Konferencë e ministrit të Financave për realizimet e tremujorit të parë 2009

Marre nga faqja ne rrjet e Ministrise se Financave

Realizimet e tremujorit të parë japin garanci për realizimin e buxhetit sipas programit të miratuar nga Kuvendi
   
Ecuria e tremujorit të parë për vitin 2009 flet për një vijimësi pozitive në realizimin e treguesve fiskalë të buxhetit të shtetit. Kjo dëshmon që ekonomia shqiptare vijon të performojë në mënyrë pozitive, përkundrejt presioneve të vijueshme të krizës globale edhe mbi rajonin tonë.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën tremujore janë realizuar në masën 97 %.

Të ardhurat e buxhetit qendror janë realizuar 100 %, me një diferencë prej rreth 600 milionë lekë kundrejt 74.6 miliard që janë të programuara.

Të ardhurat e buxheteve vendore janë realizuar në masën 64%, ç’ka shkakton edhe atë mosrealizim në totalin e të ardhurave.

Ndarja e veçantë e këtyre dy buxheteve në raportim, nuk e bëj për të treguar se qeveria ka kryer detyrat e veta, ndërsa pushteti vendor nuk ka realizuar objektivat dhe as për të ndarë përgjegjësitë e bashkisë së Tiranës në raport me qeverinë, por për t’u thënë që realizimi i të ardhurave nga pushteti vendor nuk ndikon treguesit makroekonomikë të vendit dhe nuk jep risqe fiskale, për arsye se ata janë të autorizuar për të kryer shpenzime në masën e realizimit të ardhurave. Pra nuk mund të ketë risk tejkalimesh apo vështirësishë financiare për shkak të mosrealizimit të të ardhurave. Sidoqoftë, realizimi i të ardhurave nga pushteti vendor është shumë i rëndësishëm për të realizuar programin e shpenzimeve dhe investimeve, ç’ka do të përbënte një kontribut dhe ndihmesë shtesë për ekonominë në këtë vit të presioneve të mëdha të krizës ndërkombëtare.

Realizimi në masën 100 % të të ardhurave të buxhetit qendror, nuk mund të fshehë prapambetjet që ka pasur sektori i doganave dhe që lidhet me tregtinë ndërkombëtare, kornizat e çmimeve në tregun ndërkombëtar ku gjatë tremujorit të parë, rënia e çmimeve sidomos të mallrave me peshë në import siç janë karburantet, drithërat dhe materialet e ndërtimit ka qenë jashtëzakonisht e madhe, shpesh herë mbi 50 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe që shkaktoi edhe këtë prapambetje të përkohshme. Të dhënat operative të kësaj periudhe flasin për një përmirësim të situatës edhe në sektorin e doganave. Ndërkohë që tatimet vijojnë të performojnë më shumë se sa ritmi mesatar vjetor i programuar, me një rritje prej rreth 13 % dhe sikurse e thashë në tërësinë e tyre objektivat në raport me të ardhurat e buxhetit të shtetit janë plotësuar.

Shpenzimet kanë një përmirësim, përshpejtim të ritmit të realizimit të tyre. Edhe pse ato mbetet nën programin vjetor dhe nën nivelin e realizimit të të ardhurave, pra nga 97 % që është realizimi i të ardhurave, shpenzimet në total janë 96 %. Ajo që vlen për t’u përmendur është fakti se ndërsa shpenzimet korente janë realizuar 92 % e programit, shpenzimet për investime publike janë përshpejtuar dhe kanë shkuar rreth 110 % e programit buxhetor të këtij viti. Si rezultat i kësaj situate, i ndjekjes së një ritmi të programuar të të ardhurave, i një ritmi pozitiv në realizimin e shpenzimeve në fund tremujorit të parë deficiti i buxhetit ka rezultuar me 1 miliard lekë më pak nga sa ka qenë programuar. Është për t’u theksuar fakti se ky deficit është financuar tërësisht nga të ardhurat e realizuara për shkak të diferencës midis të ardhurave dhe shpenzimeve, sikurse dhe gjatë kësaj periudhe tremujore qeveria në tregun e brendshëm ka çliruar rreth 7 miliard lekë për ta vënë në dispozicion të sistemit bankar dhe për ta përdorur për vijimin e kreditimit të ekonomisë, pasi ngaqë ishte parashikuar për të marrë një borxh në këtë periudhë në shumën 3.7 miliardë lekë ne kemi pakësuar stokun e borxhit me 3 miliard. Në këtë proces ka ndihmuar përdorimi i të ardhurave nga privatizimi për të pakësuar borxhin publik në vend.

