Hapa të rëndësishëm në politikën e jashtme

Kryeministri Berisha ka ndërmarrë kohët e fundit një sërë takimesh dhe vizitash të rëndësishme me personalitete dhe në forume e vende të rëndësishme, ndërkohë që edhe Shqipëria është vizituar dhe pritet të vizitohet nga personalitete politike të vendeve me peshë të politikës botërore e rajonale. Mbase kjo është një rrjedhë apo kalendar normal i politikës së jashtme të qeverisë, mirëpo ka krijuar idenë e një mbështetjeje të konsiderueshme ndërkombëtare të qeverisë “Berisha”. Si e komentoni këtë situatë? (S)a mendoni se ndikon në politikën e brendshme, konkretisht në orientimin e elektoratit shqiptar mbështetja ndërkombëtare ndaj politikanëve apo politikave të caktuara në Shqipëri?

Është një e vërtetë që besoj se askush nuk e mohon dot seriozisht, që vendi ynë në këto vitet e fundit ka bërë hapa shumë të rëndësishëm përpara si në komunikimin diplomatik me faktorin ndërkombëtar dhe me vendet e huaja, ashtu edhe në përforcimin e pozitave ndërkombëtare të Shqipërisë.

Vlerësimet janë pozitive nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse duke u futur në NATO, si edhe duke kërkuar të aderojmë në Bashkimin Evropian, edhe vetë Kushtetuta shqiptare do ta njohë një ditë ligjërisht se detyrimet tona në bazë të traktateve të firmosura na bëjmë t’i konsiderojmë organizmat mbikombëtarë të sipërpërmendur si “pushtete” që ndikojnë në demokratizimin e mëtejshëm të vendit. Kemi të drejta, por kemi edhe detyrime në kuadrin e tyre.

Është fare e qartë se politika e sotme shqiptare ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe kjo nuk ndodh më kot.

Është në nderin dhe detyrën e çdo qeverie të ardhshme dhe Kuvendi të ardhshëm që ta vazhdojnë këtë strategji bashkëpunimi e këtë politikë.

Në politikën e jashtme të vendit shfaqen së pari rezultatet e një fqinjësie shumë të mirë me kombet që na rrethojnë.

Këtu veçoj marrëdhëniet me Greqinë, me Maqedoninë, me Italinë. Vizitat e bëra ose të pritshme të qeveritarëve të lartë të këtyre vendeve, tregtia me to, marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërkombëtar, paraqiten pa hije, në forma normaliteti dhe në frymën e rritjes së besimit. Pa dyshim që do të uroja që edhe bashkëpunimi ekonomik të forcohej në nivelin e bashkëpunimit politik, duke krijuar rajone ekonomike të integruara me lehtësira investimesh dhe me dinamika të integruara tregu. Sigurisht që ky normalitet ka peshë edhe mbi zhvillimet e brendshme në Shqipëri sepse krijon hapësira për operatorët e tregtisë së jashtme, sipërmarrësit shqiptarë, por sidomos edhe për emigrantët shqiptarë që ndodhen në këto vende. Me letra apo pa letra ata kanë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë. Nuk është e rastit që edhe emrin e koduar “Fshesa” nuk e kemi dëgjuar më.

Paqja në Ballkan pa dyshim që përbën edhe një kontribut të rëndësishëm të shtetit shqiptar.

Nuk është e kollajshme megjithatë që të mbahen në këto nivele marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë qoftë për faktin se midis vendeve fqinje herë pas here ka pasur konkurrenca lidhur me bashkëpunimin me Shqipërinë ose midis tyre, qoftë edhe për probleme që njihen tradicionalisht se kanë mbetur nga rëndësishmëria. Ka qenë e drejtë maturia e aktorëve politikë shqiptarë që përfaqësojnë politikën e jashtme të vendit për të kaluar mbi kontradiktat, për shembull, greko-maqedonase, lidhur me emrin e fqinjit tonë lindor.

Po kështu, Shqipëria ka një politikë të gjetur lidhur me Kosovën. Një përkrahje të fuqishme të saj në arenën ndërkombëtare e ka siguruar duke bërë detyrën e vet duke mos rënë asnjëherë në pozitat e ndonjë nacionalizmi të ngushtë apo të paternalizmit. Ka pasur ngrohtësi dhe kulturë të dyanshme në marrëdhëniet me aktorët politikë kosovarë si edhe me partitë shqiptare në Maqedoni brenda të gjitha rregullave etike dhe diplomatike ku nuk shihet asnjë hije hezitimesh.

