Koteci i paloburrave

Në dhjetë ditë, shpresa e shqiptarëve se mund t‘ia dalim të bëjmë shtet, mori dy goditje. E para, Ina Rama dhe shqiptarët humbën gjyqin për Krimin e Gërdecit dhe e dyta, Ina Rama dhe shqiptarët humbën gjyqin për hajdutërinë e Rrugës Patriotike. Mes dëshpërimit të kësaj maskarade, ajo që më bëri të ulem e të shkruaj, qe kur pashë të fillojmë sakaq thirrjet e analizat se Ina Rama nuk na doli gjë, se Ina Rama duhet të lërë karrigen, fishkëllima të përhershme këto, të atyre që duke përtypur fara nuk ju pëlqen filmi.

Në njërën anë të kësaj beteje deri tani të humbur, patëm të gjithë shtetin që iu kundërvu me të gjithë strukturën e vet këtyre dy hetimeve. Patëm shumicën parlamentare që për një fije sa nuk i ngriti komision hetimor Ina Ramës për ta shkarkuar. Patëm ligjin e lustracionit, që u bë enkas për të trembur gjykatësit dhe prokurorët, apo edhe për t‘i hequr qafe fare dhe që, me thënë të drejtën, ia doli t‘i paralizojë. E ç‘zell në punë do kenë prokurorët kur, në vend që si shërbëtorë të shtetit, ata presin që shteti të cilit i shërbejnë t‘u thotë një llaf, t‘i mbështesë a t‘i inkurajojë, ndërsa përkundër, shteti me Kryeministrin në ballë, u bën ligj si t‘i shkarkojë, t‘i mallkojë e t‘i sikterrisë! Po patëm gjithashtu edhe një takëm mediash, që nuk i lanë sharje harbute pa i bërë Ina Ramës, jo vetëm si Kryeprokurore, por edhe si femër, se të mos harrojmë që ajo është femër, një femër që e ka parë diellin vite e vite pasi ustallarë si Sali Berisha apo Fahri Balliu, kishin marrë teserën e Partisë së Punës. Patëm pastaj shtetin, që u mobilizua edhe me mekanizma nga më perfidët dhe të fshehtët, për të bllokuar çdo veprim, kujtoj këtu që puna shkoi deri te rojet e prokurorëve që u hoqën, te fondet në buxhet që u shkurtuan, tek ankesat e zj. Rama se s‘kishte pará as për të paguar ekspertët, te mungesa zyrash, kompjuterësh, e njëmijë e një vogëlsira të tjera, që shërbenin vetëm për t‘ia bëjnë punën sikterr. Dhe mbi të gjitha këto, qe rrjeta e tmerrshme e njohjeve, miqësive, ndereve, zhdukjes së dëshmitarëve, tavolinave, kërcënimeve, thasëve me pará e pazareve të bëra mbi këto dy çështje të mëdha, ku kanë ngjyer bukën, gishtin e krahun aq shumë vetë, të bardhë e të zezë, sa s‘mund të vinte tani një Inë, e t‘ua ngecte kafshatën në fyt.

Ndërsa në anën tjetër të gjithë këtyre qe vetëm një grua, nga e cila të gjithë prisnim që të ndreqte Shqipërinë, ndërsa ne do vazhdonim të rrinim në kafen përballë, duke parë se si do ta bënte këtë. Me thënë të vërtetën, Ina Rama e pati një aleat të vetëm, në personin e ambasadorit amerikan, falë të cilit sot Ina Rama është ende në atë karrige ku është, se po të mos kish qenë për të, Saliu do e kish fluturuar me kohë e vakt, që ditën kur ju gërmush se do t‘i bënte komision hetimor. Mirëpo edhe ky aleat, i fuqishëm është vërtet, por s‘ka besë hiç, se ja llafi që bie i vjen letra nga Washingtoni dhe e transferojnë diku gjetkë, e kështu shkoj e vate edhe mburoja e Inës.

Me ç‘duket beteja është e pabarabartë. Të gjithë palo-burrat që tani i gërmushen Ina Ramës, do vazhdojnë ta gjejnë llafin me njëri-tjetrin deri në fund, pasi, tmerri për ç‘i bënë këtij vendi dhe interesi për ç‘ka i hodhën xhepit, janë çimentua më e fortë që i mban e i lidh bashkë. Të tilla mburoja të së keqes, e kanë pasur të vështirë t‘i çajnë, paçka se në fund ia kanë dalë, edhe shtete shumë më të forta e më të konsoliduar se ky i yni që, le që s‘është shtet, por as që e duam të jetë e të bëhet. Përvoja e derisotme e Ina Ramës në krye të Prokurorisë Shqiptare, shërbeu vetëm për të na treguar se sa burrecë qenkëshin paloburrat e këtij vendi. Përvoja e mëtejshme e saj, do na tregojë nëse ajo do ta neverisë këtë kotec paloburrash, apo do t‘i vejë atij pas avazit.