Situata në sistemin bankar duket e stabilizuar dhe e qetë ç’ka do të na mundësojë që në vijimësi, me interesa konkurruese dhe të përshtatshme, të vijojmë programin tonë të investimeve dhe shpenzimeve buxhetore sipas miratimit që kemi marrë nga kuvendi dhe në totalin e tyre duke ulur kërkesën e programuar në mënyrë të dukshme përgjatë vitit për shkak të përdorimit sikurse e thashë të gjysmës së të ardhurave të privatizimit për uljen e stokut publik. Kjo dëshmon për situatën e mirë financiare të borxhit publik në Shqipëri.

Për sa i takon krahasimeve në raport me vitin 2008, kemi një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit të vitit 2009 në krahasim me tremujorin e parë të vitin 2008 prej 14 %, ç’ka është dukshëm mbi nivelin mesatar vjetor të rritjes së programuar për buxhetin e vitit 2008 dhe ç’ka jep garanci se realizimi në vijimësi i të ardhurave në buxhet dhe realizimi i buxhetit të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë është i garantuar pasi edhe përmirësimi sipas të dhënave operative i rezultatit të arkëtimit të të ardhurave është i dukshëm për periudhën e muajit prill dhe shpresojmë edhe për periudhën tjetër, pavarësisht nga situata zgjedhore që ka Shqipëria. Në krahasim me një vit më parë të gjitha të ardhurat kanë një tejkalim me përjashtim të Tatimit mbi Fitimin dhe taksës doganore.

Tatimi mbi Fitimin për shkak se në tremujorin e parë është përllogaritur tatimi i vitit 2007 me një normë taksimi prej 25 % kurse nga 1 janari i vitit të kaluar ne taksojmë me 10 % dhe kjo përbën diferencën që është krahasuar me më parë.

Taksa doganore për shkak të uljeve shumë të mëdha që ju bënë tarifave doganore në kuadrin e marrëveshjeve tregtare rajonale dhe me BE –në është po ashtu në një nivel më të ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Rritja e të ardhurave në gjithë zërat e tjerë dëshmon vijimësinë e rritjes ekonomike dhe vijimësinë në tërësi të gjithë treguesve.

Mund t’ju përmend që janë rritur me 7 % edhe të ardhurat nga TVSH –ja, një taksë që mat vëllimin e qarkullimit të mallrave përtej diferencave të mëdha dhe rënieve që vijnë nga niveli i importeve që përmenda pak më lart dhe që jep një rezultat të ndjeshëm. Gjëja më e rëndësishme është që në tregun e brendshëm ke rreth 14 % më shumë të ardhura nga TVSH –ja, pra të ardhura nga qarkullimi i mallrave, ç’ka do të thotë se ekonomia vijon të performojë konform të gjithë programeve që ne kemi parashikuar dhe deklaruar për vitin 2009.

Më i dukshëm është fakti që shpenzimet kapitale në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar janë rritur me 3.3 herë ose nga 5 miliard lekë që kanë qenë në tremujorin e parë të vitit të kaluar, janë 18 miliard lekë në tremujorin e parë të vitit 2009, ç’ka premton një ecuri pozitive të investimeve publike përgjatë vitit. Po kështu edhe shpenzimet e tjera janë në ritme sipas programit që ne kemi miratuar në Kuvendin e Shqipërisë me disa avancime dhe zëra të shpenzimeve që janë të përkohshme për shkak të programimeve të ndryshme që kanë ministritë e linjës.

 

Krahasimi me vitin 2004 :

Të ardhurat për tremujorin e parë të vitit 2009 janë 1.8 herë më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2004;

Të ardhurat nga TVSH janë dy herë më të larta për tremujorin e parë të vitit 2009 se në tremujorin e parë të vitit 2004; Kjo do të thotë se vëllimi i qarkullimit të mallrave në këtë periudhë 4 vjeçare është rritur 2 herë.