Po kështu përbën një sukses edhe pranimi i vendit tonë në NATO në fillim të këtij muaji si edhe hapat që po ndërmerren për integrimin e përshpejtuar europian. Unë gjykoj se nuk duhet humbur kohë për ta vënë kandidaturën e Shqipërisë për t’u pranuar atje. Kjo besoj se ka vend të marrë konsensusin mbarëpolitik. Duke marrë këtë konsensus ajo e humbet çdo natyrë elektoraliste për të cilën ka hezitime. Sigurisht që BE-ja nuk i ka tani kushtet për të na pranuar, meqë ka shqetësime e kufizime të brendshme të përkohshme, por nga ana tjetër paraqitja e dosjes së kandidaturës do të tregonte edhe një herë tjetër vullnetin e kombit për t’iu bashkëngjitur Evropës së bashkuar. Pa dyshim që themeluesve të Bashkimit Evropian dhe atyre që janë motori i vërtetë evropian ky vullnet i Shqipërisë iu duket shumë i pëlqyeshëm.

Është po kështu në rrugë shumë të mbarë procesi i heqjes së vizave për shqiptarët. Pajisja e tyre me karta identiteti patjetër që do ta përshpejtojë atë. Edhe ky fakt është dhe do të jetë i ndjeshëm për qytetarët sepse jo vetëm do të lehtësojë lëvizjen e tyre në Perëndim, kontaktet familjare, kulturore, por edhe do të jetë një promotor i fuqishëm për ekonominë e vendit.

Është një sukses në fakt që Shqipëria arriti të merrte në mënyrë të menjëhershme ratifikimin e hyrjes së saj në NATO nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare. Është një matës i besueshmërisë dhe i marrëdhënieve tepër të suksesshme që vendi ynë ka në marrëdhëniet e veta ndërkombëtare. Kjo është konfirmuar edhe në takimet që krerët e shtetit kanë pasur vazhdimisht me presidentë, kryetarë parlamentesh dhe kryeministra të huaj, ku spikatin takimet me Kryeministrin italian, së afërmi me atë grek, me Presidentin francez, me kryetarë parlamentesh si edhe me qeveritarët më të lartë kinezë, maqedonas, me Kancelaren Merkel etj.

Kam përshtypjen se faktori ndërkombëtar e sheh me sy pozitiv politikën shqiptare. Janë bërë hapa në këtë drejtim pavarësisht se shpesh kanë qenë edhe disi të vështirë dhe me një “faturë” për t’u paguar. Ta zëmë, ndalimi i skafeve.

Janë pothuajse minimizuar trafiqet e paligjshme, si ato të lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore apo të lëndëve të ndryshme ilegale. Shqipëria e kontrollon me më tepër dinjitet dhe siguri kufirin e saj, sidomos atë detar, si edhe ka arritje në një politikë doganore të qëndrueshme.

Gjithashtu, ka pasur suksese në goditjen, ndëshkimin dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale në formën e rrjeteve ndërkombëtare kriminale.

Shteti shqiptar ka provuar forcën e vet pacifikuese duke u ikur me vullnet lëkundjeve të veta të fundit të viteve ’90. Në Shqipëri ka dhjetëra probleme të mprehta sociale. Shoqëria shqiptare është larg së qeni në ato nivele mirëqenieje që gjithkush nga ne dëshiron. Por, nuk ka pasur konflikte të mprehtë dhe jolegalë midis grupesh sociale. Këtë faktori ndërkombëtar e vlerëson veçanërisht.

Lehtësirat për investuesit e huaj kanë ecur në rrugën e duhur.

Ndërkaq, bregdeti shqiptar dhe toka shqiptare ka qenë dhe mbetet mikpritëse për turistët e huaj. Sigurisht, kemi shumë për të bërë për turizmin, është ende herët për të thënë se ka dalë nga një nivel thuajse primitiv, por nga ana tjetër nuk mund të mohohet se turisti i huaj ka gjetur në Shqipëri një territor të kontrolluar administrativisht, pra të sigurt, për t’i rënë kryq e tërthor. Nuk mund të mos gëzohesh kur sheh turistë të huaj, individë apo në grupe të vegjël që me çanta në krah i bien kryq e tërthor krahinave të vendit tonë duke shijuar bukuritë e tyre.

