Kartat, Islami: Tre Jo-të e PS-së për zgjedhjet

Nënkryetari i komisionit parlamentar ad hoc për kartat e identitetit, Kastriot Islami në një intervistë ekskluzive për “Panorama” tregon tre kushtet e PS për zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, PS nuk do të pranojë zgjedhje pa karta identiteti, jo ndryshim të rezultatit me karta dhe në asnjë rast nuk do pranojë zhvillimin e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues të 28 qershorit. Sipas tij, në diskutimin për Kodin e ri Zgjedhor, ka qenë PD që ka kërkuar vazhdimisht shtyrjen e datës së zgjedhjeve përtej qershorit.

Në një deklaratë të pak ditëve më parë, ju keni dhënë alarmin për pamundësi kohore në realizimin e procesit të pajisjes së shtetasve pa pasaportë me karta identiteti. Si paraqitet ky proces sot dhe sa hapësira kohore dhe fizike ka ende për të rikuperuar këtë proces?
Ripërsëris se çfarë kam thëne bazuar në informacionin e dhënë në Komisionin ad hoc të Kuvendit: i)Situata rezulton me më shumë shqetësim se një javë më parë; nga shpjegimet rezulton se gjendja është bërë më alarmante. Situata po përkeqësohet dhe rreziku po rritet në kuptimin e ezaurimit të kapaciteteve teknike për pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë; besoj se java e ardhshme do të përbënte në këtë kuptim një moment, kur do të behej e pamundur edhe në aspektin teknik realizimi i detyrimit kushtetues dhe të përcaktuar në Kodin Zgjedhor për votim me pasaportë apo kartë identiteti për të gjithë votuesit, ii) Koha është elementi i parë që po bëhet e pamjaftueshme; në nivel makro edhe për vetëm pak ditë ndoshta 4-5 ditë dhe mund të flasim për pamundësi të realizimit të kësaj detyre, iii) Deri në datën 6 prill, kur deri në datën 12 qershor mbeten vetëm më pak se 9 javë ose jo më shumë se 54 ditë punë, nëse punohet edhe të shtunën edhe të dielën, por nuk punohet të hënën siç është deklaruar, iv) Deri në datën 6 prill janë kryer 159 000 aplikime nga votuesit pa pasaportë ose vetëm rreth 22 për qind e numrit prej 730 mijë të votuesve pa pasaportë, ndërkohë që nga të dhënat tona ky numër është më i lartë dhe mbetet për t’u saktësuar, v) Mbeten nga shifra 730 mijë për të aplikuar edhe 570 mijë votues pa pasaportë ose rreth 80 për qind e tyre; ose më shumë se 730 mijëshi rezulton i rritur; vi) Numri total i kartave të tërhequra nga votuesit pa pasaportë dhe me pasaportë është vetëm 95 mijë, ndërkohë që i atyre pa pasaportë nuk jepet ende nga MB, por me siguri nuk do ta kalonte shifrën 35 mijë ose rreth 4.7 për qind e votuesve pa pasaportë. Situata është më e rëndë nëse analiza bëhet për çdo njësi të gjendjes civile. Nga informacioni rezulton se janë vënë në punë 410 poste aplikimi; por në realitet 1) Në 62 prej tyre kanë aplikuar zero votues, 2) Në 40 prej tyre ka aplikuar vetëm një votues, 3) dhe në 152 prej tyre kanë aplikuar nga 2-15 votues, 4) Pra në 252 prej 410 posteve të aplikimit ose në 62 për qind të rasteve aplikimi mund të thuhet se nuk ka filluar ende. Më keq situata paraqitet me aplikimet për votuesit pa pasaportë në qarqet e i) Dibrës vetëm 4,2%, ii) Elbasanit vetëm 14,2%, iii) Vlorës vetëm 18,5%, etj; kurse në rrethet i) Dibrës 6,2%; ii) Matit 3,5%; iii) Bulqizës më pak se 1% etj.

