Gjykata e Lartë hap "lojën" e dosjeve

Precedenti "Basha" provokon ankesat e para. Vendimi nr. 88, flet vëllai i të dënuarit: Shkeljet e procedurave të njëjta, por gjykimet të ndryshme

Precedenti më i fundit kur Gjykata e Lartë u duk se favorizoi ministrin Basha për të shpëtuar nga akuza për abuzimin e fondeve me rrugën Rrëshen-Kalimash, si një nga njerëzit që "përfitoi" nga qenia në pushtet, ka hapur një debat, nga i cili pritet të reflektojë i gjithë sistemi i drejtësisë dhe ligjvënësit e rinj. Në redaksinë e gazetës sonë, përveç shumë të tjerëve, ka trokitur edhe Shpëtim Hila, i cili rrëfen sesi i vëllai ndodhet prej tetë vjetësh në burg, megjithëse e kishte kundërshtuar prokurorinë për procedurat e dërgimit të dosjes në gjykatë. Rasti i Danush Hilës është përmendur nga prokurori Artur Selmani në procesin gjyqësor në Gjykatën e Lartë të dosjes "Durrës-Kukës", si një precedent i njëjtë. Pra, Gjykata e Lartë luan me dy standarde... Prokurori deklaronte se Gjykata e Lartë duhet të hapë shqyrtimin gjyqësor për të pandehurit Lulzim Basha dhe Andi Toma, pasi në të kaluarën kjo gjykatë ka shqyrtuar edhe dosjen ndaj Hilës, megjithëse kishte të njëjtat probleme. Por në fund, Gjykata e Lartë ka refuzuar ta gjykojë Bashën, ndërsa më parë kishte hapur shqyrtimin gjyqësor për Danush Hilën. I vëllai i tij tregon në një intervistë për gazetën se kjo gjykatë vepron me dy standarde, madje akuzon edhe dy gjyqtarët Spiro Spiro dhe Besnik Imeraj. "Dy gjyqtarët Spiro Spiro dhe Besnik Imeraj të gjykohen për vendimet ndryshe që kanë dhënë dhe që rëndojnë mbi familjen time, pasi vëllai ynë ndodhet në burg prej tetë vjetësh. Të dy këta gjyqtarë kanë që në kohën e komunizmit që janë në detyrë edhe sot e kësaj dite, kur jemi në një demokraci, japin dënime komuniste", thotë Shpëtimi. Ai shton se i bën thirrje Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, ministrit të Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, dhe të gjitha institucioneve zbatuese të ligjit në vend, që të rishqyrtojnë rastin e vëllait të tij. Ai thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë ka sjellë një familje të prishur, pasi i vëllai, Danushi, ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur në kushte të vështira. Pas prononcimit të Shpëtim Hilës, që fliste për gjykime të ndryshme nga njerëzit e drejtësisë, gazeta kontaktoi Gjykatën e Lartë, nëpërmjet zëdhënëses Ida Vodica. Ajo tha se gjykatësit shprehen me vendim, ku pasqyrohen të gjitha arsyetimet ligjore dhe se nuk mund t‘i japin përgjigje individëve të caktuar. Sipas saj, zbardhja e vendimit mund të jetë zgjidhja e vetme për të interesuarit.

Vëllai juaj, Danush Hila, është dënuar nga Gjykata e Lartë me dhjetë vjet burg, ndërsa familja juaj pretendonte se prokuroria kishte gabuar me procedura. Si është e vërteta e kësaj historie?