Akcizat janë rritur 2. 4 herë në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2004;

Ajo që është jo pozitiv është fakti që të ardhurat nga pushteti vendor janë më të ulëta në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2004. kjo do të thotë se një përshpejtim i disiplinës fiskale dhe i mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor përbën në vijimësi një prioritet.

Në të njëjtën masë që janë rritur të ardhurat në krahasim me vitin 2004 janë rritur edhe shpenzimet e tremujorit të parë të vitit 2009. Ato janë 1.8 herë më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2004.  Përmend këtu faktin që investimet publike kanë rritjen më të madhe, janë rreth 4 herë më të larta në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2004. nga 4.5 miliard lekë që kanë qenë në atë periudhë, tani janë 18.2 miliardë lekë. Për të mos folur edhe për të gjithë treguesit e tjerë financiarë të deficitit, treguesit që lidhen me huamarrjen duken më të stabilizuara edhe në kuadrin e këtij viti që është nën presionet e krizës ndërkombëtare.

Inflacioni përbën një element i cili vlen të theksohet në kuadrin e stabilitetit makroekonomik të vendit. Niveli i inflacionit në tremujorin e parë të këtij viti është rreth 1.8 % dhe përbën nivelin më të ulët të inflacionit që nga viti 2000. Sigurisht që objektivi i BSH –së është për të mbajtur një nivel inflacioni 3 +/- 1 pikë, ç’ka do të thotë se duhet të shkohet të niveli 2 %. Ushqimet vijojnë të mbajnë një nivel inflacioni më pozitiv dhe kjo lidhet me zhvillimet në tregun e brendshëm të ekonomisë, sidomos të produkteve bujqësore e blegtorale. Ato vijojnë të mbeten shumë më të ulëta nga viti 2005 e mbrapa, por vijojnë të mbajnë një nivel pozitiv inflacioni ç’ka do të thotë një mundësi për të zhvilluar më tej aktivitetin e brendshëm të industrisë ushqimore dhe të prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Nëse i shikojmë me grup mallrash inflacioni i tremujorit të parë të këtij viti dëshmon për një tendencë pozitive, pra një nivel inflacioni të shpërndarë në mënyrë normale. Të gjitha kategoritë e mallrave te shportës pak a shumë performojnë në mënyrë të përafërt në nivelin e inflacionit. Mbeten në inflacion me terma negativ perimet dhe frutat, ndërkohë që vijojnë në terma pozitive të lehta dhe të ulëta kategoritë e tjera, buka dhe drithërat duke vijuar të mbeten dukshëm nën nivelin 8 % edhe këtë vit duke zbritur në krahasim me inflacionin që patën vitin e kaluar për shkak të kornizave ndërkombëtare të çmimeve në tregun ushqimor dhe në vijimësi po ashtu tregues të tjerë që lidhen me produktet qumësht, djathë, vezë etj. Ky normalizim i objektivave të inflacionit përbën një element pozitiv që edhe në perspektivë shpërndarja e buxheteve familjare të jetë më normale dhe të mund të bëhet në mënyrë të përshtatshme për t’i kontribuar vijimit të uljes së mëtejshme të varfërisë, e cila sikurse u deklarua dy ditë më parë përbën një nga treguesit më pozitiv në këtë periudhë 4 vjeçare, duke zbritur nga 18. 4 % në nivelin 12.2 %.

Faleminderit!

Pyetje - përgjigjet e konferencës.

Pyetje : Opozita ka kërkuar të hiqen çmimet e referencës në dogana si një masë ndihmëse për biznesin që ka kontakte me ekonominë europiane. Cili është komenti juaj për këtë propozim dhe nëse do të hiqen ndonjëherë kur do të ndodhë ?

