprakisht, sot ato janë arenë e ndarjeve gjithnjë e më të thella. Se janë 20 shtete në G20 njëmend aq janë, ama se janë Grup, me po të njëjtën siguri mund të themi se: njëmend s‘janë. G20 gjithsesi paraqet dhimbjet e rilindjes së shtetit dhe, siç duket, të një bote gjithnjë e më multipolare. Pajtimet eventuale ndërkombëtare më shumë duan të krijojnë përshtypjen e një bote unike sesa që janë reflektim i saj. Mekanizmat ndërkombëtarë po rrëgjojnë jo vetëm pse shtetet si njësi përbërëse të tyre po dobësohen por, mbi të gjitha, për shkak se secili shtet përpiqet t‘ia bëjë çaren ekonomisë së vet, t‘i nacionalizojë bankat e veta, por assesi të ndonjë vendi tjetër. Marrëveshja e 20 ekonomive kryesore botërore në Londër për një megainfuzion financiar do ta rrisë dallimin ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, ndërkohë që afirmimi i doktrinës së tregut të lirë do t‘i takojë rrafshit deklarativ kurse realiteti shtetit proteksionist.

Sikleti që i ka mbërthyer liderët botërorë është i njëjtë: shpërthimi i krizës që mund të vijë nga qytetarët e pakënaqur që kanë humbur vendet e punës, kursimet apo shtëpitë e banimit. Mirëpo, ky shpërthim i krizës nuk është kurrfarë shpërthimi i përgjithshëm. Secili kryeministër a kryetar shteti brengoset për shpërthimin e mundshëm në vendin e tij që do të mund t‘i kushtonte, mbase, jo vetëm me humbje të zgjedhjeve të ardhshme. Madje edhe tërheqja e trupave spanjolle nga Kosova s‘ka të bëjë me qëndrimet e KS të OKB-së sa me problemet që diskutohen te G20. Secili shtet po përpiqet ta rehatojë veten, ndërsa për shkak të natyrës globale të kapitalit financiar përplasjet janë të pashmangshme e njëlloj edhe humbësit gjatë përplasjeve.

Është shumë e rrezikshme nëse organizmat ndërkombëtarë gjithnjë e më të dobët mbesin të fuqishëm në Kosovë. Në kohën kur të gjitha shtetet po i kthejnë sytë kah vetvetja, është shumë e dëmshme që Kosova ta shikojë veten me sytë e tyre. Shteti patjetër duhet të lindë edhe në Kosovë. Por, natyrisht, nuk e kam fjalën këtu për shtetin si buzëqeshje të Hashim Thaçit pranë flamurit të Kosovës, për shtetin që bëhet kartolinë e dërguar në planetin Mars.

4 Komente

Marrëveshja e 20 ekonomive kryesore botërore në Londër për një megainfuzion financiar do ta rrisë dallimin ndërmjet të pasurve dhe të varfërve

ku e nxorri ket konkluzionin ky? e kam pare shpesh qe ky A. Kurti megjithese ka qellime te mira patriotike nuk perzihet ne bisedime apo opinione te te tjereve, por don qe vetem zhurma e tij te degjohet.  dhe me kete shkim nuk e di se ku do te dale ai, se me duket shkrim tip qorbe

 Marrëveshja e 20 ekonomive kryesore botërore në Londër për një megainfuzion financiar do ta rrisë dallimin ndërmjet të pasurve dhe të varfërve.

Kurti ka te drejte. Flluska qe po qelb dynjane u krijua duke u dhene para ne dore (pa asnje garanci ripagimi) atyre qe ishin jashte tregut. Miliona vete qe ishin perjashta u futen brenda dhe blene e blene e blene...me para borxh.

Ne ketu kushte firmat qe prodhonin lavatriçe, frigorifere, televizore etj filluan te shesin pa fund dhe shtuan kapacitetet prodhuese.

Nga ana tjeter, dikushi (qe i kishte ne dore) filloi te shiste lendet e para nga 4 apo 7 here me shume se me pare (nafta 140$b, bakri etj).

Ne momentin qe keto para duheshin kthyer plasi fllucka...dhe kapacitetet prodhuese do te kthehen ne nivelet e para fluckes.

Edhe numuri i klienteve, gjeja e e rendesishme, do te kthehet ne nivelin e para flluckes...dmth thjesht do te dalin jashte tregut ata qe kishin hyre me para borxh dhe i bene rrush e kumbulla.

Nderkohe qe 6 miliarde njerez po paguajne llogarine e "krizes" ai grup i vockel "inovatoresh financiare" po pergatit fllucken e ardhshme...ekologjine, ku do te investohen trilionet e bere me fllucken e meparshme. 

Kurre ndonjehere ne historine (e finances) boterore, (kaq) te shumtit nuk i detyroheshin kaq shume (kaq) te pakteve, do te thoshte W. Churchill.

Prandaj Albin Kurti ka te drejte.

 

 Mbyllje e bukur e artikullit, me pelqeu.

"...Është shumë e rrezikshme nëse organizmat ndërkombëtarë gjithnjë e më të dobët mbesin të fuqishëm në Kosovë. Në kohën kur të gjitha shtetet po i kthejnë sytë kah vetvetja, është shumë e dëmshme që Kosova ta shikojë veten me sytë e tyre. Shteti patjetër duhet të lindë edhe në Kosovë. Por, natyrisht, nuk e kam fjalën këtu për shtetin si buzëqeshje të Hashim Thaçit pranë flamurit të Kosovës, për shtetin që bëhet kartolinë e dërguar në planetin Mars.."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).