Ju jeni shprehur se pas 7 ditëve, në varësi të reagimeve të qeverisë dhe kryeministrit për këtë kategori, PS do të shprehet për masat adekuate për këtë proces. Mendoni se ka ende alternativa për të përfunduar këtë proces dhe cilat mund të jenë ato propozime që do të ndihmonin procesin?
Ne besojmë se nëse ka realisht vullnet për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për t’iu larguar deklaratave demagogjike e thirrjeve emocionale, por për të ndërmarrë të gjithë masat, që të tërhiqen votuesit për të aplikuar dhe nëse hiqet kjo taksë votim, atëherë të gjithë kushtet teknike janë ende të mjaftueshme, por në limitet e tyre të ezaurimit.  Logjika është e thjeshtë: përderisa karta e identitetit në 28 qershor do të këtë funksionin e kartës së votimit, që shmang të gjithë llojet e manipulimeve dhe për këtë kemi rënë dakord kur është hartuar Kodi, atëherë duket që kjo të mos kthehet në një taksë që pengon të varfrit, pensionistët, komunitetet romë e egjiptianë, njerëzit në asistencë, njerëzit me aftësi të kufizuara e tjerë të votojnë. Pra, kjo taksë votimi duhet hequr, bile duke e zhveshur edhe nga rimbursimi sepse shumë familje nuk mund ta paguajnë taksën paraprakisht dhe për më tepër nuk kanë besim tek sistemi i rimbursimit, i cili realisht nuk funksionon. Konkretisht duke qenë se premtimi për të pajisur me karta falas votuesit e komunitetit rom është totalisht në linjë me propozimin e PS për heqjen e taksës së votimit, kjo na bën të mendojmë se përtej arsyeve elektorale ekzistojnë të gjithë argumentet, që kjo taksë të hiqet edhe për a)Komunitetin egjiptian, i cili vlerësohet të jetë në të njëjtën gjendje sociale për të mos thënë më të vështirë, b) 92 mijë familjarët në asistencë që ndryshe do të thoshte minimalisht 200 mijë votues, c)150 mijë pensionistët në fshat që nuk kanë më shumë se 5500 deri 6500 lekë të ardhura në muaj, d) 100 mijë persona me aftësi të kufizuara me të ardhura të pamjaftueshme për të jetuar dhe kuruar sëmundjet e tyre, e) 30 mijë invalidët, që po ashtu nuk do të kishin mundësi ta përballonin këtë taksë të votimit, f) dhe rreth 20 mijë të tjerë, që jetojnë me të ardhura të papunësisë, pra rreth 500 mijë votues në gjendje sociale të vështirë dhe financiare të pamundur për ta përballuar këtë kartë.

Nisur nga ritmi me të cilin po ecën ky proces dhe kohës së mbetur deri në 28 qershor, pajisja e të gjithë shtetasve pa kartë duket e pamundur në një ambient që nuk gjeneron nxitje të procesit. Mendoni se mospajisja me karta do të detyronte opozitën për të mos hyrë në zgjedhje në 28 qershor?

Qëndrimi i PS është brenda kësaj kornize : 1) Zgjedhjet do të jenë konform standardeve ndërkombëtare vetëm nëse të gjithë votuesve u garantohet e drejta e votimit, që sipas Kodit Zgjedhor sigurohet vetëm me pasaportë e letër njoftimi elektronike, 2) PS në asnjë rast nuk do të lejojë ndryshimin e fitores së saj në 28 qershor 2009 përmes manipulimit selektiv me kartat e identitetit; 3) PS ka kërkuar dhe është krejtësisht e përgatitur dhe e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet në 28 qershor 2009.

Nëse procesi dështon cilat do të ishin përgjegjësitë politike, ndaj maxhorancës, por dhe ndaj opozitës e cila duke kërkuar karta falas duket se e ka frenuar procesin e pajisjes? Çfarë do të kërkojnë PS ndaj qeverisë dhe kryeministrit?
Nëse procesi dështon, kjo është përgjegjësi totale e maxhorancës dhe e qeverisë Berisha. Së pari, kjo qeveri është e vonuar duke e sjellë këtë proces në 6 muajt e fundit para zgjedhjeve, debati se ju nuk e bëtë për tetë vjet nuk është aktual dhe është në kontradiktë me premtimin e tyre për ta filluar këtë proces në vitin e parë të qeverisjes. Së dyti, ne i ndihmuam kur bënë Kodin Zgjedhor, duke pranuar që krahas kartës së identitetit mund të përdoret edhe pasaporta, sepse ata në këto 6 muaj duhet të pajisnin me karta identiteti 3.2 milionë votues prezent në listat e votuesve, ndërkohë që po ashtu si sot, ata deklaronin se i kishin të gjithë mundësitë e kapacitetet për mbi 3 milionë karta identiteti për 6 muaj (lexoni të gjithë deklaratat e drejtuesve të maxhorancës para hartimit të kodit, pra para janarit 2009). Së treti, qeveria erdhi në janar 2009 pa asnjë program, plan dhe kalendar të qartë veprimi për të pajisur me karta identiteti vetëm rreth 1 milion votuesit pa pasaportë, por e filluan procesin vetëm në Tiranë zhurmshëm e rrëmujshëm. Ndërhymë dhe u bë vendimi i ri i qeverisë bazuar në sugjerimet tona për të pajisur me karta identiteti vetëm votuesit pa pasaportë. Procesi filloi, por pas pak kohësh u vunë re dy dukuri i) të gjithë kategoritë e pamundura financiarisht nuk po aplikonin dhe ii) akoma më keq biznesmenë të PD filluan të blinin kuponë dhe t’ia jepnin falas militantëve të PD, pra një proces selektiv në favor të PD. Në këtë moment bëmë propozimin për heqjen e taksës së votimit, pra për dhënien e kartës falas për të gjithë votuesit pa pasaportë dhe thjesht e jo me rimbursim të shoqëruar më kushte e detyrime e penallti nëse nuk aplikohet deri në 28 qershor 2009. E sqarova gjatë këtë çështje se nuk është PS me propozimin e saj për karta falas për të gjithë votuesit pa pasaportë që ka penguar procesin por ka vetëm dy faktorë 1) mungesa e vullnetit të kësaj qeverie që po shfaqet çdo ditë e më qartë dhe 2)paaftësia e saj për të realizuar detyra kaq komplekse e madhore. Nëse qeveria Berisha dështon në procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve të lira ë të ndershme, pra në realizimin e objektivit më të madh me të cilin lidhen edhe imazhi i vendit pas anëtarësimit në NATO dhe ecuria më tej e procesit të integrimit në BE, atëherë PS dhe e gjithë opozita pas një analize të thellë e të përgjegjshme do të duhet të formulojë një qëndrim politik, që besoj është standard për këto raste.