Përgjigje : Çmimet e referencës, janë një mjet i fundit që përdoren në sistemin e taksave që nxjerrjen e detyrimeve fiskale dhe përbëjnë jo një instrument aq për të rritur nivelin e të ardhurave në buxhet, se sa një instrument për të garantuar konkurrencën e drejtë e të ndershme në tregun shqiptar

Niveli i përdorimit të çmime të referencës në administratën tatimore dhe doganore ka ardhur duke rënë. Mund t'ju them se nga 42 % që ishte vëllimi i mallrave që taksohej me çmime referuese në 2004, në vitin 2008 u mbyll me 22 %. Rënia në mënyrë drastike e çmimeve të referencës evidenton edhe një fakt tjetër që tashmë është i njohur, rënien e informalitetit dhe evazionit fiskale nga kompanitë, përmirësimin e nxjerrjes taksave në tregun e brendshëm nga administrata tatimore. Sigurisht ky është një proces i cili do të ishte i mundur të bëhej zero në momentin kur Shqipëria do të kishte mundësitë për të komunikuar drejtpërdrejt, on-line të gjitha faturat e hyrje-daljeve të mallrave të tregtisë ndërkombëtare nga Shqipëria. Ne ende vijojmë që të mos jemi në rrjetin ndërkombëtar, proceset integruese do na mundësojnë këtë gjë. Por përmes shkëmbimeve të informacioneve intensive me doganat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të tjera të rajonit ne do të vijojmë të ulim masën e përdorimit të çmimeve referuese, si një mjet i cili do t'i shërbente më mirë transparencës së tregut. Ruajta e çmimeve te referencës nuk është në dëm të ekonomisë dhe tregtisë dhe biznesit, është një masë që i vendos ata në kushte të barabarta dhe mënjanon konkurrencës e pandershme të një pjese të bizneseve që vijon bën fatura fallco, që fsheh çmimet e vërteta të mallrave që vijnë nga tregtia ndërkombëtare. Këtë koment kisha lidhur me çmimet referuese. Edhe pse bëhet një zhurmë jam i bindur se në pjesën dërmuese është një masë e pranuar dhe e dëshiruara nga komuniteti i biznesit. Sigurisht që individë të veçantë që kanë huqin e vjetër të fshehjes se vërtetave tregtare janë të interesuar për të bërë presion për këtë çështje.

 
Pyetje : Ka të dhëna se shumë  ndërmarrje fason po ngelen pa punë ose po mbyllen. Një koment ?

Përgjigje : Të dhënat tona nuk flasin për një rënie të përpunimit të aktiv të mallrave të fasonit. Ka patur dhe ka kërkesa të shikohet në këtë kuadër, që Shqipëria të vijojë të përformojë më mirë nga vendet e tjera të rajonit. Në shumë vende kompani të mëdha perëndimore kanë mbyllur atelietë e tyre për t'i transferuar në vende ku gjejnë kushte më të përshtatshme. Shqipëria mbetet një vend i i cili ka kushte më të përshtatshme nga vende të tjera, për shkak të nivelit relativisht më të ulët të pagës dhe për shkak të përdorimit të një niveli tatimor, i cili është dukshëm më i ulët se i vendeve të tjera të rajonit. Për të nxitur dhe stimuluar interesat që kanë investitorë ndryshëm në tregun e përpunimit aktiv të mallrave në Shqipëri, ne kemi zbatuar me sukses shlyerjen e menjëhershme të TVSh-së, për mallrat e eksportit. Pra rimbursimi i TVSh-së gjatë këtij viti për mallrat dhe kompanitë e fasonit dhe ato të eksportit është bërë në mënyrë të menjëhershme, ç’ka përbën një ndihmë dhe kontribut, që ata të vijojnë të ndjehen më komod në konkurrencën e tyre në tregun ndërkombëtar

Pyetje : Zoti Bode, dje Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës kërkoi marrjen e një pakete masash për t'i ardhur në ndihmë biznesit në kohë krizash heqje e TVSh-së për makineritë, heqjen e e referencave për pagat, si dhe realizimin e një tryeze të përbashkët mes qeverisë dhe biznesit.

Përgjigje : TVSh për makineritë dhe pajisjet sikurse edhe e dini deklarohet në doganë dhe nuk paguhet. Ka qenë për një vit ne e kemi bërë për dy vjet. Dhe investimet që fillojnë dhe nuk mbarojnë në harkun e dy viteve janë të rralla, por për këto lloj investimesh e shtyjmë edhe për dy vite të tjera. Pra investime që shkojnë për makineri dhe pajisje deri në 4 vite. Kjo është e vërtetë dhe nuk është se ne taksojmë në mënyrë të menjëhershme makineritë dhe pajisjet. Një vit është në mënyrë automatike, një vit tjetër bëhet me kërkesë pranë autoritetit doganor dhe përtej këtij afati është ministria e Financave që autorizon për investime me vlera të mëdha, shtyrjen e pagimit të TVSh-së.