O ju që më lexoni, a ju kujtohet historia e Norës së Kelmendit, që i preu kokën Vuçí pashës? A e kini vrarë mendjen ndonjëherë, ç‘ne që i erdhi radha Norës të ndeshej me pashanë, kur malet kishin plot burra? E pra, ua them unë. Nëse sot neve na ka mbërritur historia e saj, kjo ka ndodhur veç për tri arsye. E para, se Norës s‘i doli askush për zot mes gjithë atyre burrave me nga dy pëllëmbë mustaqe; e dyta, se u detyrua t‘i dilte vetë zot vetes dhe, e treta, se pasi ajo u bë trime, dolën nga vrimat edhe burrat me mustaqe, e nxituan t‘i ngrinin këngë. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas 400 vjetësh, paçka se paloburrat nuk mbajnë më mustaqe dhe pashai s‘është më turk po flet shqip, si unë e si ti.

SHPËTONI FËMIJËT

Ajo që po ndodh këto ditë me Jozefinën dhe Saliun, që po përdhosin çdo limit të përdorimit të fëmijëve dhe të miturve nëpër mitingje, është jo vetëm e turpshme, por edhe e dënueshme, jo vetëm e dënueshme, por edhe maskarallëk.

Mbaj mend më ‘96-ën, tim vëlla, asokohe në 8-vjeçare, që nuk donte të shkonte në një miting të Saliut, ku mësueset donin t‘i çonin pasdite me listë. "Ou, thoshte im vëlla, s‘dua të shkoj, s‘kam qejf, pse me zor duan ata". Im vëlla, kalama 12 vjeç, e kishte mendjen më të pastruar, sesa Saliu, 50 e kusur vjeç aso kohe. Kaluan vite, im vëlla është bërë dy metro, po i vjen radha time bije tani për në shkollë dhe ne prapë jemi po aty, me Saliun që merr kalamajtë me zor në miting. Tani atij i është shtuar edhe Jozefina. Mirë se Saliu komunist ka qenë, e komunist do vdesë, po Jozefina, që e ka ndjerë në kurriz që në të ri të saj çdo të thotë indoktrinim, as kaq nuk ka kuptuar nga ç‘ka hequr në jetë?

Mos t‘u duket se flas kështu pasi po e bën këtë punë Saliu me Jozefinën dhe se po ta bënte Nano apo Rama s‘do hapja gojë. E para, mua nuk më kujtohet që në ndonjë fushatë elektorale në kohë të socialistëve, të kem parë shkollarët në rresht të përdoreshin nëpër mitingje. Nëse juve ju kujtohen, thomëni që po gënjej. I mendoni dot pak Argitën apo Shkëlzenin apo vajzën e Jozefinës, duke shkuar në rresht me shkollën, për në mitingun e Fatos Nanos dhe me posterin e PS-së duart e vockla (se atëherë ishin të vegjël)? Qesharake, apo jo! E pra këtë po na bëjnë Saliu dhe Jozefina këto ditë. E dyta, dua t‘u bëj një premtim personal. Kurrë nuk do ta shihni time bijë kur të bëhet për në shkollë, që të dalë e të thërresë për xhaxhi Edi Ramën. Edhe Rama s‘do ia lejojë vetes, por edhe unë e çdo shqiptar normal, nuk duhet t‘ia lejojmë vetes të na përdhosen kalamajtë. Eshtë minimumi i dinjitetit njerëzor dhe i respektit ndaj brezit që vjen, që të mos jemi ne që vendosim se kush do të duhet t‘u duket burrë i mirë e kush jo, atyre që sot nuk janë në gjendje të vendosin për këtë gjë.

