Karta e kartave

Çështja e kartave të identitetit është një kazus që i ndëshkon të gjitha palët, pavarësisht se po ecet drejt përdorimit si argument alibik prej dy palëve kryesore politike të vendit. Kjo është "kleçka" e një forme të vjetër përplasjeje mes dy korpuseve kryesore të politikës së vendit.

Opozita e Edi Ramës po hyn në një akt reagues dhe presioni, i cili, me të drejtë, mund të konsiderohet i vonuar. Premtimi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti, prej Kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij, ishte parathënë për t‘u kryer brenda vitit të parë të qeverisjes. Kjo nuk ndodhi dhe ishin edhe tre vjet të tjerë që fjala e vonuar të mbahej. Mirëpo, koha rrodhi më shpejt nga sa mendohej dhe sot kemi mbërritur në kufijtë limitë. Mospasja e kartave dhe prodhimi i ngadaltë i tyre për gjithë votuesit pa pasaporta po rrezikon besueshmërinë e pjesëmarrjes së lirë dhe sidomos ripërsëritjen e incidentit të përjashtimit të një numri të konsiderueshëm zgjedhësish nga e drejta për të përdorur votën e vet në emër të zgjedhjes së qeverisësve për mandatin tjetër.

Nga ana e vet, opozita e cila sot është alarmuar befas, duhet quajtur një palë politike detyrëpabërë. Çështja e kartave nuk është një kartë eklipsuese që duhet ta luajë secili që ka për detyrë ndeshjen dhe përballjen programore. Sipas kësaj logjike, ajo që po ndodh mes pozitës dhe opozitës, duket sikur po zhvendos qëllimin e fushatës, qëllimin e periudhës elektorale, i cili klasikisht njihet si qëllim për ballafaqim programesh dhe projektesh, premtimesh dhe ndryshimesh, dallimesh dhe platformash.

Nga data 28 qershor nuk kanë mbetur edhe shumë ditë. Palët kanë nisur fushatën e itinerareve me mitingje të vjetruara. Qeveria premton për llogari të mandatit të dytë, duke u shprehur se shumë gjëra të pambaruara do të përfundojnë pa diskutim në mandatin e dytë. Nga ana e saj, opozita po lëshon lajmin se po dorëzon programin e saj qeverisës, të cilin "nen për nen" do ta shohim të propaganduar në ditët e mbetura.

Brenda kësaj tabloje, çështja e kartave të pashpërndara është më me peshë se vetë programi që presim të njohim dhe të na japin palët. Sipas kësaj logjike, duket se zgjedhjet po përdoren thjesht për një kartë. Ose mund të thuhet se zgjedhjet
po bëhen të rrezikuara për shkak të kartave. Ky është argument amoral për secilën palë, si prej asaj që jep alarmin e vonuar, edhe prej asaj që nuk ka mbajtur premtimin, ndonëse kohën katërvjeçare e ka pasur në dispozicion. Kjo e dyta duhet vënë para përgjegjësisë dhe detyrimit ligjor që ka, pasi "çështja e kartave" ishte pjesë e reformës zgjedhore dhe premtim programor i qeverisë dhe Kryeministrit për
gjysmën e parë të programit qeverisës.

Ky fakt denoncon vetëm asinqeritetin e palëve, mungesën e transparencës përgatitore për publikun në lidhje me detyrimet përkatëse që kanë për procesin e afërt zgjedhor. Alarmi i socialistëve se zgjedhjet po rrezikohen është i pamjaftueshëm si argument. Pse? Është i pamjaftueshëm, sepse socialistët nuk i kanë konsumuar në kohën e duhur reagimet dhe presionin e tyre ndaj qeverisë që ky proces i prodhimit dhe lëshimit të kartave të niste në kohën e duhur. Opozita duhej të monitoronte procesin në përditshmëri, duhej të adresohej te detyrimi ligjor që kishte dhe ka administrata e posaçme për kartat dhe të vinte në lëvizje për këtë
vonesë të tejzgjatur deri edhe një komision të posaçëm parlamentar. Deklaratat nuk janë puna e mjaftueshme për një opozitë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një proces që ka lidhje thelbësore me legjitimitetin e aktit votues prej zgjedhësve kombëtarë. Kjo opozitë nuk i vuri kushte të prera shumicës në qeverisje në orët e konsensusit të madh për çështje kapitale siç ishte ajo e ndryshimeve kushtetuese apo ligji për Prokurorinë. Ndonëse disa prej konstitucionalistëve dhe ekspertëve të çështjeve zgjedhore u shprehën me shkrim dhe artikulim për rreziqet që ofron procesi i vonuar i kartave, ndonëse shumica e ndërkombëtare vijueshmërisht janë shprehur për nevojën jetike dhe domosdoshmërinë e prodhimit të kartave, opozita nuk dha një provë të vetme presioni konkret.

Justifikimet e kryeopozitarit Rama, janë lidhur vetëm me kujdesin e tij për të mos rënë në pozita të konflikualit dhe për të mos lënë shijen e rikthimit të konfliktualitetit në marrëdhëniet politike pozitë-opozitë. Opozita e zotit Rama në raport me këtë proces ka disa specifika të cilat nuk kanë qenë të tilla në kohë të
mëparshme. Zoti Rama dhe partia e tij, posedojnë mandatin qeverisës në shumicën e pushtetit lokal të vendit. Kjo do të thotë se administrata e majtistëve realisht është një faktor i fuqishëm pohues dhe ndikues mbi të vërtetat që lidhen me vonesën dhe avashllëkun e prodhimit të kartave të identitetit.

Nëse prej shumicës do të kishte selektim dhe shërbim të diferencuar për këtë proces, opozita e majtë do ta kishte denoncuar me kohë këtë fakt. Mirëpo, tashmë, kur kanë mbetur jo më shumë se dy muaj nga data zgjedhore, ky proces i zvarritur, po denoncohet si aspekti i vetëm rrezikues për zgjedhjet në tërësi. Ky qëndrim dhe sjellja shoqëruese opozitare, të japin shijen e plotë të përdorimit si një argument alibik. Letra e djeshme e kryeopozitarit Rama drejtuar Kryeministrit Berisha është një gjest politik për faturim përgjegjësie dhe për përdorim elektoral të argumentit faktik. Kjo do të thotë se një ditë më pas, Kryeministri Berisha do t‘i japë përgjigje po politike kryeopozitarit, por vështirë të besohet se do përshpejtohet procesi i pajisjes së qytetarëve me karta.

Në këtë hedhje-pritje, protagonistët politikë do ta konsumojnë me sa duket edhe pjesën e mbetur të këtij muaji elektoral, duke ngushtuar edhe më tepër
kohën për disa prej çështjeve më me peshë të kësaj fushate, siç është ajo për listat për kandidatët për deputetë dhe ballafaqimi i programeve qeverisëse. Hedhja e shumicës së artikulantëve të opozitës në garën shprehëse për çështjen e kartave gjatë kësaj jave, është pikërisht shprehja e qëllimit pragmatik ditor të opozitës, pra është më shumë se një "kartë" për kartat e kësaj fushate dhe këtij procesi elektoral
në të cilin tashmë është përfshirë vendi dhe institucionet tona politike.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).