Para një procesi problematik zgjedhor të kontestuar për standarde të cenuara të një vendi të NATO-s, PS do të preferonte shtyrjen e zgjedhjeve deri në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, apo miratimin e ndonjë dispozite kalimtare në Kod për votim edhe me certifikatë apo leje drejtimi automjeti?
Aktualisht, përsëris vetëm qëndrimin publik. Nuk më lejohet të jem hipotetik aq më tepër që vazhdoj të besoj se ka ende kohe që kushtet teknike të sigurojnë pajisjen e të gjithë votuesve pa pasaportë me karta identiteti.  Për momentin qëndrimi i PS është me 3-JO: 1) Jo zgjedhje pa karta e pa pasaportë. 2) Jo manipulim të rezultatit të zgjedhjeve dhe ndryshim të fitores së PS përmes kartave të identitetit apo listat të votuesve 3) Jo shtyrje të zgjedhjeve pas afatit kushtetues.

Mendoni se shtyrja e zgjedhjeve, më shumë plotësimit të standardit të zgjedhjeve do t’i interesonte maxhorancës për përfundimin e atyre veprave infrastrukturore në proces, të cilat rrezikojnë të mos përurohen deri në qershor dhe si do të veprojë PS?
Nuk më intereson analiza e PD. Kjo çështje është shfaqur edhe gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor dhe ne kemi ngulur këmbë tek formulimi për caktimin e datës së zgjedhjeve, që është sot në Kushtetutë dhe në kodin zgjedhor. Dhe mbi këtë bazë është caktuar data e zgjedhjeve më 28 qershor 2009. Çdo shtyrje e zgjedhjeve do të kërkonte një trajtim kushtetues të komplikuar. Por përsëris, kjo nuk është në axhendën e PS. Ripërsëris qëndrimin e PS që kam shkruar edhe dy herë të tjera më lart, qëndrimin me 3-JO.
 

2 Komente

1) Në 62 prej tyre kanë aplikuar zero votues, 2) Në 40 prej tyre ka aplikuar vetëm një votues, 3) dhe në 152 prej tyre kanë aplikuar nga 2-15 votues

Unë kujtoja se qeveria nuk kishte bërë qëndra aplikimi që bërtisnin kta... pse ç'kërkojnë? që të shkojë Sala e të kapë njerëzit për krahu që të aplikojnë për kartat?

Nëse paisja me karta është kusht i domosdoshëm për të votuar, atëhere të gjitha subjektet politike do të bënin mirë që të shtynin elektoratin e tyre që të paisen me kartat... në mos, është e kotë që të gjejnë justifikime boshe.

 Siç duken bathet, shum njerez aty mendojne; "pse te harxhoj para une per karten, per taksen, per çertifikate, per keta maskarenj kur nuk do votoj, dhe as dua te votoj per keta maskarenj."  Te mos harrojme se marrja e çertifikates, kesaj rradhe ishte e lidhur me taksen e pastrimit, jo vetem per 2009 por dhe per vitet e mbrapme qe nuk ishin paguar, biles dhe per person te rritur. Nese ne nje shtepi banonin 3 te rritur, mbi 21-25 vjeç, paguanin te tre takse. Tirana me 700-800 mij banore kish rreth 400 mij te rritur qe sikur nga 50 euro (minimumi) tua zesh, i thone 20 milion euro qe mbledh bashkia e Tiranes nga qytetaret (jo bizneset) vetem kete pranvere, per te mos thene me shume. Po ti shtojme dhe taksat e pastrimit (jo tatimet qe jane shum here me te medhaja) qe mblidhen nga biznesi, i thone qe te kemi nje shifer 3-4 here me te madhe. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).