Vëllai im është arrestuar më 5 mars të vitit 2003. Policia e akuzonte për armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike. Më pas, çështja është dërguar në Prokurorinë e Fierit. Kjo e fundit, e ka dërguar në gjykatë. Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit, me vendimin nr. 88, datë 12.05.2004, ka vendosur: Ta deklarojë fajtor për kryerjen e veprës penale të mbajtjes së lëndëve narkotike dhe dënimin e tij me tetë vjet burgim. Ta deklarojë fajtor për kryerjen e veprës penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe dënimin e tij me pesë vjet burgim. Kjo gjykatë e dënoi përfundimisht me një dënim të vetëm me dhjetë vjet burgim. Kundër vendimit të Gjykatës së Fierit dhe të Apelit Vlorë, ka paraqitur rekurs vëllai im Danush Hila, nëpërmjet mbrojtësit të tij, i cili kërkoi prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke parashtruar këto shkaqe: Gjykata në dhënien e vendimit është mbështetur kryesisht në provën e vetme, përgjimin mes të pandehurit dhe babait të tij. Megjithatë gjykata ka marrë të mirëqenë procesverbalin e transkriptimit, përmbajtja e të cilit nuk i përgjigjet rrethanave të faktit, vendit të gjetjes së sendeve të kundërligjshme. Danushi mohon të ketë qenë bashkë me babain në ambientet e komisariatit, që të ketë bërë këtë bisedë. Kaseta nuk është përshkruar e administruar sipas rregullave rigoroze të përcaktuara në ligj. Në seancën gjyqësore ajo u paraqit me një zarf të hapur me shenjat Mc.30, nr.21618087, ndërsa në procesverbalin e transkriptimit thuhet se është kasetë "Soni" me nr.1. Në vendimin për lejimin e përgjimit, datë 05.03.2003, prokurori ka lejuar përgjimin midis të pandehurve, në një kohë kur ato nuk e kishin marrë këtë cilësi. Mendoj se janë shkelur dispozitat procedurale që lidhen me afatin e hetimeve ndaj dosjes së vëllait tim Danush Hila.

Ju thoni që është zhvilluar një proces gjyqësor fals, duke parë procedurat e ndjekura nga organet e ndjekjes penale. Po gjykatat si i vlerësuan provat tuaja?
Gjykata thotë se më datën 05.03.2003, rreth orës 19:00, punonjës të forcave antidrogë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit, pas marrjes së një informacioni, kanë ushtruar kontroll në një tunel të ndodhur në afërsi të banesës së vëllait tim, Danush Hila. Aty janë gjetur të fshehur gjashtë thasë, katër prej të cilave ishin të mbushur me 107 pako lëndë narkotike, e presuar dhe e mbështjellë me natraban, ndërsa pjesa tjetër e papërpunuar. Sipas gjykatës, jashtë tunelit, janë gjetur të mbuluar me plastmas disa thasë sintetikë dhe një çantë, ku brenda tyre është gjetur lëndë narkotike, katër armë zjarri tip automatik, krehër të mbushura me fishekë, tri granata difensive, katër ndezës dhe një sasi e madhe fishekësh të ambalazhuara në shishe e në qese. E gjithë sasia e lëndës narkotike, sipas gjykatës, ishte në total 122 kilogramë dhe e llojit kanabis sativa. Sipas akt-ekspertimeve teknike, armët kanë rezultuar të parregullta teknikisht.

Pra mendoni se është dënuar padrejtësisht?

Kam bindjen e plotë, kjo e bazuar edhe me prova, se lënda narkotike nuk është e vëllait tim. As municionet. Ato janë gjetur afër banesës, në një vend që shërbente në kohën e komunizmit për vendstrehim, të cilat mund t‘i kishte çuar kushdo, pasi është në afërsi të rrugës kryesore të fshatit. As shenja gishtash nuk u gjetën. Asnjë provë që të implikohej im vëlla. Oficerët e policisë gjyqësore kanë manipuluar provat, pasi asnjë fakt nuk ka qenë kundër vëllait tim.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë, vëllai juaj kundërshtoi afatet e hetimit. Si është e vërteta e këtyre procedurave?