Kam qenë i interesuar gjithashtu për faktin se edhe kur politika shqiptare ka marrë ndonjë qëndrim për të cilin faktori demokratik ndërkombëtar ka qenë kritik, mosbesues, apo kundërshtues, nuk është mbajtur as qëndrim inferior dhe as një qëndrim kokëfortë. Ky ishte rasti i ligjit që u quajt i “hapjes së dosjeve”, i cili pavarësisht qëllimeve të mira, nuk ishte në përputhje me kuadrin ligjor demokratik dhe duhet të përpunohet për t’u bërë ashtu sikurse duhet. Politika shqiptare konsideroi se kjo çështje do të zgjidhej në rrugë ligjore nga Gjykata Kushtetuese dhe në të vërtetë ashtu ndodhi.

Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, them se nga arritjet në politikën e jashtme përfiton i gjithë elektorati shqiptar. Si ata, votuesit, që janë të interesuar drejtpërdrejt për një politikë hapjeje të vendit (tregtarë, intelektualë, familje emigrantësh, grupe minoritetesh etj.) ashtu edhe njerëz që në pamje të parë duken si të painteresuar drejtpërdrejt.

Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar është si ajo e mira që kur e ke, nuk e vlerëson shumë, sepse të duket e natyrshme, është pjesa jote, por nëse të mungon, ose bëhet e vështirë për t’u arritur, atëherë ndien se sa keq do të ishte po të mos ishte pozitive. Dikur kam lexuar një pjesë folklori që pak a shumë thoshte se fakti që i kemi ta zëmë organet trupore në gjendje normale, na duket si një fakt i neglizhueshëm, sepse jemi mësuar me to, nuk e vlerësojmë në jetën e përditshme, por sapo kemi një aksident dhe ndonjëri prej tyre dëmtohet, në këtë rast, menjëherë ndiejmë trishtim dhe dhimbje, duke vuajtur e duke qenë nostalgjikë për kohën e normalitetit.

Kështu, mendoj, ndodh edhe me politikën e jashtme dhe marrëdhëniet normale dhe të përforcuara me botën. Kur është paqe, pacifisti i lejon vetes të stigmatizojë gjithçka që lidhet me strategjitë e sigurisë së kombit, ta zëmë hyrjen në NATO, por harron se tensionet e botës së sotme, pa strategjitë në fjalë, mund të çojnë në konflikte, bile edhe të armatosura në kënde të ndryshme të botës e me pasoja të gjera.

Nuk diskutohet se kjo politikë e jashtme është në vazhdën e traditave më të mira të vendit tonë në këto vite tranzicioni. Si një vlerë pozitive së paku nuk pritet që elektorati shqiptar të ketë dilema, hezitime apo vërejtje mbi të në kuadrin e fushatës së ardhshme zgjedhore. Sigurisht që duke iu përgjigjur pyetjes suaj, mendoj se partia në pushtet e ka këtë avantazh pozitiv për ta paraqitur në elektorat. Nga ana tjetër, edhe opozita do të tregojë, besoj, se do të ndjekë të njëjtën politikë të jashtme. Ndryshe do të kishte ndodhur po qe se në këtë fushë do të kishte pasur probleme. Ndikimi negativ do të kishte qenë i ndjeshëm. Por, duke e trajtuar si një arritje tashmë të garantuar, elektorati do të pozicionohet politikisht në radhë të parë në raport me gjykimet që ai do t’i bëjë politikës kryesisht në planin e brendshëm.

