Kristo, "dosjet": S‘kemi konflikt interesi

Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimin e Kuvendit dhe Kryeministrit Sali Berisha se kjo instancë është në konflikt interesi në trajtimin e çështjes së "lustracionit". Në seancën e parë të shqyrtimit të tri kërkesave ankimuese të atij çka u cilësua "ligji i dosjeve", Gjykata Kushtetuese reagoi për herë të parë publikisht ndaj pretendimit të Kuvendit dhe gjithë mazhorancës. Trupi gjykues vendosi gjithashtu të vijojë me procesin e shqyrtimit të ligjit duke caktuar një shtyrje të datës për në seancën e 7 majit.

Reagimi i kreut të Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi përfaqësuesi i Kuvendit kërkoi që të shqyrtohet qenia në konflikt interesi e kësaj gjykate me këtë ligj. Por, drejtuesi i këtij institucioni kushtetues, Vladimir Kristo, theksoi se kërkesa e Kuvendit për konflikt interesi nuk qëndron dhe është abstrakte. Gjykata konsideroi se nuk ka konflikt interesi për këtë ligj, duke e vlerësuar abstrakte kërkesën mbi të cilën mbështeteshin pretendimet e mazhorancës së djathtë. Kristo deklaroi se Gjykata Kushtetuese është organ kushtetues që garanton Kushtetutën dhe i vetmi institucion që ka kompetencë të trajtojë papajtueshmërinë e një ligji me dokumentin themeltar të shtetit.

"Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që garanton Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ kushtetues në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën. Asnjë organ tjetër nuk mund të zëvendësojë kushtetuesen nën realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Të gjitha këto argumente bëjnë Gjykatën Kushtetuese që në këtë rast e konsideroj të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit", deklaroi Vladimir Kristo, kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Pas diskutimeve u ra dakord që të shtyhej shqyrtimi i çështjes për në datën 7 maj. Kjo pas kërkesës së një grupi të deputetëve të Kuvendit, kryesuar nga Partia Socialiste për të pezulluar dhe shpallur si antikushtetuese ligjin për pastërtinë e figurës. Partia Socialiste u bëri me dije anëtarëve të Gjykatës se përfaqësuesit e saj ligjorë nuk ndodhen në Shqipëri. Kërkesa e Kuvendit ka hasur gjithashtu në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët e kanë quajtur të pabazë kërkesën e Parlamentit. Përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë si shoqata e prokurorëve ashtu edhe KSHH-ja u shprehën se gjykata është garanti i Kushtetutës. Për ligjin e dosjeve në gjykatë janë dorëzuar tri kërkesa, nga Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit që kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji. Aktualisht edhe pse ka hyrë në fuqi, ligji nuk ka asnjë fuqi veprimi, pasi në datën 16 shkurt të këtij viti gjykata vendosi pezullimin e tij. Kushtetuesja ka sqaruar se "duke çmuar se zbatimi i ligjit mund të sjellë pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës si dhe në cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, vendosi të urdhërojë pezullimin derisa vendimi përfundimtar i gjykatës të hyjë në fuqi". Ligji ka hyrë në fuqi në datën 30 janar dhe po atë ditë Partia Socialiste tha se do ta ankimonte këtë ligj si antikushtetues.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).