Megjithëse çështja penale në ngarkim të vëllait tim është mbajtur gjashtë muaj pa zgjatje hetimi, çka përbën shkelje ligji, prokuroria e ka dorëzuar dosjen në gjykatë. Disa veprime hetimore në ngarkim të vëllait tim janë kryer pas mbarimit të afatit të hetimit. Vendimi i prokurorisë për ta marrë të pandehur vëllain tim ka qenë pas këtij afati, si dhe dërgimi i dosjes në gjykatë.

Pra, prokuroria ka gabuar...

Absolutisht po. Duke u bazuar te faktet e mësipërme, i kërkoj Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, ministrit të Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të rishikojnë vendimin e Gjykatës së Lartë ndaj vëllait tim, Danush Hila. Kam bindjen e plotë se dënimi është i pamerituar dhe se drejtësia shqiptare nuk ka funksionuar. Si shembull marr vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, e cila ka shpallur të pafajshëm të pandehurit e dosjes "Durrës-Kukës". Mendoj se dosja e vëllait tim, që mban numrin 536 në Gjykatën e Lartë, ka të njëjtat procedura me dosjen "Durrës-Kukës". Dosja e fundit, sipas asaj që kam dëgjuar në media, është mbyllur, ndërsa vëllai im ndodhet prej tetë vjetësh në burg. Mendoj se dy nga anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë vepruar me dy standarde, ku vëllain tim e kanë dënuar me burg, ndërsa e drejta e ligjeve qëndron ndryshe, pasi të akuzuarit e "Durrës-Kukës" u shpallën të "pafajshëm". Edhe një herë, i kërkoj të gjitha institucioneve që kanë lidhje me drejtësinë të rishikojnë vendimin e vëllait tim Danush Hila, pasi prokuroria ka gabuar me procedurat e dërgimit të dosjes në gjykatë.

Deklaruat se Gjykata e Lartë ka vepruar me dy standarde për çështjen me procedura të njëjta. Kujt ia atribuoni fajin?

Theksoj se dy gjyqtarët, Spiro Spiro dhe Besnik Imeraj, të gjykohen për vendimet ndryshe që kanë dhënë dhe që rëndojnë mbi familjen time, pasi vëllai ynë ndodhet në burg prej tetë vjetësh. Të dy këta gjyqtarë kanë që në kohën e komunizmit që janë në detyrë edhe sot e kësaj dite, kur jemi në një demokraci, japin dënime komuniste. Duke favorizuar postin e tyre, shkelin ligjin sipas qejfit.

A ka bërë ndonjë përpjekje familja e vëllait tuaj që drejtësia të vihet në vend?

Familja e vëllait tim, si pasojë e kësaj drejtësie, nëse mund t‘i thuhet kështu, ndodhet në kushte të rënda ekonomike, pasi Danushi ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur, në mëshirë të fatit, pa asnjë lloj ndihme sociale dhe ekonomike. Edhe një herë, drejtësia le të zbatohet e barabartë për këdo, pasi nuk ka asnjë logjikë që vëllai im të "kalbet" në burg dhe njerëz të tjerë të qëndrojnë të pafajshëm, ku janë në të njëjtat rrethana. Familja jonë do të njohë të gjitha përfaqësitë diplomatike me dramën që po kalon familja jonë, pasi prej tetë vitesh, një pjesëtar i familjes sonë qëndron në burg, ndërsa persona të tjerë që kanë shkelur ligjet dhe i kanë shkaktuar shtetit shqiptar qindra miliona euro humbje, nuk i hyn "gjembi në këmbë".

