Kriza e arsimit profesional

Arsimi dhe formimi profesional (AFP), për nga natyra, gjendet në udhëkryqet e sistemeve të ndryshme. Ai i përket sa botës së punës dhe botës së arsimit, aq dhe autoriteteve qendrore e atyre vendore, sa shkollave dhe ndërmarrjeve, aq dhe mësuesve e specialistëve.

E si të mos mjaftonte kjo, pas ndryshimit të sistemit ekonomik-shoqëror, AFP-ja e sheh veten në periferi të sistemit arsimor. Këtë e dëshmon statusi tejet i ulët i tij krahasuar me arsimin e përgjithshëm.

Prindërit, përgjithësisht, priren t'i dërgojnë fëmijët në universitete pas maturës shtetërore, edhe pse është fakt që diploma e arsimit të lartë nuk po krijon mundësi më të mëdha punësimi.

Ky status kushtëzohet jo pak nga dobësitë e vetë sistemit të AFP-së me infrastrukturë të papërshtatshme, me financim mbijetese, burime njerëzore të pakualifikuara (mësues/specialist&eumlsmiley dhe kurrikula e strategji didaktike tejet të lodhura, etj. Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve të AFP-së, ka shpërpjesëtuar lidhjen ndërmjet kërkesës së tregut të punës dhe ofertës.

Thënë ndryshe, ekonomia shqiptare, ende nuk e sheh AFP-në si agjent kyç të suksesit të saj. Ekonomia mbizotërohet nga biznesi i vogël dhe ai shumë i vogël (mikro), që përbëjnë 94% të të gjitha bizneseve, çka bën që, sot, te ne dhe për arsye që dihen, të mbizotërojë informaliteti në ekonomi.

E, meqë ndikimi i këtij sektori në punësim përfaqëson një pjesë mjaft të rëndësishme të punësimit në total, nuk është e vështirë të deduktosh arsyen pse shkollat dhe qendrat e formimit profesional janë periferike në strukturën e sistemit arsimor.

Kështu - sipas EFT Coutry Plan 2009:2 dhe Strategjisë së AFP, 2006 - edhe pse arsimin e mesëm e vijon 50% e kontingjentit që përfundon arsimin e detyruar, vetëm 20% e këtij kontingjenti, pra 10% e grupmoshës 15-18 vjeç vijojnë shkollat profesionale (!!), në një kohë që treguesi mesatar evropian respektiv është mbi 50%.

Organizimi dhe administrimi i AFP-së është përgjegjësi e përbashkët e Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punës. Institucionet e formuara, Këshilli Kombëtar dhe Agjencia Kombëtare e AFP-së, rezultojnë të pazhvilluara në nivelin e duhur, ndaj dhe mungojnë politikat për sigurimin e një fuqie punëtore të pajisur me kompetencat që kërkojnë sot ekonomia dhe teknologjia.

Përmirësimi i partneritetit ndërmjet aktorëve kërkon shtjellimin e politikave të reja, të marrëveshjeve, kuadër të ri juridik, kompetenca dhe përgjegjësi të mirëpërcaktuara. Pozitive mund të konsiderohen hartimi i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe struktura e re e AFP-së, që do të nisë të zbatohet në shtatorin e këtij viti. Por, për to, është ende shpejt të flitet, pasi i takojnë së ardhmes.

Qëllimi i çdo individi është të ketë një diplomë dhe një punë për vete dhe fëmijët e tij. Çdokush në jetë dëshiron të ketë mundësi punësimi kudo që të vendoset. Secili prej nesh kërkon siguri se, hidrauliku, që rregullon tubacionin në shtëpinë tonë, është më të vërtetë një punëtor i kualifikuar dhe cilësor.

Biznesi kërkon - por nuk di t'i gjejë - personat e kualifikuar me rezultate të mira në punë. Kushdo kërkon të dijë vlerën e diplomës që fiton, si dhe të ketë garanci rreth cilësisë së shërbimeve që mund të ofrojë ose të marrë.