Meqë jam këtu, nuk mund të mos vë re se të gjithë ata që mendojnë apo dalin para publikut për politikën e jashtme të vendit, nevojiten që ne si qytetarë të na trajtojnë paksa si më të rritur. Nuk është një tufë me fëmijë të paditur opinioni publik. Shqipëria hyn në NATO dhe e gjithë vëmendja e opinionit publik largohet nga kjo ngjarje dhe në qendër të debateve mediatike vendoset problemi se si ishin marrëdhëniet personale dhe protokollare gjatë ceremonisë së pranimit mes Kryeministrit të vendit dhe Presidentit të Republikës. E çfarë rëndësie ka për mua si qytetar një fakt i tillë që të “hajë” orë të tëra televizive? Të vjen keq. Në fillim të viteve ’90 Sali Berisha paraqitej refraktar në publik ndaj një bashkëpunimi me Kinën, kritikohej se ai, për parime ideologjike, po frenonte marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me këtë shtet. Sot, ai i jep prioritet këtij bashkëpunimi, ndërkaq, thuajse nga të njëjtët njerëz, kritikohet për të kundërtën, pra kritikohet se duke lënë mënjanë dallimet ideologjike midis partisë së tij dhe Partisë Komuniste Kineze, kërkon një bashkëpunim ekonomik të përmasave të mëdha.

Më kujtohet ajo fabula se çfarëdo temperature të kishte uji që shërbyesi i jepte gomarit, zotnia do ta kritikonte:

I ftohtë?

Ma ftohe gomarin!

I ngrohtë?

Ma dogje gomarin!

Ish-Presidenti Bush vinte për vizitë në Shqipëri. Një kontribut i madh edhe për Kosovën. Nuk kishte se përse në media të diskutohej pa fund për detajin më të parëndësishëm, më kot, më banal të mundshëm, pra nëse e humbi ai, apo jo orën midis turmës. Parlamentet e vendeve të NATO-s ndodheshin në proces ratifikimi të traktatit që na lejonte të hynim atje dhe në këtë kohë nuk kishte se përse vërejtjet publike të ishin se kryetarja e Kuvendit po udhëton shumë jashtë vendit.

Duhet me pas kujdes! Edhe duhet me qenë kritik ndaj politikave qeveritare, kjo është detyrë qytetare, e medias, e opozitës, e shoqërisë civile, por edhe duhet me qenë të drejtë dhe racionalë në këtë qëndrim kritik.

Duket se debati politik në parazgjedhje është mbërthyer tek kartat e identitetit. A ju duket normal ky politizim i procesit të “legalizimit të qytetarëve”. Çfarë mendoni se synojnë të përfitojnë politikisht palët e përfshira në ketë debat? A ndikon debati tek raporti i qytetarëve me këtë proces të rëndësishëm qytetar e ligjor?

Mendoj se nuk ndikon aq fort sepse sa herë që palët në debat diskutojnë për këtë problem, secila palë jep argumentet e veta dhe opinioni publik e ka vështirë të mbajë qëndrim nisur nga verifikimi personal i çështjes. Mendoj se ky debat i ndihmon fillimisht të gjitha palët politike, sepse ua bën më të lehtë fushatën elektorale duke e ulur cilësinë e saj përmbajtjesore. Është bërë tani pothuajse një çerek shekulli që lajtmotivi i fushatave elektorale nuk është aq se përse do të votojmë, por si do të votojmë. Nuk them se edhe kjo e dyta nuk është e rëndësishme sepse zgjedhjet duhet të jenë sa më të besueshme.

Ndërkaq, gjykoj se steka e verifikimit të identitetit të çdo votuesi është vënë jashtëzakonisht shumë lart. Kur në Evropë votohet edhe me patenta qarkullimi të automjeteve, certifikata e gjendjes civile shpesh është luks, ne kemi vënë si kërkesë ose paraqitjen e kartës së re të identitetit ose pasaportën. Nuk e kuptoj fort mirë se kush mund të më pengojë mua të votoj me certifikatë të marrë rregullisht pranë pushtetit lokal, me letërnjoftimin e vjetër, sa kohë që këtë të drejtë ma njeh ligji dhe këto dokumente njihen ligjërisht si të vlefshme për të provuar identitetin tim qytetar. Ndërkaq, opozita duhet të bëjë thirrje masive që elektorati të shkojë të aplikojë për t’i marrë kartat e identitetit. Po ashtu, shteti duhet të nxitojë që të gjitha ato lehtësira që ka parashikuar në planin buxhetor të zbatohen në mënyrë sa më shpejt në mënyrë që njerëz që kanë vështirësi financiare të lehtësohen kur është fjala për të pasur një kartë identiteti.