Bëjmë ç‘bëjmë ne të mëdhenjtë me njëri-tjetrin, është puna jonë. Shahemi, zihemi, grihemi apo puthemi, edhe kjo është puna jonë. Secili prej nesh, i ka mbushur të 18 vjetët dhe mban përgjegjësi vetë për çdo gjë. Na shanë, na ranë, na vranë, dy duar për një kokë janë dhe secili mund t‘i bëjë derman vetes. Por këta komunistë të pandreqshëm nuk merren me ne, por me fëmijët. Ftoj çdo shqiptar që ka një minimum respekti për veten dhe inteligjencën e vet, ftoj çdo shqiptar që i dhimbet pjella e vet, ftoj çdo shqiptar që do t‘i rrisë fëmijët si njerëz me dinjitet dhe jo si sahanlëpirës partish, t‘i nxjerrë sytë kujtdo partie, politikxhiu a politikxhieje që guxon të përdorë fëmijët e të tjerëve si shkallë për karrigen e vet.
 

3 Komente

 Problemi eshte i drejt zotri... Mgjth un po ju kujtoj qe pa bere akoma 18vjec dmth gjimnazist (viti i 1 i 2) mblidheshim tek pallati kongresit sepse kishte fresh-i i PS mbledhje apo prezantime te llojit te ndryshem. (edhe se gjimnazist asakohe aktiv ne tirane, nuk jam marr ndonjeher dhe sdi te them si funksionon fresh-i).

Kete dite ne gjimnazin tim qe ndodhet shume afer pallatit te kongreseve, oret beheshin te shkurtuara! Dhe kjo puna "arsimimit" me ore te shkurtuara ose 20minutshe e thene ndryshe, eshte edhe me tej... edhe kur bie bore ne tirane bejm ore te shkurtuara... po edhe kur eshte dita veres... po edhe kur eshte rinfesti... edhe kur eshte rally albania... "rrezik edhe kur eshte zgjedhur obama si president i amerikes..." etj etj.

Pershendetje!

Nuk heqim dore nga parimet. Edhe bar hajme. ( nejse sot e pijne).

Si beht ketij paloburri ti mbushet mendja se nuk quhet shtet ai qe fut ne burg,  qe vret,qe  internenon.

Shtet eshte ai qe nderton, krijon, liberalizon, ecen perpara.

Ky trim, pa mustaqe, ka dokumenta te na paraqes per vjedhjen masive te rruges, per vjedhjen masive te armatimeve.

Apo vazhdojme me gjygjet e tipit Jakova-Spahiu.

Ky eshte lajm pesimist, Monda.

Per mos te ngaterruar me parfumin, po te them qe i bie era mut.

Mbushen gazetat "pesimiste" me shkrime, nuk ndesha nje here ne fakte, ne fatura, ne llogari banke.

 

 

Ina Rama - Gerdeci -Berisha- Rama

Basha-Ina Rama- Rama-Berisha

Te gjithe bashke ne nje thes, ndajne fitimet e Gerdecit dhe te rruges patriotike, ndersa bejne sikur ziren brenda thesit. Ne shikojme vetem levizjet e thesit dhe kujtojme se breda thesit po shkembehen grushta e shpulla e shkelma ndersa ne fakt levizjet jane vetem duarve qe ndajne miljonat e vjedhura nga ty o popull. Ti pret jashte mbeshtjelle me artikuj si ky i sjell ketu  tek peshku me shprese se fitimitari i atij sherit brendan thesit te hajduteve do te dale e do te te jape ty parate e vjedhura. Por ti pret me kot dhe shkrimtaruce si ku jane ose genjeshtare ose te genjyer qe vazhdojne te te genjejne

Verte mendonni se Berisha qe beri tere ate lufte per te sjelle Inen ne fuqi tani doli qe Ina ti jete kundra?

Vertet mendoni qe Edi Rama qe per pak sa nuk e coj vendin ne gjakderdhje per te mos vene Inen ne krye te prokurorise, thua ta kete sjelle Inen ne krahun e tij?

Vertet valle i besoni perrallat me Police e gjahtare me Leftiste e Majftiste?

Kaq te qorepsur te jeni e te mos e shikoni se tere kjo eshte nje loje per tju genjuar  qe asnje te mos denohet dhe te gjithe hajdute dhe bashkhajdute  te dalin patriote e kombetare dhe bashkluftetare heroike te luftes kunder korupsionit.

Mendoni se Berisha do te lere Ramen (Edin ose Inen)  te bej gam gam gam e ti rrezikoj cifliqet e sarajet apo mendoni se Rama ( Edi ose Ina)  do te rije e te lejoj Berishen te bej ham ham dhe ti rrezikoj burimet e miljonave te ardhurave?

Kaq qore te jeni?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).