Juristi

Arben Prifti, gjykatësit e "Bashës", me dy standarde

"Në çështjet gjyqësore në gjykimin e së cilës ku si palë në proces ka pasur subjekte të politikës, janë thyer parimet e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, ku gjykatësi nuk është ndier zot i profesionalizmit, i pavarësisë dhe i zgjidhjes drejt të çështjes juridike. Kjo frymë e zgjidhjes së problemit juridik jo në mënyrë konsekuente dhe harmonike me parimet e së drejtës, më bën të mendoj se dashur pa dashur, apo ndoshta në ndonjë rast edhe në mënyrë të vullnetshme, ka depërtuar edhe në Gjykatën e Lartë, kur në çështje të caktuara, por me objekt të njëjtë, konstatohen zgjidhje me dy standarde, ose siç mund ta quajmë ndryshe standardi i dyfishtë. Besoj se në këtë rast, preken në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themeltare të individit, pasi në gjykime kur si palë përfshihen subjekte të veshur me imunitet politik, mbahet një qëndrim katërçipërisht i ndryshëm nga qëndrimi që ka mbajtur po ai Kolegj, kur si palë në proces kanë qenë subjekte jo të politikës, por individë apo qytetarë të thjeshtë. Kjo mënyrë e të vepruarit, pa dyshim që sjell cenimin dhe dhunimin e së drejtës së individit".

Gent Ibrahimi

"Basha", gjykata duhet të hapte gjykimin

A veproi kështu Gjykata e Lartë në rastin e ministrit Basha teksa vendosi që veprimet hetimore të njoftimit të marrjes si i pandehur dhe dërgimit të çështjes për gjykim të kryer në kapërcim të afatit hetimor të konsiderohen të pavlefshme?

Pa vënë në dyshim të drejtën e gjykatës për t‘i dhënë çështjes pikërisht këtë interpretim, vështirë se mund t‘i kursejë asaj gjykimin si një gjykatë inkoherence, pasi të paktën në tri raste të tjera gjykata ka ecur në një drejtim tjetër. Natyrisht që precedentët që vendos gjykata nuk janë një këmishë force për të. Pra vetë gjykata mund të ndryshojë qëndrim në lidhje me një çështje, veçse çdo kthesë duhet të justifikohet mirë, midis të tjerash, duke bërë edhe dallimin me precedentët e mëparshëm.

Precedentët e tjerë

Vendimi 1

Vendimi i parë daton më 16 korrik 2003 dhe mban numrin 430. Çështja kryesohej nga Kristaq Ngjela, ndërsa si anëtar ishte gjyqtari Spiro Spiro, aktualisht kryetar i dosjes "Durrës-Kukës". Të gjykuarit në këtë rast ishin Riza Vokshi, Eqerem Dashi dhe Sefer Vokshi. Një nga të pandehurit në rekursin e tij kishte kërkuar prishjen e një vendimi, por Kolegji Penal çmoi si të pabazuara në ligj pretendimet e ngritura në rekursin e të gjykuarit Sefer Vokshi për pavlefshmëri të vendimit të njoftimit të akuzës, vendimit për përfundimin e hetimeve dhe njohjen e të pandehurit me materialet e çështjes.

Vendimi 2

Vendimi daton më 20 dhjetor 2006 dhe mban numrin 778. I pandehur në këtë rast ishte Eduart Allamani, i cili akuzohej për shpërdorim detyre. Prokuroria deklaroi se në këtë proces, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, megjithëse çështja kishte parregullsi procedurale, duke i hapur rrugën shqyrtimit gjyqësor. Vendimet e mësipërme konsiderohen nga prokuroria si "detyrim" për gjykatën që të hapë shqyrtimin gjyqësor të abuzimeve gjatë ndërtimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, ku të pandehur janë ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, dhe vartësi i tij, Andi Toma.

2 Komente

Blend, meqense je ne mbrendesi te çeshtjes "Basha", eshte e vertet se prokurori qe ka hartuar akuzen eshte nje ishkryetari i kontrollit te shtetit ne qeverin e Nanos '98?

Mundet qe te jemi te informuar edhe per kete?

flm.

Vallaj nuk e di or lum. Nuk do cuditesha se cfare nuk ndodh ketu. Vetem se prokuroret jane njerez qe kane mbaruar per Ligj, dhe te ketij zanati dmth. Kurse keta te KLSh jane te ekonomi-finances - me fal per injorancen.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).