Ndërsa, lidhur me pagat referuese. Çështja e pagave referuese është çështje e rregullimit të konkurrencës në raport me biznesin. Pagat referuese janë dukshëm nën nivelin e vërtetë të pagave që paguhen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ne do vijojmë të mbajmë instrumente të tilla që mundësojnë trajtimin e njëjtë dhe të barabartë të të gjithë aktorëve që veprojnë në tregun e brendshëm. Çdo kompani që vërteton se pagat i ka më të ulëta se sa pagat referuese administrata tatimore është e detyruar në mënyrë të menjëhershme t'i njohë atë sistem page që deklaron biznesi, por këto bëhen përmes një  hetimi tatimor. Askush nuk ka kërkuar të hetohet dhe verifikohet në mënyrë të detajuar nga administrata tatimore për të vërtetuar që pagat që janë vendosur në bashkëpunim dhe me miratimin edhe të komunitetit të biznesit janë më të lata se ato që aplikohen realisht nga komuniteti i biznesit.

Ne jemi të hapur gjithmonë dhe administrata doganore dhe tatimore vijojnë takime të vazhdueshme me komunitetin e biznesit për të zgjidhur ato probleme që janë çështje administrative dhe do të lehtësonin aktivitetet ekonomike. Unë e konsideroj shumë pozitiv faktin se komuniteti i biznesit kërkon që të jetë në dialog të vazhdueshëm për të zgjidhur të gjithë ato elementë që do të pengonin qoftë edhe përkohësisht zhvillimin normal të aktivitetit të tyre.

Pyetje : A krijon probleme fakti se më shumë se 2/3 e shpenzimeve janë përqendruar në një objekt dhe në një zonë të caktuar, kur ekonomia ashtu siç e thoni edhe ju ndodhet nën presionin e krizës ?

Përgjigje : Sigurisht që investimet publike janë dhe shpërndahen në ato objekte që ekonomia ka më shumë leverdi e që japin ndikim të sotëm apo të nesërm mbi ekonominë shqiptare. Ne nuk jemi një ekonomi e izoluar midis rajonit, ekonomia jo vetëm brenda për brenda tregut shqiptar është integrale por tashmë si pasojë e proceseve globalizuese ekonomia është integrale edhe më gjerë se kaq. Ndaj ndikimi që ka secila prej veprave të mëdha, kantiereve të mëdha të ndërtimit që hapen, dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, por kërkohet nga shumë vende që nëse kanë mundësi të hapin kantiere të mëdha ndërtimi në një apo dy objekte të cilat konsumojnë shpenzime të formave nga më të ndryshmet dhe që japin ndikime në perspektivë të ekonomisë, përbën rrugën më të mirë për t’iu përgjigjur krizës dhe mendoj që ishte fat edhe për ekonominë shqiptare që ne patën një kantier kaq të madh ndërtimi në progres e cila po vijon punën dhe po konsumon në tregun e brendshëm dhe po performon në tërësi në akord me programin që kemi ne për zhvillimin e ekonomisë. Nuk janë 2/3 e investimeve në këtë objekt, ato janë rreth 50 % e investimeve të tremujorit të parë, ndërkohë që në tremujorët e tjerë sigurisht që do të jenë rreth 2/3 e investimeve në objekte të tjera. Përshpejtimi i punimeve në këtë objekt lidhet me faktin që ka një angazhim dhe program për të përfunduar deri në muajin qershor punimet masive në këtë vepër dhe fakti që ne kemi mundur të financojmë këtë vepër përtej vështirësive apo problemeve që ka pasur nga kriza financiare  dëshmon që kjo vepër ka luajtur një rol pozitiv jo vetëm për perspektivën e ekonomisë së vendit por edhe për situatën e sotme.     

Pyetje : Në bazë të zhvillimeve të tremujorit të parë sa e parashikoni rritjen ekonomike për vitin 2009 ?