Ndërkaq, sistemi aktual nuk ofron kualifikimet e kërkuara; sikundër diplomat / certifikatat kanë vlera të ndryshme në shkolla të ndryshme, edhe pse të gjithë duam siguri se shkollat që ndjekin fëmijët tanë të jenë cilësore dhe profesionale.

Për këto arsyet, në vitin 2007, ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. G. Pollo, njoftonte nismën për hartimin e një pakete të plotë ligjesh, procedurash dhe institucionesh, që duhej miratuar nga Kuvendi brenda vitit 2008. Krahas me të, brenda vitit 2008 premtonte ministri, do të miratohej ligji për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve.

Korniza, në linjë me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, do të shërbejë për rregullimin, koordinimin dhe pozicionimin e kualifikimeve në vendin tonë, në një strukturë me nivele. Ashtu si Korniza Evropiane që përcakton 8 nivelet e kualifikimit (nga niveli 1- arsimi i detyruar, deri te niveli 8- doktoratura), edhe Korniza Shqiptare do t'i japë mundësi sistemit të AFP-së të jetë i krahasueshëm më shumicën e sistemeve në Evropë.

Kjo nënkupton njohjen e diplomave shqiptare në vendet evropiane. Kështu, do të dimë se dëftesa e auto-mekanikut në Korçë ose në Tiranë do të jetë e njëjtë në vlerë e cilësi me një dëftesë auto-mekaniku në Londër, ose diku tjetër në Evropë (referuar sipas: www.mash.gov.al/LAJMET%20E%20DITES/shqiperia-ne-kornizen-kombetare-te kualifikimeve.htm).

Fjalë të bukura vërtet, por, edhe pse ka kaluar më shumë se 1 vit e gjysmë, nuk po shohim të jetë bërë diçka që vlen, megjithëse hartimi i kësaj pakete varet kryesisht nga puna e dy ministrive dhe, për më shumë, nuk kërkon investime të veçanta që do të kushtëzonin cilësinë e produkteve.

Në konferencën kombëtare të para pak ditëve për AFP-në, Kryeministri nuk mungoi të premtonte, si zakonisht, vëmendje më të madhe të qeverisë ndaj problemit.

Ai e konkretizoi premtimin e tij me sloganin, tashmë të njohur, të shtimit të investimeve në këtë sektor të arsimit, që, për të, do të thotë disa shkolla profesionale dhe konvikte më shumë. Por, a është kjo linja që duhet ndjekur për të reformuar AFP-në në Shqipëri?

Ka mjaft argumente serioze që pohojnë të kundërtën e asaj që thotë se do të bëjë qeveria.

Fillimisht e mbi të gjitha, pozicioni i qeverisë dallon nga prirjet moderne për një AFP tërheqës, që ofron akses për të interesuarit, mundësi më të mëdha punësimi dhe kalimi në nivelet e tjera më të larta (p.sh. terciar); për një AFP të ndjeshëm ndaj zhvillimeve dhe nevojave të tregut të punës në nivel rajonal/kombëtar dhe, sidomos, në nivel lokal; eficent dhe të mbështetur në një model partneriteti, që angazhon në veprimtaritë e tij qeverinë, partnerët socialë, komunitetin, etj.

AFP-ja bashkëkohore krijon mundësinë e akumulimit, transferimit dhe njohjes së krediteve për arritjet e fituara dhe përshtatet gradualisht me nivelet e kualifikimit të pranuara nga Bashkimi Evropian.

Nga ana tjetër, arritjet e deritanishme dhe konceptimi thjeshtëzues i qeverisë nuk ofrojnë asnjë garanci për ndryshim, pasi formula që orienton rrjedhën e procesit reformues, të mbështetur mbi kriteret profesionale, njeh formalizimin rrënjësor të tregut të punës, si parakusht për ngritjen e shkollave profesionale në përputhje me kërkesat e këtij tregu.

