Kasat fiskale, bizneset nuk ua blejnë kompanive edhe pse afati po vjen drejt fundit

Muaji maj është caktuar si afati përfundimtar për kasat. Pas këtij afati subjektet mospërdoruese ndëshkohen me gjoba

Instalimi i kasave regjistruese nga subjektet e biznesit nuk po kryhet megjithëse afati i vendosur nga Tatimet po vjen drejt fundit. Sipas udhëzimit të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të gjitha bizneset në kryeqytet duhet të pajisen brenda muajit maj 2009 me kasat regjistruese. Ata duhet të lëshojnë kuponin tatimor për mallrat që do të shesin duke i regjistruar ato në mënyrë elektronike në kasat fiskale. Por, deri tani, rreth 70 për qind e subjekteve të biznesit në të gjithë vendin po punon pa përdorur kasat fiskale me gjithë paralajmërimet dhe kontrollet e shumta. Por edhe subjektet që i posedojnë ato, në pjesën më të madhe të rasteve, u shërbejnë klientëve pa ua dhënë kuponin tatimor, pra pa e vënë në përdorim kasën dhe pa e regjistruar mallin ose shërbimin që shesin. Të vetmet subjekte që e përdorin rregullisht kasën fiskale janë supermarketet e mëdha në qytetet kryesore të vendit, një pjesë e bareve dhe restoranteve, si dhe disa kompani serioze me aksionerë të huaj. Por, përveç mospërdorimit të këtyre aparateve, problem mbetet dhe mosblerja e tyre nga subjektet e reja. Sipas informacioneve nga burime pranë DPT-së, “kompanitë që kanë fituar tenderin për shpërndarjen, instalimin dhe mirëmbajtjen e kasave fiskale, po ankohen pasi nuk po e shesin produktin e tyre (kasat fiskale), duke mbajtur kështu të bllokuar një sasi të madhe parash”. Ato i kanë kërkuar së fundi ndihmë edhe Ministrisë së Financave dhe DPT-së që të rrisë presionin tek subjektet e biznesit, me qëllim pajisjen e tyre me këto aparatura që kushtojnë nga 300-500 euro.

Kontrollet tatimore

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, së bashku me inspektorët tatimorë të Bashkisë së kryeqytetit, kanë vijuar këto ditë nga aksionet e kontrollit nëpër subjektet private për kontrollin e pajisjes me kasat regjistruese. Nga sa mësohet, një pjesë e madhe e subjekteve të kontrolluara ditët e fundit kanë rezultuar të papajisura me kasat fiskale, duke marrë për pasojë dhe gjoba nga autoritetet. Me anën e njoftimeve të herëpashershme administrata tatimore ka bërë të ditur dhe afatet për tatimpaguesit në rrethe. Afati përfundimtar për instalimin e kasave nga subjektet private në rrethe është fundi i dhjetorit të këtij viti. Ky proces ka dështuar disa herë me radhë gjatë kalimit të viteve. “Brenda majit 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga Drejtoria rajonale Tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe Drejtoria rajonale Tatimore, Tiranë do t’i mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik. Ndërsa ky afat është muaji dhjetor për personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore”, - nënvizojnë burime zyrtare në DPT. Sipas tyre, kasat regjistruese duhet të instalohen nga të gjithë tatimpaguesit, të cilët shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun.

Kundërvajtjet administrative

Tatimpaguesi, person juridik, dënohet me gjobë nga 20-100 mijë lekë nëse: 1) nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë; 2) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo shërbimet; 3) lëshon një biletë që nuk përmban elementët e përcaktuar në këtë ligj për kuponin tatimor; 4) lëshon kupon tatimor në të cilin ka vendosur një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar; 5) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster për detyrimin e blerësit të mallrave apo përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor; 6) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në ambientin e ofrimit të mallrave apo shërbimeve; 7) nuk bën faturë për qarkullimin e mallrave të realizuar apo shërbimeve të ofruara; 8) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave; 9) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë në rastet kur ky ligj parashikon këtë detyrim; 10) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale; 11) nuk njofton menjëherë defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, drejtori përgjegjës i tatimpaguesit dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 30 000 lekë. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se një herë, mund të vendoset pezullimi i veprimtarisë deri në tre muaj. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se tri herë, mund të vendoset mbyllja e veprimtarisë.

2 Komente

Nuk eshte se po kursejne per kasat or te shkretet jo.

Probelmi eshte qe e njohin ate shprehjen: "jep 5 leke e hyn e valle, jep 10 e nuk del dot".

Bizeneset (sidomos te voglat) jane te terrorizuar nga arbitrariteti i organeve tatimore.

 

p.s. nuk e perdora pa mase fjalen "terrorizuar".

Mendoj se biznesit te vogel, mund tu dali me mire mbajtja e kasave regjistruese, sepse sot per sot ato paguajne afrofe, qe ne te vertete eshte nje shume me e madhe se fitimi qe nxjerrin. Fatkeqesisht kete vit une vura re qe disa dyqane lagjesh (kudo ne te gjith Tiranen) ishin mbyllur pikerisht nga taksat e larta qe bashkia dhe qeveria (tatimoret, ne kete rast) ju merrnin atyre. Ne fakt dhe çmimi i kasave regjistruese m'duket pakez i kripur per dyqangjinjte e vegjel qe ju hyn nje klient ne 10-15-20 minuta. Dhe keshtu jane shumica e dyqaneve dhe klubeve te lagjeve, kudo ne ter Shqiperine.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).