Përgjigje : Këto janë parashikime apo paragjykime që mund të bëhen në qoftë se nisemi thjesht nga hamendje se ç’do të ndodhë me krizën ekonomike. E vërteta është se deri më sot, asnjë institucion ndërkombëtar apo vend i veçantë, nuk ka mundur të parashikojë as dimensionet dhe as etapat e kësaj krize, afatet e veprimit apo goditjes së krizës dhe ende nuk ka ndonjë program apo parashikim të qartë që të mund të thuhet se goditjet nga kriza në këtë kohë apo më vonë kanë përfunduar, pasi shpesh herë dimensionet e veprimeve të kësaj krize janë të paparashikuara. Ne kemi programuar mbi bazën e rezultateve të tremujorit të parë të këtij viti dhe agregateve financiarë monetarë që ka Shqipëria dhe të kontratave që kemi nënshkruar me donatorë të ndryshëm apo institucione financiare dhe mendojmë që sipas situatës deri në fund të tremujorit të parë se mund të kemi një rritje ekonomike që mund të shkojë 4 – 5 % në vitin 2009, nëse do të vijojë me të njëjtin agresivitet në rënie, veprimi i presionit ndërkombëtar. Nëse do të kemi denatyrime të mëtejshme në tregun ndërkombëtar dhe presioneve të tjera që mund të vijnë nga tregu financiar ndërkombëtar kjo është një çështje që duhet rivlerësuar. Pra për momentin nuk kemi nevojë dhe FMN e deklaroi se nuk kemi nevojë të bëjmë një rishikim të objektivave buxhetorë, financiarë dhe makroekonomikë të vitit 2009.

Pyetje : Ka patur një ide nga BB-ja për të bërë një stimul fiskal duke ulur TVSh –në për energjinë elektrike. A do të merret në konsideratë?

Përgjigje : Nuk mendoj se është një stimul fiskal për ekonominë ulja e TVSh –së apo prekja e TVSh –së. Ju e dini që në kuadrin e ekonomisë globale, veprimi i TVSh –së në një vend të vetëm  nuk është përfitim i atij vendi por i vendeve të tjera. Unë mendoj, personalisht jam i bindur, që mbajtja e TVSh –së në këtë nivel përbën veprimin më pozitiv dhe të fuqishëm që ekonomia shqiptare të performojë dhe konkurrojë në tregun rajonal dhe më gjerë. Është instrumenti më i mirë për të nxitur eksportet shqiptare. Nëse do të vijojmë me politika jo të përshtatshme shpesh herë edhe zgjedhore, të deklarojmë ulje, përgjysmime apo prekje të nivelit të këtij taksimi do të ishte me pasoja për ekonominë. Do të dukej si një nxitje por nuk është e tillë. Ka vende edhe të fuqishme të BE –së që kanë prekur TVSH – në si rezultat i presioneve sociale dhe në fakt kanë humbur shuma të jashtëzakonshme dhe nuk kanë patur efekt në ekonomitë e tyre, sepse dihet që TVSh –ja vepron si instrument i rritjes së kostos së mallrave të importeve dhe uljes së kostos së mallrave të prodhimit vendas.

2 Komente

Dy pika (sa per fillim smiley &nbspsmiley

1) Ka ankesa nga sipermarrje te ndryshme qe shteti s'po rimburson TVSh-ne qe u takon. Kjo mund te kete ndikuar ne te ardhurat nga TVSh.

2) Ka pasur disa shkrime ne shtyp mbi faktin qe ndermarrjet qe punojne me mall porositesi kane larguar nga puna disa mijera punetore gjate 2-3 muajve te fundit. Njera pale ja fut kot ne kete mes.

 

"...Akcizat janë rritur 2. 4 herë në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2004;.."

Kesaj i thone 240%, qe do te thote grusht turinjve tregtarve apo prodhuesve te duhanit, alkolit etj, prodhimeve me akcize. Uroj te jene sa me pak produkte me akcize. 

Nga fjala e ministrit te Ekonomise, duket qe shteti po mbledh taksa te majme, çdo vit e me teper, ndonse nga dogana po bien taksat e mbledhura, per shkak te marrveshjes se MSA, qe do te thote shkuarje ne zero takse deri ne 2011-12 (qe fatkeqesisht shum tregtare, dyqanxhinj, etj,  nuk dinin gje mbi kete gje.).  Ne krahasim me kohen e Nanos, po mblidhen 200% me teper taksa, sipas ministrit. Uroj te mos kene shkuar per shperdorime, abuzime dhe fushate elektorale.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).