Vetëm kështu AFP-ja bëhet tërheqëse dhe futet në rrjedhat normale të zhvillimit, prej nga rezulton rritja reale dhe përparuese e numrit të nxënësve në shkollat profesionale. Thënë ndryshe, kjo kërkon që shteti të përcaktojë qartë dhe saktë rrugën dhe afatet që duhet të ndjekin dhe plotësojnë bizneset për të punësuar vetëm kandidatët e diplomuar nga shkollat ose qendrat e formimit profesional dhe që, periodikisht, të marrin trajnimet e duhura.

Por, edhe pse kjo është e vetmja mënyrë për ta vendosur procesin e reformimit të AFP-së në rrugën e duhur, Shqipëria (edhe pse tashmë pjesë e NATO-s) do ta ketë të vështirë të arrijë këtë synim.

Jo vetëm pse kryetari i qeverisë e njëjtëson ndryshimin në fushë me disa shkolla e konvikte (që sigurisht na duhen), por edhe pse ato që janë të realizueshme dhe që mund të bëhen, kemi vite që i vështirësojmë për shkaqe subjektive dhe paaftësi menaxhimi.

A nuk tregon këtë dhe ai fakti i thjeshtë i vendosjen së kasave regjistruese nga çdo biznes z. Kryeministër? Gjithsesi, përvoja të mësuaka se sa vlerë ka dhe ajo që nxë, pas asaj kur i di të gjitha.

1 Komente

Ok, c'fare eshte renditur, qendron, por ka ngelur jashte thelbi: Qe AFP-ja te funksionoje, duhet qe pikesepari, ligji 8872 te miratohet i amenduar me propozimet qe e bejne Keshillin KOmbetar te AFP-se vendimmarres per ceshtjet teknike dhe Agjencine e re te pavarur e kompetente per te kryer funksionet e saj akredituese, certifikuese, vleresuese, kurrikul-berese, trajnuese, etj.
Pra, pa bazen e duhur ligjore, gjithe biseda eshte tym.
E zene se iu prish mendja njerezve qe e kane ne dore dorezimin e kompetencave dhe ia lene ato ketyre dy institucioneve; hapi tjeter eshte dhenia e rolit qendron ne AFP per partneret sociale; e kjo fillon qe nga Dhoma e Tregetise, e deri tek drejtimi i Keshillit Kombetar te AFP-se, qe nga heqja e kthetrave zyrtare nga sindikatat, e deri tek sanksionet per kompanite qe s'pranojne kursante, por qe ne shkembim te tyre do te kene lehtesira fiskale, e keshtu me radhe.
Si t'i kthjme shkollat nen te njejten cati me qendrat e formimit profesional?
Po perqindjen e te regjistruarve si do e cojme ne 40%?
Po cilesine e sherbimeve ne treg, si do e realizojne kontigjentet e saj? A ka cilesie pikesepari ne ofrimin e AFP-se, qe pastaj te pretendojme ne sherbime?
Une personalisht shoh vullnet, por edhe lekundje politike. Po aq sa shoh progres te ngadalte, por te sigurte e te "detyruar" nen kontraten e MSA-se per t'i bere disa ndryshime.
Tani eshte shpejt te flasesh per zoterimin e tregut te nxenesve qe mbarojne arsimin e detyruar, sepse akoma jane prinderit dhe trendet qe i bejne zgjedhjet; por, tregu dhe koha do t'i seleksionojne vete prioritetet dhe deshtimet e hidraulikeve me diplome juristi, e kualifikimet do te marrin ne kohe rendesine qe iu takon.
Per momentin, sfida me e madhe eshte pavaresia e institucioneve (garantuar me ligj) dhe sjellja ne vemendje e pergjegjesise qe duhet te kete biznesi ne gjithe kete mesele, per te bere te funskionueshem tripartitizmin punedhenes-punemarres-qeveri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).