Por, mos harrojmë që ka edhe njerëz që nuk do të duan fare të votojnë. Ndofta kjo masë përbën si zakonisht edhe 30 për qind të elektoratit. Si mund t’i bindësh ata për të marrë kartën e identitetit me idenë e votimit? Ata mund të thonë: Unë nuk do të votoj fare sepse është e drejta ime të mos votoj. Pra, e gjej shumë të ndërlikuar lidhjen e të dy proceseve, të votimit dhe pajisjen me karta identiteti. Për një pjesë të popullsisë është në mënyrë të natyrshme që këto nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Sidoqoftë, detyra jonë qytetare është t’i nxisim njerëzit për të aplikuar për të marrë një kartë identifikimi.
 

8 Komente

Foto Cami ose Sofokli Lazri fiks .

Ore me te vertet, se kuptoj sa shume po i hecen Sales me politiken e jashtme.

 

 

 

Ca shonci ka ky mi noneeeeeeeeeeeeeeeeeeee

 

smiley

Jo vetem politika e jashtme por e gjithe poltika e qeverise Berisha eshte e suksesshme dhe rezulatet tregojne vete.E sukseseshme ne te gjtha reformat kryesore.Ka investuar ne infrastrukture, ka ngritur rrogat,pensionet,per cdo vit ka paraqitur ne parlament buxhet suplementar,te gjitha keto si rezultat i luftes kunder korupsionit ne ekomomi mbledhjaen e taksve,tatimeve ,c"doganimin etj etj .

Per keto arsye Berisha ka te drejte te kerkoje edhe nje mandat te dyte 

te cilin sigurisht qe do ta siguroje. 

 Une nuk e kuptoj se pse njerzit te mos votojne dhe me çertifikate. Si i behet pikerisht atij 30% qe s'do te votoje por qe disave nga ky 30% i teket te votoje pikerisht diten e fundit, apo vendos te votoje 1 dite perpara. Pse te mos perdori çertifikaten, apo ndonje dokument tjeter. 

Ndonje kunder argument kini , se qe e verteta ju djeg e diime shume mire , se kush ishte dhe kush eshte ai qe ka shkruar nuk ka rendesi per mua.

Ka rendesi nese ato qe shkruan jane apo jo te verteta .

E di qe do e fshish kete koment , sepse kaq ke ne dore dhe kaq ben , imagjino te kishe ne dore me shume , zot na ruaj .

Më kujtohet ajo fabula se çfarëdo temperature të kishte uji që shërbyesi i jepte gomarit, zotnia do ta kritikonte:

I ftohtë?

Ma ftohe gomarin!

I ngrohtë?

Ma dogje gomarin!

Opozita Shqiptare duket se njeh shume mire kete historine e Gomarit, dhe e perdor shpesh !!!

Dua te ngré vemendjen e njerezve per shpifjet e ulta qe 4 Gazeta perdoren keto dite per te denigruar Shqiperine, duke thene se "Berisha bleu viziten ne Paris me 17 helikopetere" !!! Ky eshte nje skandal i vertete ! Eshte tamen si historia e Ores se George Bush ... TURP i madh per ata maskarenj qe edhe ne artikujt e tyre progandistik nuk hezitojne t'a konsiderojne Shqiperine si "vend i Botes se Trete" ... Kane dhe paturpesine te guxojne te thone se "Vizita u ble per 17 helikopere" !!!

A thua valle se Franca u shit per 17 helikoptere qe do bleje Shqiperia, dhe se per kete ajo na mbeshtet plotesisht per te aplikuar per ne BE qe te marten ? A thua se Franca u shit per 17 helikoptere dhe per kete vendosi qe te thote TROC, e zeze mbi te bardhe se, "Shqiperia e ka vendin ne BE dhe se ky proçes eshte pa kthim mbrapa" ?

Shpjegimi i vetem i ketyre shpifjeve te uleta, eshte se Rama ja ben "BOF", kur shikon Berishen ne Elysée, sepse vete GOMARI kur ishte ne Paris rrinte poshte Urave dhe tiqej rrugeve si Barbon !

Sa per Historine e Blerjes se 17 Helikoptereve nga Shqiperia :

Ministri Francez i Mbrojtjes Hervé Morin, u takua javes qe shkoi me Gazmend Oketen, - pra 1 jave perpara vizites se Berishes ne Paris ! Pra, ne kete takim eshte folur per Helikopeter, jo midis Sarkozy e Berishes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).